22/12/2024

ARISTIDH KOLA – STUDIUES DHE VEPRIMTAR ARVANITAS

0
Aristidh-Kola11

Nga Prof. Xhelal Zejneli

Aristidh P. Kola lindi në fshatin Kaskaveli të Tebës (Thiva) të Greqisë qendrore, më 8 korrik të vitit 1944, ndërsa ndërroi jetë më 11 tetor të vitit 2000. Zona ku lindi, banohet kryekëput prej arvanitasve. Shkollën e mesme e kreu në Tebë. Studioi drejtësinë në Athinë.    Studimet universitare i kreu në vitin 1968 dhe deri në vitin 1985 punoi si avokat në Athinë. Pas kësaj u mor me përkushtim me traditat kombëtare të shqiptarëve në Greqi. Po atë vit (1985), u zgjodh kryetar i Lidhjes së Arvanitasve. Ishte studiues, atdhetar dhe arvanitas i shquar. Në vitin 1985 themeloi Qendrën e Studimeve Pellazge dhe Qendrën e Kërkimeve Arvanitase. Themeloi edhe shtëpinë botuese të vet “Thamiris” (nga shqipja: e tha mirë).

Prejardhjen shqiptare të bashkëkombësve të tij e mbrojti me përkushtim. Vdekja e tij para dy dekadave, krijoi një zbrazësi në hapësirën arvanitase. Vepra e tij është model i mbrojtjes së të drejtave të arvanitasve në Greqi. Me fjalë të tjera, është vepra që e lartëson këtë personalitet.

Në vitin 1983 Aristidhi botoi revistën kulturore “Besa”, kurse në vitin 1998 revistën periodike “Arvanon”. Këtu publikoi thirrjen e shqiptarëve të Greqisë, të bërë në fund të shekullit XIX, që hidhte dritë mbi lidhjet e shqiptarëve të gadishullit, të cilët kërkonin një shtet të bashkuar që fillonte nga veriu i Shqipërisë së asaj kohe, në Nish e deri në Selanik.

Në vitin 1985 organizoi me bashkëpunëtorët e tij “Festivalin e parë të këngës arvanitase”. Në vitin 1988 e përktheu në greqisht dhe e botoi “Proklamatën e Lidhjes Arvanitase” të vitit 1899. Aristidhi ishte kryetar i Shoqatës “Marko Boçari” të arvanitasve të Greqisë. Në kuadër të saj, ai e mbronte të vërtetën për shqiptarët në Greqi.

*   *   *

Librat më të njohur të tij janë përkthyer dhe janë botuar edhe në gjuhën shqipe. Në vitin 1983 botoi veprën me vlerë “Arvanitasit dhe prejardhja e grekëve”. Libri pati një jehonë të madhe në Greqi, por edhe ndër grekët që jetojnë jashtë saj. Libri është botuar mbi 14 herë, kurse në vitin 2002, doli edhe në gjuhën shqipe. Me fakte dhe argumente historike, ky libër të ngjallë krenarinë e të qenit shqiptar.

Në vitin 1989 botoi librin “Gjuha e harruar e perëndive”, i cili në vitin 2003 doli edhe në shqip. Këtu flet për shqipen si vazhdim i ilirishtes.

Si nj publicist i shquar, ishte mbrojtës i palëkundur i kauzës shqiptare në Ballkan. Për çështjen e Kosovës shkroi veprën “Greqia në kurthin e serbëve të Millosheviqit”, Athinë 1995. Në vitin 1998 libri pa dritën edhe në gjuhën shqipe. Si njeri i paqes, dëshironte që midis dy popujve më të vjetër të gadishullit të mbizotëronte miqësia dhe mirëkuptimi. Popujt nuk janë shkaktarë të luftërave. Ata e pësojnë nga politikat hegjemoniste të kastave dhe të qarqeve ekstremiste.

Në vitin 1995 botoi librin “Fjalori krahasues i gjuhës arvanitase”. La në dorëshkrim librin “Prometeu dhe Zeusi”.

Aristidhi ndoqi tezën e prejardhjes pellazge të shqiptarëve dhe të gjuhës shqipe dhe lidhur me këtë u përpoq të sjellë argumente dhe dëshmi të reja. Trajtoi edhe rolin dhe ndihmesën e rëndësishme të arvanitasve në historinë e Greqisë, sidomos në luftën e saj për pavarësi.

Aristidhi mbante lidhje dhe bashkëpunonte me shqiptarët e ShBA-së; me patriotin arbëresh Antonio Bellushi*; si dhe me personalitete të shkencës, të kulturës dhe të artit në Shqipëri, në Kosovë dhe gjetkë.

*   *   *

Gjatë bombardimeve ajrore të NATO-s mbi Serbinë në vitin 1999, Aristidhi iu kundërvu mediumeve greke që mbanin anën e Sllobodan Millosheviqit. Në studiot televizive greke dhe në mjetet greke të informimit, mbrojti trimërisht luftën e UÇK-së kundër pushtuesve serbë. Iu kundërvu propagandës antishqiptare të qarqeve shoviniste greko-serbe. Demaskoi masakrat barbare serbe në Kosovë dhe mbështeti ndërhyrjen ushtarake të NATO-s kundër forcave ushtarake dhe paramilitare pushtuese serbe. Për këtë arsye dhe për mbrojtjen e së  vërtetës për Kosovën, qarqet ultranacionaliste greke e akuzuan dhe e quajtën agjent të Shqipërisë, të ShBA-së dhe të NATO-s. U ndëshkua edhe ligjërisht dhe nuk iu lejua të dilte jashtë Greqisë.

Me artikujt e tij nëpër gazeta dhe me paraqitjet nëpër televizionet private, mbrojti dinjitetin dhe të drejtat e emigrantëve shqiptarë në Greqi. Për të njohur vendin e të parëve, në Shqipëri ka ardhur dy herë – në vitin 1984 dhe në vitin 1995.

Shovinistët grekë i kanoseshin me vdekje. Siç u tha edhe më lartë, e hodhën edhe në gjyq. Në maj të vitit 2000, Aristidhi u sëmur. Ndërroi jetë më 11 tetor të atij viti. Me gruan Nansi pati dy fëmijë – vajzën Polikseni dhe djalin Pano. Veprat që la pas, e bëjnë atë të pavdekshëm në historinë e arvanitasve, që është pjesë e historisë së kombit.

*   *   *

Sipas atyre që e kanë njohur nga afër si dhe bazuar në veprën e tij, Aristidhi ishte një tribun i madh i arvanitasve. Përkundër trysnive që ushtronin mbi të, të qenët shqiptar e bënte të krenohej. Nuk nguronte për ta thënë të vërtetën dhe për të mbrojtur ndër arvanitasit e Greqisë gjuhën, kulturën dhe traditat shqiptare. E donte atdheun e të parëve dhe shqiptarët në gadishull dhe në diasporë, pa i harruar kurrë arbëreshët e Italisë. Si një intelektual i ndërgjegjshëm, u vu në shërbim të ruajtjes dhe të afirmimit të identitetit të arvanitasve. Me veprimtaritë që i zhvillonte, përpiqej të mbante gjallë kulturën dhe traditat e popullit të vet. Për mbrojtur dinjitetin e shqiptarëve në Greqi, e la edhe profesionin e avokatit. U mor me studime dhe kërkime në lëmin e kulturës popullore dhe të historisë. Për kauzën të cilës i besonte, flijoi çdo gjë. Ndonëse i kanoseshin me vdekje, ai nuk u spraps dhe s’u mposht dot. Njeri me dinjitet dhe integritet, ai është burim frymëzimi për shqiptarët në Greqi dhe më gjerë.

Me krijimtarinë dhe me veprimtarinë e Aristdhit janë marrë shumë studiues. Të dhëna  të hollësishme për të, mund të gjenden te grupimi “Miqtë e Aristidh P. Kolës”.

*   *   *

Për kontributin e dhënë për kauzën shqiptare, Aristidhi u dekorua nga presidentët Sali Berisha dhe Rexhep Mejdani. Në vitin 1995 u dekorua me Urdhrin “Ismail Qemali” të Republikës së Shqipërisë. Në vitin 2004, kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi, gruas së Aristidhit, Nansi Kola, ia dha mirënjohjen e Qeverisë së Kosovës, për mbrojtjen e kauzës kosovare nga burri i saj, Aristidhi. Kuvendi Komunal i Skënderajt i akordoi Aristidhit titullin “Qytetar Nderi i Skënderajt”.

Me Dekretin Nr. 13816 të datës 18.07.2022, kryetari Ilir Meta i akordoi Aristidh P. Kolës – pas vdekjes – titullin “Nderi i Kombit”. Ky akt i z. Meta u mirëprit në mbarë botën shqiptare – në Shqipëri, në Kosovë, ndër arvanitasit në Greqi, ndër arbëreshët e Italisë dhe gjetkë. Dekorimi iu dha Aristidhit me arsyetimin e poshtëshënuar:

“Në vlerësim të kontributit të jashtëzakonshëm, si personaliteti më i madh arvanitas i shekullit të XX dhe një nga njerëzit më të ndritur të kombit tonë, mbrojtës i zjarrtë i rrënjëve të lashta të identitetit arvanitas dhe arbëror. Me mirënjohje për vullnetin, këmbënguljen, sakrificën dhe kurajën e lartë, duke u bërë model i intelektualit të pashembullt kurajoz, thënës unik i të vërtetave, luftëtar dhe mbrojtës i kulturës, gjuhës, prejardhjes dhe historisë shqiptare.”

Një rrugë në Gjirokastër mban emrin e tij.

Shënim:

Marko Boçari (1790-1823) – komandant suljot, hero i luftës për pavarësinë e Greqisë. Luftoi në shërbim të Ali pashë Tepelenës dhe në vitet 1821-1822 mori pjesë në mbrojtjen e Janinës. Pas shembjes së pashallëkut të Janinës dhe rënies së Sulit në duart e turqve (1822), u lidh me kryengritjen greke. U emërua kryekomandant i forcave ushtarake të Greqisë. U vra në gusht të vitit 1823 nga kapedani i Mirditës, me rastin e sulmit në kampin e ushtrisë së Mustafa pashë Bushatlliut pranë qytetit Karpenisi. U varros në Misolongj. Poeti anglez Xhorxh Gordon Bajron (George Gordon Byron, Londër, 1788 – Misolongj / Missolonghi, 1824) mbajti një fjalim mbi varrin e tij. Poetë të mëdhenj evropianë, ndër të cilët edhe poeti, romancieri dhe dramaturgu francez Viktor Hygo (Victor Marie Hugo, 1802-1885) i kënduan trimërisë së Marko Boçarit, në luftën për pavarësinë e Greqisë. Marko Boçari njihet edhe për fjalorin greqisht-shqip me 1494 fjalë, i regjistruar nga dora e tij në Korfuz, në vitin 1809.

Antonio Bellushi lindi në vitin 1934 në Frashinetë të Kozencës, Itali. Është prift, gazetar, shkrimtar, pedagog, etnolog arbëresh. Studioi filozofinë dhe teologjinë në Universitetin Gregorian të Romës. Diplomoi në vitin 1962. Në këtë kohë u miqësua me Ernest Koliqin* (1903-1975). Botoi shkrime në revistën “Shejzat” të drejtuar nga Koliqi. Ka shërbyer si prift famullitar arbëresh. Themeloi revistat “Vatra Jonë”, “Lidhja”, shoqatën kulturore dhe shtëpinë botuese “Gjergj Kastrioti”, Bibliotekën ndërkombëtare “Bellusci”. Botoi studime në periodikët “Shejzat”, “Zgjimi”, “Katundi Ynë”, “Studime Filologjike”, “Përparimi”. Prej vitit 1962 bëri udhëtime, studime dhe kërkime etnografike në vende të ndryshme. Mori pjesë në veprimtari shkencore, në kuvende, në kongrese – në Itali, në Shqipëri, në Kosovë, në Tetovë, në ShBA, në Australi. Botoi librat “Këngë fetare arbëreshe”, “Argalia në tekstet popullore arbëreshë në Frasnitë”, “Magjia, mite dhe besime popullore në katundet arbëreshë”, “Fjalor Frazeologjik i Arbëreshëvet në Itali dhe Arbërorëve në Greqi”, “Blegtoria në Frasnitë”, “Kërkime dhe studime ndër arbërorët të Elladhës”, “Antologjia Arbëreshe”, “Arbërorët-Arvanitë”. Është nderuar nga Qeveria e Italisë, nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, nga presidenca e Shqipërisë, nga Qeveria e Kosovës, etj.

Ernest Koliqi (Shkodër, 1903 – Romë, 1975) është poet, prozator, eseist, përkthyes, gazetar, dramaturg, albanolog, mësues, botues. Bashkë me Mitrush Kutelin* (1907-1967), konsiderohet themelues i prozës së shkurtër në letërsinë shqipe. Themeloi dhe drejtoi disa revista, midis tyre edhe periodikun “Shejzat”. Në Romë drejtoi Katedrën e gjuhës dhe të letërsisë shqipe. Pas vitit 1957, mbi këtë bazë u ngrit në Romë Instituti i Studimeve Shqiptare.

Mitrush Kuteli (Pogradec, 1907 – Tiranë, 1967) – emri i vërtetë Dhimitër Pasko. Është shkrimtar, ekonomist, kritik letrar, përkthyes dhe folklorist. Sipas të dhënave të caktuara, paraardhësit e tij rrjedhin nga Arta e Çamërisë. Më 16 maj 1947 u shpall nga regjimi komunist armik i popullit dhe u dënua me 5 vjet heqje lirie. U lirua, me falje, në maj të vitit 1949. Pas kësaj punoi si përkthyes në Shtëpinë botuese “Naim Frashëri”. Bashkë me Ernest Koliqin, konsiderohet themelues i prozës së shkurtër – moderne, në letërsinë shqipe. Në vëllimin poetik të Kutelit “Sulm e lot”, Tiranë 1944, është botuar poema “Poem kosovar”.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok