21/12/2024

Barrikada e brendshme na kanë ndalë hovin e rritës

0
Ndue-Ukaj

Nga Ndue Ukaj

Nëse përditë i kritikojmë të tjerët dhe veprimet e tyre të këqija, por në anën tjetër nuk bëjmë vepra të mirë për vetveten, askush në botën normale nuk na kupton e as mirëkupton, përkundrazi, na shohin si disa tutkuna e qaramanë që nuk dinë gjë tjetër pos të ankohen.

Gjuha dhe veprimet e matura politike – ishin dhe duhet të jenë shkolla politike e Kosovës.

Përmes kësaj kulture, kemi arritë të akordojmë një botë të tërë – të flasë dhe të angazhohet për Kosovën. Dhe ia kemi dalë të realizojmë krejt çka kemi aspiruar.

Me gjuhë të pjerdhur, arrogante e të egër, çorientojmë vetveten, siç e kemi çorientuar tashmë, dhe i hutojmë të tjerët, siç i kemi filluar t’i hutojmë. Dhe mund të vjen një ditë kur të tjerët nuk na njohin. E kjo mund të jetë fatale.

Ka kohë që Kosova ecë e trullosur; ka kohë që dirigjentët e politikës, në vend se të ruajnë akordimet e krijuara me mund e me dije, pi janë vërsulë këtij akordi. Ndoshta pavetëdijshëm, ndoshta për shkak të agjendave të caktuara, ndoshta për shkak të deformimit ideologjik – pak ka rëndësi.

Rëndësi ka të thuhet se sot, politika jonë ngjan me disa komentatorë të lodhshëm e mediokër të ndodhive politike. Nuk ka ide, nuk shquhet për asnjë ideal, nuk ka alternativa.

E politika që komenton se ç’ndodh nuk është politikë. Mund të jetë biznes, lojë e pistë ose dikujt i pëlqen të thotë e mirë, por jo politikë.

Ne duhet ta kthjellojmë vetveten, të shohim përpara vetes barrikada të frikshme që kemi vendosë dhe që nuk po na lejojnë të shohim, sepse horizonti ynë duket krejt i barrikaduar.

Barrikada e brendshme na kanë ndalë hovin e rritës, hovin e dashurisë për vendin, për njeriun, për të kaluarën, miqtë fisnikë.

Llomotitjet, politika shterpe e pa kurrfarë vizioni nuk sjell rezultate, sjell demagogji dhe turma që ushqejnë dashuri gati sensuale për udhëheqës.

Shtetet e mençura punojnë me miq besnikë dhe aleatë strategjikë, sepse kështu mund të jenë të sigurtë dhe ecin kah progresi.

E ne?

Me këto standarde kaq të ulëta politike, me këto politika shterpe në arsim, kulturë, shëndetësi, me këtë sasi të madhe të moskokëçarjes, me gjithë këtë agresivitet që shfaqet në gjuhë e mendime publike, druaj se breznive të reja do t’iu lëmë shumë pak vlera dhe llum pafund.

Kurrë nuk është vonë të pendohemi, sepse pendimi është një prej vlerave më të mëdha njerëzore, të kthjellemi dhe të dalim prej kësaj mjegulle të tmerrshme mendore dhe atëherë mund ta shohim atë që thoshte para një shekulli Konica – armiq më të mëdhenj se vetveten – nuk kemi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok