23/12/2024

Arusha nuk trembet me shoshë o Albin!

0
Florim-Zeqa

Shkruan: Florim Zeqa

“Përplasja” e (pa) pritur e Kurtit me Vuçiqin në raundin e parë të bisedimevenë Bruksel, nuk është gjë tjetër veçse lojë teatrale për konsum të brendshëm politik. Gjithçka dukej si një marrëveshje paraprake për të mos u marrur vesh për asgjë!

Këtë e vërteton paraqitja superiore dhe trimëruese e Albin Kurtit, por me kërkesa parciale dhe terciare ndaj Vuçiqit, kërkesa të cilat më shumë e dëmtojnë sesa që e ndihmojnë Kosovën në këtë fazë të dialogut.

Harresa e kërkesave ultimative nga ana e Kurtit për njohje reciproke, për kërkimfalje dhe dëmshpërblim dhe zavendësimi i tyre me tema të nivelit teknik e dëshmojnë joseriozitetin e kryeministrit Albin Kurti.

I tillë ishte propozimi i dërrimit të akronomit CEFTA në SEFTA, i cili nuk është në kompetetncat e Albin Kurtit dhe as të Aleksandër Vuçiqit, por është projekt ndërkombëtar Central European Free Trade Agreement (CEFTA) i marrëveshjes së tregtisë së lirë të Evropës qendrore, për marrëveshjen e tregtisë së lirë mes Maqedonisë së Veriut, Serbisë, Kosovës, Bosnjë Hercegovinës, Malit të Zi, Shqipërisë dhe Moldavisë. Siq dihet anëtare të kësaj organizate ishin edhe Polonia, Republika Çeke, Sllovakia, Hungaria, Sllovenia, Rumania, Bullgaria dhe Kroacia (tanimë anëtare të BE-së).

Unë do t’i besoja kryeministrit të vendit tim, sikur ai në takimin e parë zyrtarë në Bruksel t’i parashtronte kërkesat e artikuluara mirë dhe drejt presidentit serb Aleksandër Vuçiq, si; njohja e pavarësisë së Kosovës, kërkimfalja për krimet e luftës, shpërbërja e plotë e strukturave paralele serbe në veri të Kosovës, zotimin me garancë ndërkombëtare për kompensimin e dëmeve të luftës, dënimin e kriminelëve dhe kthimin e eshtrave e të pagjeturve…., e jo të bëjë pyetje dhe propozime në formën e dëshirave personale!

Kërkesat e sipërcekura do duhej të ishin kushtetet themelore për vazhdimin e raundit të dytë të bisedimeve të paralajmëruara për fundin e korrikut, për shkak se janë edhe një vargë i gjatë i kushteve tjera teknike dhe marrëveshjeve të arritura që Serbia duhet t’i përmbush paraprakisht vazhdimit të dialogut…

Dialogu me Serbinë e ka një histori mbi 10 vjeçare, me pak të arritura dhe me shumë dështime, me fusnotë nga fillimi e cila e mohon ekzistencën e shtetit dhe me rrëshqitje të vazhdueshme të sovranitetit dhe degradim të pavarësisë.

Sadoqë është anashkaluar nga qeveritë paraprake, problemi i veriut është “nyja gordiane” e zgjidhjes përfundimtare të problemit të Kosovës.

Edhe pse veriu është problem i trashëguar nga paslufta, e për të cilin, Albin Kurti është më së paku fajtorë, në asnjë rrethanë nuk guxon ta kamuflojë problemin e pazgjidhur të veriut me retorikë patriotike dhe gjuhë populliste.

Për arsye se ngecja, apo më mirë të themi bllokimi i anëtarësimit të shtetit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, bllokimi i liberalizimit të vizave për qytetarët dhe mungesa e përspektivës zhvillimore të Kosovës është e lidhur drejtëpërdrejtë apo në mënyrë të tërthortë me veriun e vendit.

Thënë edhe më qartë, problemi i veriut të Kosovës për aq sa ka mbetur peng i paaftësisë së politikanëve vendor, po aq është edhe peng i ndërkombëtarëve, të cilët prezencën e tyre afatëgjate në Kosovë e arsyetojnë me çështjen e pazgjidhur të veriut dhe me mungesën e normalizimit të raporteve ndërmjet dy vendeve!

Përderisa sllogani “Jo negociata me Serbinë” nuk ekziston më, nocioni “Vetëvendosje” i Albin Kurtit do të ketë kuptim vetëm nëse arrinë ta shtrijë sovranitetin e plotë në veri të vendit në aspektin formal dhe juridik, që i bie, zavendësimi i flamujve të Serbisë me flamuj të shtetit të Kosovës, me shtrirjen e sistemit politiko-juridik, arsimor dhe shëndetësorë, si dhe hapjen e kazermave të FSK-së, gjegjësisht shtrirjen e kontrollit të plotë të trupave të FSK-së përgjatë vijës kufitare me Serbinë!

Ndryshe, sllogani “Jo negociata me Serbinë, Vetëvendosje” do të mbeten retorikë boshe dhe sllogane mashtruese për qytetarët!

Në asnjë mënyrë shteti i Kosovës nuk guxon të mbetet edhe më tutje peng i problemit të pazgjidhur të veriut. E meqë është kështu, liderët tonë shtetërorë duhet të tregohen të kujdesshëm dhe të përgjegjshëm në ndërmarrjen e veprimeve politike.

I kemi vetëm dy rrugë të zgjidhjes; shtrirjen e plotë të sovranitetit në veri të vendit pa mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare ose arritjen e marrëveshjes me Serbinë përmes dialogut të ndërmjetësuar nga SHBA dhe BE.

Duke qenë se nuk kemi alternativë të tretë, “status quo”-ja nuk i konvenon Kosovës, por vetëm avancimit politik të Serbisë. E ketë e di fortë mirë kryeministri ynë!

Albin Kurti apo kush do tjetër nuk ka nevojë të shet patriotizëm në Bruksel, por duhet të demonstroj pjekuri dhe pragmatizëm politik për nxjerrjen e më të mirës së mundshme në dialogun përmbyllës me Serbinë.

Fushatë elektorale për zgjedhjet lokale të 17 tetorit duhet të bëhet në Kosovë e jo n’Bruksel!

Arusha nuk trembet me shoshë o Albin!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok