Artikulli “Gratë tona” i editorit të Gazetës “Drita” të Gjirokastrës, Veli Hashorva në kontekstin e emancipimit të gruas shqiptare (1920)
Nga Dorian Koçi
Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore dhe krizës së madhe politike që kishte përfshirë vendin e sapo dalë nga Lufta e Madhe, Shqipëria ndodhej në proces rindërtimi institucional dhe identitar. Ngjarje të rëndësishme kombëtare si mbajtja e Kongresit të Lushnjës (janar 1920) dhe Lufta e Vlorës ( qershor 1920) shënuan një përpjekje për konsolidimin e sovranitetit shtetëror dhe për ndërtimin e një administrate kombëtare. Në këtë klimë të mobilizimit social dhe kombëtar, shtypi shqiptar luajti një rol të rëndësishëm si hapësirë debati për çështjet politike, kulturore dhe shoqërore. Ai bëri të mundur përhapjen e ideve të nacionalizmit, apo shqiptarizmit, duke krijuar një publik të gjerë lexuesish në gjuhën amtare. Kjo gjuhë zëvendësoi dominimin e mëparshëm të gjuhëve të shkruara të huaja në formësimin e mendësisë së njerëzve dhe dobësoi solidaritetet tradicionale fetare, si ato të krishterimit dhe umetit islam, si edhe forma të tjera solidariteti shoqëror, duke i hapur rrugë një solidariteti të ri të bazuar mbi gjuhën dhe kulturën shqiptare. Një nga organet e para të shtypit shqiptar në vitet e para pas shpalljes së pavarësisë dhe konsolidimit të shtetit kombëtar ishte gazeta “Drita” (1920–1924), e botuar në qytetin e Gjirokastrës. Ajo përfaqëson një nga nismat e rëndësishme të shtypit në gjuhën shqipe në këtë qytet dhe dëshmon për zgjerimin gradual të hapësirës publike shqiptare në fillim të viteve 1920. Gazeta u drejtua nga patrioti dhe publicisti demokrat Veli Hashorva (1892–1975), i cili kontribuoi në zhvillimin e debatit politik dhe kulturor të kohës.Ai ishte përfaqësues i një familjeje të vjetër gjirokastrite, të parët e të cilit kishin administruar financat e vilajetit të Janinës . Veli Hashorva e kishte filluar veprimtarinë patriotike në qytetin e lindjes, në Gjirokastër si anëtar i klubit “Drita” të themeluar më 1908. Më 1911 ai shkoi në Stamboll për studimet e larta për shkenca politike dhe u kthye në Shqipëri më 1912. Veli Hashorva së bashku me studentë të tjerë shqiptarë, përfshirë edhe mikun e tij Ali Këlcyra, i ndërpreu studimet e larta për arsye të shpërthimit të luftërave ballkanike. Si veprimtar i Lëvizjes Kombëtare, u ndoq dhe u përndoq nga forcat greke, kur ato pushtuan Gjirokastrën, më 1913. Për t’u shpëtuar përndjekjeve të mëtejshme, në maj 1915 mërgoi në SHBA, ku punoi pranë Federatës “Vatra”. Më 1916 botoi në Nju Jork gazetën “Vjosa”, me frymë politike kombëtare. Megjithatë, pas botimit të disa numrave, vendosi ta ndërpriste atë, me qëllim që komuniteti shqiptar në Shtetet e Bashkuara të përqendrohej në një organ të vetëm përfaqësues, gazetën “Dielli”, si dhe që burimet financiare të kanalizoheshin në mbështetje të Federatës “Vatra” dhe të vetë “Diellit”. Më 3 qershor 1917 zgjidhet delegat për kuvendin e Vatrës, që organizoi fushatën për mbledhjen e një shume prej 40.000 dollarësh (750,289 dollarë me kursin e sotëm) për të bërë të mundur që kolonia shqiptare e Amerikës të dërgonte dy përfaqësues në Konferencën e Paqes – z. Mehmet Konica dhe z. Turtulli . Veli Hashorva u kthye në Shqipëri më 1919, kur Gjirokastra ishte ende nën zonën e pushtimit italian bashkë me Tepelenën. Sipas një letre të Luigj Gurakuqit, dërguar Parashqevi Qiriazit më 6 dhjetor 1919 nga Parisi, Veli Hashorva ishte këshilltar i “Vatrës” dhe po kthehej në Shqipëri bashkë me Kol Tromarën dhe Ilia Panon. Pasi kishin qëndruar dy javë në Romë dhe pasi qenë takuar me Luigj Gurakuqin, Mehmet Konicën e përfaqësues të kolonisë së Stambollit, ata ishin kthyer në Shqipëri . Në janar të vitit 1920, Veli Hashorva mori pjesë në Kongresin e Lushnjës si një nga përfaqësuesit e Gjirokastrës. Përvoja e Veli Hashorvës si gazetar në SH.B.A., si editor i gazetës “Vjosa” dhe kontributor në gazetën “Dielli”, si edhe qëllimet e rithemelimit të shtetit kombëtar shqiptar që u shpalosën në Kongresin e Lushnjës, e nxitën për të themeluar gazetën “Drita” në Gjirokastër. Numri i saj i parë doli më 27 mars 1920, dy muaj pas Kongresit të Lushnjës dhe në ditën e konstituimit të Këshillit të Lartë me 37 anëtarë, që konsiderohet si parlamenti i parë shqiptar. Sipas kujtimeve te Veli Hashorvës, emrin “Drita” të gazetës ia ka propozuar Petro Poga, ish-ministër i Drejtësisë në qeverinë e Vlorës dhe një nga drejtuesit e gazetës “Drita” në gjuhën shqipe në Stamboll më 1884 . Numri i parë i gazetës u bë fshehtazi për t’ia bërë surprizë popullit. Ceremonia e vogël e çeljes së gazetës u bë në oborrin e shkollës fillore “Drita”, ku ishin thirrur një grup qytetarësh, midis tyre edhe disa gra, kryetari i bashkisë, prefekti dhe zëvendësprefekti i qytetit etj. Këtu drejtori përgjegjës i gazetës, Veli Hashorva mbajti një fjalim modest: “Zotërinj, jam i lumtur pa masë që kam nderin të flas në qytetin tim që jam lindur dhe rritur, për herë të parë përpara një shumice patriotësh, të cilët janë edhe njerëzit më të zgjedhur të Gjirokastrës. Po ajo që më lumturon më tepër është rasti gazmor që shkaktoi këtë mbledhje, i cili do të mbetet i çmuar në historinë e qytetit tonë dhe në jetën time personale”. Përmes artikujve dhe qëndrimeve të saj editoriale, “Drita” u bë një platformë e rëndësishme për diskutimin e çështjeve kombëtare, arsimore dhe shoqërore, duke reflektuar orientimet demokratike dhe modernizuese të një pjese të elitës intelektuale shqiptare të periudhës. Në këtë kuadër, roli i gazetës nuk kufizohej vetëm në informim, por shtrihej në formësimin e opinionit publik dhe në konsolidimin e gjuhës shqipe si mjet themelor komunikimi në hapësirën publike. Shtypi i kësaj periudhe kontribuoi në ndërtimin e identitetit kombëtar dhe në institucionalizimin e debatit politik, por edhe në trajtimin e problemeve sociale të shoqërisë shqiptare, duke u shndërruar në një element të rëndësishëm të modernizimit kulturor dhe shoqëror të Shqipërisë së viteve 1920
Në këtë kontekst, Gazeta “Drita” e Gjirokastrës ishte një nga organet e shtypit lokal që synonte të ndërgjegjësonte publikun për problemet e shoqërisë shqiptare dhe për nevojën e reformave admiistrative dhe shoqërore. Ajo u bë një hapësirë e rëndësishme e debatit publik, ku diskutoheshin çështje me karakter kombëtar, shoqëror dhe kulturor. Përmes artikujve të saj, gazeta synonte të ndikonte në formimin e një vetëdijeje më të avancuar qytetare dhe në nxitjen e ndryshimeve shoqërore.
Artikulli “Gratë tona”, i botuar në gazetën “Drita” të Gjirokastrës më 13 maj 1920 dhe i shkruar nga editori i saj Veli Hashorva, përbën një dokument domethënës për të kuptuar debatet sociale dhe kulturore në Shqipërinë e fillimit të shekullit XX. Teksti reflekton përpjekjet e elitave intelektuale shqiptare për të diskutuar dhe reformuar rolin e gruas në shoqëri në një moment kryesor të historisë së vendit. Viti 1920 përfaqëson një periudhë vendimtare për shtetin shqiptar. Në këtë kuadër historik, artikulli i Veli Hashorvës lidhet drejtpërdrejt me projektin modernizues të elitave shqiptare të kohës, duke dëshmuar përpjekjet për transformim shoqëror dhe kulturor. Artikulli pasqyron një realitet social të karakterizuar nga patriarkalizmi i fortë dhe izolimi i grave në jetën familjare. Në shumë zona të Shqipërisë, veçanërisht në qytete të Jugut dhe në familje me tradita konservatore, gratë jetonin të kufizuara në hapësirën e shtëpisë dhe kishin shumë pak mundësi për arsimim apo pjesëmarrje në jetën publike. Duket se, për rreth një shekulli që nga koha kur Bajroni kishte përshkruar statusin social të femrës shqiptare, situata nuk kishte ndryshuar shumë. Gruaja shqiptare kur Bajroni vizitoi Shqipërinë e Jugut më 1809 jetonte në një shoqëri tipikisht patriarkale, siç ishte edhe shoqëria e Perandorisë Osmane, ku dallimet ndërmjet grave të mileteve të ndryshme nuk ishin thelbësore në aspektin e pozitës shoqërore. Mes gjithë epiteteve lavdëruese për bukurinë e tyre — për të cilën bien dakord pothuajse të gjithë udhëtarët e huaj të shekullit XIX — bie në sy një përshkrim i tërthortë që Bajroni i bën statusit të tyre social, duke i përshkruar si “tamed in their cave” (“të zbutura në shpellën e tyre”), një figuracion që vështirë se i përshtatet natyrës së butë femërore. Në pak rreshta, Bajroni rrëfen pozitën shoqërore të gruas shqiptare, e cila nuk dilte dot vetëm pa shoqëri dhe pothuajse gjithmonë ishte e mbuluar. Në të njëjtën kohë, ai thekson edhe tiparet e besnikërisë dhe përkushtimit ndaj fëmijëve dhe familjes.
Në këtë vend s’i ndihet zëri gruas:
E mbyllur, s’del dot pa çarçaf e rojë,
Mësuar në kafaz, as do të dalë;
Njëjt vetëm ia jep trupin dhe zemrën,
Atij q’e ka pranuar zot e burrë;
E lumtur në detyrë amtare t’ëmbël
— Në më të shenjtën përmbi gjithë ndjenjat
— Me gjin’ e saj e rrit fëmin’ e saj,
E nuk e lë t’u bindet epsheve më t’ulta.
Dyzet vjet më vonë, kur Edward Lear vizitoi Gjirokastrën, ai na ofron një përshkrim edhe më të gjallë të grave të këtij qyteti, të shoqëruar edhe me një gravurë të tyre. Përmes përshkrimit të veshjes së tyre të veçantë, në përputhje me zakonet tradicionale islame, nënkuptohet edhe statusi i tyre shoqëror dhe kufizimet që karakterizonin jetën e tyre publike. Në këtë kuadër, Lear shkruan:
“Por nga të gjitha risitë befasuese, këtu apo kudo tjetër, më lejoni të rekomandoj kostumin e grave të Argyrokastrës! Përbindëshat më të çuditshëm që janë paraqitur apo imagjinuar nuk i afrohen realitetit të këtyre krijesave jashtëzakonisht të veçanta në ecje dhe veshje; dhe është për t’u habitur se kur dhe nga kush u shpik për herë të parë kjo lloj veshjeje, apo si mundën qeniet njerëzore ta pranonin ta vishnin atë. Fillimisht, përfytyroni një maskë të ngushtë prej liri të bardhë të fiksuar në fytyrë, me dy të çara të vogla përmes të cilave shihen sytë. Më pas, një mbështjellëse e gjerë prej të bardhe, me shirita të gjerë në ngjyrë bezhë të çelët, e cila mbulon të gjithë pjesën e sipërme të trupit dhe është mbledhur në palë të mëdha rreth krahëve, të cilët mbahen me bërrylat e ngritur, ndërsa duart ruhen me kujdes nga pamja nën mbulesën e rëndë. Shtoni këtyre pantallona të shkurtra e të gjera prej basme vjollcë dhe çizme të larta në ngjyrë të verdhë si kanarinë, me thekë në ngjyrë trëndafili; dhe çfarë incidenti më mahnitës në historinë e veshjes femërore mund të imagjinohet?”
Edward Lear: Shtëpi në Gjirokastër në jug të Shqipërisë, me kështjellën dhe akueduktin në sfond, 4 nëntor 1848.
Nisur nga kjo trashëgimi sociale, editori i gazetës “Drita”, Veli Hashorva, në artikullin e tij “Gratë tona”, trajton çështjen e pozitës shoqërore të gruas shqiptare në fillim të shekullit XX. Përmes metaforës së gruas që jeton “si brenda një guaske”, autori përshkruan mbylljen fizike dhe sociale të grave, duke kritikuar zakonet dhe normat tradicionale që i mbajnë ato të izoluara. Ky përshkrim përfaqëson diskursin reformator të kohës, i cili e konsideronte emancipimin e gruas si një element të domosdoshëm të përparimit shoqëror dhe të modernizimit kombëtar. Përmes metaforës së gruas që jeton “si brenda një guaske”, aq të ngjashme me vargjet bajroniane:
“E mbyllur, s’del dot pa çarçaf e rojë,
Mësuar në kafaz, as do të dalë,”
theksohet vazhdimësia e një realiteti shoqëror që kërkonte transformim. Në këtë mënyrë, artikulli i editorit të “Dritës, Veli Hashorvës krijon një lidhje historike mes përshkrimeve të udhëtarëve të huaj dhe diskursit reformator vendas, duke reflektuar projektin modernizues të elitave shqiptare të kohës. Megjithëatë pavarësisht sensit kritik ndaj gjendjes sociale të gruas, ai nuk propozon një model radikal të emancipimit.Editori i gazetës “Drita”, Veli Hashorva e bën të qartë se qëllimi nuk është që gratë të adoptojnë modele të jetës perëndimore që në atë kohë perceptoheshin si të tepruara, si p.sh. frekuentimi i kafeneve apo pjesëmarrja e lirë në jetën publike. Përkundrazi, ai kërkon një transformim gradual dhe moral të rolit të gruas, duke theksuar rëndësinë e arsimimit, të respektit dhe të trajtimit të saj si qenie njerëzore me dinjitet.
Kjo qasje reflekton një modernizim të moderuar, tipik për intelektualët shqiptarë të fillimit të shekullit XX. Ata synonin reformimin e shoqërisë, por pa një shkëputje të plotë nga normat tradicionale. Gruaja shihet ende kryesisht në rolin e saj familjar – si nuse, nënë dhe vjehrrë – por kërkohet që ajo të ketë më shumë dinjitet, arsim dhe respekt. Artikulli është gjithashtu një shembull i rolit që luante shtypi në procesin e modernizimit social. Gazetarë dhe intelektualë si Editori Veli Hashorva përdornin shtypin e shkruar për të ngritur çështje të ndjeshme shoqërore dhe për të sfiduar disa zakone tradicionale. Duke kritikuar prindërit dhe burrat që nuk u japin grave arsim dhe liri, autori i drejtohet drejtpërdrejt lexuesit mashkullor, i cili në atë kohë përbënte pjesën më të madhe të publikut të gazetave. Kësisoj artikulli “Gratë tona” synon të krijojë një ndërgjegjësim social dhe të nxisë një reflektim mbi përgjegjësinë e burrave në ndryshimin e statusit të gruas. Ai duhet parë si pjesë e një diskursi më të gjerë reformator në Shqipërinë e viteve 1920, kur shteti i ri shqiptar kërkonte të modernizonte institucionet dhe shoqërinë. Edhe pse i kufizuar nga mentalitetet e kohës dhe nga një vizion ende tradicional për rolin e gruas, teksti përfaqëson një hap të rëndësishëm në debatet mbi emancipimin dhe arsimimin e grave shqiptare. Familja Hashorva në Gjirokastër përfaqëson një shembull të emancipimit të gruas në vitet 1920, kur Hasibe Hashorva, kushurira e Veli Hashorvës, përfundoi kursin për arsimtare. Ajo shfaqet në një fotografi të vitit 1926, e lidhur me shkollën e vajzave “Koto Hoxhi” në Gjirokastër, ku përmendet si pjesë e stafit mësimdhënës, në krah të drejtoreshës Uran Rumbo. Kjo foto/dokument e vendos Hasibe Hashorvën në kontekstin e zhvillimit të arsimit të vajzave në Gjirokastër gjatë viteve 20’, një periudhë e rëndësishme për modernizimin arsimor dhe emancipimin e grave në Shqipëri. Prania e saj në këtë institucion dëshmon për rolin aktiv të grave në jetën publike dhe përpjekjet për të zgjeruar mundësitë arsimore për gjeneratat e reja. Hasibe Hashorva ishte mësuese e Musine Kokalarit, shkrimtares së parë femër shqiptare dhe një prej ikonave të mendimit intelektual shqiptar.
Në qendër, ulur Urani Rumbo, drejtoresha e shkollës dhe në krah mësuesja Hasibe Hashorva. Musine Kokalari, rrjeshti i dytë, e katërta duke filluar nga e djathta
Vite më vonë, në romanin “Darka e gabuar” të shkrimtarit të shquar Ismail Kadare, personaliteti i Hasibe Hashorvës shfaqet sërish, tani si personazh. Në roman, ajo paraqitet si një zonjë arsimtare e aristokracisë të qytetit të Gjirokastrës që nuk e kupton ndryshimin e dhunshëm social që ka ndodhur në Shqipëri me ardhjen në pushtet të komunistëve, kur e ftojnë të marrë pjesë në mbledhjen e Frontit Demokratik, dhe për pasojë, kur dëgjon që e ndalojnë në mes të rrugës për ti thënë se duhet të jetë në mbledhje, i ndodh një hemorragji. Ky episod ilustron kontrastin e ashpër midis zhvillimit të shoqërisë shqiptare në vitet 1930 dhe sistemit totalitar që u instalua më pas, duke shërbyer si reflektim kritik i transformimeve shoqërore dhe tensioneve midis traditës dhe ndryshimit të dhunshëm të humbjes së individualitetit.
Parë në kët♪ panoramë të gjerë të ndryshimeve sociale përgjatë viteve 20’-50’ të shekullit të XX, editoriali i Veli Hashorvës i vitit 1920 duhet lexuar jo vetëm si një reagim ndaj një realiteti të caktuar shoqëror, por si pjesë e një diskursi më të gjerë historiko-social, ku projekti i ndërtimit kombëtar ndërthuret ngushtë me përpjekjet për transformimin e marrëdhënieve gjinore. Duke e konceptuar përmirësimin e statusit të gruas si kusht për përparimin e përgjithshëm të shoqërisë, ky tekst reflekton ndërgjegjësimin në rritje të elitave për rolin e arsimit si instrument emancipimi. Publikimi i tij pasqyron jo vetëm shqetësimet e kohës për shkollimin e femrës shqiptare, por edhe një klimë qytetare në Gjirokastër që synonte zgjerimin e hapësirës arsimore për vajzat. Në këtë sfond, vëzhgimet e Justin Godart gjatë vizitës së tij në vitin 1921, mbi praninë e shkollave me klasa mikse dhe përfshirjen e vajzave në arsim, dëshmojnë se këto ide nuk mbetën vetëm në planin e diskursit, por filluan të materializohen në praktika konkrete, duke shënuar hapat e parë drejt një modernizimi shoqëror me bazë arsimore dhe qytetare.
Gratë tona
Kujtoni një breshkë që lind brenda guaskës së saj, nxjerr kokën dhe këmbët për një çast jashtë, dhe pastaj futet përsëri e mblidhet në shtëpinë e saj mbrojtëse. Kështu është gruaja jonë në Shqipëri; kështu janë nënat, motrat dhe vajzat tona.
Një vajzë, që në fillim, lidhet dhe mbulohet fort nga koka deri te këmbët me shumë rroba. Që këtu nis jeta e saj e mbuluar. Pastaj vijnë kujdeset dhe shqetësimet e prindërve, të cilët mundohen shumë që ajo të mos ftohet e të mos sëmuret.
Por e keqja më e madhe fillon më pas; edhe ajo pak liri që ka, i merret dhe fillon burgu i gjatë me të cilin është dënuar. Mbyllja zyrtare e një vajze fillon rreth moshës dymbëdhjetë vjeç. Më pas ajo jeton në një atmosferë të ngushtë: katër mure të trasha, dyer e porta të mbyllura me perde të rënda, me hekur, me dryna e pengesa të tjera – dhe kjo bëhet shoqëria e jetës së saj të mëvonshme. Dielli për to perëndon shumë shpejt.
Nëse ndonjëherë dalin pak jashtë për ndonjë nevojë, përsëri mbulohen dhe rëndohen edhe më shumë. Kur i shikoni në rrugë, nuk do të mendonit kurrë se ajo zonjë që kalon pranë jush është një qenie njerëzore si ju; nuk duket si jetë e gjallë dhe nuk ka asnjë shenjë që t’ju bindë për këtë. Ajo duket si një leckë që lëviz, me këmbë të zbehta e me mbulesa të bardha.
Por nuk mbaron me kaq; ajo mbyll edhe gojën. Mos qeshni: kjo është e vërtetë në kuptimin e plotë të fjalës. Ajo hesht sepse ka turp, sepse ka frikë, ose sepse kështu është mësuar. Kështu vazhdon kjo jetë deri sa të hyjë në varr, ku më pas mbulohet përgjithmonë nga dheu i rëndë.
Këto zakone shpesh shkaktojnë edhe pasoja të tjera; ato mund të shkatërrojnë jetën e një djali të ri që lidh fatin me to dhe të nxijnë jetën e një familjeje. Një vajzë që nuk bëhet dot nuse e mirë, nuk bëhet dot as nënë e mirë.
Ne duam që shqiptarët të na kuptojnë për guximin që morëm duke kritikuar një mënyrë jetese që ecën në errësirë. Nuk qortojmë pa arsye; fajin më të madh e kanë shqiptarët që nuk reflektojnë, prindërit që nuk i edukojnë vajzat e tyre dhe burrat që nuk i mësojnë e nuk u japin lirinë për të cilën kanë shumë nevojë.
Burrat duhet të shohin atë që jeta u ka mohuar grave të tyre dhe të mos veprojnë në dëm të tyre. Gratë vuajnë dhe lëngojnë për atë që u mungon: për lirinë e tyre të shenjtë.
Por shqiptarët të mos mendojnë se ne duam t’i shohim gratë të dalin në bulevarde krah për krah me burrat, të shkojnë në kafene dhe të pinë birrë. Jo, zonja; nuk kemi një qëllim të tillë. Ne duam që ato të trajtohen si njerëz, të mësojnë si njerëz, të flasin si njerëz dhe të mendojnë si njerëz. Vetëm kështu do të bëhen nuse të mira, nëna të mira dhe vjehrra me zemër të mirë, për të cilat kemi shumë nevojë.
Nëse nuk ndryshojmë dhe nuk bëhemi më njerëzorë, ato do të vazhdojnë të vuajnë nga burrat e tyre, të cilët shpesh i qortojnë dhe i dënojnë për arsye të vogla.

Bibliografi:
- Arkivi i Muzeut Kokalari, Gjirokastër
- Arkivi i familjes Hashorva, Gjirokastër
- Bajron. Çajld Harold. Tiranë: 1973, përkthyer nga Skënder Luarasi
- Dorian Koçi. Patritoti liberal Veli Hashorva dhe Gazeta “Drita” E Gjirokastrës(1920-1924), Pikëtakime historike, kulturore dhe identare, Vol.III, Bota Shqiptare, 2023, Tiranë
- Editorial i Gazetës Dritanga Veli Hashorva “ Gratë tona “, 13 maj 1920
- Flutura Hashorva, 95-vjetori i gazetës “DRITA” e Gjirokastrës (1920-1924). Gazeta “Tirana Observer” 27.03.2015
- Gazeta “Drita” Nr.2, prill 1920
- Hylli i Dritës. Letërkëmbimi i Luigj Gurakuqit. Nr 3, mars 1944
- Justin Godart. Shqipëria në 1921. Shtëpia botuese: Klubi i poezisë, Tiranë 2015
- Kalendari i Vatrës i motit 1918, Shtypur në Shtypëshkronjën e Gazetës Dielli 1918, edituar nga Fan Noli.
