24/02/2025

Bandat haxhiqamile dhe ato komuniste

0
Ndue-Ukaj

Nga Ndue Ukaj

Që historia shqiptare ka plot udhëheqës budallenj e ngjarje negative, këtë fakt asnjë mendje normale nuk mund ta mohojë. Lë t’i kujtojmë bandat haxhiqamile dhe ato komuniste.

Kosova sot është mbërthyer nga shëmtia e shterpësia politike, nga smogu ngulfatës, që përditë e më shumë po e troshitë shëndetin tonë politik.

Të duket sikur ka goditë ajo Siberia mendore, për çka fliste dikur Vangjel Koça, ajo Siberi që na ka falë plot kufoma mendore.

Me siguri, ka shumë arsye për këtë: tradita e varfër, arsimi i keq, por kryesorja, po, kryesorja lidhet me idetë e këqija që kemi mbjellë e kultivuar me fanatizëm. Ideja e mohësave, mosmirënjohjes dhe e akuzave qorre, e kanë shkatërruar mjedisin tonë politik, ku veç fjala armiqësi e mashtrim gjen shpreje.

Prandaj, prodhojmë politikanë budallenj, që gjithmonë kërkojnë armiq, jashtë e brenda, sepse u duhen për t’i justifikuar marrinat e tyre.

E kanë thënë shumë të mençur shqiptarë, se ne, nuk e njohim fajin, nuk pendohemi e nuk marrim mësim prej ngjarjeve që na bëjnë me turp, prandaj rrëzohemi në të njëjtat gropa, prandaj, jemi të fundit e besa edhe më të mjerët në Europë.

Ky është ai smogu që është duke e përkeqësuar

shëndetin tonë politik dhe askush tjetër.

Ernest Koliqi, një prej mendjeve më cilësore të historisë sonë, thoshte se shqiptarëve ju pëlqen politika “jo aqë ajo qi me ânë të nji përpjekjeje vepruese ka qellim ndertues, por ajo qi shfren në bisedime tue ndejë në kafehâne ase rreth nji tryeze shtrue me pije e meze…Mbush e derdh…Vizatò e shlyej situata…Naltësò e zbrit persona, grupe, shtete, kontinente. Fundi?”

Kurgja nuk dallon Prishtina e sotme politike, prej përshkrimeve të kohës së Koliqit, edhe pse ka kaluar gati një shekulli.

Prandaj, zgjedhjet te ne prodhojnë deputetë të cekët, që asnjë fjali nuk dinë ta shkruajnë e ta artikulojnë shqip, kurse mendimin politik e kanë luks të paarritshëm.

E njerëzit e padijshëm e pa parime, ndërrojnë brenda nate, tradhëtarin e bëjnë hero dhe anasjelltas, bëhen sikur bashkohen për interesa kombëtare, sepse ata e mbrojnë pushtetin e kështu bëhen gardianë të marrëzisë.

Po, shqiptarët e Kosovës sot janë të çoroditur e të përçartë në politikë…Si para një shekulli, kur Fishta

I pezmatuar fliste për faqezinj, rriqna e mikrobe të zi.

Prandaj, urata ma e mirë në këtë shtërngatë është që njerëzit të nisin ta refuzojnë këtë ushqim kaq helmues, sepse, po vazhduam kështu, veç një gjë është e sigurtë: degradimi e shkatërrimi ynë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok