21/11/2024

ARSIMI I MESËM – REFORMA E MUNDSHME

0

Nga Xhelal Zejneli

Ndarja e arsimit të mesëm sot, në gjimnaze dhe në shkolla profesionale, figuron vetëm formalisht. Për nga cilësia dhe aftësia që kanë, rreth 50% e nxënësve të gjimnazeve nuk e kanë vendin aty. Po të bëhej regjistrimi me kritere të mirëfillta, kjo përqindje e nxënësve nuk do të mund të regjistrohej në gjimnaze. Shteti me ekonomi të pazhvilluar, ka arsimi profesional të mesëm joefektiv. Fuqia punëtore e prodhuar në shkolla të caktuara të arsimit s’ka sesi të përthithet nga ekonomia e shtetit me ekonomi të dobët.

Si dikur, ashtu edhe sot, gjimnazet ndahen në dy drejtime: drejtimi shoqëror-humanitar dhe drejtimi i matematikës dhe i shkencave të natyrës.

Reforma e gjimnazeve do të mund të bëhej si më poshtë:

– regjistrimi në gjimnaze të bëhet nëpërmjet provimit pranues;

– nxënësit që përcaktohen për drejtimin shoqëror-humanitar, t’i nënshtrohen provimit pranues nga lëndët: gjuhë shqipe dhe letërsi, gjuhë angleze, matematikë (nivel më i ulët) dhe histori;

– nxënësit që përcaktohen për drejtimin e matematikës dhe të shkencave të natyrës t’i nënshtrohen provimit pranues nga lëndët: gjuhë shqipe dhe letërsi, gjuhë angleze, matematikë eventualisht edhe fizikë;

– të përcaktohet numri minimal i pikëve që do të bënte të mundur regjistrimin në gjimnaze, në bazë të provimit pranues;

– provimet pranuese të organizohen nga Qendra Shtetërore e Provimeve, mutatis mutandis sipas procedurës së maturës shtetërore.

Drejtimi shoqëror-humanitar

– sipas plan-programeve mësimore, në drejtimin shoqërore-humanitar të mësohen lëndët e poshtëshënuara: gjuha shqipe dhe letërsia, gramatika e gjuhës shqipe (si lëndë e veçantë), gjuha angleze, kimia, biologjia, informatika, historia, gjeografia, sociologjia, filozofia dhe edukata fizike (sporti);

– lënda e gjuhës maqedonase të reduktohet dhe nxënësit të mësojnë vetëm shkrimin (cirilik), leximin dhe komunikimin;

– matematika dhe fizika t’u përshtatet nevojave të drejtimit shoqëror-humanitar;

– lëndë të caktuara si: latinishtja, gjuha gjermane si lëndë e dytë huaj, arti muzikor, arti figurativ të jenë lëndëfakultative dhe notimi i tyre të bëhet jo në mënyrë numerike por në mënyrë përshkruese;

– latinishtja t’u përshtatet nevojave të nxënësve që synojnë të ndjekin studimet e mjekësisë;

– nxënësit i cili brenda vitit shkollor mungon tri orë në orët e lëndëve fakultative, të mos i jepet vlerësim ose dëshmi;

– lënda e edukatës fizike të jetë detyruese por notimi të bëhet në mënyrë përshkruese.

Drejtimi i matematikës dhe i shkencave të natyrës

Në drejtimin e matematikës dhe të shkencave të natyrës duhet të mësohen lëndët: gjuha shqipe dhe letërsia, gramatika e gjuhës shqipe (si lëndë e veçantë), gjuha angleze, matematika, fizika, kimia, biologjia, informatika, edukata fizike (sporti).

Ndryshimet këtu mund të duken kësisoj:

– gjuha maqedonase duhet të reduktohet dhe nxënësit duhet të mësojnë shkrimin (cirilik), leximin dhe komunikimin; me fjalë të tjera, gramatika e gjuhës maqedonase dhe lektyrat nga letërsia maqedonase duhet të hiqen;

– lëndët si: historia, gjeografia, sociologjia dhe filozofia duhet t’u përshtaten nevojave të drejtimit të matematikës dhe të shkencave të natyrës;

-gjuha gjermane si gjuhë e dytë e huaj, të jetë fakultative, ndërsa nxënësit i cili brenda vitit shkollor mungon tri orë në orën e gjermanishtes, të mos i jepet vlerësim apo dëshmi.

Duhet ditur se aktualisht kapacitet e gjimnazeve për krijuar klasa apo paralele të drejtimit të matematikës dhe të shkencave të natyrës, është i vogël. Një numër i caktuar i nxënësve që figurojnë në klasat e drejtimit të matematikës dhe të shkencave të natyrës, nuk e kanë vendin aty.

Ndryshime të tjera që duhen bërë janë:

– klasat e gjimnazeve apo siç i quajnë  ndryshe paralele, të mos kenë më shumë se njëzet nxënës;

– lëndët si: ekonomia, biznesi, menaxhmenti, fillet e së drejtës, logjika duhet të hiqen prej gjimnazeve; lëndët e sipërthëna të mësohen në shkollën e mesme ekonomike;

– të ashtuquajtura veprimtari apo aktivitete të lira duhet të shuhen sa më parë; shumë profesorë vetëm në fund të vitit shkollor mësojnë se cilën lëndë e kanë “realizuar” si aktivitet të lirë;

– gjimnazet si edhe shkollat e tjera nuk duhet të jenë terrene të shtetit apo të partive politike për krijimin e vendeve të punës, për zbutjen e papunësisë apo për punësimin e të papunëve të diplomuar, siç janë sot;

– gjimnazet duhet të kenë laboratorë bashkëkohorë për lëndën e kimisë;

gjimnazet duhet të kenë kabinete bashkëkohore për lëndën e fizikës, të biologjisë, të informatikës, të gjeografisë;

– në gjimnaze duhet të ndalohet me ligj vijimi i shkollimit si nxënës i çrregullt apo me korrespondencë, mbi çfarëdo baze qoftë;

– në gjimnaze nuk duhet të pranohen nxënës që transferohen prej shkollave të tjera profesionale;

– nxënësi i cili në gjimnaz ka bërë 23 mungesa duhet të përjashtohet nga shkolla me procedurë të shpejtë, pa të drejtë ankese;

– nxënësit e gjimnazeve dhe kuadri i profesorëve apo i profesoreshave duhet të mbajnë uniforma, por si ato që u ngjajnë manteleve të molerëve dhe të shoferëve;

– nxënësit e gjimnazeve të ciklet janë të angazhuar nëpër klube sportive, kryesisht nëpër ato të futbollit, nuk duhet të jenë nxënës gjimnazesh; për ata ekzistojnë shkolla të tjera, të ashtuquajtura akademi sportive;

– nëpër gjimnaze duhet t’u ndalohet nxënësve të angazhohen nëpër të ashtuquajtura projekte të cilat s’kanë kurrfarë lidhjeje me plan-programin mësimor të shkollave; projektet apo veprimtaritë e tilla duhet të organizohen kryesisht gjatë pushimeve dimërore, përkatësisht gjatë pushimeve të verës;

– mungesat e arsyeshme nuk duhet të tolerohen; në shumë klasa me nga 500 mungesa, mbi 90% e mungesave rezultojnë “të arsyeshme”, ndërsa vetë 5% deri 10% – të paarsyeshme. Kjo është absurde.

– nuk duhet të tolerohet angazhimi në punë i nxënësve të caktuar gjatë orarit mësimor; ka raste kur nxënës të caktuar, gjatë orarit mësimor punojnë në ndonjë restorant apo merren me zanat, ndërsa kujdestarit të klasës i thonë ”isha i sëmurë”; në rastet tona, vërtetimet mjekësore janë letra pa vlerë;

– një numër i caktuar i nxënësve e ndërpresin mësimin një javë para mbarimit të vitit shkollor dhe shkojnë në Kroaci apo në Perëndim te prindërit e tyre; disa prej tyre, me arsyetimin “t’i ndreqim letrat”;

– ka nxënës që vitin shkollor nuk e fillojnë më 1 shtator por një javë më vonë deri edhe dhjetë ditë më vonë;

– në gjimnaze duhet të ndalohet bashkimi i dy klasave; ka raste kur nëpër shkollat tona bashkohen, jo dy por tri klasa;

– nëpër gjimnaze gjatë orës mësimore duhet të ndalohet përdorimi i celularëve, si nga profesorët ashtu edhe nga nxënësit;

– nuk duhet të praktikohet dërgimi nxënësve nga profesorë të caktuar për t’u blerë atyre cigare apo ushqim;

– nuk duhet të praktikohet dhurimi i dhuratave nga nxënësit për profesorët me rastin e “7 Marsit”, të “8 Marsit”, të ditëlindjeve apo me rastin e mbarimit të vitit të katërt;

– për ta evituar rënien e ziles së shkollës para kohe, zilja duhet të funksionojë në mënyrë  automatike;

– për t’u evituar vonimi i profesorëve dhe i nxënësve, dera hyrëse e shkollës duhet të funksionojë automatikisht; dera hyrëse e shkollës duhet të funksionojë automatikisht edhe gjatë pushimeve midis orëve; nuk dilet në çdo pushim në oborr të shkollës apo edhe jashtë ndërtesës shkollore, përpos gjatë pushimit të gjatë;

– nxënësit e gjimnazeve nuk duhet të kenë më shumë se pesë orë në ditë. Tani, dy herë në javë kanë edhe nga shtatë orë;

– mosmbajtja e orëve nga profesorët duhet të eliminohet apo të reduktohet në minimum; rrallë ka ndodhur, për të mos thënë kurrë që një profesor të jetë ndëshkuar financiarisht për orën që s’e ka mbajtur;

– nuk mund të ketë disiplinë pa masë ndëshkuese, e aty ku mungon disiplina, rendi e rregulli, bie edhe suksesi;

– mbajtja e mësimit të shtunave me qëllim të zëvendësimit të ndonjë dite të humbur, duhet të ndalohet me ligj; praktika e dëshmon se zëvendësimi i ditës së humbur, nëpërmjet mësimit të shtunave, është formalitete i kulluar;

Çpolitizimi dhe departizimi i arsimit

kur në shkollë i fut gishtërinjtë politika dhe partia, një pjesë e kolektivit tregon indiferencë ndaj problemeve të saj; s’ka shkollë në Ballkan ku s’i fut hundët politika dhe partia. Problemet e një shkolle nuk zgjidhen edhe sikur drejtorin ta zgjedhë edhe i ashtuquajturi i Këshill i shkollës; problemet e një shkolle nuk zgjidhen edhe sikur drejtorin e saj ta zgjeshë kolektivi. Drejtori i një shkolle duhet të zgjidhet me kritere morale dhe profesionale dhe nuk është punë aq e ndërlikuar për ta bërë vlerësimin mbi këtë bazë.

Pranimi i kuadrit arsimor në shkolla duhet të bëhet, jo me kritere partiake, sikundër veprohet sot, por me kritere morale dhe profesionale. Sot edhe roje nate shkolle nuk mund të bëhesh pa miratimin e partisë ose pa qenë i dëgjueshëm para pushtetarëve. Në gjimnaz nuk duhet të punësohet si profesor personi i cili nuk ka kryer gjimnaz por ndonjë shkollë profesionale – shkollë të mesme mjekësie, shkollë ekonomike, shkollë bujqësore, shkollë tekstili, shkollë muzike, shkollë teknike – nga ku ka ndjekur studimet universitare. Ky i muzikës, po qe se ka ndjekur studimet për muzikë, mund të punësohet në gjimnaz për lëndën e vet.

Pranimi i kuadrit arsimor në gjimnaze duhet të bëhet me këto kritere:

– arsimim të mesëm të ketë gjimnazin;

– të ketë kryer studimet universitare në ndonjë universitet prestigjioz;

– të ketë diplomë universitare me notë më të lartë se kandidati tjetër;

– të ketë integritet moral.

Një profesor nuk mund të punojë në gjimnaz më shumë se tridhjetë vjet. Një profesori të gjimnazit duhet t’i pushojë vendi i punës në moshën gjashtëdhjetë vjeçare.

Inspektorët e arsimit që tani funksionojnë vetëm formalisht, duhet ta përcjellin mirëfilli punën e profesorëve të gjimnazeve dhe jo si sot që e bëjnë këtë sa për të thënë – punojmë.

Cilësia në arsim nuk përmirësohet me trajnime. Kapaciteti i trajnuesve gjithmonë ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë nën nivelin e shumë profesorëve. Gjatë periudhës së tranzicionit, që zgjat pambarim, janë bërë shumë trajnime të mësuesve, të arsimtarëve dhe të profesorëve, por në vlerësimin ndërkombëtar të njohurive të nxënësve të moshës 15-vjeçare – testi PISSA, prej 80 vendeve të testuara, Maqedonia zuri vendin e katërt në botë ngas fundi. Rreth 75% e nxënësve të testuar, nuk e kuptojnë atë që e lexojnë. Ç’paradoks?! Nota mesatare e testimit në maturën shtetërore del mjaft e mirë, ndërsa në PISSA dalim pothuajse të fundit. Trajnimi i profesorëve vë në dyshim vlerën e institucionit apo të universitetit që ua ka lëshuar diplomat atyre. Sipas kësaj,  mos vallë u dashka të trajnohen universitet?! Kuadri i mirë ka nevojë për përkryerje dhe jo për trajnim, aq më pak prej trajnuesve të cilët vetë kanë nevojë për mësim. Arsimi nuk është kurs, është studim i vazhdueshëm. Në shkollën në të cilën nota mesatare del e lartë, kriteri është i diskutueshëm. Shumë nxënës që kalojnë 5.00 kanë dituri relative. S’ka njeri në botë që i di të gjitha lëndët shkëlqyeshëm. Në shkollën në të cilën – rrethanat tona – nuk ngel asnjë nxënës, kriteri është relativizuar deri në banalizim. Shkolla në të cilën nuk përjashtohet asnjë nxënës, përkundër numrit enorm të mungesave, nuk ka rend dhe rregull.

Një gjimnaz që do të funksiononte sipas rregullave dhe kritereve të sipërthëna ka mundësi që të realizojë punë efektive diku rreth 75%. Sot shkollat punojnë nën këtë përqindje.

*   *   *

Regjistrimi në Fakultetin Filologjik, në Fakultetin Filozofik, në Fakultetin e Matematikës dhe të Shkencave të Natyrës duhet të bëhet, jo nëpërmjet diplomës së maturës shtetërore, por me provim pranues. Matura shtetërore, ashtu sikundër realizohet sot, nuk është veçse një formalitet. Duheshin kaluar dhjetë vjet që matura shtetërore e shkollave profesionale të mos jetë e njëjtë si ajo e gjimnazeve.

Në fakultetet e sipërthëna duhet të mundë të regjistrohen vetëm nxënës që kanë të kryer gjimnaz dhe jo shkollë profesionale. Nxënësit i cili nuk e kryer gjimnazin me notën shumë mirë apo shkëlqyeshëm, nuk duhet t’i lejohet regjistrimi në fakultetet që përgatisin kuadër arsimi. Sot në fakultetet që përgatisin kuadër arsimi, me përjashtime të caktuara, regjistrohen kryesisht nxënësit të cilët shkollën e mesme e kryejnë me dysh apo me tresh. Nxënësit e dalluar përcaktohen kryesisht për degët fitimprurëse – mjekësi, stomatologji, farmaci, informatikë, arkitekturë. Ka nxënës të dalluar që ndjekin studimet e matematikës dhe të fizikës.

Nxënësit e dalluar të gjimnazeve duhet të mbështeten nga shteti me bursa studentore dhe të dërgohen për studime në universitete prestigjioze, si në Zagreb, …Pasi t’i kryejnë studimet, shteti duhet t’u mundësojë atyre pasuniversitare nëpër universitete prestigjioze. Kuadri arsimor që kalon nëpër sistemin e lartpërmendur, po qe se vihet në shërbim të arsimit të mesëm, duhet të ketë të ardhura mujore sa dyfishi i të ardhurave mujore të sotme. Të vlerësuar dhe të shpërblyer më mirë se sot, ata nuk do të jenë të detyruar që krahas punës në shkollë të ushtrojnë edhe ndonjë veprimtari plotësuese.

Frytet e para të arsimit të mesëm, të reformuar sipas kritereve të mësipërme, shoqëria mund t’i vjelë pas tridhjetë vjetëve. Punët e mëdha dhe rezultatet e mëdha nuk arrihen shpejt. Pas kësaj përzgjedhjeje apo seleksionimi mund të kemi një inteligjencie të mirëfilltë. Vetëm një inteligjencie e njëmendët, e shkolluar dhe e arsimuar, mund të sjellë ndryshime në shoqëri, t’i çelë rrugët e perspektivës, të ballafaqohet me sfidat e kohës, sot dhe në të ardhmen, të bëhet mbartëse e proceseve politike, ekonomike, sociale dhe kulturore. Shumë të rinj me diploma universitare punojnë si kamerierë. Kujt i duhet kjo?! Ndryshimet e vërteta i sjellin qetësi shpirtërore shoqërisë, e forcojnë moralin e saj dhe parandalojnë shembjen e sistemit të vlerave, nëpërkëmbjen e tij. Një shoqëri e paemancipuar më kot synon BE-në. Ka kohë që klishetë eurointegruese nuk janë inspiruese, as entuziazmuese. Bota shqiptare po mbetet pa rini.

Reforma e lartpërmendur duket drastike. Ajo duhet të përfshijë tërë zinxhirin e sistemit të arsimit, që nga çerdhet e fëmijëve deri në arsimin sipëror. Çdo reformë është e dhimbshme, ajo nënkupton prerje. Pa reforma të mirëfillta, do të vazhdojmë të dëgjojmë refrenin dhe legjendën 30-vjeçare të reformave në arsim. Ato s’janë duke u bërë dhe, po të vazhdohet si deri më tani, kurrë s’kanë për t’u bërë. Kujt i duhet njeriu i diplomuar që s’di ta shkruajë një lutje?!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok