Banak
Nga Edison Ypi
Sonte në këtë Banak televiziv do diskutojmë për Poezinë me dy vargje,
Bari
Atje poshtë lëvizi bari
erë s’fryvi ai ç’pati ?!
Si i shihni ju Zonja Gorja këto vargje me erën që fryvi e s’fryvi dhe barin që lëvizi e s’lëvizi ?
-Është e qartë se Era që s’fryn është fukarallëku. Bari me rrënjë është zengjinllëku. Por Era mund të fryjë si t’i teket. Autori i kësaj Poezie është një dinak që pyet kot. Si Gore që jam, kaq di të them.
Po ju Zoti Kuçi, ç’mund të na thoni ?
-Era që s’fryn është Politika që s’merakoset për popullin. Bari që lëviz edhe kur erë s’fryn, është populli zevzek të cilit s’i zë bytha vend.
E aprovoni apo e kundërshtoni Zotin Kuçi ju Zonja Buçja ?
-Përderisa në këtë Banak nuk i përgjigjemi dot pyetjes; Çfar bën era kur nuk fryn ? fjala është për një situatë erotike me protagonistë, “Barin e poshtëm” që lëvizi dhe “erën e epërme” që s’fryvi.
Si ju duken këto që thanë parafolësit juve Zoti Gopi ?
-Unë Gopi them se ngaqë Bari lëvizi edhe atëhere kur erë s’fryvi, është e qartë se kemi të bëjmë me një përpjekje të lavdërueshme për të ringjallur shpirtin e iniciativës. Se çfar bën era kur nuk fryn e di gagaçi Zoti Çiçi që nuk jam i sigurtë nëse do flasi a do dërdëllisi.
A ua rrënqethën ndopak mishin këto vargje juve Zoti Piçi ?
-Më vjen keq që e vini në dyshim. Po mendoj për gjenialetin e autorit të këtyre vargjeve.
-Si ju duket juve Zonja Shtupa rrënqethja e zotit Piçi ?
-E pa justifikuar. Era nuk fryn vertikalisht, por vetëm horizontalisht. Ky paradoks kompromenton kapacitetin cerebral dhe aftësinë vargëzuese të autorit.
Na thoni diçka ju Zonja Dhia.
-Përderisa era s’fryvi, e megjithatë bari lëvizi, që gjërat të vihen në rrjedhën që ka fal Zoti, bari që lëvizi me forcat e veta është një apel për erën që s’fryvi, e cila tash e tutje do fryjë, pra do bashkëpunojë.
-Zoti Tubi, a mund të na thoni se prej kujt e pret përgjigjen ky Poet që pyet ?
-Këto dy vargje që shpërthejnë nga katakombat e subkonshit të Poetit në formën e një rrebeshi simbolikash me erëra dhe barëra që fryjnë e s’fryjnë lëvizin e s’lëvizin duke pretenduar se barin e lëviz vetëm era, dhe era fryn vetëm për të lëvizur barin, janë thjesht të mrekullueshëm. Çka nuk do të thotë se janë pa të meta, por jo ato që pa të drejtë nënvizuan parafolësit. Ç’janë këto erëra që na shkulkan barëra dhe këta barëra që na shkaktokan furtuna ?! Kjo është pyetja. Këtu të ndalim derisa sytë të na pëllcasin.
E keni fjalën ju Zonja Dosa.
-Mohimi i të drejtës së erës për të bërë çfarë të dojë është i pafalshëm. Era është në të drejtën e saj të mos lëvizi barin që ndodhet aty, por një tjetër bar që ndodhet në një tjetër vend, pse jo edhe në një tjetër kohë. I bëj thirrje Banakut të reflektojë për një qasje më integrale ndaj problemit.
Zoti Kuçi, kur, sipas jush, është më mirë për shëndetin të lexohen këto vargje, para buke, pas buke, ditën, natën, në muzg, para gjumit, pas gjumit, brenda ëndërrave, gjatë fryrjes së erës, gjatë lëvizjes së barit ?
-Poezia nuk është spital që të këshillon si ta ruash veten nga traumat, kryesisht ato psiqike. Mua më preokupon karakteri misterioz i pyetjes: “Ay ç’pati ? Duhet qartësuar cilin pyet ky Poet ? Barin që lëvizi, erën që s’fryvi, veten e vet, ne Banakierët, apo shikuesit e mjerë që në kësi rastesh hutohen, tremben, s’dinë nga t’ja mbajë, mbështillen me jorgan, dhe ja fusin gjumit ? Vetëm pasi t’i japim përgjigje kësaj pyetjeje mund të themi me plot gojën se më së fundi ja kapëm fillin këtij konspiracioni, dhe kemi nisur ta kryejmë si duhet misionin tonë fisnik prej Banakierësh nokturnë edepsëzë të pashërueshëm.
-Cili është sipas jush Zonja Kaçka pika kulmore e kësaj poezie, si të thuash momenti më drithërues i saj, kur zemra gufon, sytë lagen, qurrat rrjedhin, shpirti plas ?
-Është e gjitha një poezi kulmore, madhështore, uluritëse, dalë nga penda demoniake e Poetit.
-Faleminderit për kontributin e paçmuar që dhatë. Mirupafshim në Banakun e ardhshëm. Deri atëhere na ruajt Zoti.