21/11/2024

Albert Vataj: Caqet e njeriut dhe shkrimtarit te Ismail Kadare, ngadhnjyesit të epokave dhe mendësive

0

Caqet e njeriut dhe shkrimtarit te Ismail Kadare, ngadhnjyesit të epokave dhe mendësive

Nga Albert Vataj

Më 28 janar të vitit 1936 u lind në Gjirokastër, Ismail Kadare. Ai është një nga përsonalitetet më të rëndësishme të identitetit tonë kombëtar, figura më përfaqësuese e integritetit tonë europian. Edhe pse ndaj tij nuk kanë reshtur një armatë e tërë baltëhedhësish, sërish ai ofron veprën si provë e pafajësisë, si dëshmi e një nevoje për kthjellim.

Ky korife vazhdon të mbetet qëndrestar  nën një mal akuzash dhe sharjesh nga më të flligtat, çlirimesh të mbartura zehri dhe helmi që ndërsehen mbi të pareshtur. Ai edhe sot pas kaq vitesh mban mbi supe peshën e moshës dhe përballjes me ata që shamatojnë e çuçurisin, kërcëllijnë dhëmbët e zgurdullojnë sytë, ngjyjnë gjuhën në zehër dhe ndërsejnë një lukuni hijenash. Më gurin e rëndë të inateve, që i marrin me vete kudo ku shkojnë, ata mprehin thonjtë e rreken të çjerrin taftin shndritës të famës që e fillëron atë si një breror mbi krye. Duket se hera-herës, ai, Ismail Kadare nuk i dëgjon, por piskama e tyre është frymë, është gjendje, është ajër që i vihet nga pas duke ia përshkuar me trazim gjithkund udhën që ai heq. Një luftë e “viktimave” të komunizmit apo një makth ziliqarësh e zullumqarësh, ende nuk dihet se çfarë e përbën në të vërtetë këtë masë tumorale që i është ngjitur shtatores së gjallë të këtij shqiptari dalzotës.

Asnjë përfaqësues i botës shpirtërore shqiptare nuk është sulmuar më shumë se ai. As vetë e keqja nuk ka gjetur zelltarë më të përkushtuar. Të gjithë, të gjithë ata që kanë zgjedhur të mos e adhurojnë, e urrejnë për vdekje. Aq mllef dhe inat, aq helm dhe neveri, sa ç’është ndërsyer ndaj tij, nuk mund të ishte privilegj i asnjë demoni. Me ose pa arsye, mes tyre ka gjithnjë një ndasi vrastare, një hendek të thellë që përpin gjithçka. Ç’nuk kanë thënë për të dhe gjithë ky gojim ligan ka përzier të vërtetat që e bëjnë atë më faj, me gënjeshtrat dhe xhelozitë, me trillimet dhe legjendat urbane, me keqkuptimet dhe keqinterpretimet, aq sa edhe sot do ta ketë të pamundur dikush të ndaj tek ai mëkatarin me të devotshmin, grurin nga egjra.

E donin të vdekur, sepse vetëm ashtu ai mund të lante gjynahet, ligësitë që e lidhin me Kadrenë njeri dhe Kadarenë shkrimtar, me Kadarenë, të përkëdhelurin e diktatorit me Kadarenë, Kadarenë si përfaqësues i Realizmit Socialist dhe Kadarenë si pena më përfaqësuese të lëtrave shqipe në botën e madhe.

Ai nuk ka pretenduar asnjëherë shenjtorin, por vepra e tij e ka shenjtëruar shqiptarinë dhe historinë tonë në gjithë doktrinat e mendimit letrat.

Gabimet dhe fajet që e penalizojnë, nuk mund ta dlirin për ta bërë atë të përkorë, por do të ishte asgjesuese dhe mjerane nëse zgjedhim linçimin dhe anatemimin e tij si heretik, pa mbajtur më parë atë çfarë i përket vlerave në të.

Ismail Kadare nuk është i pari e as fundit njeri, me të mirat dhe të këqijat rrethanore, që ka ardhur në historinë e letërsisë botërore, për të qenë edhe njeri edhe shkrimtar, për të qenë ana e ndritshme dhe e errët e një identiteti. Gjithashtu edhe kritikët, sulmuesit, refuzuesit, kundërshtuesit, urryesit, nemtarët, puritanët, ndoshta duke i parë gjërat më qartë, duke u përpjekur për të ndërtuar një marrëdhënie më të modertuar të mospranimit të Ismail Kadaresë njeri dhe Ismail Kadaresë shkrimtar, do ta kishin të mundur të çliroheshin nga ky makth, ti shpëtonin përndjekjes së amokut.

Ndoshta do të ishte më në interes të vetvetes të shikonim anën e ndritshem të këtij personazhi, atë kahje prej së cilës të marrim çfarë na intereson, çfarë është e jona, e pse jo dhe të drejtën e mburrjes nacionale, sepse jo për “fajin” tonë, tre janë emrat që na lidhin me njohjen si shqiptarë në botë, Skënderbeu, Nënë Tereza dhe Ismail Kadare.

Ndoshta nuk është kryekëput faji i tij nëse prirja jonë e brendshme është në qëmtimin e anës së errët të gjërave dhe ushqyerja prej tyre. Asnjëri prej nesh nuk ka pikuar nga qielli, as Ismail Kadare njeri, nuk e pretendon diçka të tillë edhe pse Ismail Kadaresë shkrimtar i rrethvjen një brerore fame që rreket ta mistifikojë atë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok