Akademi Solemne në 30-vjetorin e kalimit në amshim të Imzot Nikë Prelës dhe 20-vjetorin e kalimit në amshim të Imzot Mark Sopit
Shkruan: Lekë Mrijaj
Sot, më 10 janar 2026, në orën 11:00, në Prishtinë, nën organizimin e Dioqezës Prizren–Prishtinë, në ambientet e Katedrales “Shën Nënë Tereza” dhe në hapësirën kulturore Bogdanipolis, u mbajt Akademia Solemne me rastin e 30-vjetorit të kalimit në amshim të Imzot Nikë Prelës dhe 20-vjetorit të kalimit në amshim të Imzot Mark Sopit.
Kjo veprimtari me karakter liturgjik, shkencor dhe kulturor u përjetua si një akt i thellë mirënjohjeje institucionale dhe shpirtërore ndaj dy figurave poliedrike ipeshkvore, të cilat kanë shënjuar në mënyrë të pashlyeshme historinë e Kishës Katolike në Kosovë, si dhe jetën shpirtërore e shoqërore të popullit shqiptar.
Dita përkujtimore nisi me kremtimin e Meshës së Shenjtë në Katedralen “Shën Nënë Tereza”, të udhëhequr nga Imzot Dodë Gjergji, ipeshkëv i Ipeshkvisë Prizren–Prishtinë. Në homelinë e tij, ipeshkvi theksoi dimensionin baritor, profetik dhe sakrifikues të dy ipeshkvijve të ndjerë, duke i paraqitur ata si modele të shërbimit besnik ndaj Kishës dhe popullit, veçanërisht në kohë të vështira historike dhe shoqërore. Atmosfera liturgjike, e mbushur me lutje dhe heshtje reflektuese, i dha kësaj përkujtese një thellësi të veçantë shpirtërore, e cila e shoqëroi të gjithë programin e mëvonshëm.
Pas përfundimit të Meshës së Shenjtë, veprimtaria vazhdoi në ambientet e Bogdanipolis me hapjen zyrtare të Akademisë Solemne, e moderuar nga don Agim Qerkini, famullitar i Prishtinës. Akademia u hap me fjalë përshëndetëse nga autoritetet kishtare të Dioqezës Prizren–Prishtinë, nga Imzot Dodë Gjergji, ipeshkëv, nga arqipeshkvi i Tivarit, Imzot Rrok Gjonlleshaj, si dhe nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti. Në fjalët e tyre u vlerësua lart roli dhe kontributi i Imzot Nikë Prelës dhe Imzot Mark Sopit në jetën kishtare, kulturore dhe kombëtare të Kosovës.
Programi u pasurua që në fillim me një moment muzikor të veçantë: vepra “Miserere” e kompozitorit Marco Frisina, interpretuar nga Kori “Siparantum”. Ky interpretim krijoi një klimë të thellë meditimi dhe solemniteti, duke e shndërruar sallën në një hapësirë lutjeje dhe reflektimi të përbashkët.
Në vijim, Dr. Msgr. Lush Gjergji mbajti kumtesën me titull “Imzot Nikë Prela, zelltar, vizionar dhe profet i kohës sonë”, në të cilën ofroi një analizë të thelluar të figurës së Imzot Nikë Prelës si bari me vizion të qartë baritor, ndjeshmëri të lartë njerëzore dhe guxim profetik përballë sfidave të kohës.
Më pas, kumtesa kushtuar Imzot Mark Sopit u mbajt nga Don Lorenc Sopi, me titullin domethënës “Një jetë e shkrirë në shërbim të Zotit dhe popullit”. Në këtë kumtesë të gjerë dhe reflektuese u ndërtua një portret i plotë shpirtëror, baritor dhe kombëtar i ipeshkvit të ndjerë, duke u ndalur në përulësinë e tij të thellë, thjeshtësinë ungjillore dhe afërsinë e vazhdueshme me njerëzit, veçanërisht me të varfrit, të sëmurët dhe të margjinalizuarit. U theksua se shërbesa e tij nuk ishte thjesht një detyrë kishtare, por një mision i jetuar me vetëflijim, ku fjala baritore shoqërohej gjithmonë me vepra konkrete.
Pas kumtesave, Akademia vijoi me interpretimin e veprës “Anima Christi” të Marco Frisina, nga Kori “Siparantum”, e cila shërbeu si një ndalesë meditative dhe reflektuese mbi mesazhet shpirtërore dhe historike të kësaj dite përkujtimore.
Në kuadër të Akademisë u realizua edhe promovimi i romanit “7 ditë në tryezë me Imzot Mark Sopin” nga shkrimtari Vilson Culaj. Kumtesa analitike rreth veprës u mbajt nga Prof. Bekim Kelmendi, i cili vuri në pah vlerat letrare, dokumentare dhe reflektuese të romanit, ndërsa vetë autori ndau me të pranishmit motivimin dhe qasjen e tij krijuese ndaj figurës së Imzot Mark Sopit.
Akademia Solemne u përmbyll rreth orës 14:00 me një koktej në ambientin “Agora”, ku pjesëmarrësit patën mundësinë të shkëmbenin mendime, kujtime dhe reflektime, duke e mbyllur këtë ditë përkujtimore në frymën e bashkimit, mirënjohjes dhe kujtesës së dy prelatëve të amshuar të Dioqezës së Kosovës.
Akademia Solemne e sotme dëshmoi se kujtesa për Imzot Nikë Prelën dhe Imzot Mark Sopin nuk është thjesht një përvjetor kalendarik, por një trashëgimi e gjallë shpirtërore, baritore, kombëtare dhe njerëzore, e cila vazhdon të ndriçojë rrugën e Kishës dhe të shoqërisë në Kosovë.
