22/12/2024

Ballkani dhe pozita gjeopolitike

0
Nike-Gashaj

Nga Nikë Gashaj

Ballkani sipas pozitës së vet gjeografike dhe zhvillimit historik dhe qytetërues, paraqet kërthizën dhe djepin e Evropës, një derë e madhe ndaj Lindjes dhe Perendimit, Veriut dhe Jugut të Evropës. Kështu, pra, për ballkanin me të drejtë flitet si “hallkë botërore”, urë dhe kufi e takimeve dhe qytetërimeve të ndryshme, si njëfarë “kryqëzimi apo nyje gjeopolitike”.

Ballkani në kuptimin gjeokulturor është hapësirë në të cilën takohen dhe kryqëzohen harqet e civilizimit të religjioneve më të mëdha botërore (katolike, ortodokse dhe islame). Në kuptimin etnografik është zonë e “koktejit etnik”, në pikëpamje të trafikut-është urë ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit, Veriut e Jugut. Në kuptimin politiko historik dhe sociologjik është një hapësirë e flaktë e ndarjeve të popujve dhe shteteve, ballkanizmit, e konflikteve, migracioneve, tranzicioneve të përhershme dhe dyndjeve të popujve. Po ashtu hapësira ballkanike vuan nga “historia e tepërt” e cila tragjikisht përsëritet.

Në “Enciklopedinë e Jugosllavisë” (1985) Ballkani përkufizohet si “hapësirë e Evropës Juglindore, ndërmjet Detit të Zi, Detit Marmara, Detit Egje, Jonit dhe Adriatikut, çka do të thotë se kufirin e tij verior e përbën vija e tërhequr nga gjiri i Triestes deri tek Deti i Zi, dmth prej Triestes deri në Odesa”.

Mu për këtë arsye të pozitës antropogjeografike të Ballkanit, disa mendimtarë kanë konstatuar se është “ndërtuar shtëpia midis rrugës”. Në atë kuptim Ballkani paraqet derën dhe pragun e Evropës, fortësen e saj, por edhe urën përkrye së cilës dhe në të cilën janë konfrontuar qytetërimet e ndryshme dhe formacionet ushtarake të fuqive të mëdha në marshimet dhe ekspeditat e tyre për pushtimin e botës.

Një pozitë e tillë gjeografike e ballkanit, me pasuri të llojllojshme të xeheve dhe përbërja e përzier etnike, kanë ngacmuar luftra dhe intervenime luftarake, si dhe ndërhyrjen permanente të Fuqive të Mëdha.

Andaj, e ashtuquajtura ” Çështja e Lindjes” është mbajtur si e hapur për një kohë të gjatë, ndërsa Ballkani është prezantuar si “vilajet i errët” i konflikteve dhe i urrejtjeve si “fuçi baruti”.

Në qoftëse bëhët një vështrim i shkurtër i historisë bashkëkohore të Ballkanit, do të vërehët se pikërisht në atë hapësirë është luftuar më së shumti në shekullin XX dhe se janë bërë gjenocidet më të mëdha në dy luftrat botërorë, por edhe në historinë më të re, në veçanti në Kosovë dhe në Bosnje e Hercegovinë. Në atë aspekt, shprehjet “Ballkan”, “Ballkanik”, “Ballkanizëm” janë përdorur si theksim i përqeshjes, talljes dhe ironimit të zonave më të rrezikuara, në të cilat dominojnë dhuna dhe kaosi, ndarjet dhe konfliktet.

Hulumtuesit kur flasin për “Homo-ballkanikusin” dhe “ballkanizmin” nënkuptojnë primitivizmin, një të keqe, hapësirën e urrejtjeve, shtete dhe popuj të ngatërruar ndërmjet veti, në konflikte të të cilëve  gjithmonë ndërhyjnë të mëdhenjtë dhe të fuqishmit, të cilët, për interesa të tyre gjeostrategjike ata i ndajnë dhe i konfrontojnë edhe më tepër në mes veti.

Fatkeqësisht, një seri procesesh lidhur me progresin teknologjik-shkencor dhe të modernizmit të botës në shkullin XX dhe në fillim të shekullit XXI, të cilat e kanë ndërruar fizionominë ekonomiko-politike të Ballkanit, ende nuk e kanë ndërruar dukshëm shpirtin e tij, dmth psikologjinë kolektive të popujve ballkanikë.

Në atë drejtim tregon edhe fakti se popujt ballkanikë nuk shfaqin interesimin e duhur për bashkëpunim dhe integrim. Për shembull, në fushën e tregtisë se jashtme, partnerët e tyre për bashkëpunim më shpesh janë popujt e tjerë sesa ato fqinjë. Kjo, ndër të tjera, flet mbi paragjykime të fuqishme dhe ngarkimet nga koha e kaluar historike, të cilat akoma janë të pranishme në psikologjinë e popujve ballkanikë.

Në Ballkan, si hapësirë e “koktejit etnik”, gjatë historisë së mëparshme,  por edhe në kohën bashkëkohore koekzistojnë, por edhe konfrontohen, qytetërime dhe kultura të ndryshme, duke e ilustruar në atë mënyrë tezën e mendimtarit të njohur, Hantington, mbi të ashtuquajturin konflikt të identitetit, i cili sipas vlerësimeve të tij, do të vijë veçanërisht në shprehje në shekullin XXI, në hapësirën e ashtuquajtur “kufinjtë politikë të papërsosur”. Në Ballkan në fund të shekullit XX një pjesë e popujve ballkanikë përsëri u konfrontuan. Nxitës, shkaktarë dhe intermediatorë i përleshjeve në fjalë ka qenë, kryesisht, udhëheqësja politike e Serbisë. Ndërkaq, në anen tjetër në këto konflikte ballkanike interesin e vet e kanë shprehur dhe manifestuar Fuqitë e Mëdha dhe forcat e tjera botërore. Në atë pikëpamje në përgjithësi mund të flitet për tri koncepte gjeopolitike dhe gjeostrategjike të sferave të interesit:

1)Koncepti evroatlantik i forcave të rendit të ri botëror në krye me SHBA-të;

2)Koncepti evrocentrik, i mishëruar në interesin e megakapitalit të Bashkësisë Evropiane dhe 3) Koncepti evroaziatik, i cili profilohet dhe artikulohet ngadalë, por si tendencë ekziston.

Të gjitha këto tendenca gjeopolitike dhe gjeostrategjike konfrontohen në hapësirën ballkanike. Megjithëse kanë aktorë të llojllojshëm dhe manifestohen në mënyra të ndryshme, analiza kritike e këtyre tendencave, në prapavijën e vet ideologjike dhe politike mund të zbulojë konfliktin ndërmjet qendrës dhe periferisë, të të fortëve dhe të dobtëve, të pasurve dhe të varfërve, rreth lëndëve të para, rreth rrugëve dhe trafikut, me fjalë të tjera rreth hapësirës dhe resurseve, në funksion të ndarjes së re të fuqisë shoqërore, ekonomike dhe politike në botën bashkëkohore dhe synimeve për dominim planetar.

Dhe më në fund duhet të themi se rajoni ballkanik, të cilin e përbën shumica e shteteve ekonomikisht më të varfëra, politikisht më jostabile në Evropë, në pikëpamje sociologjike paraqet periferinë evropiane, pjesën integrale të shoqërive të varura të jugut evropian dhe botëror. Shumica e shteteve të këtij rajoni për një kohë mjaftë të gjatë gjendet në procesin e transicionit. Disa prej atyre shteteve kanë qenë të preokupuar  me konflikte etnike dhe fragmentacione politike, me luftë ose me sanksione ndërkombëtare.

Politika shtetërore aktuale e Serbisë, akoma nuk është spastrua nga politika e vjetër nacionaliste serbe për formimin e “Serbisë së Madhe”në dëm të popujëve të tjerë,  në veçanti të shqiptarëve në Kosovë, çka paraqet rrezik për stabilitet dhe paqë rajonale.

Ndërkaq ardhmëria e Ballkanit nuk qëndron në konflikte, as në politikën hegjemoniste dhe të dominimit të një populli ndaj të tjerëve, por në një bashkëpunim aktiv, demokratik dhe të barabartë të popujve ballkanikë dhe shteteve të tyre si dhe  në integrimin e tyre me botën. Në radhë të parë bashkëpunimi rajonal në fusha të ndryshme i vendeve ballkanike është imperative i kohës bashkëkohore.

Ajo është jo vetëm racionale dhe e mundshme, por edhe parakusht  i domosdoshëm i zhvillimit  dhe i përparimit ekonomik dhe shoqëror të këtij rajoni dhe alternativë e kapërcimit të konflikteve dhe faktor i paqes dhe stabilitetit ballkanik.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok