29/05/2024

ADN shkëndijë shprese për ndryshim!

0

Shkruan: Florim Zeqa

Alternativa Demokratike për Ndryshim (ADN) ësht një nismë e re politike, nuk është e përmasave mbarëkombëtare, por është një shkëndijë shprese në këtë situatë të rënduar politike në të cilën po kalon shteti i Kosovës.

Kalimi në sistemin Presidencial

Sikurse ADN, asnjë nismë tjetër nuk duhet të jetë vazhdimësi dhe as levë e subjekteve aktuale politike. Ngase secila prej tyre, për të mirë apo për të keq, e kanë dëshmuar vetën. Ardhja në pushtet e një klase të re e të përgjegjshme politike, e aftë për ndryshime pozitive, do të krijonte premisat për zhvillim ekonomik dhe mirëqenie për të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallime etnike, partiake, ideologjike apo fetare.

Insistimi im i vazhdueshëm për ndryshimet pozitive në vendin tonë, nuk e nënkupton ‘pasurimin’ e skenës politike edhe me një subjekt të ri, por në esencë, është përpjekja ime për finalizimin e projektit madhor për themelimin e një subjekti politik, i cili në gjirin e vet do të tubojë elektoratin e zhgënjyer nga të gjitha partitë politike, sa të dështuara, po aq të konsumuara përgjatë këtyre 24 viteve të fundit.

Nisma ime, Alternativa Demokratike për Ndryshim, nuk e ka thjeshtë vetëm qëllimin për ndërrimin e pushtetit në Kosovë, por, për ndryshimin e mentalitetit qeverisës dhe ndryshimin rrënjësor të sistemit qeverisës në vend, gjegjësisht kalimin nga sistemi Parlamentar në atë Presidencial.

Sistemi Presidencial i qeverisjes së vendit, do ta nxjerrë Kosovën nga “çarku i mbyllur” politik.

Sistemi Presidencial, përveçse do të pamundësonte kontrabandimin e postit të presidentit nga partitë politike, do të pengonte edhe ndërhyrjet e tmerrshme nga jashtë, siç ishte rasti i zgjedhjes së presidentes përmes zarfit në vitin 2011, dukuri kjo e paprecendent në vendet e lira dhe demokratike.

Sistemi Presidencial paraqet çelësin e evitimit të ngërçeve politike dhe krizave artificiale pas-zgjedhore të paraqitura në mënyrë serike në Kosovën e pasluftës, si dhe krijon premisat e bipolarizimit të skenës politike, gjegjësisht krijimin e dy blloqeve të forta parazgjedhore.

Zgjedhjet e brendshme partiake, vazhdimësi e elitave politike

Partitë aktuale, proceset e brendshme zgjedhore i shfrytëzojnë për ruajtjen e vazhdimësisë së elitave politike në partitë tyre, pa e dhënë asnjë sinjal për reformimin e tyre kundrejt kërkesave të vazhdueshme të elektoratit.

Arsyeja e pengimit të reformave në partitë aktuale, janë klanet dhe grupet e interesit të rreshtuara pas liderëve të partisë, të cilat e ngulfatën çdo përpjekje për ndryshim përmbajtësorë në këtë vend.

Vonesa e marrëveshjes, pengesë e zhvillimit ekonomik

Jo vetëm vonesa e aktit final të marrëveshjes, por i tërë dialogu politik mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel është bërë pengesë serioze e zhvillimit ekonomik, shëndetësor, arsimor, kulturor, etj, për shkak se të gjitha qeveritë e deritanishme të Kosovës pa dallim deri tek kjo e fundit, energjitë politike i kanë shpenzuar tek dialogu, gjegjësisht tek pakica serbe që nuk e njehë dhe as pranon Republikën e Kosovës si shtet të vetin, duke i sfiduar dhe lënë menjëanë interesat e shumicës së popullatës, në këtë rast të shqiptarëve që sakrifikuan shumë dhe pritën jashtëzakonisht gjatë për krijimin e shtetit të tyre.

Pa zgjidhjen finale, nuk hiqen vargonjët serbosllav nga qafa e Kosovës!

Ashtu sikurse ngjyrat në formën e gjysëmharkut në logon e ADN-së që simbolizojnë Ylberin i cili i ndalon të reshurat (keq-qeverisjet) e pandërprera, edhe tre shkronjat ADN simbolizojnë ADN-në politike të shqiptarëve në trojet etnike, të cilat do të ndalojnë katandisjen e mëtutjeshme politike të shtetit të Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok