22/12/2024

Absurdi i kërkesës për vetkontroll e mospolitizim përballë shtetit komandues

0
u6_Sonila-Meco

Nga Sonila Meço

Pse është i rëndësishëm presioni publik në zbardhjen e drejtë të vrasjes së një të riu 25 vjeçar nga një oficer policie?

Sepse mund edhe të mos qe vrarë 25 vjeçari, por të qe plagosur…madje mund të mos qe plagosur e as të qëllohej në ajër për paralajmërim. Madje as paralajmërim thjesht ndalim…po as ndalim, por thjesht këshillim. Në mos as këshillim thjesht bezdia se nuk duhet të dalë pas orës 22.00…

Pra mundet të ish i gjallë sot Klodiani, duke dalë sërish në orar policor, ndërsa oficeri i policisë N. do vijonte sonte patrullimin si çdo natë.

E ndërkohë siguria juridike (besimi i qytetarit tek shteti, mbrojtja nga shpërfillja e interesave ligjore, procesi i rregullt ligjor) do të ishte po njëlloj si para vrasjes (e qëllimshme a në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme), pra do qe thuajse 0.

Ndryshimet e mëdha në botë kanë ardhur nga incidente shumë herë më të vogla, jo nga vrasje, por p.sh edhe nga refuzimi për t’i lënë ulësen e autobusit një njeriu me ngjyrë tjetër.

E mos flas për rastet kur republikat kanë rënë nga përqendrimi i pushtetit në një dorë.

Kur qytetari nuk ka më siguri juridike (që buron nga mungesa e Gjykatave në vend dhe zhbërja e balancës së pushteteve) mund të shfrytëzojë çdo akt të papranueshëm individual për t’u rebeluar, sepse viktima mund të kish qënë secili e drejtësia e askujt (përpos ca më të barabartëve përpara ligjit).

Ndaj kur sjellja e një oficeri policie justifikohet nga disa si lajthitje, apo paaftësi dhe kur pretendohet se duhet të hetohet deri në fund e të flasë drejtësia para se të protestojnë qytetarët e para se të shfrytëzojë rastin politika, le të kujtojmë se:

  1. Shteti i së drejtës nuk ekziston, qytetari nuk ka siguri juridike.
  2. Ekzekutivi kontrollon shumçka e sidomos edhe ato 6 orë nga çasti i vrasjes deri në orën 7.15 të deklaratës së parë zyrtare të Policisë.

Për të tjerat? Mos politizoni protestën e studentëve, mos politizoni protestën e naftëtarëve, mos politizoni protestën e bluzave të bardha, mos politizoni vrasjen e Klodianit! Mos…mos!

Dakord, atëherë çfarë nënkuptoni si “politike” në shtetin monopartiak?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok