Anomalitë e Ministrisë së Arsimit
Nga Ndue Ukaj
Pse duhet, anomalitë serioze të Ministrisë së Arsimit t’i paguajnë fëmijët tanë?
Është kërkesë e pastër abuzive që për epshe hakmarrëse politike – fëmijët tanë të paguajnë faturën. Mësimi të shtunave, pastaj shkurtimi i pushimeve dimërore, janë “eksperimente” mediokre të trutharëve që s’ mendojnë asgjë për fëmijët.
Dhe më e keqja: Kosova, më sa di unë, duke kopjuar Bosnjën, mund të jetë i vemmit vend në Kontinentin e Europës që mban mësim gjatë festave të Krishtlindjes. Dhe kështu i ndanë fëmijët tanë prej Europës.
Është e padrejtë që fëmijët e Kosovës të dallohen prej krejt Europës dhe të shkojnë në shkollë deri me 30 dhjetor, kohë kjo kur të gjithë bashkëmoshatarët e tyte pushojnë.
Pra, në këtë mënyrë, Ministria e Arsimit vetëdijshëm po i ndanë fëmijët e Kosovës prej Europës dhe idealeve europiane.
Ne përditë çirremi përpara dyerve të Europës, por sjelljet tona i kemi fort jo perëndimore.
Nervozohemi sa herë që nuk marrim lajme të mira prej saj, por veprimet tona janë fort joperëndimore.
I tillë është vendimi për t’i detyruar fëmijët tanë të shkojnë në shkollë të shtunave dhe në kohën e Krishtlindjeve kur e gjithë Europa pushon.
Me siguri, vendimi i Ministrisë së Arsimit nuk është motivuar nga nevoja për të mësuar, as nuk është rrjedhojë e një analize pedagogjike dhe nuk ka për qëllim të rritë cilësinë në shkolla.
Ky vendim la natyrë hakmarrëse dhe si i tillë është vendim i lig. Fëmijët tanë nuk duhet të abuzohen për t’i kënaqë epshet politike të atyre që kanë mendësi hakmarrëse.
Punët e arsimit dhe të kulturës janë vepra fisnike të dashurisë dhe jo të urrejtës.