22/12/2024

ARBËRESHI FRANÇESKO KRISPI, DY MANDATE KRYEMINISTËR I ITALISË SË BASHKUAR

0
Francesco_Crispi

-Kolonitë shqiptare në Itali paraqesin fenomenin më kurreshtar dhe më interesant të mbijetesës etnike

-Arbëreshët kontribuan në çlirimin dhe bashkimin e Italisë. Ata mbi pesë shekuj edhe ruajtën gjuhën, kulturën, traditat, virtytet shqiptare

Shkruan: Adil FETAHU

Ngulitja e shqiptarëve në Itali

Dyndjet dhe ngulimet e shqiptarëve në Itali, historiani Primaldo Koko i renditë duke filluar nga viti 1272 e deri më 1794 kur, sipas tij, është edhe vala e fundit e emigrimit (këto të kohës sonë, pas vitit 1990, janë kapitull tjetër historik,v.j.). Ai thotë se ka pasur mbi 250 mijë arbëreshë në Itali. Shqipëria e asaj kohe  quhej Arbëri, prandaj  shqiptarët e shpërngulur quheshin  Arbëreshë. Autorë të lashtë, Plini e Festusi thonë se tërë popullsia në Jugun e Italisë: Apulia, Kalabria, Toskana, janë me origjinë ilire, të fiseve Japige, Darde, Salentine, Pedikule, etj. Edhe në kohën e Perandorisë Romake, në Romën e vjetër kanë shkuar shumë shqiptarë (ilirë), sepse Roma kishte tri kërkesa kryesore prej  provincave të pushtuara: pagesën e haraçeve dhe taksave; kryerjen e detyrimit ushtarak; dhe respektimin e autoritetit romak. Është e ditur se deri në vitin 395 të erës sonë, 27 perandorë të Romës kanë qenë me prejardhje ilire ose nga Ilirikumi ndër të cilët më të njohur ishin Diokleciani dhe Konstantini i Madh.

Marrëdhëniet dhe partneriteti italo-shqiptar kanë një histori të gjatë dhe ato janë intensifikuar sidomos në kohën kur Skenderbeu ishte prijës i luftërave, jo vetëm në Shqipëri. Në vitin 1443, mbreti i Napolit, Alfonsi, kërkoi ndihmën e shqiptarëve, për të shtypur rebelimin e banorëve dhe pretendimet e francezëve për ta pushtuar Napolin. Me ndihmën e  shqiptarëve, prej 4000 vetash,  të komanduar nga  Demetrios Rera dhe dy djemtë e tij: Gjergji dhe Bazili,  arriti ta shtypë kryengritjen dhe t’i  zmbrapë  francezët. Si shpërblim për këtë meritë, mbreti e emëroi Reren guvernator të Kalabrisë, dy djemëve të tij iu dha pozita të larta ushtarake, ndërsa  ushtarëve shqiptarë iu dha toka në zonën malore të provincës Katanzaro. Aty u bë ngulitja e parë e Arbëreshëve në Itali. Prej vitit 1448 e tutje në Itali kanë imigruar shqiptarë të tjerë (edhe mercenarë), të cilët janë shquar dhe mirëpritur   në luftërat e zhvilluara atje. Kalorësia shqiptare, me emrin  stratiotët, u bë e famshme gjatë luftërave të Italisë kundër pushtuesve francezë, spanjollë dhe austriakë.

Pa kaluar as 20 vjet, më 1461, për të njëjtat arsye mbreti i Napolit, Ferdinandi I, djali i  mikut të ngushtë të Skënderbeut, mbretit Alfonsi, kërkoi përsëri ndihmën e shqiptarëve, për ta parandaluar pushtimin e mundshëm francez.  Këtë herë, Skënderbeu me 4000 ushtarë, kalorësit e tij, ndihmoi shtypjen e kryengritjes, në betejën e njohur të Puglias dhe shpëtoi mbretërinë e Napolit. Pas betejës, 2000 ushtarë të Skënderbeut mbetën si ndihmë Napolit për t’u mbrojtur nga rebelimet dhe mësymjet e mundshme. Për falënderim dhe shpërblim për këtë ndihmë, mbreti iu dha ushtarëve toka në provincën e Avelinos, që pëfshinte edhe fshatin Greci, i cili   do të bëhet qendër e njohur e Arbëreshëve. Ushtarët dhe emigrantët shqiptarë në Itali themeluan mbi 50 fshatra të tyre, të cilat lulëzuan dhe u zhvilluan, në të cilat flitej  dhe ruhej gjuha shqipe. Nga fshati Greci ishte edhe mësuesi i poetit tonë të madh, Gjergj Fishta. Ai ishte një  shkrimtar i njohur e prift  françeskan, At Leonardo de Martino, i cili shërbeu një kohë të gjatë në Shqipërinë e Veriut.  Në vitin 1960, Martin Camaj kishte shkuar në fshatin Greci për të studjuar të folmën e shqipes nga Arbëreshët e atjeshëm. Në funt të studimit të tij Camaj, ndër të tjera shkruan: “…Më lejoni të shpreh diçka për vlerën atdhetare e shpirtërore të Grecit. Më lart unë fola për specifikat kulturore, sepse edhe në lidhje me dialektet e tjera të arbërishtes “a la katunçe”, Greci është unik në botë dhe në fakt në asnjë fshat nuk flitet  kaq ekzaktësisht si flitet në Greci. Unë jam i gëzuar që kjo shtojcë për kulturën e Grecit arriti deri aty sa mua të më jepet titulli qytetar i nderit…Por, ka edhe një arsye tjetër që më jep kënaqësi të identifikohem me ju dhe kjo është arsyeja më e natyrshme në botë: Greci është një fshat shqiptar dhe unë jam Shqiptar”, shkruante Camaj.

Një valë e madhe e  shpërnguljes së shqiptarëve-arvanitë dhe ngulitja e tyre në Itali konsiderohet ajo nga Morea me rrethinë (Peloponezi). Arvanitët e Moresë, me 200 anije u shpërngulën në vitin 1543, pas pushtimit otoman të Peloponezit. Sipas marrëveshjes me mëkëmbësin e mbretit të Dy Sicilive, Don Pedro, ata u vendosen në Bazilikatë, në Pulje, në Secili e gjetkë.  Pasardhësit e tyre, edhe sot e kësaj dite e kujtojnë kohën e shpërnguljes dhe  vendin e tyre të prejardhjes, me këngën e njohur:

More, e bukura More,

si të le e më s’të pe!

Atje kam zotin tatë,

atje kam zonjën mëmë,

atje kam dhe tim vëlla

gjithë të mbuluar me dhe!

Shpërngulja dhe vendosja e shqiptarëve në Itali, në valë të ndryshme, u bë nën rrethana e kushte të vështira. Republika e Venedikut, për interesa të veta ekonomike, kishte urdhëruar që kalimi përtej Adriatikut të bëhej vetëm me anijet veneciane. Ai që nuk ishte në gjendje të paguante udhëtimin, duhej të punonte pa pagesë për Republikën 10 vjet rresht! Të shpërngulurit i mbanin larg qyteteve, nga frika se mos do të organizoheshin për të rrëzuar qeveritë. Nga ana tjetër, kleri vendor bënte punën e tij të përçarjes midis ardhacakëve të cilët u përkisnin dy besimeve fetare: ortodokse e katolike.

Përhapja dhe shpërndarja e Arbëreshëve në Itali është e madhe, ndonëse në ndërkohë shumë sish kanë emigruar në Amerikë e Argjentinë. Sipas një statistike që jep Eugenio Barbarih në revistën “L’Albania”(1905) për arbëreshët e vendosur në provinca të ndryshme të Italisë,  del se në 80 koloni, fshatra e vendbanime të ndryshme, ishin 209.000 arbëreshë, të shpërndarë:

-në provincën e Kozencës, 33 koloni me 60.000 banorë arbëreshë,

– në provincën e Katanxaros 13, fshatra-koloni, 20.000,

– në provincën e Potenco-s       fshatra me 11.000 ,

– në provincën e Foxhia-s        8 koloni, me mbi 26.500,

– në provincën e Kampobaso-s   5 koloni me mbi 16.000,

– në provincën Lece-s, 10 fshatra-koloni, me  30.000,

– në provincën Palermo-s, 4 koloni me 22.500  dhe

– në provincën Katania-s, 2 koloni me 21.000 banorë arbëreshë, duke shtuar edhe 2000 “frymë” në Girxhenti dhe Teramo (Burimi: Gent Ulqini, “Shqipëria dhe Shqiptarët”, libri 4, fq.8-12).

Me kalimin e kohës, shumë Arbëreshë janë shpërndarë nëpër qendra e qytete tjera të Italisë dhe shumë sish kanë emigruar në shtete tjera të Europës dhe të Amerikës. Kështu që, sipas regjistrimit të vitit 1966, si popullsi që flasin gjuhën shqipe – arbëreshe, ishin  deklaruar e regjistruar (vetëm) diçka më shumë se  84.000 veta: në krahinën Kampobaso 10638; në Foxhia 4.833; në Potenca 11.445; në Kozenca 37.877; në Katanxaro 10.011 dhe në Palermo 9.571. (Denisa Tare: “Arbëreshët e Italisë dhe Çështja Shqiptare”, temë e doktoratës, dorëshkrim,2016; fq.xxv-xxvi).

Figura të shquara të Arbëreshëve të Italisë

Nga Arbëreshët e Italisë kanë dalë figura të shquara: priftërinjë, peshkopë, papë, poetë, shkrimtarë, publicistë, folkloristë, filologë, politikanë, diplomatë, historianë, biznismenë, anëtarë parlamenti, ministra, kryeministër, profesorë univeristetesh, ushtarakë, prijës të revolucionit, intelektualë dhe  dijetarë të  fushave të ndryshme, të njohur jo vetëm në Itali e në Shqipëri, por edhe në mërgatën e  Amerikës dhe në Europë.  Shumica prej tyre kanë qenë me profesion dhe shërbim priftërinjë ortodoksë të ritit bizantin, por krahas atij profesioni kanë dhënë kontribut të madh edhe në fusha tjera.  Ndër ta, të përmendim emrat më të njohur:  Gjergj Basta, Lekë Matrënga, Papa Klementi XI, Nikolla Ketta, Jul Variboba, Demetrio Kamarda, Jeronim De Rada, Francesko Krispi, Nikolla Barbato, Anton Santori, Zef Serembe, Zef Skiroi, Ernesto Sabato, Karmine Abate,   Gjergj Guxeta,  Feliçe Rodota, Nikollë Filja, Pal Maria Parrino, Gjergji Stasi, Gavril Dara i Riu, Anselmo Lorensio, Francisk Muzaka,Toni Petrota, Domeniko Belushi (as.Vorea Ujko), Lluka Perone,  Karmel Kandreva, Sotir Ferrara, Antonio Gramshi, Jozef DioGuardi, Paolo  Petta, Francesko Altimari, Mateo Mandale, etj. etj. (Emrat e tyre në origjinal janë të shkruar në trajtën e gjuhës italiane, me alfabetin latin,  me titujt kishtar para emrit të tyre  “At”; “Papa”; “Imzot”, por ne këtu i transponuam përshtatur gjuhës shqipe, ashtu sikur i kemi mësuar  dhe i njohim nga historia e letërsisë). Kontributi i tyre në kulturën, letërsinë dhe lëzivjen çlirimtare për bashkimin e Italisë, ishte i madh dhe është çmuar lart. Por, ajo që ne shqiptarët na bënë të krenohemi, është kontributi i tyre  në ruajtjen, kultivimin  dhe përhapjën e gjuhës, arsimit,  kulturës, dokeve dhe traditve shqiptare, tash e afro 600 vjet.Secili prej tyre dha kontributin në mënyrën dhe në fushëveprimin e vet, por më i vyeshmi ndër ta ishte Jeronim  de Rada, për të cilin edhe shkrimtari legjendar francez, Viktor Hygo, ishte shprehur  me fjalë lavdie: “De Rada është një poet origjinal dhe sublim. Ai që dëshiron ta shohë realizmin e përkryer të poezisë moderne romantike, le t’i lexojë  ‘Këngët e Milosaos’ të zotri Jeronim de Rada”.

Me punën dhe veprat e tyre, Arbërshët dhe në bashkëpunimin me kolonitë, shoqëritë dhe diasporën shqiptare në Rumani, Egjypt, Sofje, Amerikë, ndihmuan në ngritjen e vetëdijës kulturore e politike kombëtare shqiptare dhe të pavarësisë së Shqipërisë.

Kontributi i Arbëreshëve për çlirimin dhe bashkimin e Italisë

Është e ditur se shqiptarët kontribuan në luftërat  e revolucione për çlirimin e popujve,  formimin  dhe udhëheqjen e shteteve të ndryshme: Egjiptit, Rumanisë, Greqisë, Italisë.

Pas Kongresit të Vjenës (1814), Italia ishte e ndarë dhe copëtuar në 7-8 principata të ndryshme, me sundimtarë francezë (Burbonët), spanjollë e austriakë. Për t’u çliruar nga sundimi i huaj dhe për bashkimin e vendit, ishte formuar lëvizja e njohur “Risorxhimento”, në të cilën ishin përfshirë edhe Arbëreshët liridashës. Ata ishin qytetarë të denjë,  besnikë, punëtorë dhe luftëtarë të dalluar, që morën pjesë në  ndërtimin, përparimin dhe mbrojtjen e vendit mikpritës dhe kontribuan shumë  në luftërat për çlirimin dhe bashkimin e Italisë,  që u zhvilluan prej vitit 1843 deri  në vitin 1870. Lëvizja dhe revolucioni për çlirimin dhe bashkimin e Italisë nisi dhe u zhvillua në Sicili dhe Kalabri, aty ku ishin ngulimet kryesore arbëreshe. Ata formuan komitete dhe çeta luftëtarësh, të prirë e komanduar nga Arbëreshë të shquar, si: Françesko Krispi, Domeniko Mauro, Domeniko Damici, Petro Piedestalci, Vinçenco Stratigoi, Gjovani Paçe, Muço Paçe, Guljelmo Toçi, Francesko Pete, etj.  Një jehonë të madhe bëri atentati i ushtarit arbëresh Anxhisilano Milano (dhjetor 1856) kundër mbretit burbon Ferdiandi II, me ç’rast mbreti kishte shpëtuar në saje të parzmores mbrojtëse, kurse atentatori u ekzekutua me varje.  Xhuzepe Garibaldi, figura më e njohur e lirisë, pavarsisë dhe bashkimit të Italisë, kishte plot fjalë lavdie për  kontributin, trimërinë dhe virtytet e vullnetarëve arbëreshë të cilët iu kishin bashkuar luftëtarëve të tij. Korpusi i parë i përbërë prej 1860 luftëtarësh arbëreshë që iu bashkuan Garibaldit, i detyruan trupat burbone t’i dorëzonin armët. Garibaldi theksonte aftësitë ushtarake e politike dhe kontributin  e arbëreshëve për lirinë dhe bashkimin e Italisë, duke thënë: “Arbëreshët janë heronjë, të cilët janë dalluar në të gjitha luftërat kundër tiranisë”. Në shenjë mirënjohje, më 20 tetor 1860, Garibaldi kishte dhënë këtë dekret: “Duke marrë parasysh kontributin e shënuar që trimat dhe zemëbujarët arbëreshë i kanë dhënë çështjes kombëtare, deklarojmë: Sa të mbarojnë nevojat e kësaj lufte dhe të bëhet bashkimi i Italisë, Thesari i Napolit detyrohet të derdhë menjëherë 12 mijë dukatë për zgjërimin e Kolegjit të San Adrianos. Zbatimin e këtij dekreti e vë nën garancinë e Kombit dhe të sovranit zemërgjerë”. (Arbëreshët e Italisë dhe Çështja Shqiptare…” fq.14).

Për karakteristikat e arvanitëve të shpërngulur në Itali, M. Sanuto, shkruante: “Janë të armatosur shumë më lehtë se frëngët dhe pothuajse pa torakse metalike, por kanë një përgatitje të mrekullueshme për kalorësi dhe në përdorimin e armëve. Janë të shpejtë, të rrezikshëm, të stërvitur dhe tepër të aftë për luftë. Veshja e tyre, armatimi i tyre, straegjia e tmerrshme dhe taktika luftarake që kanë përvetësuar, është për ta një sistem që i dedikohet traditës së lashtë që kanë pasur dhe i bënë ata tepër të pashoq”.

Pas çlirimit,  arbërshi Françesko Krispi dy mandate ishte kryeministër i Italisë së bashkuar

Pas luftërve gadi njëzetvjeçare për çlirim dhe bashkim, në vitin 1861 u mblodh parlamenti i Italisë së bashkuar, shpalli Mbretërinë e Napolit dhe zgjodhi mbretin (Emanueli II), veçse akoma jashtë kësaj mbretërie kishin mbetur Roma dhe Venediku. Deputetë në Parlamentin e Mbretërisë së Napolit ishin zgjedhur edhe udhëheqësit e njohur arbëreshë të revolucionit për çlirimin dhe bashkimin e Italisë,si: Guljelmo Toçi, Domeniko Mauro, Domeniko Damici, Muço Paçe, Françesko Krispi, etj. Në qeverinë revolucionare të Garibaldit, në Napoli, bënin pjesë arbëreshët Françesko Krispi, Paskuale Sura dhe Luigji Gura.  Lufta vazhdoi deri sa u çliruan edhe Venediku (1866) dhe Roma (1870), të cilat iu bashkuan Italisë, dhe më 1871 Roma u bë kryeqytet i Italisë së bashkuar. Françesko Krispi, bashkë me të shoqen dhe me arbëreshë të tjerë ishin në radhët e prijësve të luftës së aradhave të Garibaldit, në mesin e të cilëve kishte edhe gra arbëreshe.

Françesko  Krispi (1818 – 1891), mësimet e para i mori në Seminarin italo-shqipar të Palermos, ku ishin edhe Antonio Gramshi dhe shumë arbëreshë tjerë. Studimet e larta i kreu për drejtësi dhe një kohë ushtroi profesionin e avokatit në Palermo. E fliste  arbërishten dhe krenohej me origjinën e tij shqiptare.  Bashkë me arbëreshin tjetër, Rosalino Pilo,  në janar të vitit 1848,  udhëhoqi kryengritjen e Sicilisë kundër Burbonëve. Në qeverinë e Depretisit (1877/78) ishte ministër i brendshëm, ndërsa  kryeministër i Italisë së bashkuar ishte në dy mandate (1887-1891 dhe 1891-1895).  Në kohën sa ishte kryeministër, Krispi u bë politikani më i njohur në Europë, krahas me kryeministrin gjerman Bizmarku, me të cilin pati miqësi dhe takime të shpeshta.Vetë arbëreshët e Italisë dhe rilindasit tanë, sidomos vëllezërit  Samiu, Naimi dhe Abdyl Frashëri, kishin një simpati dhe shpresë se Krispi nga pozita dhe autoriteti që gëzonte, do ta ndihmonte pavarësinë e Shqipërisë.  Samiu shkruante në “Kamus Al-Alam”:  Në Itali kanë ardhur nga gjaku shqiptar shumë dijetarë, poetë e shkrimtarë; kujtoj se është mjaft të përmendim se është bir i këtij kombi edhe Krispi, që sot ka në dorë frenat e administratës së Italisë”.(D.Tare: “Arbëreshët e Italisë dhe…; dorëshkrimi ,fq.113).

Por, Krispi kishte tjera preokuptime. Për shkak të rivalitetit me Austrinë dhe nga frika se Austria do të aspironte ta pushtojë Shqipërinë, për të dominuar mbi Adriatikun, edhe ky aspironte dominimin e Shqipërisë dhe të Adriatikut, qoftë përmes protektoratit apo të pushtimit klasik.  Sado që në raste të caktuara shprehej në favor të një autonomie për  Shqipërinë pasi të çlirohej nga pushtimi  turk, megjithatë synonte dominimin Italian mbi Shqipërinë. Për këtë qëllim edhe kishte hapur dhe mbante shumë shkolla italiane në Shqipëri, në mënyrë që të fitonte simpatinë dhe përkrahjen e popullit. Nuk mund të mohohet përkrahja, ndihma dhe kontributi i  Krispit  në zgjërimin dhe financimin e kolegjeve dhe seminareve arbëreshe në Itali, në të cilat mësuan dhe u edukuan personlitete dhe  breza të shumta të arbëreshëve.    Sidoqoftë, mosbesimin ndaj politikës së Krispit kundrejt  Shqipërisë e shprehnin edhe Dora d’Istria dhe De Rada, në korespodencën e shpeshtë që zhvillonin midis tyre.

Sado që shqiptarët kudo që ishin krenoheshin me  arritjet dhe afirmimin e Krispit në qarqet kombëtare në Itali dhe në relacione ndërkombëtare, sado që shpresonin se ai do ta shfrytëzonte autoritetin dhe pozitën e tij për të ndihmuar kauzën e kombit të origjinës së vet, ai  i ishte përkushtuar imperializmit,  donte të shfrytëzonte rrethanat e kohës pas Kongresit të Berlinit,  që ta bënte Italinë fuqi të madhe në Europë. Kështu, Krispi për Italinë dhe Europën ngeli njeri i madh, ndërsa për Shqipërinë, përveç  ndjenjave private dhe simpatisë, nuk bëri  ndonjë përpjekje për ta  ndihmuar çlirimin dhe pavarësinë e saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok