05/12/2025
Tahiri-Gjaku-Drite

Kush nderon historinë, krijon ardhmërinë!

Hartë e Atdheut të shqipeve e qepur me fije gjaku: Drenica-Artakolli-Qyqavica!

Nga Bedri Tahiri

Sa herë ndizej zjarri liridashës në Drenicën heroike e përcëllonte edhe Artakollin kryengritës. Një melodi e ndërsjellë. Mbase vetë Orët e Qyqavicës mitike ua kishin përcaktuar fatin e përbashkët. Këtë më së miri e dëshmon historia, e djeshmja dhe e sotmja. Mbase, edhe e ardhmja.

Dhe, përherë tok; në kohën e Azem Galicës, në kohën e Shaban Polluzhës, në kohën e Adem Jasharit.

Të parët tanë historinë e shkruan me gjak dhe na e lanë amanet këtë copë Atdhe, mbushur me varre, me beteja, me ngjarje, me këngë…

Një Atdhe mbushur me Lisa të pamposhtur, që me suksese u përballuan stuhive shkatërrimtare!

Ngjarje e paharruar ka mbetur edhe e marta e zezë e 18 tetorit 1920, kur togu ndëshkues ushtarak serb, i udhëhequr nga krimineli Rashë Pantiqi (i njohur edhe si kapiten Rasha, i cili, që nga vitet 1910-1912, i njihte mirë këto fshatra, ngase kishte lëvizur këndej pari, me hartë në dorë, duke u paraqitur si mysliman i Sanxhakut), pas humbjeve të mëdha në Qyqavicë, nga luftëtarët e Azem Galicës, ndërmori aksionin hakmarrës të quajtur Yrrëfije, ku mblodhi 84 veta nga fshatrat e Artakollit dhe ashtu duarlidhur i pushkatoi, aty ku ditë më parë kishin humbur betejën, në Rogën e Vjedullave në Qyqavicë (sot Vorret e Qyqavicës).

Atë ditë, nga Strofci u vranë 21 veta, në mesin e tyre, katër të familjes së njohur të Bajraktarit të Strofcit (Bajram Hasanit, që ishte i vetmi bajraktar në Artakoll).

Pra, nga kjo derë e njohur atdhetarësh e bujarësh, u pushkatuan tre vëllezër: HASAN BAJRA- HASANI (Luftëtar i shquar, në betejën e Merdarit të vitit 1912 (ku mori një plagë), pastaj në Shkup, në marshimin e kryengritësve të prirë nga i madhi Hasan Prishtina, i akuzuar për vrasjen e popit të Prilluzhës (1917) dhe pjesëtar i zëshëm në Çetën e Azem Galicës), HYSEN BAJRA- HASANI, SELMAN BAJRA- HASANI dhe nipi i tyre ZYMER SEFERI- HASANI.

Ky Lis degëshumë e rrënjëthellë, sot pushon nën Lisin shekullor që përkujdeset si Ogurbardhë në varrezat e Strofcit.

Lisi nën Lis! Apo, më mirë: Lisat nën Lis!

Një amanet trashëguar nëpër breza.

Dhe, këtë amanet historik e mitik, që vath në vesh e kishte bartur Bajrami (djali i Hasanit, bashkëluftëtarit të Azem Galicës), e realizoi  i biri, mësimdhënësi  Kadri Hasani!

Bajrami qe një burrë që nuk ia hante dot qeni shkopin. Valët e jetës e hodhën andej-këndej, por qëndroi vertikalisht. Vetë e kishte përjetuar rrugën e shtruar me hithra të shpërnguljes për në Turqi, por fati e kishte mëshiruar nga shkretëtirat e Anadollit, dhe gjashtë vjet kishte qëndruar në Shkup e pastaj qe kthyer në Kosovë për të rinisur mëkëmbjen.

Ai kishte amanete të shumta, por si lajtmotiv të shndërruar në ideal jetësor kishte NJË: Këta katër burra dhe të dy motrat (njëra në Abri e tjetra në Druar), që po ashtu ishin vrarë nga plumbi i hasmit shekullor (serbit), por edhe të gjithë të vrarët nëpër luftëra e beteja, të mos treteshin në pluhurin e harresës, por të përkujtoheshin, të shënjoheshin, të ringjalleshin…

Kështu, pas më shumë se një shekulli, u vendos kjo Pllakë e përbashkët dhe katër të tjera për secilin varr, me vlera të mëdha historike- kombëtare, që unë po i quaj SHENJA TË SHENJTA! Po i respektuam këto SHENJA TË SHENJTA, kemi respektuar historinë tonë kombëtare qindravjeçare, e cila me luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kurorëzoi synimet tona ndër breza dhe sollën LIRINË!

Këto Shenja të Shenjta flasin shumë! Këto janë histori e shkuar historisë!

Vallë,  kjo punë e mirë dhe e mbarë, a duhet të reflektojë edhe në ndërgjegjen e atyre që u takon (pushtetarëve) për një Pllakë a Monument përjetësie edhe në vendin e ngjarjes, në Qyqavicë!

Pa koment! Historia mban shënime dhe nuk falë askënd! I papërsëritshmi Hasan Prishtina këshillonte që të ruhemi nga mallkimi i historisë!

Epo nuk thuhet kot: Kush nderon historinë, krijon ardhmërinë!

Të lumtë Kadri Hasani për këtë vepër pavdekësie!

Lavdi e respekt për të gjithë të rënët të asaj dite dhe të të gjitha periudhave historike!

Strofc, 10 janar 2025

Comments (0)

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok