21/12/2024

Amantia kur lindi dhe sa të shuhet dheu, është ilire

0
DIGITAL CAMERA

DIGITAL CAMERA

Nga Gëzim Llojdia

Prof Dr. Neritan Ceka,  ngre një alarm dhe me të drejtë, kur thotë se një nga zyrat e M. Kulturës  duke publikuar të dhënat për qytetin antik Amantia  e cilëson qytetet grek. Prof Ceka shkruan:Edhe Amantia e lashte na doli greke ?!!!

Profesor Neritan Ceka denoncon një tjetër skandal te zyrtareve qe paguhen nga taksat tona për te mbrojtur trashëgiminë. Ne faqen e internetit te parkut te Amantias ajo prezantohet si një qytet grek.

Ceka: “Mendova se një faqe e tille , ku qyteti ilir Amantia cilësohet si polis grek, ishte hedhur ne internet nga vorioepirotet, por rezulton se i përket një zyre vartëse te Ministrisë së Kulturës, e njëjta që  publikoi thënien e Sgarbit për “theatrin grek” te Bylisit. O tempora, o mores!”

Për ata qe mund te kenë dyshime ja linku i faqes:

http://archeoparks-albania. com/amantia/html/amantia. html

Qyteti antik i Amantias gjendet i shtrirë në kreshtën e një kodre mes dy majave në këmbë të një varg-kodrinash.

Kjo qendër e hershme ilire e shtrirë në hapësirë dhe në kohë, sot gjenden rrënojat e saj, lindur e lulëzuar në 10 shekuj në ndryshim e pasurim të vazhdueshëm. Emërtimi i vendeve:1-gropa e Kovacit, 2-kalaja, 3-lëmi i Pecit, 4-Qafa e varreve 5-qafa e Pazarit.

Epiqendra e qytetërimit në një zonë të tillë kodrinore gjendet në lartësinë 613 m mbi det. Në këtë pikë pozicionohet kodra më e lartësuar ku fillojnë rrënojat e qytetit antik, duke pësuar shtrirje në kohë nëpër sheshet e tarracave. Kodra ku ka jetuar për 1 mijë vjeçar qyteti ilir i Amantias ka formë koni. Ajo është pjesë e veçuar nga vargmali, që përthyhet me një përrua. Qyteti antik Amantia gjendet në kodrinën që ka mbajtur këtë qytetërim ilir në mes të rrjedhës së dy lumenjve me një shtrirje deri në det. Në verilindje lumi Vjosë i krahinës Mallakastër. Në jugperëndim shtrihet lugina e lumit Shushicë.

Qyteti antik Amantia ka identitetin e vet . Amantia ka qenë dhe mbetet një qytet ilir në Ilirin e Jugut. E parë një rrafsh vlerash, Amantia ka  qenë qendër e zhvilluar në Ilirin e Jugut. Ky qytetërim ilir ka njohur një zhvillim të madh ekonomik, material, shoqëror, shpirtëror. Qyteti Amantia është zhvilluar një zonë kodrinore. Aty është rrënjëzuar , nga të dhënat dëshmohet se në shekullin e IV p. e. s është një qendër e rëndësishme. E zhvilluar në zonë kodrinore nën këmbët e malit, qyteti antik ka qenë i fortifikuar me murre. Por në ndryshim nga qendra të tjera që i përkasin kësaj periudhe, qyteti i Amantias e ka kapërcyer këtë dimension fortifikues, duke kërkuar dhe gjetur shtrirje jashtë mureve përreth akropolit. Ndryshimi befasues në Amantia  është vrejtur në ngrehinat, ndërtesat publike, këto ndërtime nuk gjenden të shtrira në toka pjellore anës lumenjve, por në lartësi kodrash brenda shesheve ose tarracave, që rrethoheshin me murre. Amantia është fokusuar shekuj më parë në dritën e botimeve të huaja. Studjues, udhëtarë, arkeolog , gjeograf, të gjithë këta duke kërkuar rrënjët e një qytetërimi të lashtë ilires kanë ndriçuar pjesë nga ky qytetërim dhe monumentet e tij , por ajo që i ka befasuar të gjithë këta ka qenë mënyra e ndërtimit të qytetit të lashtë në shpatet e një mali. Ndonëse studiuesit citojnë se qytetet ilire u ngritën në lartësi të tilla, Amantia ky qytet i lashtë të mrekullon sot me këto monumente të tilla që shprehin artin e ndërtimit ilir në lartësi malesh e shpatesh duke krijuar vende për godina dhe ambjete që i duhen një qyteti malor për të zhvilluar jetët e tij por duke zgjidhur më parë një mënyrë inxhinjerike veprat monumentale që më parë se nga letrat kanë shpërthyer nga shpirti krijues e ndërtues i këtyre popujve sa të lashtë, aq të mençur të ditur, të zot, për të sjellë qytetërime atje ku bota e ka patur të vështirë ardhjen e tyre, shtrirjen e tyre, prandaj mbeten të pakët sot të tillë qytetet të zbuluar , mbeten atraksione të veçantë midis të cilëve Amantia sot është prezent , është pjesë e këtij trualli që mbetet pjesë e jona e gjithhershme është qytetërimi i paraardhësve tanë, pjesë e një historie të ndriçime, të pashkueshme nga kohët. Në shpatet e këtij mali kanë gjezdisur me ditë kërkuesit, për të rënë në gjurmët e këtij qytetërimi , aty ku dheu ynë e kishte përpirë brenda  barkut të tij. U fsheh, u humb dhe u largua për kohë-shekujt Amantia, por ora e ndriçimit të saj mbriti. Amantia sot është hapur park Arkeologjik. Është një qendër arkeologjike e vizitueshme. Amantia afron stadiumin si vend të vizitueshëm, që në botën tonë janë të rrallë, atraksione të tillë në shpatet e këtij mali në jug të Shqipërisë. Duke njohur nga gërmimet arkeologjike Amantien, nuk kërkon shumë shqyrtime, arsyeja e ardhjes së studiuesve të huaj në shpatet e këtij mali për të gjetur këtë qytetërim. Nëse Amantia do të ishte veçse një qendër e vogël e pazhvilluar, nga hartat e kohës ajo do të ishte fshirë përgjithmonë ashtu si tjera qendra të tilla që humbën rrugës, nën baltovinën  e ftohtë. Interesi për Amantian ka lindur nga arsyeja e thjeshtëzuar . Amantia ka qenë një qendër e një qytet që ka pasur si kohë shekujt dhe ndoshta një mijë vjet jetë. A mund të humbte , ose të fshihej një kohë kaq e gjate jete e një qytetërimi dhe pikërisht atij ilir?Ka qenë pasioni i të gjithë kërkuesve të huaj dhe vendas atyre që në veprat e tyre kanë cekur Amantin si qytetërim  në shpatet e këtij mali. Prandaj Amantia rron, flet historia e këtij qytetërimi ilir me gjuhën e monumenteve të saj, që janë sot pjesë e një trashëgimia të hershme të paraardhësve tanë.

. . . Arkeologu që udhëhoqi grupin e kërkimit dhe që gërmoi në Amantia, quhet; Skënder Anamali dhe në botimin :”Amantia”(Iliria Nr 2 viti 1972) shkruan: Në juglindje te Vlorës, sapo hyn në luginën e Shushicës, te tërheq vëmendjen, midis kodrave që shtrihen ne këmbët e malit te Kudhesit, një maje shkëmbore e vetmuar, e cila ngrihet lart si një kon i madh. Një majë tjetër shkëmbore, përsëri te këmbët e malit të Kudhesit shihet edhe nga lindja, duke ardhur nga Te¬pelena . Të para së afërmi, dy majat shkëmborë formojnë një kreshtë, e cila zgjatet gati 1 km, me drejtim verilindje-jugperëndim. Kuota më e larte e saj është 613 m, mbi nivelin e detit dhe ndodhet ne skajin verilindor. Mbi këtë kreshtë dhe përreth saj, janë të shpërndara shtëpitë e fshatit Ploçe. Ne këtë kreshte dhe poshtë saj, bashke me disa trakte muresh rrethues ruhen rrënoja të ndryshme të një vendbanimi të lashtë. Muret rrethues, qe shihen ende ne këmbë, monumentet e zbuluar ne gërmimet, sendet e ndryshme që dalin ne drite, të gjitha janë mbeturinat e qytetit ilir, Amantia. Amantia u zhvillua si qytet në kodrën e larte dhe në tarracat e saj. Kodra e veçuar me anën e një qafe, lidhet me trungun e malit të Kudhesit. Në kohët e lashta pllaja e sipërme e kodrës ishte e rrethuar me mure fortifikimi. Qyteti i lashtë u zhvillua jashtë këtyre mureve, përreth Akropolit. Kjo ka bërë, që qy¬teti Amantia, të mos kishte pamjen e zakonshme të qyteteve ilire. Godinat dhe banesat e tjera u ngritën në sheshet e tarracat e mëdha të sajuara, te zgjeruara dhe te forcuara me mure, në anët e ndryshme të kodrës. Këto sheshe e tarraca kanë lartësi të ndryshme.

. . . Duke shkruar për këtë qytet ilir S. Anamali shpjegon:Amantia ka qenë një nga qytetet e pakta të Ilirisë, për të cilin ka edhe ndonjë informate në burimet e shkruara. Amantia, si qytet, ka patur një jetë gati njëmijë vjeçare. Ajo ka patur një pozitë të mire, lidhej me luginat e lumenjve Vjosa e Shushica dhe me rrugët e lashta, që kalonin nëpër to. Ky pozicion bëri, që Amantia të transformohej në një nyje të rëndësishme në marrëdhëniet treg¬tare midis bregdetit jugor të Ilirisë dhe krahinave të brendshme, sidomos të vi¬seve jugore e jugperëndimore, duke përfshirë edhe një pjesë të Epirit Verior, të cilat, të veçuara nga malet, lidheshin ndërmjet luginës së Vjosës me Apoloninë. Në shek. IV p. e. s. Amantia filloi të zhvillohej si një qendër e rëndësishme skllavopronare, duke marrë ne shek. III-II p. e. s. pamjen e një qyteti të vërtetë antik. Ajo mbeti si e tillë deri në fund  të shek. I p. e. s. Në kohën perandorake, me gjendjen  që u vendos në provincat ku e gjithë ekonomia kryesore e treg¬tia e madhe kishte kaluar në duart e pushtuesve romake, Amantia e humbi rendësin e saj të dikurshme. Vërtet që ajo, në fund të antikitetit përmendet si një qendër peshkopate, por në mesjete ishte zhdukur si qytet, megjithëse emri i saj nuk ishte harruar plotësisht.

. . . S. Anamali na thotë në vitin 1972:Kërkimet e para për identifikimin e rrënojave të Amantise filluan në shek. XIX. Që në gjurmimet e para ajo u lokalizua në rrënojat e fshatit Nivice të Kur¬veleshit. Por më vonë do të mbizotërojë mendimi se Amantia duhet kërkuar në Plocë, dhe jo gjetiu. Udhëtarë e arkeologë të huaj erdhën në Ploçë, i panë disa nga monumentet antike, që ishin mbi sipërfaqe, i përshkruan dhe mblodhën materiale të ndryshme dhe u larguan. Në rrënojat e Amantisë, kërkimet dhe gërmimet sistematike filluan pas çlirimit. Ata treguan se qyteti ilir, Amantia, megjithë pozitën malore të tij, ka  qenë një qendër e rëndësishme e kësaj krahine të Ilirisë  së Jugut dhe se për një kohë mjaft të gjatë ka patur një jetë ekonomike e shoqërore të gjallëruar dhe një kulturë materiale e shpirtërore të përparuar.

. . . Duke ju referuar S. Anamalit i cili shkruan në këtë material, por të mos harrojmë vitin  ekëtij punimi :Burimet e shkruara për Amantit dhe Amantin, sikurse në përgjithësi për iliret e Ilirinë, janë  të kufizuara e të fragmentuara. Pak dimë për këtë qytet, edhe më pak për banorët e tij. Pjesa më e madhe e tyre kanë përmbajtje thjesht gjeografike. Sipas auto¬reve të lashtë antike, Amantia i përkiste Ilirisë dhe amantet kanë qenë ilire. Pas vitit 148 e. sonë Amantia bënte pjesë në provincën e Maqedonisë, e cila përfshinte edhe një pjesë të Ilirisë së jugut. Në një ndarje tjetër të provincave te perandorisë romake ne Ballkan, në shek. II. e. s. Amantia i takon provincës së Epirit të Ri. Na kumtohet se Amantia u bashkua me Cezarin në luftën kundër Pompeit ose se shumë shekuj më  vonë , nën muret e saj të rindërtuar nga Justiniani, ushtria bizantine luftoi kundër saraqeneve. Kuptohet vetvetiu se të gjitha këto janë fare pak për një qytet si Amantia, i cili pat një jetë gati njëmijë vjeçare.

. . . Në shek. IV p. e. s. Amantia njihej si një qytet ilir. Por krahas qytetit Amantia kishte edhe një krahine te quajtur Amanti, e cila zgjatej deri në bregdet.

. . . Sipas Ps. Skylaksit, amantet janë ilirë nga bulinet dhe Amantia nuk është një qytet grek, qytete greke janë Apolonia e Epidamni.

. . . Plini, duke u mbështetur të Theo¬pompi, i ka quajtur barbare amantët bashke me bylinet. Nuk është vështirë të gjendet kuptimi i fjalës barbarë, pasi të lexohet i gjithë paragrafi (111 23, 26) .

. . . Për Stefan Bizantinin Amantia ka qenë krahine e ilirëve.

Deri diku të qartë janë edhe kufijtë e territorit të banuar nga amantët. Në malet Keraune ata kufizoheshin me kaonet. Fqinje juglindore te tyre ishin atin¬tanet kurse në lindje kishin bylinët. Me këta të fundit duhet thënë se amantët kanë pasur një afërsi të madhe. Në disa njoftime më të vona, të dy qytetet Bylis e Amantia, përmenden gjithmonë bashkë, që lë të kuptohet për lidhje shumë të ngushta midis tyre, pa përjashtuar edhe origjinën e përbashkët. Tekstit të Ps. Skylaksit, ju bënë disa korrigjime. Kështu titulli «Iliret» u zëvendësua me «Taulantet». Në kohën kur u shkrua vepra e Ps. Sylaksit (vjetet 350-340 p. e. s) qendra e shtetit ilir ishte spostuar nga perëndimi i Ilirisë Jugore dhe në krye të këtij shteti ishin dinastë nga fisi i taulanteve. Sido që të interpretohet titulli i paragrafit të 26 të veprës se Ps. Skylaksit amantët mbeten ilirë.

. . . Duke pranuar titullin «taulantët» ne mund të mendojmë, dhe kjo nuk na duket e pamundur, se Amantia si krahinë e si qytet, në atë kohë ndodhej nën vartësinë e shtetit ilir. Ngjarje të tilla si kalimi i qyteteve Apolonia e Dyrrah, nën vartësinë e shtetit ilir dhe venja e Pirros me forcën e armëve në fronin e mbretërisë molose nga mbreti ilir Glaukia, e përforcojmë këtë mendim. Me dobësimin e shtetit ilir, me fuqizimin e shtetit të Epirit, në kohen e sun¬dimit të Pirros, Amantia hyri në përbërjen e shtetit të Epirit. Këtë ngjarje, me sa duket, kanë patur parasysh Antigoni, që e përmend Amantine në veprën e tij kushtuar, përshkrimit të Maqedonisë dhe Prokseni, bashkëkohës i Pirros, i cili i radhit abantet me kuptimin amantët  në listën e fiseve epirote . Për këtë arsye, disa shekuj më vonë, sigurisht duke u mbështetur në burime të tilla, Hezyhu do t’i quajë amantët epirote. Për dy shekuj me radhë burimet për Amantine heshtin. A duhet menduar se amantet ishin ende nën vartësinë e shtetit të Epirit dhe deri kur zgjati kjo gjen¬dje? Ka shumë  të    ngjare që, pas vitit 268 p. e. s. , Amantia të jetë bërë e pavarur, duke filluar edhe prerjen e monedhave me emrin e banorëve të saj. Amantia mbeti e pavarur edhe më vonë. Këtë e vërteton edhe fakti, që Amantia (në te vërtetë në formën Abantia) është në listën delfike të theorodokeve, të datuar në vitet 220-189 p. e. s. l. Për shek. II p. e. s. për Amantin nuk ka asnjë lajm. Nga një kumtim i Tit Livit mësojmë se bylinet, sikurse edhe apolloniatet e dyrrahasit, i dhanë ndihmë ushtrisë romake në luftën e vitit 168 p. e. s. ll Duke ditur lidhjet e ngushta ndërmjet amantëve e bylineve, mund të mendojmë se raporte te tilla, kanë ekzistuar edhe midis amantëve dhe romakëve. Në  shek e tjerë Amantia, në qoftë se nuk kishte ruajtur pavarësinë e plotë, gëzonte së paku një autonomi të brendshme, të cilën vazhdoi ta ketë edhe në shek. I p. e. s, sikurse vërehet nga prerjet monetare të kësaj kohe. Kjo pozitë e privilegjuar e Amantisë tregon se ky qytet, sikurse edhe Bylisi e Apollonia, atintanet e parthinet, mbajti anën e Romes, gjatë luftërave të Romës kundër shtetit ilir e atij maqedon. Ka edhe një mundësi tjetër, amantët bënin pjese në një koinon fisesh e qytetesh të kësaj tre¬ve, në krye të cilit qenë bylinët, ndoshta për një kohe edhe atintanet. Këtu mund të ndihmonin të dhënat e Ps. Skylaksit, Aristolelit e Strabonit. Tani për tani këtë duhet ta pranojmë si hipotezë. Në burimet e shek. I p. e. s. Amantia përmendet si një qytet i Ilirisë se Jugut bashkë me Apallonine, Bylisin e Orikun. Amantia jetoi me ngjarjet që u zhvilluan në këto vise në kohën e luftërave civile të Romës. Por asgjë më tepër veçse qëndrimit, që qyteti mbajti kundrejt dy palëve ndërluftuese, në fillim në luftën midis Cezarit e Pompeut dhe më pas në atë midis M. Antonit e kundërshtarëve të tij.

Me vlerë janë dy shënimet e Plinit për Amantin. Duke lënë në një anë kumtimin, që Amantia bënte pjesë në provincën e Maqedonisë, e cila nuk përcakton etnicitetin e banorëve  të këtij qyteti, të Plini lexojmë se amantët ishin “barbarë” e “të lirë”. Shënimi i dytë, pas të parit, që tregonte etnicitetin e amantëve, zbulon gjendjen e tyre kur jetonte natyralisti romak, amantët janë të lirë kurse fqinjët e tyre bylionët jo, mbasi qyteti i tyre është shndërruar në koloni. Aman¬tia, si Apolonia në veri e Foinike në juge, ruajtën një farë autonomie gjatë push¬timit romak.

. . . Në lidhje me territorin e Amantisë, dhe shtrirjen e saj në bregdet janë me interes, padyshim, të dhënat e Ps. Skylaksit a të Ptolemeut.

Duke vijuar argumentin e autorit të vitit 66 thuhet se:Në paragrafin e përmendur thuhet se Amantia kishte një rrip toke të gjatë 60 stade. Sipas disa dijetareve, në këtë bregdet, kishte një qytet, i cili nuk është qyteti i brendshëm. Për ekzistencën e dy Amantive kumton edhe Ptolemeu, një qytet në brendi të vendit dhe për një skelë, që del në det. Këto dy njoftime si edhe njoftimi i Lykofronit, për një qytet bregdetar dhe lidhja e tij me abantët, i ka dhënë shkas diskutimeve të ndryshme dhe ka bërë që të shkruhet, natyrisht në mënyrë  të gabuar, për dy qytete Amantia. Na duket se duhet të pranojmë, shprehet autori në vitin e largët 66 ,  që si Amantia dhe Bylisi kishin nga një korridor të ngushte në breg të detit dhe një liman, më në veri Bylisi dhe më në jugë Amantia.

. . . Në disa burime të shkruara të autoreve antike, në lidhje me qytetet e Ilirisë Jugore, janë ruajtur legjenda të udhëtimeve të grekeve, të cilat amantët i bëjnë abantë, bylinët i bëjnë myrmidone dhe orikët kolke. Konfuzioni midis amanëtëve e abantëve nuk është aq i thjeshtë. Lykofroni, në poemën e tij Aleksandra, e ka sjellë Eleferorin, kryetarin legjendar të abantëve, në tokat e Amantisë, por pa i identifikuar abantët me amantët. Banorë të krahinës së maleve Keraunë, pra fqinj të amantëve, i ka bërë abantët , Apollon Rodi.

. . Stefan Bizantini, në zërat Abantis e Amantia, është përpjekur të shpjegoje lidhjet Amantia-Abantia dhe amantë-abantë duke thënë se shkroja b është kthyer në m nga «barbaret» (s. v. Abantia). Ky kthim bëri që Kalimaku, në veprën e tij«Përshkrimi i Maqedonisë», të përdorë emrin Amantia në vend të Abantia. Më poshtë ai thotë se Amantia ishte një krahinë e ilirëve, por banorët e saj i quan abantë (s. v. Amantia).

Emrin Abantia, në vend të Amantia e ka edhe lista e theorodokëve  të Delfit e fundit të shekullit III dhe e fillimit të shek. II p. e. s.

. . . Le të sjellim një përshkrim tjetër të autorit S. Anamali duke sjellë shumë shembuj:Një version tjetër të legjendës ka lënë Pausania, në veprën e tij « Përshkrimi i Hellades». Ai tregon se në Olympia, pranë vendit të quajtur Hipodam, gjendej një monument skulptural, i punuar nga skulptori Lykio dhe e kushtuar Zeusit nga apolloniatët. Sipas kushtimit të kumtuar prej tij, monumenti ishte ngritur nga apollaniatët, pas fitores së tyre kundër abantëve, me një të dhjetën e plaçkës së marrë  në qytetin e tyre Thronion. Më tej Pausania shkruan se Thronioni ishte një qytet i krahinës së Abantise dhe se kjo e fundit i përkiste Thesprotisë. Qy¬teti u ngrit nga abantët e Eubesë së bashku me lokret e Thronionit, pas udhëtimit në det dhe vendosjes së tyre pranë maleve Keraune. Thronionin e shkatërruan, mbasi e pushtuan apolloniatët, duke i dëbuar prej andej abantet. Kjo ngjarje është datuar në gjysmën e parë të shek. V p. e. s. A duhen më të  vërtetë të lidhen e të identifikohen amantët me abantët e Eu¬besë dhe ku gjendej qyteti i abantëve Thronion? Këto kanë qenë dy pyetje, të cilat studiuesit janë orvatur t’i sqarojnë. Dëshmia e Pausanise për ex-voton e Apolonisë nuk mund të vihet në dyshim, aq më tepër, sepse në gërmimet e bëra në Olimpia janë zbuluar mbeturinat e monumentit të ngritur nga apolloniatot dhe të parë e të përshkruar nga Pausania.  Emrin e qytetit Thronion e gjejmë për të parën dhe të fundit herë vetëm te Pausania.

Emrin e Thronionit nuk e dëgjoi në shek. IV p. e. s. Ps. Skylaksi, ai nuk e gjeti krahinën bregdetare në jugë të Apolonisë, të pushtuar prej saj, por të banuar nga amantët. Kujtimi i Thro¬nionit nuk u ruajt te asnjë gjeograf tjetër, të cilët përshkruan këtë krahine, ndërsa skoliastët e poetët do përdorin fjalën abantë, historianët e gjeografët do të preferojnë formën e emrit amantë. Kjo do të jetë edhe legjenda, që do të mbajnë monedhat e prera nga qyteti Amantia. Në lidhje me këtë çështje, duhet bërë da¬llimi midis traditës që i jep emrin e qytetit dhe të banoreve në trajtat Amantia¬-Abantia e amantë-abantë, dhe legjendës se udhëtimit dhe të ardhjes së abantëve eubeas. Ajo çka thonë Apollon Rodi, Lykofroni e St. Bizantini për amantët, nuk ka asnjë lidhje me gjeografinë administrative të krahinës sonë në shek. IV-III p. e, s. Në qoftë se pranojmë ekzistencën e një qyteti Thronion në Ilirinë e jugu duhen dëshmi arkeologjike për ta provuar, por ato, tani për tani, mungojnë. Nuk mund ta lidhim Thronionin me Amantine e vonshme por duhet ta kërkojmë më afër maleve Keraune, më afër detit dhe qytetit Orik.

Një dëshmi të vyer jep  në vitin 1965, Hasan Ceka”probleme të numizmatikës ilire”-kapitulli “Monetat e Amantias”. Autori shkruan:Qendra ekonomike ma e randesishune e krahinës ma jugore  të Ilirisë, që preu moneta autonome, ishte Amantia . Qyteti malor Amantia (624 m. mbi det) gërmadhat e  të cilit shtrihen mbrenda tokave të katundit Ploçë, nja 35′ km ne juge-lindje te Vlonës, ka qenë njani nga qytetet ma të para , ku mënyra skllaviste e prodhimit muejti te bahet sistem sundues shoqnor të paken qysh nga shek. IV. para e. s, tue i dhanë kështu hov të madh zhvillimit ekonomik, shoqnor e kultural jo vetëm të qytetit, por të krejt krahinës, që banohej nga fisi i amantëve. . . Amantia dhe qytetet e krahinat përreth sajë, d. m. th. krejt lugina e Shushicës, rreshtohen nga shkrimtaret e vjetër ne përgjithësi  në listën e qyteteve dhe fiseve ilire nuk ka prandaj asnjë arsye bindëse që qyteti ilir të ketë pësue fatin e krahinës s’Epirit e te jetë përfshi ne listën e 70 qyteteve, qe u bane hi e shkrume nga romake

. . . Po e mbyllim me shprehjen  e A. Spahiu sjell shprehjen e mirënjohur të H. Krahes:”Pa ilirët nuk do të kishte Spartë, nuk do të kishte dorë, pa ilirët nuk do të kishte romakë. . .

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok