21/12/2024

AKROLISI: Historia, arkitektura dhe misteret e tij

0
Paulin-Zefi-Akrolisi1

Nga Paulin Z. Zefi

Në lindje të qytetit të Lezhës ngrihet një kon i madh me majë shkëmbore, i thepisur nga të gjitha anët, që formon një këndvështrim të dukshëm nga larg, të cilin udhëtari nuk e humbet nga sytë, duke nisur nga lartësitë e kodrave pranë Durrësit dhe deri në bregun verior të liqenit të Shkodrës (1). Ky masiv i lartë shkëmbor, që po të vështrohet nga zonat pranë tij, duket si një piramidë gjigande natyrale, ka një lartësi prej 410 m mbi nivelin e detit dhe njihet nga banorët vendas si Mali i Shëlbuemit (2). Në vitin 1854, albanologu i madh gjerman, Johann Georg von Hahn, saktëson se po ta vështrojmë nga ana e jugut, Shëlbuemi i ngjan malit të Lykabetit (Λυκαβηττός / Likavitos – P.Z.) në Athinë, por është më i lartë se ai (3). Mali i Shëlbuemit formon një kreshtë shkëmbore të ngushtë me dy maja, që zbret në një pjerrësi pothuajse vertikale drejt perëndimit e jugperëndimit dhe zbret më butësisht drejt lindjes (4). Në majën e këtij mali, që dominon të gjithë hapësirën përreth dhe nga ku mund të kotrollohet Gjiri i Drinit në detin Adriatik, gjenden gjurmët e sistemit fortifikues të një vendbanimi prehistorik ilir, i njohur si Akrolis (5). Kjo kryevepër inxhinierike ndërtimore, në trasenë e mureve të së cilës dallohen dy faza ndërtimi, cilësohet si e pashembullt në territorin shqiptar. Autorët e parë antikë që flasin për Akrolisin janë Straboni dhe sidomos Polibi, i cili na jep një pamje jashtëzakonisht të gjallë të vendndodhjes së këtij fortifikimi (6). Mjerisht, me kalimin e shekujve, janë zhdukur pjesa më e madhe e ndërtimeve të lashta dhe të vetmet struktura që i kanë mbijetuar kohës janë themelet e murit rrethues (7). Të parët që kanë rilevuar rrënojat e Akrolisit, duke na lënë një skicë-planimetri të saktë dhe një përshkrim të hollësishëm, kanë qenë arkeologu Camillo Praschniker dhe epigrafisti Arnold Schober (, të cilët, gjatë Luftës së Parë Botërore (1914-1918) ishin ngarkuar nga Akademia Perandorake e Shkencave, në Vienë, për të gjurmuar dhe regjistruar vendbanime dhe monumente në Shqipëri dhe në Malin e Zi. Fortifikimi i hershëm i Akrolisit përfshin të dy majat e malit dhe ka trajtë vezake, me drejtim veri – jug (9), me gjatësi 330 m dhe gjerësi prej 80 m (10). Muret e këtij vendbanimi të fortifikuar ilir, janë ruajtur pjesërisht në një lartësi maksimale deri në 1.50 m (11). Perimetri i fortifikimit është 800 m dhe gjurmët e mureve mbulojnë një sipërfaqe prej 1.5 ha (12). Pjesa më e ruajtur gjendet në anën juglindore, ku muret ruhen deri në 2-3 rreshta gurësh dhe gjerësia e tyre është 3.3 m (13). Ato përbëhen nga dy këmishët dhe mbushja është realizuar me gurë të papunuar dhe çakëll (14). Në skajin verior sistemi i fortifikimit duket se ka qenë veçanërisht i fortë, sepse në të dy anët e majës veriore ruhen ende gjurmët e dy kullave të hapura nga brenda, nga të cilat, ajo lindore është ruajtur më mirë dhe 40 m në jug të kësaj, në anën lindore, ruhen themelet e një kulle tjetër, por me përmasa shumë të vogla (15). Gjatësia e përgjithshme e mureve shkon deri në 500 m dhe ata qarkojnë faqet lindore dhe jugore, duke e lënë të lirë anën e thiktë perëndimore, 300 m të gjatë (16). Duke u nisur nga maja veriore dhe deri te mbetjet në majën jugore pothuajse nuk ka gjurmë, por drejtimi i murit sigurohet nga terreni së bashku me mbetjet e pakta në jug, aty ku  muri ruhet në shtresën e tij më të ulët mbi një gjatësi prej 100 m (17). Vetë maja jugore përbëhet nga një verandë si kullë, nga e cila ka tre rreshta blloqesh të mëdha, më i ulëti, i shtrirë në shkëmbin e gdhendur, 0.65 m i lartë, vijuesi 0.45 m dhe tjetri, 0.40 m i lartë (18). Vetëm në Akrolis dhe në fortifikimin më të hershëm të Butrintit janë evidentuar disa elementë që tregojnë për një zhvillim të mëtejshëm të sistemeve mbrojtëse prehistorike, sepse këtu ndeshemi për herë të parë në kthesa pak a shumë me kënde të drejtë të linjës së mureve, të cilët kishin për qëllim të siguronin një mbrojtje anësore (19). Në Akrolis ndeshemi me dy kthesa të tilla muresh, që janë lehtësisht të dallueshme, por në Akropolin e Butrintit bëhet fjalë vetëm për ato pak gjurmë që janë të ruajtura nga muri prehistorik, të cilat i përkasin pikërisht një kthese këndrejtë, që bën linja e këtij muri (20). Në anën jugore të majës së Malit të Shëlbuemit ekziston edhe një mur i tërthortë, i cili e zvogëlon lehtësisht sipërfaqen e fortifikimit nga 1.5 ha në 1.3 ha (21). Në skajin e këtij murit ruhen edhe gjurmët e një hyrjeje (22). Ajo ka një hapësirë drite 1.40 m, një korridor rreth 3 m të gjatë dhe i shërbente vendit të fortifikuar për një komunikim të afërt me vendbanimin e hapur breglumor (23). Hyrja tjetër, e cila më tepër është një posternë / deriçkë ballore, gjendet në pjesën veriore të fortifikimit (24). Materiali me të cilin është ndërtuar kështjella e Akrolisit në anën jugore, është i njëjti gur gëlqeror triasik nga i cili janë ndërtuar muret e Lisit (25). Po ashtu, dizajni dhe madhësia e blloqeve është gjithashtu e njëjtë. Ndërsa, në pjesën veriore, në vend të gëlqerorëve, janë përdorur kryesisht pllaka dhe rrasa nga shtresat e poshtme të malit, të cilat prodhojnë natyrshëm blloqe me përmasa më të vogla (26). Duke u mbështetur në ngjashmërinë e madhe tipologjike me ato të qytezave ilire të Marshejt në Malësinë e Madhe dhe të Gajtanit në Shkodër, F.Prendi dhe K.Zheku, në vitin 1972, i kanë datuar muret e Akrolisit si të fillimit të Epokës së Hekurit (27). Mirëpo, në vitin 1988, K.Zheku, duke u mbështetur te disa fragmente enësh prej balte dhe në karakterin tipologjik të ndërtimit, ndryshon mendim dhe e shtyn datimin më larg në kohë, duke arritur në konkluzionin se ndërtimet mbrojtëse të majës së Shëlbuemit mund të jenë bërë në kohë më të hershme se periudha e fundit e bronzit (28). Ndërsa, A.Baçe ka arritur në përfundimin se muratura e fazës së parë është datuar nga qeramika në shek. VIII p.k. (29), duke krijuar edhe një pikë repere për fortifikimet protourbane (30). Akrolisi njihet si qendra e parë e fortifikuar në qytetin e Lisit, duke u mbiquajtur Lisi i parë dhe është arritur në përfundimin se këtu ka jetuar një federatë fisnore, e cila merrej me bujqësi dhe blegtori. Po ashtu, në mesin e banorëve kishte edhe një grup zejtarësh, të cilët prodhonin sende për popullsinë, që banonte rreth kështjellës. Me kalimin e kohës, kjo qendër e parë qytetare e Lezhës u popullua aq shumë, sa në këtë vend nuk kishte më asnjë lloj mundësie për zhvillim të mëtejshëm (31). Të gjendur në këto kushte, banorët shqyrtuan mundësinë e krijimit të një vendbanimi të dytë të fortifikuar. Të parët që vendosën të zbresin nga maja e malit të Shëlbuemit ishin pikërisht zejtarët, të cilët, për të qenë më afër fushës dhe rrugëve, ndërtuan një kështjellë tjetër të vogël mbi kodër, rrëzë së cilës shtrihet Lezha e sotme (32). Qyteti i ri i krijuar prej tyre, u quajt “Lis”, ndërsa kështjella e vjetër quhej “Akrolis”, që do të thotë “Lisi i Sipërm (33).” Të dy këto vendbanime të fortifikuara i përkasin fazës protourbane ose paraqytetare (34), duke hedhur poshtë mendimin tradicional se Lisi ka qenë një koloni sirakuziane e themeluar në vitin 385 p.k, nga Dionisi Plak, tirani i Sirakuzës (35), të cilin filozofi Platon, që e ka njohur personalisht, pasi ishte shitur prej tij si skllav, e përshkruan si: “Njeriu më i mjerë që qeveris shtetin më të trishtë. Pas krijimit të Lisit, i cili u fuqizua shpejt nga zhvillimi i vrullshëm i zejtarisë dhe i tregtisë, ripërtëritet edhe Akrolisi, duke u kthyer në një kështjellë ndihmëse në funksion të sistemit mbrojtës të qytetit të Lisit (36). Është konstatuar se muratura e fazës së dytë të ndërtimit të Akrolisit është tipologjikisht e njëjtë me muraturën e fazës së dytë të Lisit, çka tregon se simbioza Lis / Akrolis u planifikua si e tillë, që në vitin 390 p.k. (37). Në fakt, është pikërisht binomi Lis / Akrolis, i cili shërben si shembulli më i bukur ilustrativ i “Simbiozës së qyteteve me kështjellat (38).” Për të mbrojtur qytetin e Lisit duhej një numër i madh ushtarësh, por Akrolisi, nga lartësia dhe nga paafrueshmëria e pozicionit të tij, ishte kaq i vështirë për t’u sulmuar, sa do të mjaftonte vetëm një garnizon i vogël për ta mbrojtur (39). Se sa i rëndësishëm ishte Akrolisi për qytetin e Lisit, këtë e dëshmojnë shumë qartë ngjarjet e zhvilluara në vitin 213 p.k. (40). Mbreti i Maqedonisë, Filipi V, i cili kishte lidhur aleancë me Kartagjenën kundër Romës, erdhi për të pushtuar qytetin e Lisit, që falë pozitës strategjike ishte vendi më i përshtatshëm për të realizuar planet e tij të luftës kundër Romës, sepse këtu gjente një fortifikim madhështor, portin dhe kantierin për ndërtimin e anijeve (41). Mesa duket, Filipin V po e brente zilia për karrierën famëmadhe të Hanibalit, i cili asokohe po i dërrmonte romakët në territorin e tyre në Itali (42). Pasi bëri paqe me Lidhjen Etole, ai u nis nga Pella dhe marshoi në drejtim të veriperëndimit kundër qytetit të Lisit. Shumë shpejt, ushtria maqedonase kaloi kufirin dhe depërtoi në territorin ilir. Pas dy ditëve marshim, duke kaluar nëpër shtigjet e ngushta të lumit Ardaksanos (Mati i sotëm), Filipi V i afrohet Lisit dhe e vendos kampin e tij jo shumë larg, në një qytet kufitar të quajtur Bassania (43). I mbrojtur nga natyra, si nga deti ashtu edhe nga toka dhe i siguruar nga fortifikimet e tij të fuqishme, Lisi i bën Filipit V një përshtypje të madhe, por në veçanti, kur ngriti sytë përpjetë për të parë Akrolisin të vendosur mbi Malin e Shëlbuemit, ai fillimisht humbet çdo shpresë për ta pushtuar atë me forcë (44). Sipas përshkrimit plastik nga Polibi të sulmit të Filipit V: “Filipi, i cili prej shumë kohësh ëndërronte të shtinte në dorë Lisin dhe Akrolisin, u nis për atje me ushtri. Këtu vuri re se rrethi i Lisit ishte përforcuar shumë mirë nga ana e detit dhe ajo e tokës, nga natyra dhe dora e njeriut. Përsa i përket Akrolisit që ishte pranë, ai kishte aq lartësi të madhe dhe ishte aq i fortë, sa që edhe një sy të vetëm të hidhte njeriu mbi të, do ta kuptonte menjëherë se pushtimi i tij ishte gjë e pamundur (45).” Duke analizuar situatën me hollësi, Filipi V planifikon të pushtojë vetëm Lisin (46). E vetmja mundësi për sukses ishte qafa malore midis Lisit dhe Akrolisit dhe ai përdor mashtrimin, duke fshehur pjesën më të madhe të ushtrisë së tij në grykat e pyllëzuara malore në brendësi të vendit, pak përtej qafës së malit (47). Ata marshuan në fshehtësi të plotë gjatë natës afër Grykë-Manatisë, përmes luginës, e cila shtrihet në lindje dhe në verilindje rreth Akrolisit dhe më pas u vendosën në formacion prite në zonën e sotme të Varoshit (48). Ditën e nesërme, të gjitha përpjekjet e para të ushtrisë maqedonase dështuan përballë mureve të Lisit dhe pikërisht në kohën kur Filipi V po bëhej gati të largohej me turp, luftëtarët ilirë, duke e kujtuar fitoren e sigurtë, dolën jashtë mureve dhe sulmuan ushtrinë maqedonase në fushë të hapur (49). Në këtë kohë, luftëtarët e garnizonit të Akrolisit, që po vëzhgonin ngjarjet nga sipër, kujtuan se maqedonasit ishin thyer dhe prandaj lanë kështjellën dhe zbritën poshtë në fushë nëpërmjet shpatit të pjerrët të Shëlbuemit (50). Ndërkohë, Filipi V  dha urdhër që trupat e tij të armatosur lehtë, që ishin fshehur në Varosh një natë më parë, të fillonin sulmin nga ana veriore e Lisit dhe pasi ata depërtuan në qafën që ndan dy kështjellat, iu prenë mbrojtësve rrugën e tërheqjes dhe e morën Akrolisin e pambrojtur me shumë lehtësi (51). Pas kësaj, ata nuk e patën të vështirë të pushtojnë qytetin e Lisit (52), ku pas disa luftimeve të përgjakshme, arritën të depërtojnë brenda mureve ditën e nesërme (53). Pas rënies nën pushtimin maqedonas, Akrolisi e humbet plotësisht rëndësinë e tij, por edhe pas çlirimit në vitin 197 p.k., ilirët nuk interesohen më për të. Të njëjtën gjë do të bëjnë edhe romakët pasi pushtuan Lisin në vitin 168 p.k., por edhe pushtuesit e mëvonshëm të Lisit apo vetë sundimtarët vendas gjatë Periudhës së Mesjetës. Mirëpo, jeta në Akrolis nuk shuhet përfundimisht, sepse gjatë Mesjetës së Vonë, në pjesën jugore të masivit shkëmbor ndërtohet “Kisha e Shëlbuemit”, që sot është në gjendje rrënojë. Bëhet fjalë për një kapele të vogël me planimetri të thjeshtë drejtkëndore, që për herë të parë përmendet nga Benedikt Orsini në vitin 1629 (54) dhe nga e cila ka marrë emrin i gjithë ky masiv shkëmbor (55). Më vonë, mbi Kishën e Shëlbuemit është ndërtuar një objekt i kultit islamik, teqe bektashiane, e njohur si Tyrbja (varri) i Xhymert Kasapit ose Kasapit Xhumert (56). Ky i fundit është një shenjtor i panjohur, emri i të cilit është harruar dhe nga rrëfimet e njerëzve, që ka mbledhur Th.Ippen, ai dallohej për bamirësi ndaj të varfërve në ndarjen e mishit, ndaj e mori edhe atë llagap (57). Disa të dhëna mjaft interesante mbi historinë e kasapit në fjalë dhe të tyrbes së tij, i ndeshim në vitin 1905, në veprën “The Burden of the Balkans”, të antropologes angleze dhe mikes së madhe të Shqipërisë dhe shqiptarëve, Mary Edith Durham (58). Ndërsa, 7 vite më vonë, menjëherë pasi trupat serbo-malazeze pushtuan qytetin e Lezhës, më 19 nëntor 1912, një grup me ushtarë serbë u ngjitën në Malin e Shëlbuemit, ku në mënyrë triumfuese u fotografuan para Tyrbes në fjalë, të cilën, ata e identifikonin me Varrin e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Pushtuesit serbë do të shfaqin sërish një interes të veçantë për këtë Tyrbe në dimrin e viteve 1914-1915, gjatë Luftës I Botërore (1914-1918), kur ata po tërhiqeshin me shpejtësi drejt jugut nëpërmjet territorit shqiptar, të llahtarisur nga sulmet e armatës së fuqishme të Peradorisë Austro-Hungareze, e cila po i ndiqte këmba-këmbës. Njësoj si në vitin 1912, edhe një foto e shkrepur nga serbët në fillim të vitit 1915, paraqet Tyrben në Malin e Shëlbuemit, të cilën ata vijojnë ta identifikojnë me Varrin e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Edhe në ditët e sotme, në historiografinë zyrtare serbe mbizotëron mendimi i përgjithshëm se kjo Tyrbe, e cila përmendet si “Цафер Касаб (Kasapi Xhafer – P.Z.)” lidhet sipas tyre, me Kishën ortodokse/pravosllave të Shën Nikollës (Православна ирква Св. Николе), ku në vitin 1468 u varros Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, eshtrat e të cilit u nxorën nga varri dhe u përdorën si hajmali, ndërsa më vonë kisha u shndërrua nga turqit në tyrbe (59)”! Në fakt, sikurse dihet, në Lezhë dhe as në rrethinat e saj nuk ka patur kurrë ndonjë Kishë Pravosllave, përpos periudhës së pushtimit të egër të car Stefan Dushanit në vitet 1343-1355, kur Kishat Katolike u uzurpuan përkohësisht nga Patriarkana Serbe, por që menjëherë pas dëbimit të serbëve, ata u rikthyen ashtu siç kishin qenë historikisht në varësinë e Selisë së Shenjtë në Romë. Megjithatë, kjo nuk e ka ndaluar industrinë e fabrikimit të historiografisë zyrtare serbe, e cila vijon të sajojë dhe të tjerrë teza nga më të çuditshmet. Në faqet e fundit të botimit më të ri në gjuhën serbe (Beograd & Novi Sad: 2018) të kryeveprës monumentale të Marin Barletit, “Historia de vita et gestis Scanderbegi, Epirotarum Principis”, Tyrbja e Xhymert Kasapit në Akrolis përmendet si: “Гроб Скендербега (60)”, pra si “Varri i Skënderbeut”! Së fundmi kjo tezë ka gjetur mbështetje edhe nga disa autorë shqiptarë (61), por ajo krijon shumë hapësirë për diskutim. Deri më sot ende nuk ka dalë në dritë ndonjë burim dokumentar apo gjetje arkeologjike, që mundet ta mbështesë këtë supozim. Mirëpo, nga ana tjetër, nëse e shohim vetëm në kontekstin e strategjisë promocionale të Monumentit, kjo tezë krijon një efekt shumë pozitiv, sepse lidhja e këtij siti arkeologjik me emrin e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, zgjon interesin e njerëzve për të vizituar Akrolisin. Përsa i përket vëzhgimeve arkeologjike të ndërmarra pranë rrënojave të Tyrbes së Xhymert Kasapit, përveç të tjerash, janë konstatuar edhe gjurmët e një varreze të krishterë, e cila mund të ketë lidhje kronologjike me Kishën e Shëlbuemit (62). Megjithatë, deri më sot, ende nuk është zhvilluar një ekspeditë arkeologjike e mirëfilltë, e cila mund të na ndihmojë për të krijuar një definicion shkencor përfundimtar mbi vjetërsinë e Akrolisit si dhe mbi misteret që fshehin rrënojat e Kishës së Shëlbuemit dhe varreza e krishterë pranë saj. Akrolisi është Monument Kulture i kateg. I, shpallur me Vendim të Institutit të Shkencave (botuar në Gazetën Zyrtare Nr. 95, dt. 16.10.1948); Rektorati i Universitetit Shtetëror të Tiranës/ nr. 6/ dt. 15.01.1963; Ministria e Arsimit dhe Kulturës/nr.1886/ dt.10.06.1973.

BIBLIOGRAFIA:

1) C.Praschniker & A.Schober, Archäologische Forschungen in Albanien und Montenegro, Wien: 1919, f. 23.

2) N.Ceka, Udhëtim në kështjellat ilire, f. 45; K.Zheku, Lisi në shekuj, f. 10.

3) J.G.Hahn, Studime Shqiptare, f. 135.

4) C.Praschniker & A.Schober, Archäologische Forschungen in Albanien und Montenegro, Wien: 1919, f. 23.

5) F.Prendi – K.Zheku, Qyteti ilir i Lisit. Origjina dhe sistemi i fortifikimit të tij, në: Iliria, Nr. 2, Tiranë: 1972, f. 216.

6) C.Praschniker & A.Schober, Archäologische Forschungen in Albanien und Montenegro, Wien: 1919, f. 23.

7) K.Zheku, Lisi në shekuj, f. 10.

8)C.Praschniker & A.Schober, Archäologische Forschungen in Albanien und Montenegro, Wien: 1919, f. 23-26.

9) S.Pulaha & A.Parruca, Lezha: Vështrim historiko-gjeografik, f. 16.

10) C.Praschniker & A.Schober, Archäologische Forschungen in Albanien und Montenegro, Wien: 1919, f. 24.

11) F.Prendi – K.Zheku, Qyteti ilir i Lisit. Origjina dhe sistemi i fortifikimit të tij, në: Iliria, Nr. 2, Tiranë: 1972, f. 216.

12) A.Baçe, Qytetet dhe qytezat ilire dhe në Iliri, Pjesa e Parë: Iliria Veriore (Istria – Drin), f. 483.

13) K.Zheku, Lisi në shekuj, f. 10.

14) A.Baçe, Qytetet dhe qytezat ilire dhe në Iliri, Pjesa e Parë: Iliria Veriore (Istria – Drin), f. 484.

15) C.Praschniker & A.Schober, Archäologische Forschungen in Albanien und Montenegro, Wien: 1919, f. 24.

16) A.Baçe, Qytetet dhe qytezat ilire dhe në Iliri, Pjesa e Parë: Iliria Veriore (Istria – Drin), f. 483-484.

17) C.Praschniker & A.Schober, Archäologische Forschungen in Albanien und Montenegro, Wien: 1919, f. 24.

18) Ibidem, f. 24.

19) Gj.Karaiskaj, Fortifikimet prehistorike në Shqipëri, në: Monumentet, 14, Tiranë: 1977, f. 24-25.

20) Ibidem, f. 25.

21) A.Baçe, Qytetet dhe qytezat ilire dhe në Iliri, Pjesa e Parë: Iliria Veriore (Istria – Drin), f. 484.

22) F.Prendi – K.Zheku, Qyteti ilir i Lisit. Origjina dhe sistemi i fortifikimit të tij, në: Iliria, Nr. 2, Tiranë: 1972, f. 216.

23) K.Zheku, Lisi në shekuj, f. 11.

24) A.Baçe, Qytetet dhe qytezat ilire dhe në Iliri, Pjesa e Parë: Iliria Veriore (Istria – Drin), f. 484.

25) C.Praschniker & A.Schober, Archäologische Forschungen in Albanien und Montenegro, Wien: 1919, f. 25.

26) Ibidem, f. 25).

27) F.Prendi – K.Zheku, Qyteti ilir i Lisit. Origjina dhe sistemi i fortifikimit të tij, në: Iliria, Nr. 2, Tiranë: 1972, f. 216.

28) K.Zheku, Lisi në shekuj, f. 11.

29) A.Baçe, Arkitektura në Iliri, parë si refleks i strukturës sociale dhe botës shpirtërore, f. 184.

30) A.Baçe, Qytetet dhe qytezat ilire dhe në Iliri, Pjesa e Parë: Iliria Veriore (Istria – Drin), f. 484; F.Prendi, Aspekte ekonomike dhe kulturore të Lisit deri në shek. I. p.e. sonë, në: Lisi, Nr. 4, Shkodër: Migjeni, 1974, f. 107.

31) N.Ceka, Arkitektura e qyteteve ilire, në: Monumente të Kulturës në Shqipëri, I, Tiranë: “8 Nëntori”, 1975, f. 7.

32) N.Ceka, Udhëtim në kështjellat ilire, f. 45.

33) K.Zheku, Lisi në shekuj, f. 32.

34) N.Ceka, Në fillimet e qytetit ilir, f. 170-172.

35) J.G.Hahn, Studime Shqiptare, f. 134; C.Praschniker & A.Schober, Archäologische Forschungen in Albanien und Montenegro, Wien: 1919, f. 14; K.Jireçek, Nga Shkodra gjer në Vlorë nëpër Shqipërinë Mesjetare, f. 69; L.M.Ugolini, L’antica Albania : nelle ricerche archeologiche italiane, f, 36.

36) A.Baçe, Qytetet dhe qytezat ilire dhe në Iliri, Pjesa e Parë: Iliria Veriore (Istria – Drin), f. 484.

37) Ibidem, f. 484.

38) A.Meksi-A.Baçe-E.Riza-Gj.Karaiskaj-P.Thomo, Historia e arkitekturës në Shqipëri: nga fillimet deri në vitin 1912, f. 71.

39) Th.Ippen, Shqipëria e vjetër, f. 151.

40) E.Malaj, Lezha gjatë periudhës së Antikitetit, në: Studime Historike, 3-4/2017, Viti LXXI (LIV), Tiranë: 2018, f. 16-18.

41) N.Ceka, Udhëtim në kështjellat ilire, f. 46.

42) E.Jacques, Shqiptarët: Historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri ne ditët e sotme, f. 130.

43) E.Malaj, Lezha gjatë periudhës së Antikitetit, në: Studime Historike, 3-4/2017, Viti LXXI (LIV), Tiranë: 2018, f. 17-18.

44) C.Praschniker & A.Schober, Archäologische Forschungen in Albanien und Montenegro, Wien: 1919, f. 25.

45) A.Meksi-A.Baçe-E.Riza-Gj.Karaiskaj-P.Thomo, Historia e arkitekturës në Shqipëri: nga fillimet deri në vitin 1912, f. 71; A.Baçe, Arkitektura në Iliri, parë si refleks i strukturës sociale dhe botës shpirtërore, f. 185.

46) C.Praschniker & A.Schober, Archäologische Forschungen in Albanien und Montenegro, Wien: 1919, f. 25.

47) Ibidem, f. 25-26.

48) Ibidem, f. 26.

49) S.Pulaha & A.Parruca, Lezha: Vështrim historiko-gjeografik, f. 21.

50) N.Ceka, Udhëtim në kështjellat ilire, f. 46.

51) S.Pulaha & A.Parruca, Lezha: Vështrim historiko-gjeografik, f. 21.

52) N.Ceka, Udhëtim në kështjellat ilire, f. 46.

53) S.Pulaha & A.Parruca, Lezha: Vështrim historiko-gjeografik, f. 21.

54) P.Bartl, Albania Sacra: Geistliche Visitationsberichte aus Albanien, 1: Diözese Alessio, f. 85.

55) G.Hoxha-L.Përzhita-F.Cavallini, Monumente Historike të Kultit të Krishterë në Dioqezën e Lezhës / Monumeti Storici di Culto Cristiano della Diocesi di Lezha, Lezhë: Botimet Françeskane, 2007, f. 53.

56) C.Praschniker & A.Schober, Archäologische Forschungen in Albanien und Montenegro, Wien: 1919, f. 23-24; S.Pulaha & A.Parruca, Lezha: Vështrim historiko-gjeografik, f. 16; G.Hoxha-L.Përzhita-F.Cavallini, Monumente Historike të Kultit të Krishterë në Dioqezën e Lezhës / Monumeti Storici di Culto Cristiano della Diocesi di Lezha, Lezhë: Botimet Françeskane, 2007, f. 53.

57) Th.Ippen, Shqipëria e vjetër, f. 149, 208.

58) E.Durham, Brenga e Ballkanit, f. 328-330.

59) П.Р.Петровић, Ко су Ђурађ Кастриот Скендербег и Кастриоти: према српским повељама и млетачким аналима : (историографска расправа), f. 49.

60) М.Барлети, Ђурађ Кастриот Скендербег : историја и славна дела кнеза епирског, f. 535.

61) G.Çitaku, Akrolisi dhe misteret e tij, në: Koha Javore, Nr. 1134, Podgoricë: 15.11.2024.

62) G.Hoxha-L.Përzhita-F.Cavallini, Monumente Historike të Kultit të Krishterë në Dioqezën e Lezhës / Monumeti Storici di Culto Cristiano della Diocesi di Lezha, Lezhë: Botimet Françeskane, 2007, f. 53, Shënimi nr. 56.

Paulin Zefi.

Lezhë: 03.12.2024.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok