22/12/2024

ATA QË LUMTURINË E NDËRTUAN DHE E BËNË EDHE ATËHERË KUR NUK EKZISTONTE…!

0
Sejdi-BERISHA

Sejdi BERISHA:

Lakadredh jetës ose nëpër rrjedhat kohore dhe nëpër gjërat që i ka fshehur vetë historia

(Fragment nga libri “Njeriu ‘pa’ vendlindje)

…Për këtë dhe për të gjitha gjërat do të flas e shkruaj me arsyen dhe dashurinë më të madhe për t’i shndërruar në tempull e kështjellë jete të gjitha ngjarjet, gjithnjë arsyeshëm, duke e shfrytëzuar kujtesën dhe mendjen, por edhe mendimin e shëndosh filozofik të jetës, mesazhin dhe narracionin që shton kërshërinë për të mësuar diçka që ka peshë shumëdimensionale, ka mësim e pësim, ka këshillë, edukim, arsimim por edhe “detyrim” amaneti për të mësuar për të kaluarën, për të mos e harruar mundësisht edhe as më të voglën ngjarje, e në bazë të këtyre, për të treguar madhështinë dhe fisnikërinë për të ecur drejt lumturisë jo vetëm individuale, familjare dhe kolektive, por këto veti për t’i shpërndarë edhe tek njeriu i cili i takon edhe njerëzores së botës. Ky është synimi edhe imi që përmes prezantimit të këtij materiali, të mësohemi që rrast, mirë, vendosmërisht por edhe me punë e profesionalizëm, të jemi pjesë e rrënjës së njerëzores dhe e zhvillimit dhe e afirmimit të botës njerëzore. Kjo, sepse, njeriu i ynë këtë e meriton, sepse, nëpër periudha kohore por edhe sot, kemi qenë dhe jemi faktor në rrjedhat e shumta të vlerave të zhvillimit botëror bash në të gjitha fushat dhe segmentet, begati dhe dhunti kjo e cila shumë pak është zbardhë por edhe shumë pak është hulumtuar mbase pak edhe është afirmuar kudo në botë dhe tek popujt tjerë!

Në këtë mënyrë edhe do të fleksibilizohet edhe mendimi i të tjerëve për popullin tonë të lashtë, për historinë dhe gjërat që i ka fshehur vetë historia, e madhështinë tonë ose e kanë heshtur, ose e kanë rrënuar, por edhe në forma të ndryshme i kanë vënë pluhur sipër nëpër shekuj, dekada e decenie…

*    *    *

…Jam i vetëdijshëm se kjo vepër do të jetë vetëm si një pikë uji në det, por, kripa e kësaj pike do t’i japë shije më të mirë deteve, oqeaneve dhe lumenjve të jetës, në të cilat duhet dhe do të notojmë mirë e sigurt, por edhe barkat dhe anijet tona do të janë pjesë që i begaton portet dhe limanet, nga të cilat edhe vështrohen por edhe ruhen begatitë e tokës, e cila nuk duron tkurrje, hidhërim, mashtrim dhe as shtrembërim të historisë së saj. Në të kundërtën, kurrë nuk do të jetë e qetë por gjithnjë do të trazohet dhe do të ngelet si një sëmundje kurrë e pashëruar…!

_____________

Njeriu që ishte kolosi i jetës, që ishte mësuesi më madhështor dhe edukatori më unik në të gjitha kohërat dhe situatat, njeriu që në çdo kohë dinte se si merr frymë bima dhe toka, njeriu i cili fliste me tokën, me bimët, me kafshët dhe pa të cilat dot nuk merrte frymë dhe anasjelltas. Njeriu i cili kur fliste, fjala e tij ishte mjaltë, këshillë, dritë dhe shpresë, ishte një njeri i cili nuk dinte të shkruante as të lexonte, një njeri i cili ishte pedagogu, edukatori dhe filozofi që më mishëroi me rrënjët e tokës dhe atdheut, me madhështinë e rrugëtimit edhe kur ngritësh edhe kur koha të përplas, njeriu, i cili më forcoi edhe më lidhi me rrënjët e familjes dhe të kombit, njeriu, i cili lumturinë e ndërtoi dhe e bëri edhe atëherë kur nuk ekzistonte, edhe atëherë kur gjërat rrëmbeheshin e rrënoheshin, ishte njeriu më plis të bardhë, me tirq me gajtanë, me xhamadan të zi dhe me një shokë në brez, si ylber jete. Është njeriu që më mësoi se si përgjithmonë duhet qëndruar vertikalisht, është njeriu me emrin dhe mbiemrin më të dashur, Bajram Berisha. Është ky babai im, i cili edhe sot është shtylla dhe muri në të cilën lexohet e mësohet historia e jetës, në të cilin frymon e përhapet si poleni, njerëzorja, fjala e ëmbël dhe mësohet rrugëtimi si libri i shenjtë në çdo cep toke, në çdo skaj deti e oqeani, në shkretëtirë, pyje e male…

Por, është edhe një grua fisnike, e cila këtij njeriu por edhe tërë familjes i qëndroi pranë e përkrah në të gjitha gëzimet e hidhërimet, në të gjitha ato histori jete e shpirti, e cila, betohem në gjithçka që kam, se fjalë e saj kurrë nuk doli më hidhërim, kurrë nuk ishte rrënuese, por thjeshtë ishte dritë e shpresë, ishte madhështi, ilaç e qetësim, sa që të gjitha këto që i thash, i shndërronte në atë kopshtin e ëndrrave më të bukura, i shndërronte në zgjoje bletës për ta prodhuar atë mjaltin e mjaltit të peshës njerëzore, të edukimit dhe të forcimit për ta mposhtur çdo të keqe, për ta rritur por edhe përhapur fjalën si ushqim shpirti, si thelb e farë që përhapet si aroma mahnitëse e dashurisë së çiltër dhe të shëndosh. Është një grua që u bë edhe bashkëshorte, u bë edhe shok, u bë edhe burrë, që u bë edhe nënë, e cila me qumështin e saj nuk i ushqeu dhe rriti vetëm fëmijët e saj, është një nënë e gjyshe që u bë histori dhe ngeli e tillë si në përralla për dashurinë dhe për kurajën për të jetuar ndershëm e mirë. Edhe kjo, u bë madhështore, sepse, dinte se si frymon toka e bima, sepse, dinte kur gjëmon toka e kur grazhdi lahet me lotët e shtazëve… Kjo është një grua e përrallave të pa treguara të jetës, është një grua shqiptare që u rrit dhe tërë jetën e zbukuroi trupin dhe bukurinë e madhështinë e vetë me maramë e lidhëse, me këmishë prej pëlhure, më pështjellakë e me çorapë prej leshi e më opinga që as skulptori nuk do mund ta zbukuronte portretin e asnjë femre, siç e madhështonin këto rroba, që edhe atëherë e edhe, tash më bënin krenar për nënën time. Është kjo një nënë unikate, sepse, është me një histori të veçantë fëmijërie. Tash është katërshtyllja e familjes dhe e rrugëtimit tim, kurse, babai, themeli i të gjitha themeleve, dhe kështu, tërë familja qëndrojmë e jetojmë fortë mbi këto themele dhe mbi këto shtylla. Kjo është nëna ime, Have Kastrati Berisha, me të cilën zemra dhe shpirti gjithmonë më bëhen mal por edhe krenarishëm më rebelojnë për ta çmendur vargun e këndimin, për ta ndritur e shndritur historinë, dhembjen dhe lumturinë e njeriut.

Dhe nga ky trung i përjetshëm, u ngrit një familje, që tash kemi peshën e historisë, të kohërave e periudhave, por të mbëltyer me peshën e amanetit për jetë të ndershme dhe kurrë për të mos u përkulur, por gjithnjë për të qëndruar vertikalisht dhe vetëm vertikalisht, siç mbetën të përjetshme veprat, edukata dhe mësimi e puna e babait dhe e nënës.

Andaj, kujtoje se e tërë kjo më ka shtyrë që këtë vepër t’ua kushtoj prindërve të mi, Bajramit dhe Havës, motrave të mia, Hysës, Mejremit, Sofijes(kjo vdiq në vitin 1968 në Pejë) dhe e Hajrijes (e cila pas dy vite moshë, vdiq në fshatin Shaptej në vitin 1951, ku familja jonë jetonte si qipqinjë pasi ishte e dëbuar nga shtëpia dhe toka e vetë në Prapaqan) dhe  bashkëshortes sime, Mevlydës, e cila, thjeshtë mund të them se është heroinë, e cila i rriti dhe i edukoi gjashtë engjëj, gjashtë fëmijët tanë, Besniken, Vjollcën, Blerimen, Agimen, Mimozën dhe Bajramin. Dhe tash, nga ky trung u bë një kurorë prej tetëmbëdhjetë luleve dhe engjëjve të tjerë, e që të gjithë ecim vertikalisht, ndërgjegjshëm dhe gjithnjë me madhështinë dhe pastërtinë e jetës dhe të punës…

Por, që në fillim dua të theksoj së nuk do të thellohem shumë në historinë e paraardhësve të mi, e cila pikon vetëm gjak, djegë e përcëllon me mall, krenon me qëndresë, me pastërti,  me nderë e madhështi njerëzore, me shkrumbin për liri, për bashkim, për dashuri e jo për tradhti..!

Kështu kishte përfunduar jeta e gjyshit, Selmanit, që kishte qenë vijues i rrugës jetësore të babait të tij, Arifit; bujq, njerëz të lidhur e të dashuruar me tokën dhe me bereqetin e begatinë e tokës, të cilët ishin lindur, rritur dhe jetuar në Kosovë, në rrafshin e Dukagjinit, në fshatin Prapaqan të Deçanit, por që rrënjët e tyre ishin të shtrira nga fshati Llukë e Poshtme, po ashtu të komunës së Deçanit, nga shtëpia e Ali Çakë Llukës, i cili kishte qenë një njeri shtatshkurtër, me fytyrë të imtë, por që kishte qenë i njohur anekënd Kosovës, Rrafshit të Dukagjinit e sidomos të anës së Drenicës për ndarjen e pleqërisë dhe për pajtimin dhe zotërimin e arsyes për paqe e mirëqenie. Por, kishte qenë i sertë dhe kurrë padrejtësinë dhe shtypjen nuk e kishte duruar, ashtu siç kurrë nuk kishte tentuar t’i sillte dikujt kurrfarë të keqe…

Kështu kishte qenë edhe Gjyshja ime, Vasa, e cila bashkë me familjen kishte qëndruar vertikalisht siç e ka zakon gruaja shqiptare, e cila i përjeton por edhe i tejkalon të gjitha përplasjet, vuajtjet dhe trakullimat që jeta në atë kohë i sillte shpeshherë si gjëra të pazakonta. Pra, kështu ishte jeta dhe madhështia e familjes sime, kështu ishte rrugëtimi jetësor i babait tim, Bajramit, që thënë shkurt, i ngjanë dhembjes e lumturisë, këtyre dy fenomeneve që bukur koordinojnë por edhe e çelikosin, që sikur janë të lindura e rritura në strofullin e çuditshëm të jetës. Ndërsa, nëna kishte një fëmijëri me histori të dhembshme, të cilën e përballoi me shpirtin e saj të madh, me urtësinë dhe me vizionin e lumturisë së jetës, edhe atëherë kur çdo gjë i ngjante shpresave të lënduara, rrugëve me labirinteve të pakuptimta dhe shtypjes e ndrydhjes jo vetëm të mendjes dhe shpirtit. Por, për këtë dhe për të gjitha gjërat do të flas e shkruaj me arsyen dhe dashurinë më të madhe për t’i shndërruar në tempull e kështjellë jete të gjitha ngjarjet, gjithnjë arsyeshëm, duke e shfrytëzuar kujtesën dhe mendjen, por edhe mendimin e shëndosh filozofik të jetës, mesazhin dhe narracionin që shton kërshërinë për të mësuar diçka që ka peshë shumëdimensionale, ka mësim e pësim, ka këshillë, edukim, arsimim por edhe “detyrim” amaneti për të mësuar për të kaluarën, për të mos e harruar mundësisht edhe as më të voglën ngjarje, e në bazë të këtyre, për të treguar madhështinë dhe fisnikërinë për të ecur drejt lumturisë jo vetëm individuale, familjare dhe kolektive, por këto veti për t’i shpërndarë edhe tek njeriu i cili i takon edhe njerëzores së botës. Ky është synimi edhe imi që përmes prezantimit të këtij materiali, të mësohemi që rrast, mirë, vendosmërisht por edhe me punë e profesionalizëm, të jemi pjesë e rrënjës së njerëzores dhe e zhvillimit dhe e afirmimit të botës njerëzore. Kjo, sepse, njeriu i ynë këtë e meriton, sepse, nëpër periudha kohore por edhe sot, kemi qenë dhe jemi faktor në rrjedhat e shumta të vlerave të zhvillimit botëror bash në të gjitha fushat dhe segmentet, begati dhe dhunti kjo e cila shumë pak është zbardhë por edhe shumë pak është hulumtuar mbase pak edhe është afirmuar kudo në botë dhe tek popujt tjerë!

E kjo mund të arrihet, por kërkohet punë, seriozitet, ngulm, vendosmëri por edhe dituri e afinitet. Konsiston edhe lidhjen e urave të bashkëpunimit me të gjithë popujt, sepse, në këtë mënyrë edhe do të fleksibilizohet edhe mendimi i të tjerëve për popullin tonë të lashtë, për historinë dhe gjërat që i ka fshehur vetë historia, e madhështinë tonë ose e kanë heshtur, ose e kanë rrënuar, por edhe në forma të ndryshme u kan vënë pluhur sipër nëpër shekuj, dekada e decenie.

Jam i vetëdijshëm se kjo vepër do të jetë vetëm si një pikë uji në det, por, kripa e kësaj pike do t’i japë shije më të mirë deteve, oqeaneve dhe lumenjve të jetës, në të cilat duhet dhe do të notojmë mirë e sigurt, por edhe barkat dhe anijet tona do të janë pjesë që i begaton portet dhe limanet, nga të cilat edhe vështrohen por edhe ruhen begatitë e tokës, e cila nuk duron tkurrje, hidhërim, mashtrim dhe as shtrembërim të historisë së saj. Në të kundërtën, kurrë nuk do të jetë e qetë por gjithnjë do të trazohet dhe do të ngelet si një sëmundje kurrë e pashëruar!

(©S. B.)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok