22/12/2024

Apostulli i shkrimtarisë shqiptare

0
Petro-Marko

Hata la vista

 

Një lot,

mbjell dhimbje

në mermerët e bardhë të Atikës.

 

Një portokall,

pikon lëng jete

brigjeve të Ebros.

 

Një ulli,

shkrumbohet nga dhimbja

në brigjet e Jonit.

 

Një qiparis në Dhërmi,

pret horizonte të kithëta

duke shushuritur  Hasta la vista, hasta la vista …

Nga Dorian Koçi

Nëse bilingulizmi do të vlerësohej ndonjëherë si vlerë e veçantë në Ballkan, pa dyshim fshati Dhërmi do të ishte një nga vendet që do të përmendej si tillë. Ky fakt edhe nëse është hipotetik pasi Ballkani ende vuan nën etnocentrizmin e vet dhe shoqëritë ballkanike me shumë vështirësi e pranojnë kulturën e “Tjetrit”, nuk duhet të na trembë dhe as të na trishtojë pasi vetë këto shoqëri dhe mikrokozmose të vogla lindin dhe personalitete që me ndërgjegje të hapur dhe të lirë kontribuojnë në kulturën me dimensione më universale sesa në atë lokale.

Një rast i tillë është fenomeni letraro-kulturor e politik Petro Marko që ka shënjuar gjithë skenën kulturore e politike të gjysmë shekullit të kaluar duke na lënë dëshmi të plota me veprat e tij të karakterit të çuditshëm e jo lehtësisht të përshkueshëm të shqiptarit modern. I ndërgjegjshëm se në galerinë e personazheve të veta më së shumti risjell atmosferën e njohjeve të para në jetë në fshatin e tij Dhërmi, në librin e tij madhor “Retë dhe gurët-Intervistë me vetveten” pohon me zë të plotë dhe pa mëdyshje se i përket me shpirt, por jo vetëm me të , por edhe me gjak, kulturës, gjuhës dhe kombit shqiptar sikur do t’u tregojë hartuesve të skenarëve më të vonshëm të telenovelave nacionaliste testamentin e vet por edhe përkatësinë e fshatit të vet. E çuditshme, për të mos thënë e paimagjinueshme që një shkrimtar të intervistojë vetveten për së gjalli, por ngaqë kumtet besoj që dëshiron të lërë janë të rëndësishme dhe ai vet e kupton me frymëmarrjen e rënduar se nuk ka kohë që të presë pyetje nga të tjerë , në një atmosferë Borhesiane në një shtëpi në bulevardin që mbante emrin e një njeriu në emër të të cilit në rininë e vet kish luftuar në Spanjë (Bulevardi Stalin-Sot bulevardi Zogu I), rrëfen pa asnjë mëdyshje 50 vjet histori e kulturë të socializmit të lodhur shqiptar.

Dikur njeriu që mban emrin e bulevardit ku ai ka shtëpinë i ka quajtur shkrimtarët si “inxhinierë të shpirtrave” ndoshta i nisur dhe i joshur nga ideja se shkrimtarët do ta ndihmonin të projektonte një nga ëndrrat më të vjetër të diktatorëve, modelimin sipas dëshirave të shpirtit njerëzor. Por Petro Marko, është ndryshe nga të tjerët, edhe pse vet ka luftuar për utopinë e komunizmit, ai është shumë njerëzor dhe universal dhe nuk bie në grackën që për dogmën të sakrifikojë ndërgjegjen. Në të kundërt në gjithë veprat e tij kërkon utopinë ta kthejë në shërbim të njerëzimit, ndaj nuk joshet nga subjekte të vogla dhe lokale por heronjtë e romaneve të veta i ka internacionalë. Janë të radhë shkrimtarët ballkanikë, në mos edhe ata evropianë që të kenë pasur një jetë të vrullshme por edhe një pjesëmarrje në disa nga ngjarjet më të rëndësishme të shekullit si ka qenë jeta e Petro Markos dhe aktiviteti i tij shoqëror, kulturor e politik. Lufta e Spanjës , internimi në Ustikë, përjetimi i burgjeve të komunizmit, dhimbja familjare për djalin, kthimi i veprave në karton, moslejimi i publikimit janë seri ngjarjesh të denja për të krijuar mllef e urrejtje por Petro Marko e tejkalon vetveten dhe habit dhe gjithë bashkëkohësit e vet. Ai ndërton një botë të vetën të ngjarjeve dhe personazheve ku Mbretëria shqiptare, Lufta e Dytë Botërore dhe Socializmi real shqiptar ngjajnë më tepër si dinozaurë të frikshëm për shkak se dhunojnë lirinë dhe ndërgjegjen e të gjithëve sesa i kanë ndonjë borxh shkrimtarit.

Në mes të fitores së krekosur të një populli të vogël që dilte nga lufta gjen mundësinë të përshkruaj ata që kanë pësuar disfatë njerëzorë në fatet e tyre dhe presin të pashpresë të kthehen në atdhe. “Qyteti i Fundit” është nga të vetmit romane në letërsinë shqipe që thyen konvencionet tradicionale bardhë e zi të personazheve dhe dashurinë dhe ndjenjat njerëzore i përshkruan si  fllad që i përshkon të gjithë , të mundur dhe fitimtarë. Në Ustikë aty ku jeta njerëzore poshtërohet, ai rindërton sërish tempullin e dashurisë dhe si ballkanas që është mund të pritet që në zëmërin e sipër ta shkatërrojë, por në të kundërt ndodh çudia që shpirtërat njerëzorë edhe pse të munduar nga tallazet e nacionalizmit ballkanik, në fakt bëhen bashkë të pandarë duke projektuar një të ardhme më të mirë. Ç’gjë tjetër mund të dëshirojë një autor, sesa të depërtojë kaq thellë në shpirtin njerëzor e për rrjedhojë të jetë i lexueshëm për breza të tjerë. A nuk i përket përjetësisë një shkrimtar që përcjellkumte të tillë?

Nuk ka rëndësi se në këtë 110 vjetor të lindjes së tij nuk gjen një monografi të plotë studimore të veprës së tij, e për më tepër askund të shkruar e zezë mbi të bardhë se është themelues i romanit modern shqiptar, as një emër rruge në Tiranë ku jetoi që nga vitet 30’ ,e rëndësishme është se me veprën e vet madhore ka krijuar një gjeografi të shpirti rebel shqiptar që endet sa në brigjet e Ebros, në Ustikë , Vlorë, Labëri, Durrës e Tiranë si për të na kujtuar se në letërsi nuk vlejnë rekomandimet as emërimet por mesazhi dhe magjia e fjalës që bën sot e kësaj dite çdo të ri shqiptar në të gjithë hapësirat shqipfolëse ta ndjekë e ta lexojë Petro Markon, apostullin e shkrimtarisë shqiptare. Letërsia e vështirë dhe e mundimshme e një populli të vogël nuk mund të gjente një apostull më të mirë sesa Petro për të përcuar mesazhin e vet, ndaj ajo por edhe ne jemi me fat që kishim Petro Markon mes nesh.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok