23/12/2024
Edison-Ypi2

Nga Edison Ypi

Anglia jote është e kollajtë, e sheshtë, e thjeshtë.

Anglia jote është Anglia e turmave që ikin të çartallosura në vendin ku ka aq shumë pare sa xhepat nuk mjaftojnë, duhet me i mbledh me fshesë dhe me i fut nëpër thasë.

Anglia jote është Anglia e shtëpive të barit ku hyn e rri brenda nja tre muaj, pastaj del me ca strerlina ndër duar, dhe mushkri e zemër përgjithmonë të shkatërruara. Aq keq sa s’mjaftojnë miliarda për t’i ndrequr.

Anglia jote është Anglia e llogarive të fshehta bankare të hajdutave shqiptarë që ty të rre menia se një ditë do bëhesh edhe ti si ata.

Anglia jote është Anglia e rrenave burracake nëpër zyrat e emigracionit dhe të tjera zyra.

Anglia jote është oturaku yt ku ti shkon e 10.

Anglia jote virtuale mashtruse që ekziston vetëm në kokën tënde, të ka çmendur.

Anglia ime është pak më ndryshe se Anglia jote.

Anglia ime është Anglia e Revolucionit industrial për të cilën na fliste me pasion babai anglofil qëkur ishim fëmijë.

Çudia qe’ se, për fillimet e atij Revolucioni, bashkë me spjegimet e babait, s’dihej se nga kishte depërtuar vargu i një poeti komunist rus: “Trikoja feudale e shtrëngonte liksht”. Me zor e gjetëm nga cili shteg kishte depërtu ky varg. Nuk kishte hy nga shtegu i rrenës që e mbanim gjithë kohës të mbyllur. Kishte hy nga shtegu i së vërtetës që e mbanim kurdoherë të hapur.

Për të mos shkaktuar çorroditje, novacionet teknologjike Anglia ime i shoqëronte rregullisht me caqet etike të përdorimit, si shtypshkrimi, treni, telefoni, Interneti, etj.

Përveçse vend i politikanëve vizionarë, strategëve historikë, shkencëtarëve të shquar, Anglia ime është vendi i dramturgut dhe Poetit më të madh të Botës. Atij që analizoi dhe pavdekësoi individin e përsosur, dyshimtarin më të llaftarisur që derimësot nuk është tejkaluar prej asnjë të gjalli, të vdekuri, apo të trilluari.

Aty nga mesi i viteve ’80 dikush që punonte në Tregëtinë e Jashtëme më tha: A të ka mbetur nga të babait që ka bërë Shkollën Teknike ndonjë manual që tregon me shembuj si shkruhen letrat e biznesit ? Mes pak librave të mbetur nga babai, e gjeta një të tillë me nja 200 faqe, dhe ja fala.

“Business Letters” të viteve të Mbretërisë për tu përdorur nga shteti komunist në agoninë e tij ? Kjo sa më mahniste aq dhe më gajaste.

Shoku Richard, kemi fasule, tranguj, domate, speca, mollë, dardha, manaferra. A mund t’i ndërrojmë me hekurishta ?

Mikut të manualit të letrave i paskësh punuar mirë nuhatja.

Në shtëpi na kishin mbetur ca katalogë me fletë të zverdhura nga koha me reklama biçikletash.

Me gjasa, Babai ndoshta kishte blerë ndonjë biçikletë dhe pjesë ndërrimi në Anglinë e tij, asgjë më tepër. Biznesi me Anglinë time dhe të babait tim ishte pothuaj zero. Ama British History and Culture vu në shtëpinë time.

Eksploratorët, shpikësat, makinat, lundërtarët, udhëtarët e poleve, shkrimtarët, poetët, dhe të tjerë e të tjerë, hynin e dilnin në shtëpinë tonë si në skenat e teatrove të Londrës.

Në këto e sipër, babai na tha diçka që edhe sot pak shqiptarë e dinë. Pensionin e Moshës, pra pensionin e gjithkujt që ka punuar si kalë dhe duhet të vdesi si human, nuk e kishte shpikur Rusia, as Kina, as Kuba, por Anglia ime.

Birminghami i fabrikave mbiquhej Qyteti i Zi. Se çfarë ngjyre ishte Liverpul, Glasgow, Manchester, Sheffield, nuk e mësuam kurrë.

Anglia ime nuk ka shumë Beatles.

Anglia ime ka më tepër, Rod Stewart, Phil Collins, Joe Cocker, Paul Simon, Peter Gabriel.

Anglia ime s’kishte komitete, plenume, kongrese, parakalime, zbore, punë vullnetare.

Anglia ime kishte meritokraci dhe ndarje të kompetencave, kaq, dhe kjo na shkaktonte marramendje.

Anglia ime është ajo që më bëri mua ky që jam; Inxhinierin që tornot dhe të gjitha makinat metalprerëse ku ka punuar, nuk i mban ment si tornoja sovjetike, freza kineze, etj. por sot e kësaj dite e identifikon secilën symbyllur nga aroma.

Për ty dhe Anglinë tënde mua më vjen për të qarë.

Për mua dhe Anglinë time ti ske asnjë ide.

Anglia jote është e thjeshtë si tabela e shumzimit që e di përmendësh çdo kalama.

Anglia ime është e sofistikuar si tabela e Mendelejevit që ende s’është eksploruar plotësisht.

Anglia jote është mish.

Anglia ime është pastërma.

Mishi i Anglisë tënde nuk hahet, është si baltë.

Pastërmanë e Anglisë time ke qef ta hash me fasule ose trahana.

Anglia jote është një vend ku ti vete të vjedhësh.

Anglia ime është tempull, ku unë vete të falem, që Anglinë time ta respektoj dhe ta dua edhe më tepër. Por kurrë më tepër se e shenjta dhe e shtrenjta Shqipëria ime.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok