21/11/2024

ARTI DHE KRITERI JASHTË-LETRAR I VLERËSIMIT

0

Nga Xhelal Zejneli

Po qe se një shkrimtar i talentuar ka krijuar nën një regjim diktatorial, tiranik, despotik, autoritar, autokratik, totalitar apo stalinist dhe është dënuar me burg, ka gjasa të mëdha që ai të shpërblehet me çmimin më prestigjioz të letërsisë – “Nobelin”.

Në raste të caktuara Komiteti i “Nobelit” parapëlqe, çmon dhe vlerëson mendimin ndryshe, mendimin dhe qëndrimin e autorit që dallohet nga ai zyrtar, pikëpamjen që nuk është në një vijë me politikën zyrtare, mendimin dhe qëndrimin që bie ndesh dhe që nuk përputhet me politikën e shtetit, mendimin dhe qëndrimin që është në kundërshti me politikën dhe me interesin e shtetit.

Komiteti i “Nobelit” parapëlqen dhe çmon guximin intelektual të autorit. Mendimi dhe qëndrimi i një autori të madh duhet të dallohet nga mendimi, qëndrimi, gjykimi dhe veprimi i shumicës apo i turmës.

Në sistemet totalitare, për mendimet dhe për qëndrimet ndryshe, autori dënohet me burg. Me fjalë të tjera, mendimet ndryshe, i paguan me vite burgu. Në raste të tilla, shkrimtari i tillë konsiderohet, nderohet dhe respektohet edhe si ndërgjegje kombit.

Shtrohet pyetja: Çmimi “Nobel”, jepet për vlerën artistike të një vepre letrare apo të opusit letrar të një autori, apo jepet për qëndrimin politik dhe ideologjik të tij?!

Juria e Komitetit të “Nobelit” veprën letrare artistike e vlerëson me kritere estetike, apo me kritere jashtë-letrare dhe jashtë-estetike?!

Një popull që ndodhet nën një sistem totalitar, nuk dëshiron që shkrimtari, artisti apo intelektuali i madh të jetë i afërt me regjimin, me pushtetin dhe me pushtetarët.

Një popull që jeton nën thundrën e diktaturës, pret nga shkrimtari i vet të jetë zëri i protestës, i revoltës dhe i shpresës. Të jetë ndërgjegjja e kombit dhe e kohës. Por, në regjimet tiranike dhe totalitare, një gjë e tillë paguhet me vite burgu, me internim, në mos edhe me jetë. Arti dhe politika nuk shkojnë bashkë, ndaj shumë shkrimtarë gjatë historisë, kanë qëndruar larg politikës. Shkrimtari apo intelektuali që ri pranë një partie politike, rrezikon të shndërrohet në instrument të saj. Regjimi diktatorial shpesh synon që të instrumentalizojë autoritetin e shkrimtarit apo të intelektualit për qëllime të pushtetit të sundimtarit. Në të tilla raste, regjimi autoritar e privilegjon shkrimtarin, ia boton veprat dhe e neutralizon. E afirmon, ia përkthen veprat në gjuhë të huaja. Ia shuan zërin e protestës, ia topit penën e revoltës, e shndërron në oportunist, në konformist, ia mbyll sytë. Tirania e shtyn shkrimtarin të merret me tema që s’e prekin dhe s’e rrezikojnë pushtetin. Po qe se nuk shkruan për ne, të paktën mos shkruaj kundër nesh. In ultima linea, ne të burgosim, të çojmë në Siberi, atje ku temperatura arrin deri në minus 56 gradë celsius. Mos e merr në qafë familjen, gruan, fëmijët, prindërit.

T’i dalësh para një regjimi autoritar, do të thotë të viktimizohesh, të flijohesh, të sakrifikohesh, të vetëflijohesh. Këtë forcë dhe këtë guxim s’e ka çdokush. Kjo është edhe çështje e karakterit të njeriut. Vetëm ai që mund t’i bëjë ballë trysnisë së dhimbshme, mund ta rrëzojë mbretin nga kali.

Askush në botë s’ka të drejtë të kërkojë nga një krijues i madh të ngrejë popullin në revolucion. Askush në rruzullin tokësor s’ka të drejtë të kërkojë nga një shkrimtar i madh të flijohet, të viktimizohet, pra të dënohet nga tiranët, të hyjë në burg dhe të vuajë dënimin. Shkrimtari i madh nuk është revolucionar dhe s’ka pse të jetë i tillë. Ai është artist. Ai e stigmatizon dhe e lufton të keqen me mjete shprehëse artistike dhe jo me kryengritje. Kryengritjen e bëjnë kryengritësit, tribunët e popullit, madje shumë më mirë se një poet.

Shkrimtari apo artisti i madh nuk lidh dot aleancë me djallin. Ai e ruan dinjitetin dhe integritetin e vet.

*   *   *

Mirosllav Kërlezha (Miroslav Krleža, 1893-1981) është shkrimtar dhe enciklopedist kroat. Shumica e konsiderojnë si më të madhin shkrimtar kroat të shekullit XX. (Në shqip shqiptohet Kërlezha dhe jo Kërllezha). Ka qenë me bindje komuniste. Në lidhje të ngushta me Josip Broz Titon (1892-1980). Nacionalistët kroat nuk e çmojnë Kërlezhën. Me nacionalizmin kroat kuptohet: të jesh për një Kroaci të pavarur, d.m.th. për një Kroaci jashtë Jugosllavisë, si dhe të jesh antiserb. Por, të jesh jashtë Jugosllavisë socialiste, do të thotë të jesh antikomunist dhe kundër Titos. Kërlezha ndërkaq, s’ishte antikomunist. Nuk ka manifestuar as antiserbizëm. Në një rast iu drejtua nacionalistëve kroat me një pyetje retorike: “Ç’kërkoni nga unë? Të ngre revolucion në Sheshin e Republikës të Zagrebit?!” Me një fjalë, unë si shkrimtar, nuk e kam një detyrë të tillë. Shkrimtari në është i madh ose mediokër, kjo varet nga vepra letrare e tij, ndërsa arti vlerësohet me kritere letrare dhe jo me kritere ideologjike.

*   *   *

Shkrimtarët dhe konflikti i tyre me regjimin – Poeti dhe prozatori rus, me prejardhje hebraike Boris Leonidoviç Pasternak (1890-1960) është autor i romanit “Doktor Zhivago”. U botua në italisht në vitin 1957, ndërsa origjinali në rusisht u botua në Itali më 1958. Në BRSS, romani u konsiderua antisovjetik, ndërsa në Perëndim, në vitin 1958, Pasternakut iu dha çmimi “Nobel” për letërsi. Për shkak të fushatës kundër tij në BRSS, nuk shkoi për ta marrë.

Prozatori rus Aleksander Isaeviç Solzhenjicin (Aleksandr Isajevič Solženicyn, 1918-2008), në vitin 1945 u dënua dhe u dërgua në llogoren e Siberisë. Në vitin 1953 u syrgjynos në Azinë Qendrore. U rehabilitua në vitin 1956, tre vjet pas vdekjes së Josip Visarionoviç Xhugashvili Stalinit (1879-1953). Solzhenjicini është emri më i njohur i rezistencës letrare kundër totalitarizmit sovjetik. Në tregimin “Një ditë e Ivan Denisoviçit” (Odin den Ivana Denisoviča, 1962) prek një temë që deri atëherë ka qenë tabu, e paprekshme. Romanet “Reparti i kancerit” (Rakovyj korpus, 1968) dhe “Në rrethin e parë” (V kruge pervom, 1968), së pari u botuan jashtë Bashkimit Sovjetik. Pasoi akuza dokumentare, njëherazi thellësisht personale, e sistemit sovjetik të kampeve të përqendrimit “Arkipelagu Gulag” (1973-1975). Solzhenjicini u arrestua dhe u dëbua nga BRSS. Jetoi në Zvicër, më pas në Vermont të ShBA-së. Pas viti 1990 u kthye në Rusi, ku u prit edhe si ideolog i kombit rus. Duhet shtuar se Solzhenjicini është autentik, kur ia zbulon lexuesit anën jonjerëzore dhe kriminale të një formacioni shoqëror, ndërkaq është ideologjik, kur largohet nga përvoja jetësore e vet. Më 1970 u laureua me çmimin “Nobel” për letërsi.

Në konflikt me regjimin ka qenë poeti dhe diplomati kilian Pablo Neruda (emri i vërtetë Neftali Ricardo Reyes Basoalto, 1904-1973). Pseudonimin Neruda e mori në moshën 16-vjeçare sipas poetit dhe tregimtarit çek Jan Neruda (1834-1891). Pablo Neruda ishte me pikëpamje majtiste. U bë deputet komunist. Për shkak të një pamfleti, erdhi në konflikt me pushtetin dhe në vitin 1948 u largua nga vendi. Kur ishte ambasador në Madrid, iu bashkua lëvizjes antifashiste. Në fjalimin Yo acuso(Fajsoj…) kritikoi qeverinë e cila ndërmori masa represive për t’i shuar protestat e punëtorëve. Për këtë arsye, në autoritetet e Kilit e përndiqnin. Në fillim shkroi lirikë erotike. Më vonë kalon në poezi me tema sociale dhe politike në të cilat flet kundër tmerreve të luftës dhe çohet në mbrojtje të të shtypurve. Gjithmonë reagonte ndaj padrejtësisë dhe luftonte për vërtetësinë. Më 1971 iu dha çmimi “Nobel” për letërsi. Ishte i sëmurë nga kanceri i prostatës. Vdiq vetëm disa orë pasi u lëshua prej spitali. Kishte të tillë që dyshuan se, me urdhër të qeverisë, e kishte helmuar mjeku.

Prozatori kolumbian Gabriel Garsia Markez (Gabriel José Garsía Márquez, i mbiquajtur Gabo, 1927/28 – 2014), botoi një artikull gazetaresk në të cilin fliste për marinarin e shpëtuar nga luftanija kolumbiane që u fundos për shkak pakujdesie. Qeveria u përpoq që këtë tragjedi ta murkullonte. Për këtë artikull, jeta e Markezit u vu në rrezik. U detyrua të largohej nga vendi. Udhëtoi nëpër Evropë, në Venezuelë. Në vitin 1959, me gruan Mercedes (Mercedes Raquel Barcha Pardo, 1932-2020) dhe me djemtë Rodrigo dhe Gonzalo, u vendos në Meksiko Siti (Mexico City). Në Havanë lidhi miqësi me kryetarin e Kubës, Fidel Kastro (Fidel Alejandro Castro Ruz, 1926020116). Kjo miqësi shkaktoi reagime politike negative të shumta. Me qëndrime e veta i ofendoi amerikanët, kështu që deri në vitin 1971 iu ndalua hyrja në Kolumbi dhe në ShBA. Romani i tij “Njëqind vjet vetmi” (Cien años de soledad, 1969) është një prej veprave më të lexuara të letërsisë botërore. Është shitur në mbi dhjetë milionë kopje. Një pjesë të madhe të parave të fituara, Markezi ua dhuroi majtistëve në Angolë, në Argjentinë, në Kolumbi dhe në Nikaragua. Ndihmoi për themelimin e organizatës HABEAS – organizatë kushtuar parandalimit të keqpërdorimit të pushtetit dhe lirimit të të burgosurve politikë në Amerikën Latine. Për shkak të qëndrimeve politike të tij, përsëri u detyrua të largohej nga Kolumbia. Qeveria kolumbiane e fajësoi se Markezi e ndihmon financiarisht grupin M-16. U vendos në Meksikë. Në vitin 1982 iu dha çmimi “Nobel” për letërsi. Presidenti amerikan Bill Klinton (William Jefferson Clinton, 1946- ) e hoq ndalesën e hyrjes së Markezit në ShBA. Më vonë, autori i veprës “Vjeshta e patriarkut” (El otono del patrirca, 1974), me të cilin e respekton traditën e romanit mbi diktaturën, takohet edhe me presidentin Barak Obama (Barack Hussein Obama II, 1961- ). Autoritetet kolumbiane e hoqën ndalesën e qëndrimit të Gabos në atdhe, ndërsa shtëpinë e tij në Aracataca e shndërruan në muze.

Në vitin 2005, shkrimtari turk Orhan Pamuk (Ferit Orhan Pamuk, 1952- ) e dënoi dhunën* ndaj armenëve dhe kurdëve, të kryer në Turqi në fund të shekullit XIX dhe në dhjetëvjeçarët e parë të shekullit XX. Sipas tij, në periudhën e sipërthënë, në Turqi janë vrarë një milion armenë dhe tridhjetë mijë kurdë. Për këtë qëndrim të tijin, Orhan Pamuku u ballafaqua me reagime të ashpra në Turqi. Ai u detyrua të largohej nga vendi, ndërkaq në qarqe të caktuara perëndimore, qëndrimi i tij rreth fatit të armenëve të asaj kohe, u vlerësua lartë. Në Perëndim, Orhan Pamuku u afirmua sakaq. Menjëherë pas një viti, d.m.th. më 2006, atij iu dha çmimin “Nobel” për letërsi.

Shënim: Në historiografinë armene, dhuna ndaj tyre njihet si Krimi i madh. Bëhet fjalë për spastrimin etnik, dëbimin dhe vrasjet masive të kryera ndaj pjesëtarëve të popullit armen në territorin e Perandorisë Osmane gjatë Luftës së Parë Botërore. Dëbimi dhe deportimi i popullatës armene është kryer sidomos në rajonin e Azisë së Vogël, prej vitit 1894 e deri në vitin 1923. Dëbimet dhe vrasjet më të mëdha janë kryer gjatë vitit 1915. Sipas vlerësimeve të ndryshme në vitin e sipërthënë janë vrarë midis 800.000 dhe 1.500.000 pjesëtarë të popullit armen. Përndjekjet e armenëve kanë filluar kah fundi i shekullit XIX, gjatë sundimit të sulltan Abdyl Hamidit II (1842-1918), për të arritur kulmin pas revolucionit të xhonturqve të vitit 1908 dhe ardhjes së tyre në pushtet.

Më 24 maj 1915, Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Rusia miratuan tekstin e deklaratës së përbashkët, me të cilën për herë të parë në praktikën juridike fajësuan një shtet për krime kundër njerëzimit, të kryer ndaj pjesëtarëve të bashkësisë armene në Turqinë e asaj kohe.

Në qershor të vitit 1997, Asociacioni ndërkombëtar për studimin e krimeve të gjenocidit, vrasjet masive të armenëve në Turqi gjatë Luftës së Parë Botërore, i karakterizoi si gjenocid.

Termin gjenocid, si formën më të rëndë të krimeve masive, e krijoi në vitin 1943 avokati polak/amerikan, me prejardhje nga një familje hebraike, Rfael Lemkin (Raphael Lemkin; Bezwodne, Bjellorusi, 1900 – Nju-Jork, 1959). Sipas tij, gjenocid konsiderohen vrasjet dhe dëbimet e organizuara, me qëllim që një bashkësi të flaket plotësisht nga një rajon i caktuar. Si shembull, i merr krimet ndaj armenëve. Në këtë mënyrë, dhuna ndaj armenëve është cilësuar si i pari krim modern i gjenocidit në shekullin XX. Pas Holokaustit në Luftën e Dytë Botërore, është i dyti për nga numri i punimeve studimore në histori.

Në fund të vitit 2019, vrasjet masive të armenëve u njohën si gjenocid prej 31 shteteve. Midis tyre Franca, Gjermania, Kanadaja, Italia, ShBA-ja, Vatikani, Rusia, Këshilli i Evropës, etj.  Krimi ndaj armenëve u cilësua si gjenocid më 14 maj 2001.

Turqia e mohon krimin e gjenocidit, ndërsa krimet ndaj armenëve në atë periudhë i quan masakra armene (Ermeni Kırımı), e shkaktuar si pasojë e trazirave gjatë luftës. Gjenocidin ndaj armenëve e mohon edhe Azerbajxhani.

*   *   *

Po të mos ishte prononcuar kundër vendit të vet lidhur me dhunën ndaj armenëve të asaj kohe, a thua Orhan Pamuku do të ishte laureuar me çmimin “Nobel”?!

Shtrohet pyetja: Boris Pasternaku, Aleksandër Solzhenjicini, Pablo Neruda, Orhan Pamuku etj., janë laureuar me çmimin “Nobel” për vlerat artistike të veprave të tyre apo për qëndrimet politike të tyre?!

*   *   *

Duhet shtuar se që nga Homeri e deri në fund të shekullit XIX, çmim “Nobel” nuk ka pasur. Rrjedhimisht, nuk kanë qenë të laureuar me një çmim të tillë shkrimtarë dhe poetë të mëdhenj, si: autori i dy veprave më të vjetra të ruajtura të letërsisë greke dhe evropiane, poeti i epëve “Iliada” dhe “Odiseja”Homerit ((shek. VIII para K.); tragjediografi grek Eskili (525/524 – 456/455); poeti italian Dante Aligieri (Dante Alighieri, emrin e ka hipokoristik nga Durante, 1265-1321); shkrimtari spanjoll Miguel de Servantes Saavedra (Miguel de Cervantes Saavedra, 1547-1616); dramaturgu dhe poeti anglez Uilljem Shekspir (William Shakespeare, 1564-1616); komediografi francez Molieri (emri i vërtetë Jean-Baptiste Poquelin, 1622-1673); shkrimtari gjerman Johan Volfgang Gëte (Johann Wolfgang Goethe, 1749-1832); romancieri francez Onore dë Balzak (Honoré de Balzac, 1799-1850); romancieri dhe novelisti rus Fjodor Mihajloviç Dostojevski  (1821-1881); poeti dhe kritiku francez Sharl Bodëler (Charles Baudelaire, 1821-1867) etj.

Shkrimtarët dhe poetët e sipërthënë lexohen dhe studiohen më se 2800 vjet anembanë rruzullit tokësor. Janë lektyrë shkollore të shkollave të mesme të mbarë botës dhe janë të përfshirë në programet studimore të universiteteve më prestigjioze të planetit. Ata janë të përjetshëm, pa qenë të laureuar me ndonjë farë çmimi letrar.

Në anën tjetër, për 70-80 për qind të laureatëve të çmimit “Nobel”, apo për veprat e tyre, shumë pak njerëz kanë dëgjuar, si sot, ashtu edhe në të gjallë të tyre. Me fjalë të tjera, po qe se një krijues letrar është fitues i çmimit “Nobel”, kjo nuk do të thotë se krijimet letrare të tij kanë ndonjë vlerë të jashtëzakonshme. Çmimi i sipërthënë nuk është masë për vlerësimin e vlerës artistike të veprës.

*    *    *

Ka pasur autorë të cilët kanë qenë mjaft të popullarizuar. Një prej tyre është edhe teoricieni, kritiku dhe romancieri italian Umberto Eko (Umberto Eco, 1932-2016). Një krijues mund të jetë i popullarizuar, por kjo nuk do të thotë se krijimet letrare të tij, kanë ndonjë vlerë artistike të veçantë. Shkalla e lartë e popullaritetit nuk është masë e vlerës letrare të një vepre apo të opusit letrar të një autori. Një autor ia del të popullarizohet në mënyra nga më të ndryshmet. Arti i madh nuk është çështje propagande, reklamash dhe lobimesh. Arti i madh, as shitet  dhe as blihet me para. Arti i madh nuk ka të bëjë me mbështetjen, sponsorimin, ndërhyrjen dhe ndikimin e njerëzve të pushtetshëm. Arti i madh është i papengueshëm dhe i pandalshëm. Arti i madh nuk lind prej ekzibicionistëve. Është pjellë e gjenive.

Në kohën e Shekspirit, Balzakut, Dostojevskit apo të Bodëlerit nuk ka pasur televizor, telefon, automjete, aeroplanë, drita neoni, kompjuter, rrjete sociale, pajisje digjitale, mjete satelitore të komunikimit. Megjithëkëtë, ata jetuan dhe në saje të veprave të tyre – vazhdojnë të jetojnë. Ndërkaq, ata që ngrihen duke vënë në veprim makinerinë e propagandës apo të reklamës, vjen një çast dhe shuhen si flluskë sapuni.

*    *    *

Duhet shtuar se niveli i arsimimit nuk është conditio sine qua non që një autor të krijojë art të madh. Për shembull, poeti, kritiku dhe dramaturgu anglo-amerikan Tomas Stërnz Elliët (Thomas Stearns Eliot, 1888-1965), është shkolluar në Harvard, në Sorbonë dhe në Oksford. Në vitin 1948 është laureuar me çmimin “Nobel” për letërsi. Megjithëkëtë, krijimet e tij janë nën nivelin artistik të veprave të autorëve të cilët nuk kanë qenë të arsimuar se ai.

S’ka dyshim se krijuesi letrar duhet të jetë i shkolluar, por arti i madh është produkt i gjeniut, i gjenialitetit. Shekspiri në moshën 13-vjeçare e ndërpreu shkollimin. Megjithëkëtë, konsiderohet baba i tragjedisë moderne. Duke qenë se tragjediografi që e solli vdekjen në skenë, e ndërpreu shkollimin në moshën e sipërthënë, rrjedhimisht disa studiues e vunë në dyshim edhe autorësinë e tij ndaj veprave të tij. Por, shkrimtari gjerman Johan Volfgan Gëte (Johann Wolfgang Goethe, 1749-1932) thotë: “Nuk duhet dyshuar në autorësinë e Shekspirit ndaj veprat e veta. Për të krijuar art të madh, të duhet të jesh gjeni. Ai ishte i tillë”.

Prozatori amerikan Ernest Heminguej (Ernest Hemingway, 1899-1961), laureat i çmimit “Nobel” në vitin 1954, nuk ka të kryer fakultet. Autori i romanit të shkurtër “Plakut dhe detit” (The Old Man and the Sea, 1952) është kolos i letërsisë.

Prozatori kolumbian Gabriel Garsia Markez (Gabriel Garcia Márquez, 1927/28 – 2014), është një ndër shkrimtarëve më të mëdhenj të shekullit XX. Autori i romanit “Njëqind vjet vetmi” (Cien anos de soledad, 1967) u laureua me çmimin “Nobel” në vitin 1982. Me veprat e veta e ngriti Amerikën Latine në toposin letrar. Markezi i ndërpreu studimet, d.m.th. nuk ka kryer studime universitare.

Studimet universitare nuk i ka kryer as prozatori brazilian Paulo Kuelo (Paulo Coelho, 1947- ). Ky nuk është nobelist. Është një prej shkrimtarëve më të përkthyer, më të botuar dhe më të lexuar në botë. Romani i tij “Alkimisti” (O Alquimista, 1988) është një parabolë shumështresore e ekzistencës njerëzore, rrëfim filozofik shqetësues për gjetjen e suksesshme të thesarit të fshehur, himn për shpresën, për ëndrrat, për të ardhmen dhe për dashurinë, e krijuar me një gjuhë skajshëm simbolike, e cila nuk i flet arsyes sonë por zemrës sonë.

*   *   *

Çmimi “Nobel” ndahet vit për viti, ndërsa shkrimtarët e mëdhenj si romancieri dhe novelisti rus Fjodor Mihajlloviç Dostojevski (1821-1881); tregimtari austriak me prejardhje hebraike, i lindur në Pragë Franc Kafka (1883-1924); romancieri dhe dramaturgu irlandez, kryesisht i shprehjes frënge, Semjuel Bekit (Samuel Beckett, 1906-1989); romancieri, eseisti dhe dramaturgu francez, nga nëna spanjolle, Alber Kamy (Albert Camus, 1913-1960); prozatori amerikan Ernest Heminguej (Ernest Hemingway, 1899-1961); prozatori kolumbian Gabriel Garsia Markez (Gabriel Garcia Márquez, 1928-2014) lindin një herë në një shekull. I lind epoka.

*   *   *

Në gjysmën e dytë të shekullit XX, romani në Perëndim ra në krizë. Me fjalë të tjera, kemi krizën e romanit. Bota perëndimore e periudhës së pas Luftës së Dytë Botërore, nuk ballafaqohet me antagonizmat politikë, ekonomikë dhe socialë si ata të shekullit XIX. Mund të shpiken dhe të sajohen teori, koncepte, shkolla dhe rryma letrare sa të duash, por arti dhe letërsia nuk jetojnë dot jashtë realitetit konkret. Në një botë ku mbizotëroi mirëqenia, s’kishte si të lindnin krijues të mëdhenj. Kemi krizën e romanit.

Në vitet ’70 të shekullit XX, kur në kontinentin e vjetër romani ishte në krizë, dolën në Evropë veprat letrare të Ismail Kdaresë (1936- ), në të cilat trajtoheshin tema të mëdha me karakter universal.

*   *   *

A ka nevojë më për filozofi?! – Që para gjysmë shekulli ka pasur të tillë që kanë pyetur: Pas përfaqësuesve të filozofisë idealiste klasike gjermane Vilhelm Fridrih Hegel (George Wilhelm Friedrich Hegel, 1770-1831) dhe Emanuel Kant (Emmanuel Kant; 1724-1804); pas filozofit dhe poetit gjerman Fridrih Niçe (Friedrich Nietzsche, 1844-1900); pas filozofëve ekzistencialistë, gjermanit Martin Hajdeger (Martin Heidegger, 1889-1976) dhe francezit Zhan-Pol Srtarë (Jean-Paul Sartre, 1905-1980); pas filozofit hebraik-gjerman të shkollës së fenomenologjisë, Edmund Huserl (Edmund Gustav Albrecht Husserl, 1859-1938), etj. – a duhet të ketë më  ide të reja filozofike?!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok