30/12/2024

AT  SERAFIN  KODA O.F.M. VDES  N’ TORTURA

0
Serafin-Koda

Nga Fritz RADOVANI

At Serafin Koda O.F.M., asht një nga Fretnit Shqiptar që me qendrimin e Tij burrnor në hetuesinë barbare komuniste, tregon saktësisht se kush ishte e vazhdon me kenë edhe sot, sigurimi kriminal i shtetit shqiptar. Asht shumë e vështirë me kuptue sot sesi mund të arrestohej një klerik katolik i pafaj, e pa asnjë provë hetuesit e pashpirtë “i fusin thojt në fyt, tue i hapë venat dhe i marrin frymen e fundit tue mbytë”, dishmon Imz. Frano Illia. Dosja ka aq pak material sa as Dr. Pjeter Pepa, nuk ka fakte tjera per mbytjen e Tij.

Dihet se ishte me origjinë nga Janjeva e Shkupit, dhe se prindët e Tij ishin Gaspri dhe Antonjeta, që ky djalë ju ka le me 25 Prill 1893. Asht shugurue me 30 Korrik 1915, dhe asht emnue në Dushman, Vukel dhe në Lezhë. Kishte lidhje shumë korrekte me fretnit Shqiptarë të atyne zonave. Një nga misionarët e vertetë me të gjitha virtytet që ia kerkonte veshja e Fratit.

Në vitin 1945, mbas vdekjes së Imz. Luigj Bumçit në Lezhë, At Serafini lidhet ma shumë me Don Ndre Lufin, një meshtar i persosun dhe trim si Ai. Lidhjet e tyne kanë vetem karakter fetar dhe vetem synime misionarësh.

As nuk shpjegohet asnjëherë piksynimi i sigurimit shtetit komunist, që në vitin 1947, pa fletë-arrest apo dokument tjeter, At Serafin Koda, arrestohet e torturohet barbarisht nga hetuesit kriminel të sigurimit të Lezhës.

Akuzohet pa asnjë fakt se gjoja me fretnit tjerë kanë organizue komplot dhe se, kanë mendue me veprue kunder pushtetit anadollak të Ever Hoxhës. Ky aktivitet gjoja ishte organizue në Kuvendin e Fretenve të Lezhës.

At Serafin Koda jo vetem ishte i pafaj, por as nuk pranon me nenshkrue asnjë dokument që i kerkohej nga hetuesit kriminela, me të cilët tue kenë të firmosun nga Ky, arrestoheshin kushedi sa vetë tjerë të pafajshem. E kjo praktikë e hetuesisë nuk ishte e panjohun per At Serafin Koden, i cili asht i bindun me sakrifikue dhe jeten dhe mos me rrezikue njeri me firmen e Tij.

Dihet shumë i saktë fundi i jetës së Tij, nga thojtë e hetuesit, që i ka nxjerrë  trakenë dhe i ka marrë jeten At Serafin Kodës, tue kenë krejt’ i pafajshem.

Atëherë kur hetuesit barbar i marrin jeten Fratit pafajshem Ai ishte 54 vjeç.

E varrosin dikund afer një peme që një infermjere e ruen në kujtesen e saj.

Ajo e dinte mirë se At Serafin Koda perjetoi n’ atë Tokë të bekueme bashkë me shokët e vet jo vetem, vorfninë e tejskajshme të Atyne Trojeve, por edhe atë diktaturë shfarosëse dhe të pashpirtë të sigurimit shtetit komunist, që i la gjurmët e veta të pashlyeshme me krime, tortura, vrasje dhe shfarosje.

Rregjimi komunist në Shqipni nuk asht as sot i njohun nga Rinia Shqiptare, jo pse mungojnë faktet dhe provat e vertetsisë se krimeve të tyne, por ata krime ishin aq të shumta sa, “as një e katerta e tyne, nuk janë pasqyrue tash sa vjet, që asht kenë mundësia e dokumentimit dhe e dënimit tyne!” E mos harroni se ndoshta, edhe krimineli që i mori Shpirtin At Serafin Kodës, sot shetitë i lirë në Lezhë apo në Tiranen e njohun si qendra e krimeve të tyne.

Ishte data 10 Maji 1947, kur At Serafin Koda, Frati i pafaj ishte shtri pertokë n’ atë çimento t’ akullt, e të lame me gjakun e paster të Tij. Nuk merrte as nuk jepte me asnjë njeri vetem ishte i lidhun e komunikonte me Qiellin, që ishte hapë e priste fluturimin e Fratit drejtë Tij. Prej buzve të shkrumueme të At Serafinit vetem kuptohej Lutja e Tij, per me u pranue në Atë Mretni, per të cilen At Serafini, kishte punue dhe i kishte kushtue gjithë jeten e Tij.

Nuk kishte as kush ti jepte pak ujë, me lagë fytin që vetem kullonte gjak!

Prova të mnershme dhe të pabesueshme që shqiptari barbar i bani sivllaut të vet të pafajshem Shqiptar, vetem pse ishte Atdhetar e Klerik katolik!!

At Serafin Koden njëditë e nxorën nga Gropa paemen dhe e varrosen aty tek Kisha, ku Ai ka sherbye me adhurimin ma të madh dhe të perkushtuem, aty ku me bindjen e Tij të plotë, Ai ishte i sigurt se do të pushojnë Pergjithmonë dhe, me të vertetë, Ai u varrosë tek Kisha e Fretenve në Lezhë. Ishte kujtesa e infermjeres që ruejti per aq kohë të gjatë vendin e groposjes s’ At Serafinit e që, njëditë arka me Eshtnat e Tij, ka tek koka Kryqin, që i besoj aq shumë.

Jemi sa vite mbas asaj date të mesnatës së 10 e 11 Majit 1947. Asaj nate kur At Serafin Koda dha Shpirtë, dhe i bindun se do të shohin Mretninë e Qiellit e la këte Botë plot me lot e vuejtje, që nuk pershkruhen këso jete.

Pusho i qetë Vlla i nderuem Shqiptar!

Shqiptarët e vertetë, mbi Token e lame me Gjakun e Tuej, sot vendosin një Zamak që, i perket Flamurit të Gjergj Kastriotit – Skenderbeut!

Melbourne, 14 Qershor 2022

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok