26/12/2024

ANTON PAPLEKA SHEH NË “ËNDËRR” SHEKSPIRIN

0
Anton-Papleka

(Në vend të një eseje)

NGA NDUE DEDAJ

Mos u habisni, gjithçka është e mundur në kozmosin e poezisë. Na e thotë vetë Anton Papleka në poezinë e tij “Shekspiri në ëndërr”, botuar fundjavën e kaluar, më 22 qershor 2024, në gazetën letrare “Nacional”, me botues poetin, publicistin dhe studiuesin e letërsisë Mujo Buçpapaj, në krye të një cikli prej 10 poezish të reja:

“Mbrëmë e pashë në ëndërr Shekspirin

Me vetulla të ngërthyera, me vështrim të zemëruar”.

O Zot! Ç’ka ndodhur që gjeniu i tragjedisë angleze, njëherësh të përbotshme, është trazuar kështu mbas pesëqind vjetësh, që na sheh nga qielli. Nuk i ka mjaftuar lavdia e epokës së tij elisabetiane, që është hedhur në këtë epokën tonë të quajtur postmoderne, për më tepër duke na qortuar rreptë për fjalën? E shpjegon ëndrrën e tij me të madhin vetë Papleka:

“Të kam parë me librat e mi në duar më tha ai

I lexoj si të ishin ungjij i thashë unë

Atëherë po qe se i ke kuptuar sadopak

Grisi fletët e shkruara që ke në tryezë

Pastaj shko te pylli më i afërt

Dhe hidhe stilolapsin midis shkurreve të dendura”.

Ja si qenka puna! Shekspiri ka parë marrëzitë e njerëzimit mbi letra dhe në rafte librash dhe ka shpërthyer në këtë farë fejet. Më tej gjatë asaj “ëndrre” ai i këshillon shkrimtarët që para se të blejnë fletë të reja letre dhe stilopas të ri të binden se ato që shkruajnë nuk janë një gjë e kollajtë, por që dalin si klithmat nga shpirti etj. Ti përnjëherësh kupton se këtë ëndërr para se ta shihte Papleka e ka parë Faik Konica, se përndryshe si do të sokëllinte para njëqind vjetësh dhe ai si një Shekspir: “Nëse nuk keni asgjë për të thënë, mos e zini penën me dorë!” Ose, më saktë, ai lut Zotin që t’i kthjellojë në këtë gjë. Doemos që këtë ëndërr “shekspiriane” e kanë parë të gjithë ata shkrimtarë që kanë krijuar veprën e tyre me mundim e pas shumë sprovash krijuese.

Njëri nga ata është vetë Anton (Ndoc) Papleka, poet i mirënjohur shqiptar i gjysmës së dytë të shekullit XX e më sot, prozator, skenarist, përkthyes i poezisë botërore nga frëngjishtja dhe studiues i zellshëm i etnokulturës shqiptare, profesor doktor, që hyri në letërsi në agun e viteve ’70 me vëllimin poetik “Zëri im” (1971), edhe pse poezitë e para i kishte botuar një dhjetëvjeçar më herët. Dhe mbeti zëri i vet! Me librat poetikë: “Ecim”, “Njatjeta diell”, “Arkitektura e dritës”, “Rrathët e lisit”, “Gjaku i tokës”, “Lumi e di ku buron”,  “Gjethnaja në trup” etj. Poezia e tij pasi zbuloi poetikisht, ashtu si Martin Camaj, tek endej nëpër Europë, Skënder Buçpapaj e Hamit Aliaj në vendlindje, metaforën e bjeshkëve shqiptare, përshkënditjen e tyre përrallore, gjysmë shekulli para se ta zbulonin si realitet turistët e sotëm të Valbonës e Thethit, u zhyt në poezinë botërore, aq të larmishme, duke e sjellë në shqip, çka do të ndikonte dhe në modernitetin e poezisë së tij autoriale.

Poeti, sado larg të shkojë në kohë e hapësirë, duke shtegtuar nëpër modernitet, nuk “konformohet” për asgjë, as për shkak të moshës, por fshikullon klieshtë parazitare të një poetike të kaluar:

“Unë i kam zët flokët e bardhë

Të bardhë të bardhë të bardhë të bardhë

Sepse ata simbolizojnë gjithçka që kam humbur

Bashkë me ngjyrën e tyre të mëparshme”

Edhe pse ka do kohë që zgjohet pranë Kullës Ejfel, mendja e tij ka mbetur “bletë e egër”, si në alpet e tij vigane, gjithnjë në kërkim të “bukurisë së botës”:

“Në zgjoin e kokës sime

Gumëzhijnë ende bletë vargjesh

Që kanë mbetur gjallë nga dimri

Ato kanë ende dëshirë të kullotin

Lulet e bukurisë së botës…”

Poetët si Papleka, edhe në një cikël poetik ngërthejnë mbarë universin, gjithëkohësinë, kontradiktën ekzistenciale të planetit, nëse mund të themi kështu, pasi, ndërsa teleskopi i markës së fundit James Webb shkel në orbitë “për të udhëtuar drejt zanafillës së gjithësisë” dhe eksploron “nëpër hapësirat ndëryjore”:

“Dy fshatarë në gadishullin ballkanik ose gjetiu

Vrasin njëri-tjetrin për disa pëllëmbë tokë

Që njëri prej tyre ia ka rrëmbyër fqinjit

Duke zhvendosur gardhin midis dy pronave!…

E nuk është vetëm individi mes malesh që nuk ka gjetur qetësi me qytetërimin modern, por me të njëjtën mendësi shpelle e shpellari vepron dhe “një supërfuqi që pushton fqinjin e saj / duke shpërthyer një luftë të përgjakshme…”

Poezia e Paplekës është fshikulluese kundër denatyrimit planetar nga njeriu i papërgjegjshëm, si ajo kushtuar peshkatarit të moshuar uzbek që kundronte me trishtim detin Aral të shkretuar nga tharja:

“Deti Aral i ngjante syrit të një lypësi të verbër

Që i lutej me dëshpërim qiellit të kaltër

Të ndëshkonte marrëzinë e pushtetarëve

Që ua kishin ndërruar rrjedhën lumenjve”.

Gjer këtu shkon poezia, e rebeluar nga prishësit e rendit të natyrës dhe shoqërisë, si një akt-akuzë e hapur dhe e drejpërdrejtë ndaj tyre dhe armiqve të tjerë të njeriut. Në këtë kontekst, i gjithë cikli poetik i “Nacional” është befasues për kumtet e reja që mbart, edhe pse kambana është po ajo e më shumë se një gjysmë shekulli. Kështu, Prometeu, “kur vuri re midis krijesave të mbrojtura prej tij / luftënxitës që vringëllinin armët bërthamore / të gatshëm për të asgjësuar njerëzimin dhe planetin”, “shpërtheu në lot indinjate dhe dëshpërimi”, sa harroi dhe të paharrueshmen:

 “Ndëshkimin e tmerrshëm të Zeusit

Zinxhirët e rëndë të farkëtuar nga Hefesti

Çukitjet mizore të sqepit të orlit

Që u sulej me tërbim krasharorit dhe melçisë së tij”.

Poeti ka “fluturuar” shumë larg, deri në antikitetin romak, jo për të na sjellë lavditë dhe mbrapshtitë e një gjenerali dhe politikani të famshëm si Marcus Licinius Crassus, për të cilin thotë “ke mbajtur një emër të denjë për t’u harruar”, porse, mjerisht, gjeneralë e politikanë të babëzitur si ai për flori e prona, të denjë për t’u harruar, na shohin sytë përditë, edhe pse jemi në mijëvjeçarin e tretë. E bash në këtë kohë është një vend ku nuk ekziston më vdekja, shkruan poeti:

“Në fshatrat e shpopulluara të vendit tim

Vdekja nuk ekziston më

Jo sepse dikush e ka zbuluar

Sekretin e pavdekësisë

Që e kërkuan me ngulm

Gilgameshi dhe pasuesit e tij.

As se atje “ka ndodhur ndonjë mrekulli e padëgjuar / Siç ndodh në romanin e Jose Saramagos “Ndërprejet e vdekjes”, porse ato fshatra “i ka braktisur jeta njerëzore”.

Meriton të veçohet poezia autentike “Mos rri në errësirë” (nga ato që shkruhen vetëm njëherë ne jëtë!), që përmbyll ciklin; poeti gjithnjë e ka dëgjuar zërin që e ka porositur të mos rrijë në errësirë, por të shkojë kah drita – në fëmijëri, në djalëri, në moshë të madhe – por që nuk do ta dëgjojë vetëm njëherë, kur ai të jetë një zë i përtejme, i gurit të varrit:

“Për herë të parë unë nuk do të lëviz nga vendi

Dhe nuk do të shkoj drejt zërit që do të më thërrasë…”

Kujtohu, i dashur lexues, metafora e parë e Paplekës është ajo e zërit, a nuk është dhe këtu po zëri, i pandërprerë, si “zëri im” i fillesës së tij poetike, porse tashmë me një tjetër vegim? Doemos poeti nuk është një Kostandin dhe as që dëshiron të jetë i tillë, nuk ka ndonjë amanet për të mbajtur a peng të pakryer, “Doruntina” e tij (poezia) ka shtegtuar me kohën, që kur ne si lexues filluam të ecnim në vazhdën e tij poetike, me plot mite, legjenda, balada, epose, që pak nga pak sikur do të shmangeshin nga poezia e të hynin në prozën dhe studimet shkencore të zotit Papleka, që diti ta ruajë aq mirë poetin pa u eklipsuar nga studiuesi po aq i thekur.

Anton Papleka, lindur në Lekbibaj të Nikaj – Merturit, edhe gjashtë muaj e kremton 80 -vjetorin, më 10 janar 2025, ku sigurisht nuk do t’i mungojnë urimet e lexuesve dhe dashamirëve të tij, ama nuk dimë nëse ndokush po mendon për këtë kremtim? Presidenca. Ministria e Kulturës. Shoqatat e shkrimtarëve. Ka jo pak shkrimtarë që u rrinë larg podiuemeve, kamerave, ndërkohë që të tjerë individë vrapojnë t’ua zënë derën për të promovuar shpesh asgjënë e tyre. Si t’ia bëjmë me këta që nuk shfaqen, por që janë elita e fjalës, mendimit, artit? E vërteta është se ata nuk janë dhe aq mosbegenisës të ekraneve e mediumeve publike, po që se prej tyre nuk do të qaseshin mediokrit. Papleka tani rron në Francë, por dhe në Tiranë ishte “i padukshëm”. Nuk është se kësaj kategorie i nevojiten ekranet, publiciteti, përpos se kur dalja aty iu shton lexuesit, e nëse do të mirfunksiononte, tregun e librit, çdoherë tjetër janë ekranet që i kanë të domosdoshëm shkrimtarët, apo studiuesit e rrafsheve të ndryshme, për të rritur cilësinë e emisioneve dhe audiencën. Asgjë nuk pati humbur Lasgush Poradeci që nuk iu pa fytyra sa qe gjallë në televizionin e vetëm të vendit, kurse ky i fundit padyshim që po.

Po çfarë do të na thoshte Antoni, nëse do të ishte ftuar në Qendërën Kombëtare të Librit dhe Leximit, apo ndonjërin nga emisionet letrare të kryeqytetit, si “Bibliotekë”, “Artes”, “Tempull” etj. Mbase do të ishte ndalur në strofat fundit të poezisë së tij me të cilën e nisem këtë ese:

“Kur më doli gjumi

Ende isha i tronditur nga fjalët e Shekspirit

Dhe tërë bota më dukej

Si një fletë letre e shkruar

Që kishte përreth një anë të bardhë

Vetëm disa milimetra të kësaj ane të bardhë

Ishin trashëgimi im…”

Kjo do të thotë se Papleka nuk e paskësh parë në ëndërr Shekspirin për vete, por për ne të tjerët, nëse do të guxonim ta fusnim dhe veten në njerëzit e penës. Për të gjithë, por kryekrejet për një kategori shkruesish letrarë që e kanë kthyer qëllim në vetvete “shkëlqimin” përmes letrës së shkruar, aq delikate në vetvete, me botime të pafundme, promovime të zhurmshme dhe gjithçka tjetër që do ta përdhoste krijimin si akt, apo aktin krijues…

Na beko o Zot dhe neve me atë “ëndërr”!…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok