22/12/2024

AFRIM ABAZI – DUHET NDRYSHUAR KËTË HISTORI QË KOSOVA NJË DITË TË JETË E BASHKUAR ME SHQIPËRINË

0
Afrim-Abazi

T’I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:

(1963 – e mbytën me 19.03.1982)

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Afrim Abazi u lind më 7 qershor 1963 në fshatin Slivovë, komuna e Ferizajt. Babai i Afrimit, ishte Kadri Abazi, i cili ishte mësues i dalluar dhe nënë kishte Ajshe Abazin, e cila ishte një grua e zonja dhe shumë atdhetare. Duhet përmendur se në kohën kur lindi Afrimi, në Kosovë populli ishte i pakënaqur dhe kërkonte rrugë të ndryshme për të realizuar ëndrrën e tyre shekullore. Masat represive e të dhunës në një masë të madhe u shtuan sidomos gjatë vitit l958 e këndej. Populli shqiptar, i bindur deri në fund se duhej të qëndronte në trojet e veta, kishte ngulur këmbë që të kalonte në një rezistencë më të organizuar dhe më masive, duke shpërndarë afishe, trakte dhe flamuj kombëtarë. Zemërimi i popullit arriti kulmin sidomos kur u burgosën një numër i madh i anëtarëve të organizatave patriotike ilegale, të cilët i kishin shpallur luftë të hapur dhe të pakompromis pushtetit dhe shërbëtorëve të tyre. Në një dokument “Tepër sekret” të Sekretariatit Krahinor të Punëve të Brendshme, me numër rendor 4000/1, tetor l986, thuhet: “Intensifikimi i veprimtarisë  propagandistike-subversive dhe i formave të ndryshme të veprimtarisë armiqësore ilegale janë karakteristikat për vitet  l974 dhe 1975, e posaçërisht për vitet l979 dhe l980, me ç`rast u zbuluan dhe u gjykuan 8 grupe nacionaliste e irredentiste, u identifikuan 618 persona, ndaj të cilëve u ndërmorën masa adekuate”. Grupet që u zbuluan, sipas  po atij dokumenti, ishin: Grupi i Kadri Osmanit (l974), Grupi i Adem Demaçit (l975), Grupi i Agim Sylejmanit, Grupi i Shefqet Jasharit, Grupi i Ymer Graincës, Grupi i Hajdin Abazit dhe Grupi “Fronti i Kuq” nga RFGJ-ja me lidhje në vend gjatë vitit l980, pastaj Grupi i Ibish Nezirit, lidhje e Grupit “Fronti i Kuq” në vitin l981. Kundër anëtarëve të këtyre grupeve u ngrenë aktakuza penale; u dënuan 89 persona në kohëzgjatje prej 1-15 vjet burg, kundër 51 personave, për shkak të rrethanave të ndryshme, u ndërpre aktakuza e mëtejshme, 40 persona u dënuan për kundërvajtje, ndërkaq 453 personave iu tërhoq vërejtja. Pos kësaj, në këtë periudhë, për kundërvajtje janë ndjekur 503 persona. Megjithatë, edhe pse e dëmtuar në masë të konsiderushme, lëvizja nuk e pushoi veprimtarinë as në të ardhmen. Aktiviteti i lëvizjes u rrit përherë e më shumë, duke depërtuar në shtresat e gjera të popullit dhe në të gjitha poret e jetës politike e shoqërore të Kosovës e jashtë saj.

Një vit pas lindjes së Afrimit, në vitin 1964 në bankën e të akuzuarve si anëtarë të organizatës “Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve” u nxorën Adem Demaçi  me shokë. Simboli i rezistencës sonë kombëtare Adem Demaçi, rënia e Rankoviçit e gjen në burg. Për këto akte kriminale populli u zemërua shumë. Këtë zemërim ai e ktheu në urrejtje dhe në mënyrë edhe më të organizuar filloi t’i godasë forcat shoviniste serbe. Organizatat ilegale patriotike shqiptare gjatë kësaj periudhe u fuqizuan dhe u masivizuan duke inkuadruar në radhët e veta forca të reja. Me arrestimet e njëpasnjëshme që bënte UDB-ja, lëvizja ilegale përfitoi terren. Ndonëse u dëmtua një numër i konsideruar intelektualësh shqiptarë, mbetën të paprekura forcat e organizuara dhe u shtua urrejtja ndaj atyre që e shtypnin dhe e arrestonin popullin e pambrojtur. Ky popull u bind edhe një herë se pa shkëputjen nga Serbia nuk mund të ketë liri të mirëfilltë. Si rezultat i kësaj erdhi duke u përforcuar edhe ideja për formimin e Republikës Shqiptare në Jugosllavi. Duke u nisur nga fakti se forcat patriotike kanë qenë dhe ishin udhërrëfyese të popullit nga i cili edhe dolën, ato e përqafuan kërkesën për Republikë dhe u angazhuan pa u kursyer për realizimin e saj.

Afrimi Abazi u rrit dhe u edukua në një familje atdhetare, ngase edhe babai i tij kishte qenë ilegalist i njohur i cili kishte veprua në radhët e Organizatës Nacional Demokratike Shqiptare. Afrimi i vogël u rrit me një dashuri të madhe nga familja dhe si i vogël kishte njohuri për trimin e papërsëritshëm Mic Sokolin. Ai e adhuronte trimrin e Micit, dhe në imagjinatën e tij prej fëmije shpesh ëndërronte se një ditë do bëhet si ai. Nga respekti që kishte për trimin, shpesh ndodhte që ai bashkë me babain ia rregullonte varrin Heroit dhe mbillte lule mbi varrin e tij. Me bisedat e gjata që zhvilloheshin në familje, Afrimi kuptoi se Kosova ishte e okupuar dhe për të qenë të lirë duhet punuar dhe angazhuar kundër tij. Shkollën fillore e mbaroi në fshatin e lindjes dhe gjatë asaj periudhe dallohej në mësime dhe ishte nxënës i shkëlqyeshëm. Të gjitha lëndët i kishte pesa, por historinë e kishte më për qejfi. Duhet ndryshuar këtë histori që Kosova të jetë e bashkuar me Shqipërinë, shpesh iu thoshte shokëve edhe si nxënës i shkollës fillore. Gjatë shkollimit të mesëm në Ferizaj, ku i ndiqte mësimet në Shkollën Teknike, shpeshherë u thoshte shokëve: “Slivova ka një nder të veçantë, që mban në gjirin e vet Heroin kombëtar, Mic Sokolin”, e për të qenë të lirë nga okupuesi duhet të kemi shumë Mic Sokola.

Në vitet 1980/81, diçka me të madhe lëvizte, diçka pritej që të ndodhte. Këto vëreheshin në shqetësimet e okupuesit në çdo tubim partiak. Kosova e vitit 1981 po hynte në vitin më të nxehtë politik. Parandjenja se Kosovës po i pritej qefini i ri në Beograd, po e shqetësonte masën studentore. Më 11, më 25 e më 26 mars, më 1 e më 2 prill, studentët e Universitetit të Kosovës dolën në demonstrata. Populli i Kosovës u ngrit si një trup i vetëm kundër shtypjes, shfrytëzimit, padrejtësisë dhe presionit të përjetuar gjatë dekadave në robërinë serbe. Në demonstrata morën pjesë studentët, nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme, punonjës të ndryshëm, të rinj e të reja, intelektualë, të cilët formuan marshin milionësh të liridashësve, referendumin më të suksesshëm dhe më të bindshëm, të nënshtruar me gjak. Më vonë, ndaj pjesëmarrësve në demonstrata u zbatuan masat më drastike, duke i gjakosur e duke i keqtrajtuar, duke i torturuar në mënyrat më barbare dhe duke i dënuar me burg të rëndë edhe deri në l5 vjet, ndërsa ndaj familjeve të tyre u aplikua masa e izolimit të plotë. Ngjarjet tragjike të Kosovës më 1981, popullin shqiptar as nuk e dobësuan, as nuk e luhatën për asnjë moment nga rruga e tij e nisur, përkundrazi, populli ynë i pajtuar me fatin e rezistencës dhe i bindur thellë në kauzën e vet të shenjtë, qëndroi me besim të patundur në drejtësinë e amshuar për ditët e bardha të lirisë dhe të pavarësisë.

Demonstratat studentore, të vitit 1981, u përhapën shpejt në tërë Kosovën. Ato u organizuan edhe në Ferizaj ku Afrimi ishte nxënës në shkollën e mesme teknike. Dhe, bashkë me shokë, ndodhej në krye të demonstratave. Në këto demonstrata në mënyrë aktive kishte marr pjesë edhe nëna e Afrimit- nëna Ajshe, e cila çdo kund, ishte me t djalin Afrim. Demonstratat ishin më të fuqishme sidomos me 3 prill 1981. Kur pushtetarët morën masat më të rrepta ndaj Kosovës dhe popullit të saj dhe kur menduan se demonstruesit ishin zmbrapsur nga dalja në rrugë, ndodhi e kundërta. Afrim Abazi me flamur në dorë iu printe demonstruesve.

Në Ferizaj, në oborrin e Kombinatit të Drurit në Ferizaj, rreth orës 9. 00 të mëngjesit, para drejtorisë së kombinatit ishin grumbulluar me qindra punëtorë. Megjithëse aktivistët partiak u munduan që ti bindin dhe të kthehen në vendet e tyre të punës, ishte e kotë. Ata me pankarta të shkruara u nisen në drejtim të qytetit. Gjatë rrugës brohoritshin parulla si” Duam kushte më të mira”, “ Demobilizoni Njësinë e Mbrojtjes Territoriale të Kombinatit, sepse nuk na duhet”, “I duam shokët nga burgu”, “Nuk duam tanke në Krahinë”, “Duam republikë”, “Nuk duam që të na rrahë fëmijët e studentët policia jashtë Kosove” dhe shumë të tjera. Në orën 13:30, një grup tjetër prej një numri të konsideruar punëtorësh u larguan nga oborri i Kombinatit dhe kishin shkuar për të demonstruar në qytet. Këtij grupi iu bashkuan edhe një numër mjaft i madh i nxënësve dhe i studentëve, pastaj dhe një numër i madh i qytetarëve. Caku i tyre kishte qenë ndërtesa e SPB-së, para së cilës ishin ndalur duke brohoritur “Lironi shokët tanë nga burgu”. Para ndërtesës së SPB-së ndodhi një përleshje e madhe në mes policisë dhe demonstruesve. U shti me armë zjarri nga të dy palët.

Bashkë me Afrim Abazin, në demonstratat e Ferizajt të 3 prillit 1981, u dalluan edhe dëshmorët Rizah Matoshi dhe Sherif Frangu. Gjatë demonstratës, Afrimi, së bashku me shokët e tij dhe me nënë Ajshen, ishte në ballë të tyre. Në orët e pasdites së 3 prillit, kur forcat e mëdha të policisë speciale kishin ardhur nga Serbia, pothuaj e kishin vënë qytetin e Ferizaj në shtetrrethim të plotë. Atë ditë, sipas informatës interne të zyrtarëve të KK të Ferizajt, u vranë dy demonstrues dhe pati së paku 15 të plagosur

Po atë ditë filloi edhe arrestimi i demonstruesve, duke e parë se çfarë po ndodhte, organizatorët vendosën që demonstruesit të shpërndaheshin, duke mos iu ekspozuar edhe më tutje rreziqeve të mëdha nga policia kriminale serbo-jugosllave.

Afrim Abazi ishte anëtari i Organizatës Ilegale Patriotike Shqiptare “Partia Komuniste Marksiste-Leniniste e Shqiptarëve në Jugosllavi” (PKMLSHJ). Si anëtarë i OR së PKMLSHJ dhe Komitetit Drejtues të saj u angazhua aktivisht në organizimin e demonstratave.  Atdhetari i njohur Osman Osmani, në një shkrim të tij thotë se “Afrimi me kohë u bë njëra nga shtyllat kryesore të veprimtarisë atdhetare ilegale në kuadër të Organizatës së Rinisë (të Partisë Komuniste Marksiste-Leniniste të Shqiptarëve në Jugosllavi), bashkë me shokët dhe me shoqet e tij më të ngushtë, si: Faton Topalli, Ymri Ilazi, Fehmi Hajrullahu, Sejdi Sejdiu, Fatmir Bajrami, Rafi Haliti, Fatime Gjinollin, Lumnije Azemin, Naim Ramadani, Lirie dhe Fitim Ramadani, Agron Ramadani, duke e zgjeruar rrethien edhe me Teuta Zymberin, Fatmir Avdullahun, Naim Nuredinin, Halit Osmanin, Xhevahire Avdullahun, Hanumshahe dhe Isak Begeshollin, Mikreme Demirin, Shyqeri Gjinollin, Vehadin Azemin,e të tjerë, veprimtarinë e të cilëve e koordinonte drejtuesi i ORK (dhe sekretari për rini i PKMLSHJ) Faton Topall…”

Organizata e PKMLSHJ-së, u formua në vitin 1975, duke kaluar nëpër rrugë normale të krijimit të organizatave politike nga bërthama e parë, nëpër krijimin e degëve dhe të resorëve, deri në nivel që ajo të mund të fillonte të vepronte si organizatë.

Në fillim organizata për bazë teorike kishte platformën politike, nxori dokumentet e Partisë në një përmbledhje e cila titullohej “Teoria dhe praktika e revolucionit”, në të cilën përmbajtje ishin edhe Programi, Statuti dhe Instruksionet për punë praktike. Ato si tërësi përbënin Platformën për Republikën e Kosovës, sepse qëllimi kryesor i ekzistimit të PKMLSHJ-së ishte krijimi i kushteve për arritjen e qëllimit të pavarësisë së popullit shqiptar në RSFJ; të gjithë shqiptarët që jetonin në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Serbi, të jetonin në një republikë të përbashkët gjithëshqiptare në kuadrin e Jugosllavisë dhe të barabartë me republikat e tjera. Kjo organizatë ishte mjaft aktive rreth qëllimit që të bashkonte të gjitha organizatat ilegale politike që vepronin në Kosovë dhe jashtë saj. Për këtë qëllim publikoi Programin e saj në mënyrë që populli të përgatitej e të mobilizohej rreth kërkesës për Republikë dhe të bëhej presion i vazhdueshëm mbi faktorin shtetëror si dhe mbi politikanë vendës.

Pas demonstratave në lëvizjen ilegale shqiptare filloi një etapë e re e bashkëpunimit. Të gjitha ato organizata që vepronin në Kosovë deri atëherë në programet e tyre parashihnin shkëputjen e Kosovës nga Serbia dhe bashkimin e saj me Shqipërinë. Mirëpo, me kërkesën gjithëpopullore “Kosova-Republikë”, u pajtuan edhe organizatat e tjera dhe bënë në mënyrë afirmative kërkesën e studentëve. Filloi një bashkëpunim i madh ndërmjet tyre dhe me të madhe u mor iniciativa për bashkimin e tyre në një organizatë të përbashkët. Marrëveshja për bashkimin e organizatave për lëvizjen do të kishte një rëndësi të madhe, andaj okupuesi mu për këtë shkak ishte tmerrësisht i shqetësuar. Shtoi gjurmimin e anëtarëve të organizatave ilegale, arrestonte dhe dënonte me vite marramendëse anëtarët e tyre. Ndaj atyre që ishin më të rrezikshëm filloi të kryente atentate dhe t’i likuidonte, duke shpifur se “shqiptarët vriteshin duke i qëruar hesapet mes vete”. Po, a u besonte kush këtyre trillime të pakripë. Megjithatë, qëllimi u arrit. Më 17 shkurt 1982, pas një pune të gjatë e të vështirë, u bashkuan organizatat LÇKVSHJ e OMLK me PKMLSHJ-në në LËVIZJEN PËR REPUBLIKËN SOCIALISTE TË SHQIPTARËVE NË JUGOSLLAVI. Angazhimi i këtyre organizatave ishte jashtëzakonisht pozitiv dhe dha rezultate të lakmueshme, sepse Lëvizja për Republikë u bë lumë që më nuk u ndal. Numri i anëtarëve të kësaj lëvizjeje shtohej dita më ditë.

Edhe pas përfundimit të demonstratave, PKMLSHJ dhe Afrim Abazi nuk qëndruan duarkryq. Pas sulmeve që filluan të bëheshin ndaj demonstratave dhe demonstruesve, duke i quajtur “kontrarevolucionare” e shumëçka tjetër, anëtarët e kësaj organizate konstatuan se edhe këta duhet të bëjnë propagandë në fushën politike. Afrimi më pas veproi vazhdimisht në masivizimin e radhëve të ORK, ndërsa veprimtaria e tij prej revolucionari do të intensifikohej përmes shpërndarjes dhe propagandimit të trakteve dhe materialeve tjera të Organizatës së Rinisë dhe Partisë, si gazetat “Revolucioni”, “Zëri i Atdheut”, “Teoria dhe praktika e Revolucionit” si dhe materialet tjera.

Policia dhe UDB-ja serbe nuk kishin arritur të zbulonin shumë veprime të ilegales në Ferizaj dhe rrethinë. Nuk kishin arritur të zbulonin se kush i kishte vënë zjarrin makinave të policisë në vitin 1980, para hundëve të policisë. Nuk dihej, plotësisht, kush ishte implikuar në organizimin e demonstratës së 29 marsit dhe të 3 prillit 1981. Nuk dihej kush i kishte vënë zjarrin shtëpisë së shefit të UDB-së në Ferizaj, në vitin 1981. Nuk dihej, po ashtu, se kush po e përgatiste shënimin e një vjetorit të demonstratave të vitit 1981, më 3 prill  1982. Dhe, duhet thënë se  Afrim Abazi bashke me shoke e shoqe kishte marrë pjesë, i kishte propozuar dhe i kishte organizuar disa nga veprimet e lartpërmendura.

Prandaj, edhe hetimet që i zhvillonte UDB-eja, për t’i zbuluar aktorët e veprave të tilla, ishte tepër e madhe. Për zbulimin e këtyre aksioneve, që kishin zhvilluar anëtarët e Partisë Komuniste Marksiste-Leniniste të Shqiptarëve në Jugosllavi në qytetin e Ferizajt, të cilës i takonte edhe Afrim Abazi, regjimi serb dhe spiunët vendosën të shkonin deri në atë shkallë sa të ushtronin tortura shtazarake ndaj Afrim Abazit, të burgosur më 11 mars 1982.

Arrestimi i Afrimit ishte bërë me vendim personal të Sekretarit Krahinor të Sekretariatit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Mehmet Maliqi. Në përvjetorin e këtyre demonstratave, më 11 mars 1982, Afrimi, së bashku me shokun e klasës, Ymri Ilazi nga Shtimja, kishte organizuar të gjithë nxënësit e Shkollës Teknike të Ferizajt që të dilnin në qytet për t`i përkujtuar demonstratat historike të një viti më parë. Mirëpo, udbashët kishin rrjetin e vet në çdo cep të Kosovës, andaj edhe kishte informata se  në Shkollën Teknike po përgatiteshin demonstrata për të shënuar përvjetorin e tyre të një viti më parë. Pas këtij njoftimi, policia e kishte bllokuar shkollën dhe kishte arrestuar trimin e pashoq Afrim Abazin dhe Imri Ilazin. Gjatë hetimeve në hetuesi, Afrimin e malltretuan dhe e torturuan me metodat më të egra të dhunës. Edhe pse e torturuan, e fyen e shanë dhe e rrahën, Afrimi i ri, nuk foli, nuk i tregoi shokët, po çdo përgjegjësi e merrte mbi vete. Pas nëntë dite të kaluara në birucën e pistë të burgut të Ferizajt, më 19 mars 1982, në orën 13.30, UDB-ja hodhi trupin e pajetë të Afrim Abazit nga dritaret e katit të pestë të ndërtesës së re të Sekretariatit të Punëve të Brendshme në Ferizajt.

Thanë udbashët se Afrimi “Bëri vetëvrasje”, e populli e dinte fortë mirë dhe ishte mësuar me “vetëvrasjet” e shpifura që bënte UDB-eja ndaj bijve të shqipes. Sa shpifje monstruoze ishte kjo që e thanë shefi i UDB-së së Ferizajt Milorad Stankoviq – Lacki me bashkëpunëtorët e tij shpirtshitur.

Bijtë e Kosovës e kanë dashur dhe e duan jetën dhe ata vdesin për të jetuar, por kurrë duke vrarë veten!

Kujtimi për Afrim Abazin rron prej vitesh, andaj kujtesa tek populli shqiptar për figurën e ndritshme të Afrim Abazit jeton dhe do të jetoj në zemrat e popullit shqiptar, që do i thur lavdi të përjetshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok