22/12/2024

ALELUJA! NJË DHËNIE DORE DHE NJË BUZẼQESHJE…

0
Ushatarake-Hebre-Femija

– dhe dy poezi nga Palestina dhe Izraeli –

Nga Visar Zhiti

Më mrekullon kjo që po shoh: një grua me uniformën e mbrojtjes izraelite IDF (Izrael Defense Forces), po takon një vogëlushe… palestineze? Lutem të jetë kështu!

Sa dhimbje ka, madje shoh buzëqeshjen, ndërsa te fëmijët ende jo, shpresë patjetër, por te gruaja tjetër në këmbë, me të zeza, palestineze sigurisht, me aq shumë dramë e dinjitet, ka vërtet fillim buzëqeshjeje.

Te të dyja gratë ndjehet amë dashurie.

Vështroj duart e palestinezes, si me dhè më duken, ka një çantë jo lufte dhe një celular, mbase do të japë lajmin e mirë…

Duajini armiqtë tuaj, është një nga mësimet e Biblẽs, – lexoj nẽ status, – por mos iu nënshtroni veprave të tyre të kẽqia. Bekoni ata që ju mallkojnë dhe u bëni mirë atyre që ju urrejnë. Dhe ngulmohet: “Duajini armiqtë tuaj, lutuni për ata që ju persekutojnë.”- thotë Mateu 5:44.

Mes shumë komenteve gjej dhe këtë:

“…ata janë fëmijë, nuk janë armiq…”.

Po!

Do të doja që në duart e atyre zonjave, në vend të luleve, të vija nga një poezi, asaj izraelites t’i jepja atë të poetit të shkëlqyer palestinez Mahmoud Derwish, kurse palestinezes atë të poetit të shkëlqyer izraelit Yehuda Amichai, kanë qenë miq, kur jetonin të dy në Jeruzalem.

Në poezitë e tyre ka qendrueshmëri që e tejkalon dẽshpërimin dhe vdekjen, e njohin sherrnajën e madhe, më duket sikur secili ecën me nga njẽ kufomë mbi kurriz dhe e duan jetën ende më shumë, s’ka rrugëdalje tjetër, atdhe dhe mëshirë, si e Zotit dhe tek njeriu.

Dhe të dy poetët thonë fjalë tẽ tempullta. Besoni nẽ paqen, edhe të detyruar, është më e mira…

Amen!

 

MAHMOUD DERWISH

 

UNË PO VIJ PREJ ANDEJ

 

Unë vij prej andej dhe kam kujtime,

I lindur si të vdekshmit, kam një nënë

Dhe një shtëpi me shumë dritare,

Unë kam vëllezër, miq,

Dhe një qeli burgu me një dritare

të ftohtë.

E imja është dallga,

e rrëmbyer nga pulëbardha,

Unë kam pikëpamjen time,

Dhe një fije bari shtesë.

E imja është hëna në skajin

më të largët të fjalëve,

Dhe mirësia e zogjve,

Dhe ulliri i pavdekshëm.

Unë eca kësaj toke para shpatave

Trupin të gjallë e kthyen

në një tryezë të ngarkuar.

Unë vij prej andej. Ia jap qiellin një nëne

Kur qielli qan për atë nënë.

Dhe unë qaj për t’u bërë i njohur

Tek një re që kthehet.

Mësova të gjitha fjalët e denja

për oborrin e gjakut

Kështu që unë mund të thyej rregullin.

Mësova të gjitha fjalët dhe i ndava

Për të bërë një fjalë të vetme: Atdhe…

 

YEHUDA AMICHAI

 

ZOT PLOT MËSHIRË

 

Zot-i-plot-mëshirshëm, lutja

për të vdekurit.

Nëse Zoti

nuk do të ishte plot mëshirë,

Mëshira duhej të ishte në këtë botë,

Jo vetëm tek Ai.

Unë që këputa lule në kodra

Dhe shikova poshtë në të gjitha luginat,

Unë zbrita kufomat nga kodrat,

Dhe mund t’ju them se bota

është e zbrazët nga mëshira.

Unë, që isha mbreti i kripës

në breg të detit,

Kush qëndroi pa një vendim

në dritaren time,

Kush numëroi hapat e engjëjve,

Me zemrën që iu ngrit lart prej ankthit

Në zemërimet e tmerrshme.

Unë, që përdor vetëm një pjesë të vogël

Nga fjalët në fjalor.

Unë, që duhet të deshifroj gjëegjëza

Nuk dua të deshifroj,

Dije se pa Zotin-e-plot-mëshirshëm

Duhej të kishte mëshirë në këtë botë,

Jo vetëm në Atë.

(Përktheu nga anglishtja V. Zh.)

*  *  *

Tim biri i pëlqente të thoshte shpesh: Aleluja!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok