22/12/2024

ASLLAN PIREVA –  ”DUAM BASHKIMIN E TROJEVE SHQIPTARE”

0
Asllan-Pireva

T’I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:

(1961 – 1981)

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Asllan Shahin Pireva u lind në vitin 1961, në fshatin Prapashticë. Prapashtica është fshat në verilindje të Kosovës që shtrihet në një rrafshnaltë të Gallapit, mjaft karakteristike, me një relief të hapur dhe shumë të përshtatshëm për banor. Ky vendbanim kufizohet në veri me fshatin Serbinë, në verilindje me Dabishecin, në juglindje me Gllogovicën dhe Marecin, në jug me Zllashën, në perëndim me Keçekollën dhe Nishecin. Gjatë rrjedhave historike, ky është përfshirë në shumë komuna të krijuara sipas shijes dhe dëshirës së atyre që sundonin. Në bazë të të dhënave dihet se Prapashtica, një herë dhe një kohë ishte e përfshirë në Komunën e Koliqit, pastaj në atë të Keçekollës, Orllanit dhe tani, i takon Komunës së Prishtinës. Por,  për shkak të kushteve më të mira, babai i tij Shahin Pireva, më 1966 me krejt familjen shpërngulet në Prishtinë. Në vitin vijues shkollor Asllani regjistrohet në shkollë fillore “Emin Duraku” të Prishtinës.

Asllani u lind në një familje atdhetare, që ëndërronin dhe luftonin për një atdhe të lirë nga okupuesit dhe të bashkuar me Shqipërinë. Ai u rrit me tregimet e gjyshit, duke i treguar, se si kishte  qenë dëshmitar që në moshën shtatëvjeçare, kur regjimi serb kishte organizuar dhe kishte kryer njërën ndër masakrat më barbare të kohës, duke vrarë e masakruar qindra shqiptarë të fshatrave Prapashticë e Keçekollë. Më saktësisht me 7- 11 janar 1921 në Prapashticë ishin masakrua 1570 qytetarë civil të kësaj ane, një mizori e tmerrshme e pashembullt ndonjëherë e bërë nga këto anë. Ploja serbe mbi popullsinë shqiptare të Prapashticës e të Keçekollës e gjetkë në “festën” e Bozhiqit serb, pati për qëllim që të fusë frikën dhe të krijojë panik ndër fshatar, të shfaros e tmerroj popullsinë shqiptare, dhe të ndikojë në shpërnguljen e tyre nga këto anë. Andaj, gjyshi i Asllanit këtë e kishte përcjell gjeneratë pas gjenerate duke iu treguar barbarit e tyre dhe masakrat e bëra mbi fshataret. Këto rrëfime i kishte dëgjua edhe Asllani i vogël dhe që nga atëherë kishte urrejtjen ndaj tyre, e edhe më vonë e dinte se me këta nën okupim, jeta do të ishte ferr dhe e padurueshme.

Asllan Pireva, në shkollën fillore “Emin Duraku”, në Prishtinë, u regjistrua më 1968, dhe aty dëshmoi se ishte nxënës shembullor, i urtë dhe kategorik në qëllimet dhe kërkesat e tija. Pas tetë viteve (1977), përfundoi shkollën fillore me sukses të shkëlqyeshëm dhe u regjistrua në Shkollën e mesme elektroteknike “Miladin Popoviq”, në Prishtinë. Gjatë kësaj kohe, Asllani ishte rritur e burrërua, në shkollë njohu shumë shokë të mirë me të cilët ishin s bashku çdo kund. Po në këtë shkollë njihej me të riun Naser Hajrizin, me të cilin zbuluan se kishin ideale të përbashkëta. Naser Hajrizi, vinte nga një familje e cila e tëra ishte aktive në Lëvizjen ilegale të Kosovës, natyrshëm ishte që edhe ai të ishte pjesë e saj. Naseri, në biseda të shpeshta me shokun e mikun e tij Asllanin, i kishte tregua se ishte i organizuar, andaj edhe Asllani iu bashkua atij dhe formuan një grup, që vepronte në kuadër të Organizatës Ilegale patriotike Shqiptare “Grupu Revolucionar i Kosovës”. Anëtarë të këtij grupi ishin: Naser Hajrizi nga Prishtina, Asllan Pireva nga Prishtina, Sylë Loshi nga Padalishta e Drenicës , Isuf Hajrizi nga Hajvalia  e shumë të tjerë. Ata fillimisht u angazhuan në bartjen dhe ruajtjen e materialeve ilegale e pastaj bënin propagandimin në mesin e shokëve në shkollë, shkruanin parulla, shpërndanin trakte e shumë veprimtari të rëndësishme për çështjen shqiptare.

