Arumunët e Shqipërisë, kjo pakicë kombëtare njerëzish krenarë
Nga Entela Binjaku
Ka nisur më 18 shtator 2023 Rregjistrimi i Popullsisë dhe i Banesave (CENS). Me përjashtim të Bashkisë së Kukësit ku procesi nuk filloi për shkak të zgjedhjeve të pjesshme që u mbajtën më 24 shtator, e gjithë popullata dhe banesat e vendit priten të numërohen brenda 6 javëve. Për të grumbulluar informacionin e nevojshëm puna e INSTAT-it në terren do të zgjasë deri më 30 tetor. Më pas do të priten rezultatet që njoftohet se do të dalin nga mesi i vitit 2024. Në dallim nga herët e mëparshme, ky CENS u shty dy herë nga data e caktuar, njëherë prej pandemisë botërore Covid-19 dhe njëherë prej pamundësisë për të siguruar logjistikën e nevojshme, siç u komunikua zyrtarisht. Që nga themelimi i shtetit shqiptar e deri sot popullsia dhe banesat e vendit tonë i janë nënshtruar rregjistrimit 12 herë. CENSI i parë u krye para 100 vjetësh. Këtë vit falë ligjit të miratuar në 13.10 2017 për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare arumunët e Shqipërisë do të rregjistrohen si Pakicë Kombëtare. Në Censin e vitit 1989 në statitistikat zyrtare të Shqipërisë numëroheshin 782 arumunë, ndërsa në Censin e vitit 2011 numëroheshin 8266. Sipas Atllasit Demografik të Shqipërisë (viti 2003), numri i arumunëve është 139.065. Në 24 nenet e Ligjit 96/2017 njihen dhe garantohen mjaft të drejta për pjestarët që gëzojnë statusin zyrtar të pakicës kombëtare, përfshirë arumunët e vendit. Rregjistrimi i saktë i identitetit etnik në këtë CENS do t´u vinte në ndihmë jo vetëm atyre për të përftuar të mirat që Ligji u garanton, por edhe Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Respektimi i të drejtave të pakicave, sigurimi i kushteve për mësimin e gjuhës amtare, për ruajtjen e traditave, dokeve dhe zakoneve, është i një rëndësie të madhe në këtë proces integrues. Edhe pse Ligji 96/2017 ende njihet pak dhe aktet nënligjore të tij edhe pas 6 vjetësh nuk duken, popullata vetë e njeh mjaft mirë kontributin dhe vlerat e pakicës arumune. Shumë nga figurat e shquara të kombit shqiptar e kanë vlerësuar lart kontributin e arumunëve dhe u kanë kështuar vëmendje të veçantë. Këtu mund të përmendim Fishtën, Nolin, Sami Frashërin etj. Në botimin e autorëve M. Perpelea dhe M. Popescu me titull: “Miqësi nëpër kohëra, përbashkësi rumuno-shqiptare” i sjellë mjeshtërisht në shqip nga Kopi Kyçyku, citohen disa prej qëndrimeve të figurave të shquara mbi kontributin pakicës arumune në zhvillimet e kombit shqiptar. Në këtë botim të vitit 2020 është sjellë një fragment nga vepra monumentale “Shqipëria ç´ka qenë, ç´është, ç´do të bëhet” e Sami Frashërit e botuar në Bukuresht në 1899: “Ky popull (arumunët), mik i shqiptarëve ka atdhe Rumaninë dhe ka dhënë ndihmesë të madhe në luftën dhe pavarësinë e Shqipërisë, kështu që ne shqiptarët e kemi një detyrim ndaj këtij populli, por ky detyrim duhet shlyer me qëndrimin tonë miqësor dhe me një përkrahje gjithëpërfshirëse në mënyrë të atillë që ta zhvillojë kulturën e gjuhën e vetë duke e mbrojtur nga asimilimi…”.Sërish në librin e autorëve Perpelea dhe Popescu veçojmë Kongresin Kombëtar Shqiptar të Triestes mbajtur në 27 shkurt – 6 mars 1913… “Ndër katër pikat e Rendit të Ditës së Kongresit, pas çështjes së krijimit të një Shqipërie etnike, pika e dytë ishte çështja arumune”. Po aty përshkruhet qëndrimi i një personaliteti të Pavarësisë, Dervish Himës cituar nga Stoika Lasku në artikullin me titull “Pavarësia e Shqipërisë në përfytyrimin e opinionit publik rumun” botim i vitit 1912, ku Hima shprehej: “Me rumunët, të cilët në Shqipëri numërojnë 200.000 vetë, kemi jetuar gjithmonë në marrëdhëniet më të mira të një miqësie të çiltër”. Nuk mund të mos citojmë At Gjergj Fishtën botuar në revistën “Agimi”, viti 1920….”në mesin e kombit shqiptar jeton edhe një popull tjetër, cili nuk është farefis me ne, dhe ky është populli gogë ose (siç e quajnë të huajt) kuçovllah…Krahas atyre që jetojnë në Ardeal e në Rumani ka në Ballkan më shumë se një milionë rumunë që i quajnë Gogë. Gogë dhe rumunë janë i njëjti komb. Le të hulumtojmë në filozofi dhe në histori”. Duke sjellë në vëmendje një studim të kryer nga shteti shqipar në vitin 1922 për pakicat, sipas Sonila Boçit nga QSA, Instituti i Historisë në botimin e vitit 2012 me titull: “Minoritetet në Shqipëri midis identitetit dhe integrimit 1939-1949″ ku flitet për të drejtat e pakicave të njohura nga Deklarata e vitit 1921 ndër të tjera thuhet se…”megjithkëtë zyrtarët e Tiranës nuk kanë njoftuar Lidhjen e Kombeve edhe për ekzistencën e pakicës arumune në territorin e Shqipërisë”. Por duke u kthyer tek aktivitetet e vetë arumunëve, kur Shqipëria u përfshi nga ndryshimet demokratike në fillimet e viteve ´90, ata u organizuan në Shoqatën Kulturore “Arumunët e Shqipërisë. Me këtë shoqatë lidhen shumë emra të nderuar të këtij komuniteti të cilët i orientuan fëmijët e tyre të studionin në Rumani. Edhe pse Shqipëria ishte duke kaluar vite të vështira dhe varfëria ishte e madhe, sërish familjet arumune i besuan arsimimit dhe i dërguan fëmijët e tyre drejt institucioneve arsimore rumune. Sot ata ish-studentë i kontribuojnë ekonomisë së Shqipërisë në shumë drejtime, duke u bërë pjesë e zhvillimeve në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Në këto 30 vjet në universitetet rumune kanë studiuar mjaft të rinj e të reja që vijnë nga pakica arumune e Shqipërisë të cilët çdo vit i ka bashkuar dëshira për arsimim dhe vetëdija kulturore e përkatësisë së tyre etnike. Një pjesë e madhe e investimit që familjet arumune të vendit kanë bërë, po shkon edhe sot në përparim të Shqipërisë drejt integrimit në BE. Këto familje mirëpresin CENSIN 2023 me besimin se edhe në Shqipërinë evropiane, në përputhje me rekomandimet e BE-së, do të kenë të garantuara të drejtat dhe kushtet për gjuhën amtare, për ruajtjen e traditave dhe zakoneve, për të cilat ata kanë qenë dhe do të jenë gjithmonë krenarë.