27/04/2024

Analfabetët funksionalë të partive politike shqiptare në Mal të Zi me diploma të dyshimta ose  të falsifikuara

0

Nga Gjekë Gjonaj

Mediat malazeze javëve të fundit,  si asnjëherë deri më tani,  kanë  aktualizuar  dhe sensibilizuar  çështjen e diplomave të diskutueshme  apo të rreme në Mal të Zi.  U dëgjuan  shumë  detaje interesante dhe shqetësuese nga këndvështrimi i  ekspertëve  të fushave të ndryshme, profesorë universiteti, ish-ministra,  ish-deputetë, përfaqësues të shoqërisë civile e të tjerë   për këtë fenomen negativ  shoqëror,   i cili  ka lëshuar rrënjë  gjatë tridhjetë viteve të shkuara të kohës së demokracisë  në këtë shtet të vogël të Ballkanit Perëndimor me afro 600 mijë banorë. Publikimi i të dhënave se  në Mal të Zi , sipas hulumtimeve të  shoqatës civile “Alternativa”, ka 25-30 mijë diploma të dyshimta ose të falsifikuara  paraqet një problem serioz  për institucionet    shtetërore.  Shtrohet pyetja :   A ka shqiptarë  të përfshirë në këtë numër  tejet të madh të   diplomave  të  dyshimta  ose të rreme ? Përgjigjen  e saktë do të duhej ta japin  institucionet përkatëse shtetërore. Mirëpo, referuar kësaj shifre shokuese  të diplomave  të dyshimta    dhe duke analizuar  me kujdes CV-të  dhe karrierat e disa zyrtarëve e drejtuesve  të  vegjël dhe të mëdhenj  shqiptarë   në institucione  publike , pa dëshiruar të  akuzoj   asnjë shqiptarë për diploma të rreme,  në opinion   ekziston  dyshimi  se   në këtë maskaradë që po shkatërron sistemin arsimor universitar dhe po rrezikon  ardhmërinë e brezave të ardhshëm,  janë të përfshirë  për fat të keq edhe disa  shqiptarë.

Personat   e përfolur  shqiptarë në  komunikimin e përditshëm   dhe në rrjete sociale me diploma fiktive dhe tituj fiktivë   janë  punonjës   të administratës publike, funksionarë të lartë , deputetë, ministra, një klasë politikanësh  me integritet të dyshimtë të cilët marrin vendime  për një popull që pret kaq shumë nga politika.   Këta individë, pas rënies së sistemit njëpartiak, mendojnë se sa më i lartë  të jetë niveli  i arsimit, aq më gjasa ka të  bëhesh i suksesshëm. Sot jemi dëshmitarë  se nën regjimin e partive politike shqiptare analfabetët funksionalë e kanë gjetur strehën   të punësohen njëri pas tjetrit  në  funksione të larta komunale e  shtetërore. Kush  janë  analfabetët funksionalë?  Ata persona    që vetëm mund të shkruajnë dhe lexojnë  fjali të thjeshta, por janë të paaftë të kuptojnë tekste të ndërlikuara, pra njerëz  që kanë vështirësi  të mëdha të të kuptuarit. UNESCO-ja e ka definuar analfabetin  funksional në vitin e largët, më  1978, atëherë kur shqiptarët  shënonin    100-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit,  në kohën kur arsimimit të brezave të rinj u kushtohej më tepër rëndësi.

Ekzistojnë dyshime të forta për  disa funksionarë e zyrtarë  shqiptarë  që vendet e punës  dhe funksionet i kanë marrë falë  diplomave  në shkolla të larta  duke i blerë, ose në ndonjë mënyrë tjetër  të  përshpejtuar  mashtruese. Punësimet dhe emërimet e këtilla partiake, jaranësh e shumë më pak jaraneshash,   pa  ndonjë meritë,  janë  kundër interesave të shqiptarëve në këtë republikë.   Niveli  arsimor i këtyre militantëve partiakë ( nderim  të tjerëve) , të cilët i ka  rehatuar partia në poste me rëndësi shoqërore,  më së mirë vërehet   në njohuritë  dhe të shprehurit  e gjuhës shqipe dhe malazeze tejet të kufizuara, për  të mos  thënë qesharake, nëse i kemi parasysh paraqitjet e tyre publike. Për këta njerëz ( politikanë )  “ të ditur”    dija ( dituria)  është më pak e rëndësishme, sesa  dokumenti i quajtur “ diplomë”. E pse mos  të marrësh një diplomë apo titull shkencor kur  në procesin universal të shitblerjes, mund të blihet dhe shitet gjithçka. Për shkrimtarin e njohur, Moikom Zeqo, një nga deputetët e parë pas rënies së diktaturës në Shqipëri , ky është një “ mashtrim kombëtar”. Ai këtë fenomen në politikë e ka cilësuar si fabrikim të personaliteteve të rremë, mbase  e vërteta është se lavditë e rreme ose të pamerituara mund të ekzistojnë përkohësisht.

Ndoshta do të vijë dita kur  shqiptarët  dhe të tjerët që vuajnë shumë nga  lavditë e rreme, sidomos në kohët e sotme, ku këtë fenomen e hasim ngado, do të zbardhen dhe të përgjigjen para  organeve të drejtësisë.  Ndërkaq,  analfabetët funksionalë  të partive politike shqiptare   s’duhet të kenë frikë, sepse diturinë nuk ua merr askush.  Në anën tjetër  brengos fakti i heshtjes publike të intelektualëve të mirëfilltë  e të pavarur  shqiptarë, që qëndrojnë mbi partitë politike,   ndaj këtij kanceri të shoqërisë sonë. Por, më  shqetësuese është  dështimi i institucioneve përgjegjëse,  të cilat nuk kanë arritur me sa duket  ta kryejnë detyrën e tyre. Kjo  jo vetëm  çon në zhgënjimin e popullatës shqiptare, por ka efekt negativ  në ekselencën, inteligjencën,  trurin dhe ajkën   e të   rinjve tanë  të diplomuar  në fushat e tyre respektive  të cilët ka vite që   përball  këtij realiteti  të dhimbshëm , të pashpresë, skandaloz, absurd, të pakuptimtë , të trishtë  e të hidhur , në dëshpërim total dhe  të ofenduar nga politika, shteti dhe shoqëria  vazhdojnë  braktisjen e vendit , duke emigruar drejt shteteve të zhvilluara e moderne perëndimore për një jetë më të mirë.  Dhe si për ironi të fatit këto shtete  shfrytëzojnë trurin e djemve dhe  vajzave tona pa as më të voglën  kosto, sepse këtë faturë e ka paguar politika dhe politikanët tanë  dritëshkurtër, të  cilët  më parë mendojnë  për punësimin e  militantëve e simpatizantëve mediokër  e servilë , se sa për  njerëzit me profil inteligjent e profesionalisht  të përgatitur, të aftë, të zotë , kompetent  e të përkushtuar  për t’i kontribuar zhvillimit  të qytetarëve shqiptarë  dhe mbarë shoqërisë  malazeze që ende është në tranzicion .

Box1:

“Personat   e përfolur  shqiptarë në  komunikimin e përditshëm   dhe në rrjete sociale me diploma fiktive dhe tituj fiktiv   janë  punonjës   të administratës publike, funksionarë të lartë , deputetë, ministra, një klasë politikanësh  me integritet të dyshimtë të cilët marrin vendime  për një popull që pret kaq shumë nga politika”

Box 2:

“Niveli  arsimor i këtyre militantëve partiakë ( nderim  të tjerëve) , të cilët i ka  rehatuar partia në poste me rëndësi shoqërore,  më së mirë vërehet   në njohuritë  dhe të shprehurit  e gjuhës shqipe dhe malazeze tejet të kufizuara, për  të mos  thënë qesharake, nëse i kemi parasysh paraqitjet e tyre publike”

Box 3:

“ Ndoshta do të vijë dita kur  shqiptarët  dhe të tjerët që vuajnë shumë nga  lavditë e rreme, sidomos në kohët e sotme, ku këtë fenomen e hasim ngado, do të zbardhen dhe të përgjigjen para organeve të drejtësisë.  Ndërkaq,  analfabetët funksionalë  të partive politike shqiptare   s’duhet të kenë frikë, sepse diturinë nuk ua merr askush”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok