11/12/2024

Albri Brahusha, një frymë që këputet për të dëshmuar se sa i hollë është filli jetës

0
Albri-Brahusha

HOMAZH

Nga Albert Vataj

E mora lajmin e trisht të ndarjes nga jeta të Albi Brahushës, mikut të vlertë dhe zelltarit të përkushtimeve të cilësishme krijuese, përmes Facebook. Mu desh ta lexoja dhe ta rilexoja njoftimin e Bashkisë Shkodër që ta besoja se nuk është më mes nesh “Sokrati” i atyre viteve të pështjellimta, kohë ku ne kërkonim vetveten dhe rolin tonë në këtë qytet përmes idealizmave dhe ambicies për të bërë edhe ne çfarë i detyroheshim këtij qyteti që nuk ishte vetëm vendlindja jonë, por edhe përfaqësim dhe përgjegjësi. I pata vënë nofkë “Sokrati”, për mendimin e pasur filozofik që pasuroi bisedat dhe takimet tona. Dhe ashtu e thërrisja sa herë takoheshim dhe shkëmbeheshim.

Edhe pse mbeti kohë e gjatë në mes që nuk u takuam, ai ishte një mik, me të cilin më lidh koha kur rrekeshim të thurnim ëndrra të idealizuara, në një përpjekje për të qenë një brez që zgjatonte në historinë e Shkodrës, këtij qyteti që lindte dhe përtërinte gjeneratat, si një shërbesë e shenjtë e mbajtjes së ndezur të flakadanit të lavdishmërisë së këtij qyteti, dhe gjithë atyre që erdhën dhe ikën, atyre që lanë në themelet e këtij caku të qenësishëm qytetërimi, emrin dhe veprën e tyre si dëshmi.

Dhe Albi Brahushua ishte njëri prej atyre, që u përpoq dhe bëri më të mirën, që të jetë një gjurmë inkandeshentë në rrugëtimin e dritshëm të Shkodrës.

Duke kthyer kohën pas dhe shfletuar ndërmendjet që më lidhin me Albin, kujtoj se është marsi i vitit 1994, kur deli numri i parë i gazetës “Thyerje”, një përpjekje modeste e promovimit të pikëpamjeve dhe krijimeve, mundësive dhe përçapjeve tona rinore. Kjo gazetë ishte zëri i fillimtë i Shoqata Rinore, Kulturore, “Kristal”, ku Albi Brahusha qe ndër themeltarët dhe kontribuesit.

Nuk mund të mos kishte Shkodra një përçapje të ëndërrtarëve për të besuar se ajo meritonte të ishte në aradhën e lavdishme të së shkuarës, së tashmes dhe ardhmërisë. Pavarësisht mundësive minimale dhe vështirësive për të implementuar, projekte kulturore dhe evidentuar vlera që ky qytet mbarështonte, ne besuam dhe ngulmimet tona i formalizuam në vepra, bëmë më të mirën. Bashkë me Albin, i cili, që sot ka marrë udhën e përjetësisë, ata që i mblodhi “Kristal” në kthjellësinë e zërit të vet, ishin Blendi Kraja, Irhan Jubica, Anila Zhugri, Albert Vataj, Gilmana Bushati, Kujtim Kraja, Bardhyl Ulqinaku, Almir Haxhia, Aferdita Isufi, Brikena Smaja, për të vazhduar me ata që ju bashkuan kësaj lëvizje t’përtrimjes së qytetit; Eduart Grishaj, Arben Prendi, Brikena Smajli, Bujana Hoti, Entela Tabaku, Ilda Toska, Ledia Dushi, Niketa Stefa, Vjollca Osja, Siana Elezi, Valbona Karakaçi, Meritan Spahija, Silvana Lahi, Blerti Delia, Marjan Shkreli, Ledri Kurti, Ermira Juka, Mimoza Muça, Blerinda Çarçani, etj., etj. Veç aktiviteteve të shumta për letërsinë, pikturën, teatrin, artin në përgjithësi, kulmoi kjo përpjekje ku një rol të veçantë luajti edhe Albi Brahusha, me publikimin e përtremuajshems “Orana”, për të vijuar me revistën “ARS” të Irhan Jubicës, periodik letrar, numri i parë i të cillës doli më 31 mars 2002 dhe i fundit 26 gusht 2006.

Dhe ja ku jemi sot, sot kur Albi ka marrë rrugën e amshimit, për të lënë pas kujtimet dhe vlerat e një vepre. Ngulmimet në një rrekje për të ribërë të shkuarën dhe ngucur dhimbjen e kësaj ndarjeje të beftë, na tregojnë se sa i hollë është filli i jetës dhe sa e pabesueshme dhe e trisht është një ikje si kjo e mikut të mirë dhe të talentuar, Albi Brahusha.

Kujtojmë se Albri Brahusha u lind në Shkodër në vitin 1973. Në vitin 1996 kreu studimet e larta për drejtësi në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”. Ai ka qënë jurist pranë Insitucionit të Prefektit në vitin 1997-1999, shef i zyrës juridike të Prefekturës në vitin 2000, Drejtor i Drejtorisë së Koordinimit te Politikave Rinore pranë Ministrisë së Kulturës nga viti 2000-2003.

Në vitin 2014 – 2015 emërohet përgjegjës i zyrës së programeve të zhvillimit pranë Drejtorisë Arsimore Shkodër. Në fushën artistike ai ështe autor i disa librave dhe botues i revistës ” G&G”, ndërkohë që është autor i veprave teatrale të vëna në skenën e Teatrit “Migjeni” : “Përrallat gënjejnë”, me regji të Serafin Fankos, “Vizita e fundit”, “Ishulli i Shitenit”, “Drejt perëndimit”,” Përtej kufijve të pushtetit”, “Eldorado” me regji nga Fatbardh Smaja e Spiro Duni, të cilat u vlerësuan me shumë çmime kombëtare dhe ndërkombëtare.

E megjithatë Albi nuk është më prej sot 6 shkurt 2024. Ai do t’i mungojë Shkodrës, siç do të mbetet një dhembje për familjen dhe të afërmit, kolegët dhe miqtë. Sepse vdekja është e tillë tinëzare dhe e pamëshirshme. Ajo nuk pyet për moshën, për arritjet tuaja, për ëndrrat dhe projektet. Ajo, vjen të të thotë, ndalo, deri këtu ishte rruga jote, çfarë ke synuar dhe ke përmbushur ato mbeten, shpirti yt dhe të tjerat i përkasin përjetësisë.

Lamtumirë miku im, Albi Brahusha!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok