21/12/2024

Ata e nënshkruan, Kurti e vulosi “Zajednicën”!

0
Florim-Zeqa1

Shkruan: Florim Zeqa

Vetë-menaxhimi është Vetëvendosje, është vetëqeverisje, është vetadministrim. Mendoj se termi vetë-menaxhim është i njëjtë me termin vetadministrim dhe vetëqeverisje në një territor të caktuar gjeografik me autonomi politike të zgjeruar!

Shtrirje e gjërë gjeografike e Serbisë në Kosovë

Këto edhe pse janë shprehje të ndryshme fonetikisht, janë të njëjta në përmbajtje. Nëse vetë-menaxhimi është ndryshe nga vetëvendosja, apo vetëqeverisja nga vetadministrimi le ta thonë ekspertët juridik, e jo Albin Kurti si një elektriçist!

Vetë-menaxhimi i serbëve, sipas Planit franko-gjerman është puro autonomi politike. Krahas autonomisë territoriale, Asociacioni i komunave me shumicë serbe do ta ketë autonominë kulturore (arsimi dhe kultura të pavarura nga institucionet shtetërore të Kosovës) si dhe do ta ketë autonominë financiare, do ta ketë Kuvendin (më pas edhe Kushtetutën), stemën dhe institucionet e drejtësisë (sigurisë) të pavarura nga shteti i Kosovës. Kur kësaj t’i shtohet edhe statusi i Kishës Serbe, atëherë kemi të bëjmë me shtrirje të thellë gjeografike të Serbisë edhe në brendi të Kosovës.

“Zajednica” me sovranitet paralel në Kosovë

Përderisa demarkacioni i autonomisë së Asociacionit nuk është mbyllur përfundimisht, është e sigurt se me këtë lloj autonomie, serbëve ju sigurohet një mbrojtje speciale në raport me shtetin e Kosovës dhe shumicën shqiptare në vend.

Kësisoji sipas planit franko-gjerman, vetë-menaxhimi i serbëve nënkupton vetadministrim dhe vetëqeverisje me autonomi të gjërë edhe jashtë bashkësisë së komunave serbe në veri të vendit. Që i bie se çdo serb që ka jetuar ndonjëherë në Kosovë do të ketë mundësi pa u penguar nga askush që të kthehet edhe në brendi të Kosovës. Por, këtë të drejtë nuk do ta kenë shqiptarët e pjesës veriore të larguar me dhunë nga paramilitarët serb që të kthehen në shtëpitë dhe pronat e tyre!

Vetë-manaxhimi apo autonomia politike sipas planit franko-gjerman i bën serbët të jenë në Kosovë me status më të lartë juridik e politik sesa të gjitha komunitetet e tjera, i cili “De Facto” dhe “De Jure” i bënë serbët me sovranitet paralel politik me shqiptarët.

Kryeministri në vend të lojës me fjalë, bën mirë t’ua thotë të vërtetën qytetarëve të Kosovës për Asociacionin, e jo “të na shes dushk për gogla” siq e thotë populli. Të mos merret me terminologji dhe frazeologji boshe, por të merret me përmbajtjen e Asociacionit.

Të gjithë qytetarët e dinë që Albin Kurti nuk e ka themeluar Asociacionin, por nëse nuk distancohet nga kjo krijesë artificiale, bëhet më fajtorë sesa ata që e kanë themeluar, për shkak se në pushtet erdhi me kauzën “Zajednica nuk kalon”!

Në pritje të vulës së tretë

Jo që nuk kanë fakte për ta kundërshtuar Albin Kurtin për dakordimet me Vuçiqin, opozita e sotme apo ish pushtetarët e djeshëm nuk e kanë të drejtën morale ta kritikojnë Albin Kurtin për “Zajednicën”, për shkak se janë pikërisht këta që për një dekadë dialog me Serbinë e degraduan skajshmërisht shtetësinë e Kosovës, duke e nënshkruar marrëveshjen për “Zajednicën dhe ratifikuar atë në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Legjitimimin që i bëri opozita e sotme “Zajednicës” dy herë në Bruksel dhe një herë në Kuvend, Albin Kurti e vulosi dy herë, një herë në Bruksel me 27 shkurt dhe herën tjetër më 18 Mars në Ohër. Andaj, pavarësisht vendit se ku dhe kur do të ndodh vula e tretë me dakordimin gojor të Kurtit, ajo do të jetë përfundimtare dhe njëkohësisht fatale për shtetin e Kosovës.

Për ata që nuk e kuptojnë mënyrën e legjitimit të marrëveshjeve dhe kontratave në vendet demokratike dhe jo vetëm, tre PO radhazi janë të barasvlefshme me nënshkrimin formal.

“Atë që e han ujku njëherë nuk kthehet më”, prandaj Albin Kurti nuk ka çka për të shpëtuar, por në dorën e tij është për mos t’na dëmtuar më tepër siq na dëmtoj me fuqizimin e Kishës serbe, përkatësisht me shtrirjen gjeografike të Serbisë në Kosovë, të cilës tani për tani i mungon vetëm prezenca policore dhe ushtarake siq e kishte deri në qershorin e vitit 1999.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok