21/12/2024

ANË E MBANË BOTËS DEMOKRACIA ËSHTË NË RREZIK!

0
Frank-Shkreli13

Nga Frank Shkreli

Shtatorin që kaloi, Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) shënoi Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë — përveç tjerash – edhe me një mesazh nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, drejtuar vendeve anëtare të organizatës botërore që ai drejton, organizatave ndër-qeveritare dhe atyre jo-qeveritare dhe medias, në mbarë botën, mbi rëndësinë e demokracisë në botë. Frank Shkreli: Shqiptarët në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, 2024 | Gazeta Telegraf  Në mesazhin e tij kushtuar Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë, 2024, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, nënvijoi se “Dita Ndërkombëtare e Demokracisë është një mundësi për të theksuar rëndësinë e mbrojtjes dhe promovimit të fjalës së lirë, lirive civile dhe shtetit të së drejtës; llogari-dhënjen nga institucionet qeveritare si dhe mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut”, si domosdoshmëri në procesin e zhvillimeve demokratike në botë. Kjo, tha me atë rast, udhëheqsi i OKB-së, është, veçanërisht, “me rëndësi këtë vit, kur më shumë se 50 vende – që, aktualisht, përfaqësojnë gjysmën e popullsisë globale – mbajnë zgjedhjet e radhës”.  Antonio Guterres, theksoi gjithashtu se këto të drejta demokratike dhe vlera universale po sulmohen në mbarë botën. Liritë, në përgjithësi, po gërryhen, hapësira për pjesëmarrje qytetare në proceset politike po ngushtohet, ndërsa që polarizimi politik po intensifikohet, ndërkohë që mosbesimi ndaj vlerave demokratike, po rritet, ka thenë ai. Për fat të keq, kjo deklaratë tingëllon si deklaratat parlajamëruese të mëparshme ndaj rreziqeve që pëabll demokracia, por që tregon gjithashtu se zhvillimet dhe proceset demokratike në botë, jo vetëm që nuk po përmirësohen, por përkundrazi, problemet e demokracisë po shtohen gjithnjë dhe pa ndërprerje, 35-vjet pas shembjes së Murit të Berlinit.  Si rrjedhim, anë e mbanë botës, demokracia po kërcënohet dhe po rrezikohet si sistem i preferuar qeverisës.

Për këtë fakt shqetësues për fatin e demokracisë anë e mbanë botës, shkruhet pothuaj përditë në median amerikane, ndërkohë që është theksuar edhe në shumë raporte ndërkombëtare organizatash jo-qeveritare, përfshir një raport të botuar në fund të marsit që kaloi nga Fondacioni prestigjoz gjerman Bertelsmann. Sipas këtij raporti të para disa muajve– siç ka raportuar DW – 63 vendeve të botës që konsiderohen demokratike, ua kalojnë me numër vendet autokratike – gjithsejt 74. Kjo, sipas fondacionit gjerman tregon se ka ndodhur një ndryshim i madh global i një distancimi të dukshëm nga qeverisja demokratike, drejt autokracisë – shkaktuar nga ngjarjet e fundit gjeopolitike, por edhe nga sëmundja Covid-19, sipas këtij fondacioni.

Sipas këtij raporti, faktet janë tepër shqetësuese për zhvillimet demokratike anë e mbanë botës.  Thuhet se, gjatë 20-viteve të fundit, demokracia, proceset dhe vlerat e saj janë përkeqësuar në 137 vende të botës, vende të cilat konsiderohen në zhvillim e sipër, si nga pikëpamja politike ashtu edhe ekonomike. Sipas fondacionit gjerman, këto janë shtete të cilat nuk mbajnë zgjedhje të lira dhe të cilat nuk kanë një shtet funksional kushtetues. Në raportin e Fondacionit Bertelsmann, që citohet nga DW, thuhet se vetëm gjatë dy viteve të fundit, zgjedhjet që janë mbajtur në 25-vende të botës, cilësohen si më pak të lira dhe më pak të ndershme se ç’ishin më përpara. Për më tepër, sipas raportit, në 39-vende të botës, fjala e lirë dhe liria e shtypit kanë hasur në kufizime gjithnjë e më të mëdha, gjatë të njçjtës periudhë.

Megjithë retë e zeza në horizontin e proceseve demokratike në shumë vende të botës, Sabine Donner, njëra prej autorëve të raportit të Fondacionit Bertelsmann – një raport më gjithë-përfshirës të këtij lloji në botë — i ka thenë DW se ajo nuk është, krejtësisht, pesimiste mbi demokracinë në botë, sepse sipas saj, vitet e  fundit, popujt dhe qeveritë janë më të vetdijshëm se para 10-vjetësh, për problemet dhe sfidat që paraqesin — për vendet demokratike — regjimet dhe liderët absolut — që formë qeverisje kanë autokracinë – tha ajo për DW.

Në raportin e fondacionit gjerman thuhet se lufta më efektive kundër prirjeve autoritare në një vend, është dhe duhet të mbetet angazhimi dhe mbështetja serioze e qytetarëve për zgjedhje të lira, për lirinë e shtypit dhe për funksionimin e ndarjes/pavarësisë së pushteteve.  Autorët e raportit të Fondacionit gjerman Bertelsmann arrijnë në përfundimin se në vendet ku demokracia funksionon, normalisht, tanimë, qeveritë në ato vende duhet të kërkojnë – më shumë se ç’kanë bërë në vitet e kaluara — një konsensus sa më të madh politik nga një segment sa më i gjërë i shoqërisë. Ndonëse, sipas DW, autorët e raportit pranojnë se një gjë e tillë po bëhet gjithnjë e më e vështirë në një atmosferë në rritje e sipër të polarizimit të forcave politike, anë e mbanë botës.

Sipas, OKB-së, ndër 50-vendet që do mbajnë zgjedhje vitin që vjen janë edhe Shqipëria e Kosova, ku kanë filluar tanimë përgatitjet për zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare. Sipas vërejtsve të huaj dhe të brendshëm –në prag të zgjedhjeve në Shqipëri dhe në Kosovë, ndonëse më pak në Kosovë – vihet re një mungesë e dukshme e përpjekjeve serioze për transformime politike drejtë vendosjes së demokracisë së vërtetë, sidomos të sigurimit se zgjedhje do jenë të lira dhe të ndershme.  Fatkqesisht, jemi mësuar tani që dy shtetet shqiptare vazhdojnë të klasifikohen, në raportet ndërkombëtare të drejtave të njeriut dhe zhvillimeve demokratike, si “pjesërisht të lira”. Kjo ndodhë, për disa arsye, por pikërisht për mungesë të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, bazuar në standardet ndërkombëtare dhe për kufizimin e të drejtave dhe lirive bazë, siç është fjala e lirë dhe sidomos, liria e shtypit të pavarur.  Është kufizimi i këtyre të drejtave bazë të njeriut, që po rezikojnë lirinë dhe demokracinë e fituar me aq vuajtje e sakrifica që, për fat të keq, po bejnë që edhe dy shtetet shqiptare dhe shoqëritë e tyre të shkojnë drejtë një polarizimi politik gjithnjë e më të ashpër – ndërsa po afrohen zgjedhjet. Një prirje kjo që rrezikon, seriozisht, arritjet e deritanishme të lirisë dhe demokracisë sado të brishtë në trojet shqiptare, e që dalngadal i hap derën distancimit gjithnjë e më të madh të shqiptarëve nga qeverisja demokratike drejt një sundimi absolut.

Ekspertët janë dakort se demokracitë e pjekura, të stabilizuara dhe me përvojë historike e kanë më të lehtë të luftojnë dukuritë që rrezikojnë sot liritë dhe demokracinë në vendet e tyre – por që është shumë më e vështirë për vendet me një demokraci të brishtë ose “pjesërisht të lira”, si Shqipëria dhe Kosova, të luftojnë prirjet anti-demokratike dhe përpjekjet drejt vendosjes së një regjimi autokratik – prirje të cilat rrezikojnë liritë bazë të njeriut dhe demokracinë edhe të shqiptarëve  Progresi demokratik ka nevojë për një proces. Në krye të listës së këtij procesi janë zgjedhjet, vërtetë, të lira, të ndershme dhe demeokratike, për të gjithë dhe pa dallim.

Për fat të keq, përpjekjet për mbrojtjen e demokracisë sot në botë bëhen edhe më të vështira kur sunduesit autokratikë gjithandej – diktatorë të majtë e të djathtë – bashkpunojnë kundër armikut të tyre të përbashkët – DEMOKRACISË SË VËRTETË – si në kohën e Stalinit e të Hitlerit, bashkpunim i turpshëm që më në fund çoi në Luftën e dytë Botërore.  Mbetet për t’u parë se çfarë do sjellë ky bashkpunim fatkeq midis këtyre forcave të errëta – të djathta e të majta – për të ardhmen e demokracisë dhe lirive bazë për popujt e botës, në vitet në vazhdimësi.

Në shikim të parë, kam drojë se kemi mjaft arsye që të jemi të shqetësuar për gjëndjen e krijuar në botë, por duke shpresuar se demokracitë e vërteta do zgjohen nga gjumi letargjik përballë kërcënimeve dhe rreziqeve me të cilat përballet sot demokracia kudo.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok