ARBËRESHËT GJAKU YNË I MËRGUAR

Nga Neki Lulaj
Pikërisht më 1 mars 2025, Shoqata arbëreshe “Proloco Arbëria” e prefekturës së Ungëros, e udhëhequr nga kryetarja dhe aktivistet e palodhura Savarina Bavasso dhe Rosa Carbone, ishte e ftuar në organizimin e aktiviteteve të VIII-ta me radhë me moton “Skënderbeu, Prindi i Arbërisë”.
Këtë shkrim, pa asnjë dyshim, do ta filloj me thënien e teologut dhe filozofit të shquar të krishterë, Shën Augustin Hippos, i cili, mes të tjerash, thotë: “Bota është një libër dhe ata që nuk udhëtojnë, lexojnë vetëm një faqe.”
Kishin kaluar shumë dekada që në shkollën fillore kisha mësuar se, përveç shqiptarëve të një gjaku dhe të një gjuhe që jetojnë në Shqipëri – me të cilët na ndan vetëm një gardh i hekurt ose një vijë kufitare – ka edhe diku më larg, përtej një deti me dallgë në mes, në jug të Italisë dhe në vende të tjera, një etnitet shqiptar të quajtur Arbëreshë, të vendosur aty midis shekujve XV dhe XVIII, pas amëshimit të Gjergj Kastriotit Skënderbeut.
Për shkrimtarët e vjetër të letërsisë shqiptare kishim mësuar që në bankat e shkollës fillore dhe të mesme, si për Jeronim De Radën dhe Këngët e Milosaos, për Gavril Darën e Ri dhe Këngën e Sprasme të Balës, për Përmbledhjen me vjersha të Zef Serembes, pastaj për poetin dhe shkrimtarin e madh arbëresh Zef Skiroin etj.
Shpeshherë kam ëndërruar: a thua ndonjëherë do të mund ta gjej kohën për të vizituar Maqin e Kalabrisë, ku lindi, jetoi dhe vdiq Jeronim De Rada – mësues, filolog, botues, poet, folklorist dhe shkrimtar italo-arbëresh?
Miqtë e mirë janë si yjet. Nuk i ke gjithmonë pranë dhe nuk i sheh, por e di gjithmonë se janë aty me ty. Kështu më ndodhi edhe mua me mikun tim të çmuar, atdhetarin dhe aktivistin e çështjes kombëtare, z. Gjergj Prenkoçaj, i cili më ftoi për një vizitë të përbashkët treditore në Kalabri, përkatësisht nëpër fshatrat arbëreshe. Këtë ofertë e pranova me kënaqësi dhe rrugëtimi im nga Speyeri i Gjermanisë ishte tejet i këndshëm.
U takova me Gjergjin në Lozanë, pastaj me djalin e tij, Ilirin, me Leutrim Gashin dhe me Lulzim Bozhdarajn, me të cilët fluturuam nga aeroporti i Gjenevës për në Romë, e nga Roma për në jug të Italisë, në aeroportin Lamezia Terme. Prej andej vazhduam drejt Ungëros, një fshat i banuar nga arbëreshë.
Kaluam kodrat e buta dhe rreth orës 2 pas mesnate arritëm në Ungëro. Aty na priti befasia e parë: diku mbi 50 arbëreshë – djem të rinj, vajza, burra, gra dhe pleq të moshuar – të cilët na kishin pritur deri në orët e para të mëngjesit në Klubin e Aktiviteteve të Lira. Pastaj u drejtuan nga ne duke na uruar mirëseardhjen, duke na i shtrënguar supet dhe duke na përqafuar fort, por edhe duke derdhur lotë gëzimi.
Bisedat dhe njoftimet tona me arbëreshët e dashur vazhduan deri rreth orës pesë të mëngjesit. Ora shtatë e mëngjesit më gjeti në tarracën e hotelit, ku vërejta se dielli këtu kishte një shkëlqim të veçantë. Meqë bashkëudhëtarët e mi ishin të lodhur dhe vazhduan gjumin, unë dola në qytet. Rrugët e ngushta me kalldrëm më çuan në qendër, ku u ndala në një lokal për të shijuar një kafe.
Shërbyesi që ma solli kafen fliste bukur arbërisht dhe e kuptonte shqipen tonë. Ai më tha: “Unë jam arbëresh.” Pas rreth dhjetë minutash u ngrita për të paguar kafen dhe për të vazhduar shtegtimin drejt qytetit. Ai m’u përgjigj: “Kafeja është e paguar. Rri mirë.” Këtë, për momentin, nuk e kuptova.
Vazhdova drejt qendrës, ku në murin e një shtëpie vërejta mbishkrimin “Corso Skanderbech”. Ca metra më larg ishte busti i Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, pastaj “Udha Jeronimi, poeti arbëresh më i madhi”. Këtu mësova se në Lungro është mbajtur Kongresi i Dytë i Gjuhës Shqipe më 20 dhe 21 shkurt të vitit 1897.
Në qendër ishte një shatërvan i madh, i rrethuar me katedrale, muze, shtëpinë e Darjave dhe bustin e Francesco Crispi. Afër gjendej edhe Katedralja “Shën Nikollit”, të cilën e vizitova dhe mësova se në këtë kishë mesha mbahej në dy gjuhë: arbërisht dhe greqisht.
Në qendër të qytetit ishte edhe mbishkrimi i një biblioteke private, pastaj busti i Jeronim De Radës. Në pjesën tjetër, krejt në hyrje të qytetit, ishte një mbishkrim ku shkruhej “Udha e Këngëtarëve Popullorë Arbëreshë”. Ca metra në të djathtë ishin pikturuar pesë njerëz që mbi supe mbanin thasë me kripë – një peshë goxha e rëndë. Mësova se këtu afër gjendej një xeherore kripe dhe se, kur ajo u zbulua, kripa barthej me thasë mbi supe nga thellësia e tokës në mënyrë primitive.
Në qendër ishte e parkuar një makinë, ku në pjesën anësore ishte e gdhendur një shqiponjë dhe shkruhej: “Bashkia e Ungrës – Provinca e Kosencës – Policia e Vendit”.
Në xhamat e vitrinave të çdo dyqani të dytë ishte vendosur një pllakatë e madhe me portretin e Skënderbeut, ku shkruhej: “SKANDERBEKU – Prindi i Arbërisë”. Lungro, 1 Mars 2025, ora 15:00.
Pas ngrënies së mëngjesit, kishim dëshirë të vizitonim një qytezë tjetër arbëreshe mjaft karakteristike. Kështu, në qytezën Acquaformosa gjendej Kisha San Giovanni Battista, e ndërtuar në vitin 1500, e cila ishte një nga kishat më të rralla në rajonin e Kalabrisë. Në derën e hyrjes së saj ishte gdhendur në dru një shqiponjë dykrenare, ndërsa përballë saj ndodhej busti i Gjergj Kastriotit Skënderbeut.
Edhe kjo qendër kishte karakteristikat e saj të bukura dhe shtëpi me një arkitekturë të vjetër, të ngjashme me atë të Krujës dhe qyteteve të tjera të vjetra shqiptare, me rrugë tepër të ngushta.
Në vendin e caktuar ku duhej të drekonim u gjendem diku pakë mjesditës,ku u takuam me mikpritësit arbëresh por edhe me bashkëatdhetar të tjerë qe kishin ardhur enkas pë këtë festë pra për 581 vjetorin e“ Kuvendit të Beslidhjës së Lezhës“ si nga Peja, Mirdita, Tirana, Suedija kurse pesëshja e jonë kishte ardhur nga Zvicra, Gjermania,dhe Franca !
Manifestimi solemn filloj pikërisht në Ora 15:00 duke u nisur defilimi nga një pjesë e qytetit para një kishe të vjetër për të vazhduar po thuaj në të gjitha rrugicat e qytetit,se pari nisi rrugëtimi improvizust i Skënderbeut me rrobat dhe kapelën si e Gjergjit hipur mbi një kalë.Bashkëluftëtaret e tij bartnin shtiza hekuri dhe flamurin e shqipes dy krenare të armatosur me shpata dhe me veshje kombëtare shoqeruar edhe me vajza me kostume tradicionale me fije ari, të cilat ruajnë identitetin kulturor si trashëgimi gjashtë-shekullore të traditës tipike të kohës së Skënderbeut, janë ruajtur me xhelozi. Marshi filloi me këngë, daulle dhe tupana, duke brohoritur: „Rroftë Skënderbeu!“. Në çdo shesh këndoheshin këngë arbëreshe dhe shqiptare, ndërsa herë pas here dëgjoheshin brohoritjet: „Rroftë Skënderbeu!“.
Në sheshin e dytë të qytetit, kur Skënderbeu takon Donikën, ata befas sulmohen nga hordhitë turke dhe zhvillohet një dyluftim i improvizuar. Sulmuesit, të armatosur me shpata dhe të veshur me rroba turke, zihen peng nga bashkëluftëtarët e Skënderbeut dhe lidhen me litar. Muzika vazhdonte me tupana, daulle dhe vallëzime nga valltarë burra dhe vajza arbëreshe.
Në sheshin e tretë, Skënderbeu u kurorëzua me Donikën në prani të priftit. Pas kurorëzimit, festa vazhdoi me muzikë, valle dhe këngë. Në sheshin e radhës, Skënderbeu bëri një betim para bashkëluftëtarëve të tij, duke marrë shtatë thupra dhe duke ua ofruar atyre që t’i thyenin, por askush nuk ia doli. Më pas, ia dha të njëjtat thupra një fëmije, i cili i theu lehtësisht, një nga një. Me këtë, Skënderbeu tha: „Vëllezër, forca dhe bashkimi bëjnë fuqinë! Andaj, të bashkuar, askush nuk mund të na thyejë, as ushtria turke!“.
Ahengu i kësaj feste vazhdoi deri në orën 19:00 nëpër rrugët e qytetit të Ungros, për të vijuar më pas në shtëpinë e kulturës me muzikë, valle dhe këngë arbëreshe deri në orët e vona të mëngjesit.
Ditën e radhës, më 2 mars 2025, kishim pak kohë të lirë dhe isha i interesuar ta vizitoja Muzeun Historik të Kripës në Ungër, ku edhe realizova vizitën. Aty hasa në një poezi të poetit arbëresh, Vincenzo Borrescio, poezi të cilën ia kishte kushtuar babait të tij, që punonte në kripore.
Më pas vazhduan takimet tona me arbëreshët e tjerë. Pata fatin të takoja poetin arbëresh Franko Vasko, nga fshati arbëresh Otoseta, i cili, ndër të tjera, më tha: “Gjuha e arbërit është kryevepra e qytetërimit tonë, ky është miti i mbijetesës sonë, është shpirti i mbijetesës sonë. Në zemër të Italisë, gjuha e arbërit nuk është gjuha e bukës, por është gjuha e ekzistencës dhe shpirtit tonë.”
Me këtë rast, ia dhurova tri përmbledhjet e mia poetike, ndërsa edhe miku Franko më dhuroi disa poezi arbëreshe.
Vizita jonë qendrore ishte nën udhëheqjen e zonjave Savarina Bavassos dhe Rosa Cabrone, të cilat flisnin një arbërishte të kulluar. Një tjetër befasi e ditës ishte vizita jonë në shtëpinë-muze “Risorxhimento – Rilindja Italiane”, një ndërtesë rreth 482-vjeçare. Bëhet fjalë për shtëpinë e zonjës Anna Stratigo, e ndërtuar në vitin 1533, në rrugën “Casa Museo Risorgimento” nr. 20.
Zonja Anna na priti me një mikpritje tipike arbëreshe, tepër tradicionale. Drekuam në shtëpinë e saj-muze, shijuam kafenë dhe shkëmbyem dhurata e mirënjohje të ndryshme për të gjithë mysafirët. Për nikoqirët e shtëpisë dhurova disa nga librat e mi. Më pas, nga zëri i çiltër arbëresh i zonjës Anna Stratigo, prej një artisteje të vërtetë, buruan interpretime të mrekullueshme me këngë të bukura, të shoqëruara me tingujt e një kitare, të cilën ajo e luante për mrekulli.
Znj. Rosa Carbone, e cila kishte mbaruar Fakultetin e Albanologjisë, më falënderoi duke u zotuar se do t’i lexonte me një kujdes të madh dhe do të bënte një kritikë letrare në një gazetë në gjuhën italiane.
Në orët e pasdites u ndamë për t’u nisur në një vizitë të planifikuar në Kalabri, pikërisht për të vizituar shtëpinë ku ka lindur rilindasi arbëresh, Jeronim De Rada. Në Maki (Maqi) të Kalabrisë, pa vështirësi gjetëm shtëpinë e De Radës, frymuam atë pak ajër malli që ai e kishte lënë si testament për vizitorët e ndryshëm, gjetëm portën e oborrit të hapur, u ngjitëm shkallëve të betonit të vjetër, ku ai ishte ngjitur dikur, dhe prekëm me tamthat e gishtërinjve derën e hyrjes në katin e dytë, ku ai kishte jetuar. Regjistruam me mall çdo imtësi dhe bëmë edhe foto në oborrin e kësaj shtëpie, të mbetur në mëshirën e kohës.
Kaluam në rrugën “Jeronim De Rada” për t’u ndalur te busti i tij, pastaj vizituam Kishën ku është i varrosur dhe prehet trupi i tij i pajetë. Bëmë homazhe nderi, me ç’rast zhvilluam një bisedë vëllazërore me priftin arbëresh, Engjëll Prestigjoko, dhe shkrepëm disa foto të bukura.
Orët e mbrëmjes i kaluam në Maki të Kalabrisë, për t’u kthyer vonë për darkë në Ungër, ku na pritën djem e vajza arbëreshe, në krye me znj. Rosa Carbone. Me këtë rast, natën vonë u ndamë me lot në sy dhe me porosinë e dëshirën e zemrës që të takoheshim sërish në Ungër, Shqipëri apo Dardani, të cilat ata i kishin ëndërruar prej kohësh për t’i vizituar, përtej Detit të trazuar.
I gjithë ky pelegrinazh shpirtëror u zhvillua falë atdhetarit të palodhur dhe mikut tim të shtrenjtë, z. Gjergj Prenkoçaj.
Ungër, mars 2025