Analfabetët funksionalë të partive politike shqiptare në Mal të Zi me diploma të dyshimta ose të falsifikuara
Nga Gjekë Gjonaj
Mediat malazeze javëve të fundit, si asnjëherë deri më tani, kanë aktualizuar dhe sensibilizuar çështjen e diplomave të diskutueshme apo të rreme në Mal të Zi. U dëgjuan shumë detaje interesante dhe shqetësuese nga këndvështrimi i ekspertëve të fushave të ndryshme, profesorë universiteti, ish-ministra, ish-deputetë, përfaqësues të shoqërisë civile e të tjerë për këtë fenomen negativ shoqëror, i cili ka lëshuar rrënjë gjatë tridhjetë viteve të shkuara të kohës së demokracisë në këtë shtet të vogël të Ballkanit Perëndimor me afro 600 mijë banorë. Publikimi i të dhënave se në Mal të Zi , sipas hulumtimeve të shoqatës civile “Alternativa”, ka 25-30 mijë diploma të dyshimta ose të falsifikuara paraqet një problem serioz për institucionet shtetërore. Shtrohet pyetja : A ka shqiptarë të përfshirë në këtë numër tejet të madh të diplomave të dyshimta ose të rreme ? Përgjigjen e saktë do të duhej ta japin institucionet përkatëse shtetërore. Mirëpo, referuar kësaj shifre shokuese të diplomave të dyshimta dhe duke analizuar me kujdes CV-të dhe karrierat e disa zyrtarëve e drejtuesve të vegjël dhe të mëdhenj shqiptarë në institucione publike , pa dëshiruar të akuzoj asnjë shqiptarë për diploma të rreme, në opinion ekziston dyshimi se në këtë maskaradë që po shkatërron sistemin arsimor universitar dhe po rrezikon ardhmërinë e brezave të ardhshëm, janë të përfshirë për fat të keq edhe disa shqiptarë.
Personat e përfolur shqiptarë në komunikimin e përditshëm dhe në rrjete sociale me diploma fiktive dhe tituj fiktivë janë punonjës të administratës publike, funksionarë të lartë , deputetë, ministra, një klasë politikanësh me integritet të dyshimtë të cilët marrin vendime për një popull që pret kaq shumë nga politika. Këta individë, pas rënies së sistemit njëpartiak, mendojnë se sa më i lartë të jetë niveli i arsimit, aq më gjasa ka të bëhesh i suksesshëm. Sot jemi dëshmitarë se nën regjimin e partive politike shqiptare analfabetët funksionalë e kanë gjetur strehën të punësohen njëri pas tjetrit në funksione të larta komunale e shtetërore. Kush janë analfabetët funksionalë? Ata persona që vetëm mund të shkruajnë dhe lexojnë fjali të thjeshta, por janë të paaftë të kuptojnë tekste të ndërlikuara, pra njerëz që kanë vështirësi të mëdha të të kuptuarit. UNESCO-ja e ka definuar analfabetin funksional në vitin e largët, më 1978, atëherë kur shqiptarët shënonin 100-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit, në kohën kur arsimimit të brezave të rinj u kushtohej më tepër rëndësi.
Ekzistojnë dyshime të forta për disa funksionarë e zyrtarë shqiptarë që vendet e punës dhe funksionet i kanë marrë falë diplomave në shkolla të larta duke i blerë, ose në ndonjë mënyrë tjetër të përshpejtuar mashtruese. Punësimet dhe emërimet e këtilla partiake, jaranësh e shumë më pak jaraneshash, pa ndonjë meritë, janë kundër interesave të shqiptarëve në këtë republikë. Niveli arsimor i këtyre militantëve partiakë ( nderim të tjerëve) , të cilët i ka rehatuar partia në poste me rëndësi shoqërore, më së mirë vërehet në njohuritë dhe të shprehurit e gjuhës shqipe dhe malazeze tejet të kufizuara, për të mos thënë qesharake, nëse i kemi parasysh paraqitjet e tyre publike. Për këta njerëz ( politikanë ) “ të ditur” dija ( dituria) është më pak e rëndësishme, sesa dokumenti i quajtur “ diplomë”. E pse mos të marrësh një diplomë apo titull shkencor kur në procesin universal të shitblerjes, mund të blihet dhe shitet gjithçka. Për shkrimtarin e njohur, Moikom Zeqo, një nga deputetët e parë pas rënies së diktaturës në Shqipëri , ky është një “ mashtrim kombëtar”. Ai këtë fenomen në politikë e ka cilësuar si fabrikim të personaliteteve të rremë, mbase e vërteta është se lavditë e rreme ose të pamerituara mund të ekzistojnë përkohësisht.
Ndoshta do të vijë dita kur shqiptarët dhe të tjerët që vuajnë shumë nga lavditë e rreme, sidomos në kohët e sotme, ku këtë fenomen e hasim ngado, do të zbardhen dhe të përgjigjen para organeve të drejtësisë. Ndërkaq, analfabetët funksionalë të partive politike shqiptare s’duhet të kenë frikë, sepse diturinë nuk ua merr askush. Në anën tjetër brengos fakti i heshtjes publike të intelektualëve të mirëfilltë e të pavarur shqiptarë, që qëndrojnë mbi partitë politike, ndaj këtij kanceri të shoqërisë sonë. Por, më shqetësuese është dështimi i institucioneve përgjegjëse, të cilat nuk kanë arritur me sa duket ta kryejnë detyrën e tyre. Kjo jo vetëm çon në zhgënjimin e popullatës shqiptare, por ka efekt negativ në ekselencën, inteligjencën, trurin dhe ajkën e të rinjve tanë të diplomuar në fushat e tyre respektive të cilët ka vite që përball këtij realiteti të dhimbshëm , të pashpresë, skandaloz, absurd, të pakuptimtë , të trishtë e të hidhur , në dëshpërim total dhe të ofenduar nga politika, shteti dhe shoqëria vazhdojnë braktisjen e vendit , duke emigruar drejt shteteve të zhvilluara e moderne perëndimore për një jetë më të mirë. Dhe si për ironi të fatit këto shtete shfrytëzojnë trurin e djemve dhe vajzave tona pa as më të voglën kosto, sepse këtë faturë e ka paguar politika dhe politikanët tanë dritëshkurtër, të cilët më parë mendojnë për punësimin e militantëve e simpatizantëve mediokër e servilë , se sa për njerëzit me profil inteligjent e profesionalisht të përgatitur, të aftë, të zotë , kompetent e të përkushtuar për t’i kontribuar zhvillimit të qytetarëve shqiptarë dhe mbarë shoqërisë malazeze që ende është në tranzicion .
Box1:
“Personat e përfolur shqiptarë në komunikimin e përditshëm dhe në rrjete sociale me diploma fiktive dhe tituj fiktiv janë punonjës të administratës publike, funksionarë të lartë , deputetë, ministra, një klasë politikanësh me integritet të dyshimtë të cilët marrin vendime për një popull që pret kaq shumë nga politika”
Box 2:
“Niveli arsimor i këtyre militantëve partiakë ( nderim të tjerëve) , të cilët i ka rehatuar partia në poste me rëndësi shoqërore, më së mirë vërehet në njohuritë dhe të shprehurit e gjuhës shqipe dhe malazeze tejet të kufizuara, për të mos thënë qesharake, nëse i kemi parasysh paraqitjet e tyre publike”
Box 3:
“ Ndoshta do të vijë dita kur shqiptarët dhe të tjerët që vuajnë shumë nga lavditë e rreme, sidomos në kohët e sotme, ku këtë fenomen e hasim ngado, do të zbardhen dhe të përgjigjen para organeve të drejtësisë. Ndërkaq, analfabetët funksionalë të partive politike shqiptare s’duhet të kenë frikë, sepse diturinë nuk ua merr askush”