Në vitet në vijim, zullumi ishte i padurueshëm ndaj shqiptarëve, edhe pse publikisht pushteti okupues trumbetonte për shumë të drejta që iu kishte dhënë shqiptarëve. Në Kosovë ishin formua dhe vepronin shumë organizata ilegale shqiptare që në programet e tyre kishin kërkesën Kosova të shpallej Republikë, apo duhet thënë se zanafilla e idesë për Republikën e Kosovës ishte shpalosur fillimisht me demonstratat e vitit 1968. Por, si më e sforcuar u paraqit në formë të plotë, në periudhën e demonstratave të vitit 1981 e 1989. Kjo kërkesë ishte shtruar madje edhe në diskutimet publike që u bënë menjëherë pas rënies së Rankoviçit. Këto biseda, sipas dokumenteve, dëshmojnë se janë zhvilluar edhe midis udhëheqësve të Kosovës me udhëheqësit më të lartë të Jugosllavisë. Kosova-Republikë, pas shumë bisedimeve midis veprimtarëve të Lëvizjes Kombëtare ilegale, ishte kërkesë e të gjitha grupimeve ilegale pas vitit 1968, 1981, 1989, që më vonë do të bëhet kërkesë e gjithë popullit shqiptar në Kosovë dhe në viset e tjera jugosllave të banuara me shqiptarë. Kërkesa për Republikë, për kohën ishte më e përshtatshmja ngase prapa kësaj qëndronte kërkesa për bashkim kombëtar me shtetin amë – Shqipërinë. Prandaj, këtu edhe qëndron çelësi i zgjidhjes së problemit të quajtur Kosovë. Latinët e vjetër thonë: “Nuk mund të qetësohet një popull në qoftë se nuk dëgjohet zëri i tij, “Voks populi- voks dei”. Andaj, ngjarjet në vijim hapën një kapitull të ri brenda kombit shqiptar, hapën një proces të ri politik edhe për shtetin shqiptar.

Asllan Pireva ishte në klasën e Katërt të Shkollës së Mesme Teknike në Prishtinë. Ai ndodhej në paralelet e shkollës që mësimin e zhvillonin në objektin e Shkollës Normale, në hyrje të Gërmisë. Në kohën kur shpërthyen demonstratat studentore të vitit 1981, ai ndodhej në këtë shkollë.

Ai ishte rritur e edukuar me fjalët e babait e të gjyshit duke i treguar për vuajtjet e tyre, se si padrejtësitë e shumta historike, Kosovën e kishin lënë nën okupimin serbo-sllavë aty ku nuk e kishte vendin. Asllani kishte lexuar shumë literaturë që vinte nëpër rrugë ilegale nga Shqipëria dhe tani i riu ishte brumosë me shumë dije dhe me shumë të vërteta historike. Ai kishte lexua shumë për Azem Bejtën e Shaban Polluzhën, Shaban Shalen e Fazli Grajçevcin e për shumë atdhetar të tjerë që për të parë vendin e tyre të lirë e të bashkuar me Shqipërinë, nuk kishin kursyer as jetën e tyre.

Asllan Pireva, edhe pse ishte i ri, ai e kishte nda mendjen, që bashkë me shokë do të luftoi dhe do të qëndroi për çlirimin e Kosovës. Ai me shokë ishte përgatitur për të marr pjesë në aksione që do organizonte Lëvizja.

Demonstratat e Marsit dhe Prillit të vitit 1981, nuk e befasuan Asllanin. Ai s bashku me shokët Naser Hajrizin, Ilaz Zhitin që e kishte shok klase, si dhe shokët e tjerë si Fatmir Graiçevci, Rrahim Rama, Naim Mahmudi, Lutfi Maqedoni e shumë të tjerë mezi prisnin që të dalin në rrugë dhe të shpalosnin kërkesat e tyre. Andaj, Demonstratat e 11 marsit të vitit 1981 nuk ishin rastësi në historikun e popullit shqiptarë. Ato kishin një vazhdimësi qysh nga orët e para të Lëvizjes për liri dhe pavarësi kombëtare. Dhe, ato do të paraqesin edhe një hallkë të rëndësishme në përpjekjet për çlirim të popullit shqiptar të Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare nën ish-Jugosllavi. Më 11 dhe më 26 mars të vitit 1981, shpërthyen demonstratat e studentëve të Universitetit të Kosovës.  Ishte kjo një revoltë e akumuluar ndër breza shekuj me radhë, duke kaluar nga veprimtaria e organizatave dhe e grupeve ilegale, që ishin sakrifikuar, ne kërkesa të hapura dhe legale. Studentët e nxënësit e atij brezi u gjakosën, dolën përballë armatës jugosllave vetëm me forcën e shpirtit shqiptar. Rezistenca e tyre u parapriu të gjitha çështjeve të pazgjidhura etnike, për të cilat u njoftua bota në vitet që pasuan.  Rinia shqiptare në ish-Jugosllavi zbuloi jo vetëm gjendjen kritike të popullit të vet, por edhe konfliktin që ekzistonte i mbuluar në shkallë universale historike njerëzore dhe kombëtare në Ballkan. Në mënyrë ciklike studentët e populli, në forma të ndryshme, nëpër dekada shprehën e manifestuan pakënaqësinë e tyre. Dhe, mbeti i vetmi popull që më së shumti u ballafaqua me kërkesën legjitime për liri dhe pavarësi, si një çështje e drejtë historike, e krijuar në ciklin kohor të padrejtësive historike. Ata, dy dekada para përfundimit të këtij mileniumi do të kërkonin vetëm atë që u takonte – të drejtën e tyre, kërkonin që kjo pjesë e robëruar të fitonte lirinë e merituar. Kjo kërkesë shteteve të botës do t’u trokasë në ndërgjegje si një vonesë historike. Vetëm  pesë ditë pas, më 1 e më 2 prill, me kërkesat e demonstruesve u solidarizua i gjithë populli. Sipas të dhënave zyrtare të asaj kohe gjatë këtyre demonstratave pati 9 të vrarë dhe 15 të plagosur, ndërsa forcat e policisë serbe patën 2 të vrarë dhe 17 të plagosur. Ato zgjatën gjatë gjithë pranverës së vitit 1981 dhe konsiderohet se ishin demonstratat më të mëdha në Gadishullin Ballkanik dhe në Evropën Lindore pas Luftës së Dytë Botërore. Në to në forma të ndryshme mori pjesë i gjithë populli shqiptar. Demonstratat e vitit 1981 ishin referendumi më i suksesshëm dhe më bindës i nënshkruar me gjakun e popullit tonë.

Shkencat historike i vlerësojnë ngjarjet, para së gjithash, sipas qëllimeve të tyre, që në mënyrë të përmbledhur shprehen në parullat që dominojnë. Në kërkesat e demonstratave të rinisë në pranverën e vitit ’81 dominuan parullat për “Kosovën-Republikë”. Këtë e argumentojnë edhe parullat e tjera, siç ishin: ”Kosova kosovarëve”, ”Duam Republikë”, ”Republikë kushtetutë, ja me hatër ja me luftë”, ”E duam flamurin kombëtar”, ”Duam bashkimin e trojeve shqiptare” e të tjera. Këtyre kërkesave të ligjshme të popullit shqiptar udhëheqja jugosllave iu përgjigj me zjarr e me hekur. Ngjarjet e sipër theksuara qenë një paralajmërim që shënuan kthesë në historinë e ideologjisë komuniste dhe, në fund, përmbysjen e saj.

Asllan Pireva me Naser Hajrizin dhe me shokët e shkollës mori pjesë në të gjitha demonstrata që u organizuan në Prishtinë. Ishin aktivë dhe i nxisnin shokët që të marrin pjesë sa më shumë ne to. Beogradi duke e parë se sa të fuqishme dhe të organizuara ishin demonstratat, më 2 prill 1981 Beogradi shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në Kosovë dhe ndaloi qarkullimin e mbi dy vetave së bashku në vende publike. Ndërpreu mësimin në shkollat fillore, në ato të mesme dhe në universitet. Mbylli konviktet e studentëve dhe të nxënësve në Prishtinë. Masa të njëjta u ndërmorën edhe në komunat e tjera të Kosovës. Megjithëkëtë, më 2 prill 1981, në Prishtinë tërë ditën vazhduan demonstratat masive shqiptare. Në këto demonstrata nuk kishte se si të mungonte Asllan Pireva me shokë.

Më 2 prill 1981 Asllan Pireva dhe Naser Hajrizi  ishin në krye të organizatorëve të  demonstratave të shkollës elektroteknike. Drejtoria e shkollës, kishte marr urdhër që të mbyllen dyert e shkollës, pasi se ishte shpall gjendje e jashtëzakonshme . Mirëpo, shtrohet pyetja a mund të ndaleshin Asllani, Naseri, Fatmiri, Ilazi e qindra të tjerë që ishin përgatitur për këtë ditë. Ata kishin kërcyer nga dritaret  dhe ishin nisur drejt qytetit duke brohoritur parulla të ndryshme kundër pushtetit. Në përleshjen e parë me kordonin e policisë, Naser Hajrizi plagoset, por pasi e lidhë plagën në familjen e Adem Kurteshit, iu bashkëngjitet shokëve për në qytet. Pasi se nxënës kishte shumë, paraqitet nevoja që ata të ndahen në disa grupe për të depërtuar më lehtë tek demonstruesit që kaherë kishin dal në rrugë.  Grupi ku ndodheshin Asllan Pireva dhe Naser Hajrizi, ishte më i zëshme, dhe vazhdimisht ishin në sulm. Asllani e Naseri nuk tërhiqeshin. Ata brohorisnin parulla të ndryshme. Grupi ishte  pozicionuar në sheshin midis Bankës Popullore ( Sot Kryeministria), Shtëpisë së Mallrave dhe Postës (që u bombardua gjatë luftës dhe tani nuk ndodhet më aty). Aty, rreth orës nëntë të paradites, u goditën me armë zjarri dy djelmoshat trima Asllan Pireva e Naser Hajrizi, nga oficerë ushtarakë, të vendosur në objektin e Bankës Qendrore. (A.Q.)

Ndonëse opinioni ndërkombëtar këto demonstrata i cilësoi paqësore, ndonëse këto demonstrata kishin karakter demokratik, kombëtar e paqësor, në Kosovë nga çdo republikë jugosllave vërshuan njësi të shumta policësh dhe ushtarakësh. Kundër demonstruesve duarthatë u përdorën: bomba me gaz lotsjellës, shkopinj gome e kërbaçë, gazra helmuese kimike, armë zjarri, tanke, helikopterë, autoblinda, aeroplanë luftarakë, bile-bile edhe  të tipit “MIG-21”. Në marshin protestues pati të vrarë dhe të plagosur, të arrestuar dhe të arratisur jashtë atdheut, madje vetëm në shtetet perëndimore, atje ku shpresohej në demokraci dhe assesi në shtetet lindore dhe komuniste. Gati një brez i tërë ne forma të ndryshme  gjenocidi u flijua në altarin e shenjtë të atdheut – për Kosovën-Republikë.

Megjithëse kërkesat që u shtruan në demonstrata ishin të drejta, të ligjshme dhe nuk dilnin jashtë kornizave të Kushtetutës së RSFJ-së, megjithatë ato u cilësuan si “kundërrevolucionare”, ndërsa studentët dhe pjesëmarrësit u cilësuan “armiq”, ”kundërrevolucionarë” dhe “irredentistë shqiptarë”. Këto epitete  shërbenin si kategori themelore me të cilat përcaktoheshin,  karakterizoheshin dhe dënoheshin demonstratat dhe demonstruesit. Këto epitete u përdorën vetëm e vetëm që të legjitimoheshin dhe të justifikoheshin masat e mjetet e dhunës që i zbatonin në këto ngjarje. Ndaj “armiqve të popullit”, okupuesi përdori masat më drastike: i rrahu, i keqtrajtoi, i torturoi, i arrestoi dhe i dënoi me burg të rëndë deri në 15 vjet, ndërsa ndaj familjeve të tyre  u aplikuan edhe masa izolimi etj.

Arrestimet e popullatës shqiptare vazhduan edhe në vitet e mëvonshme, por respekti e admirimi për aktivitetin e kësaj lëvizjeje patriotike nuk u shua kurrë, si në kujtesën kolektive, ashtu edhe në atë të individëve. Nën hirin e këtyre ngjarjeve të bujshme historike të së kaluarës sonë të afërt, u ruajt i gjallë dhe gjithmonë i ndezur prushi patriotik. Ai nuk u shua kurrë, por vijimisht u mbajt gjallë dhe më vonë u zgjerua e rrezatoi në mbarë popullin. Ky zjarr u aktivizua dhe mori hov pikërisht në kohën kur okupatori shekullor serb mendonte se shqiptarët ishin pajtuar të bënin një jetë pacifiste dhe të kënaqeshin me atë që u ofronte vazhdimisht Serbia dhe Beogradi.

Parulla e asaj pranvere të vitit ‘8l “Republikë, kushtetutë – ja me hatër, ja me luftë”, paralajmëroi se për një qëllim të tillë, nëse paraqitet nevoja, edhe do të luftohet por edhe do të vdiset. Ishte kjo dëshmi e një sinjalizimi qysh atëherë pararendës të një bërthame të kësaj force, që me emrin UÇK, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, do të shfaqet në momentin me të duhur historik, për mbrojtjen si të popullit, ashtu edhe të tokave shqiptare, që ishte përpjekje dhe dëshirë brezash të gjakosur shekuj me radhë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok