ABETARJA UNIKE E SHQIPTARËVE
NGA NDUE DEDAJ
Abetarja unike, si lajmi i këtij viti shkollor, është një rast për t’u shënuar, jo vetëm për vogëlushët në Shqipëri dhe Kosovë që e kanë marrë në dorë, por dhe si fillimi i një kolane të përbashkët tekstesh shkollore të lëndëve kombëtare: gjuhës shqipe, letërsisë, historisë, gjeografisë, muzikës, arteve etj. Festa e Abetares së re u zhvillua më 1 shtator në një ceremoni në Gjakovë, me praninë e Kryeministrit Albin Kurti, ministreve Evis Kushi dhe Arbërie Nagavci, në ditën e parë të shkollës në Kosovë, promovim që vijoi deri më 12 shtator, kur nisi viti i ri shkollor në Shqipëri. Festa e Abetares është një ritual i përvitshëm në shkollat tona, ku fëmijët pasi e kanë mësuar atë për disa muaj, përformojnë dituritë që kanë marrë. I falën librit të parë të jetës së tyre, kultit të Abetares. Do të jenë ditë emocionesh e përjetimesh të forta deri atëherë, kah fundi i pranverës…
Kemi pasur kaq shumë lajme të këqia kësaj vere, në Shqipëri disa vrasje radhazi në familje e jo vetëm, pengmarrje, zjarre shkrumbuese në pyje, trafik i paparë rrugëve etj., teksa në Kosovë çmenduria kulmoi me përdhunimin mizor të një vajze 11-vjeçare nga disa persona, çka tronditi mbarë opinionin publik, por këto nuk do të ishte e drejtë ta nxirrnin nga vëmendja lajmin e abetares së re të shqiptarëve, që u hartua në zbatim të projektit të përbashkët të dy qeverive. Ama, duhej thënë se nuk është hera e parë që ndërmerret një nismë e tillë. Dhjetë vjet më parë, më 2012, ka qenë miratuar një abetare e përbashkët, për me tepër e përfolur për gabime ortografike në tekst, nismë që më pas nuk dihet pse u ndërpre. Pa i hyrë historisë, një abetare e përbashkët është zbatuar dhe tetëdhjetë vite më parë, në kohën e Luftës së Dytë botërore, kur në Tokat e Lirume në Kosovë shkuan rreth treqind mësues nga Shqipëria, që natyrisht i morën abetaret me vete. Urojmë që kjo e treta të jetë e vërteta, siç thotë fjala e urtë dhe jo vetëm të mos ndalet më, por të shtegtojë kudo ku ka shqiptarë në trojet e veta dhe në diasporë, mbasi misioni kombëtar rilindas i “Dritës së Diturisë” ende nuk ka kryer.
Në mesin e viteve ’90 në një nga të përkohshmet liberal-demokrate patem ngritur shqetësimin: kur shqiptarët do të kenë një abetare të përbashkët? Abetarja nuk mund të jetë vullnet vetëm i qeverive, në Tiranë e Prishtinë, por neni numër një “kushtetues” i pashkruar i të dy vendeve, pasi kombëtarisht jemi një, gjithnjë duke respektuar të drejtat e pakicave etnike për të pasur abetaret e tyre. Dihet se si ka qenë udha e mundimshme e alfabetit dhe librave shqip, që nga Gjon Buzuku, shkollat dioqezane të shekullit XVII në Kurbin, Velë, Pllanë etj., te abetarja e Dhaskal Todrit e vitit 1835 (Evetari) e deri të shkolla shqipe që u dogj në Rrozhajë (Mali i Zi) para dy vitesh. Abetarja e re unike këtë shtator ulet në bangat e shkollave në Shqipëri e Kosovë, por në vitet që vijnë ajo duhet të jetë e mirëpritur dhe në Tuz, Ulqin, Tivar, Plavë, Guci, Rrozhajë, Tetovë, Dibër e Madhe, Strugë, Gostivar etj. Kudo ku flitet e shkruhet shqip, ku ka shkolla dhe universitete shqiptare, botime në shqip etj. Ndoshta askund më shumë se në Manastir, tre vite më parë, nuk e kemi ndjerë peshën e alfabetit tonë, në muzeun ku koha e shkuar sa hesht, aq dhe gjëmon.
Autorët e abetareve në njëqind vite janë disa. Neve na vijnë ndërmend disa emra të viteve ’60-‘70 me librat e të cilëve mësuam abc-në, si Kolë Koci, Kolë Xhumari etj., personalitete të arsimit shqiptar. Dihet që mësuesi yt i “përjetshëm” mbetet ai i klasës së parë, dhe nëse një ditë bëhesh president, shkencëtar, rektor universiteti etj. Ai që në një çantë të thjeshtë lëkure sillte fletoret, lapsat dhe shishet e vogla me bojë blu. I tillë qe shfaqur me abetaren në dorë para një grushti vocërrakësh, atë mot të largët 1963, në Fushën Papërdhok (Kalor) gjithë tuma ilire, mësues Prendi, me një mirësi që i rrezatohej në çdo fjalë që thoshte. Kur rritesh e kupton se kjo ishte mbrujtja prej misionarësh jo vetëm e mësuesit tënd, por e krejt klasës së arsimtarëve në mote.
Në diskursin e kësaj vere fjala kyç ishte abetarja dhe kjo tregon mbrothësi sa i përket përbashkimit që e kemi të shkruar në himnin e flamurit. Shqiptarët kanë një gjuhë e rrjedhimisht një abetare. Një abetare e përbashkët nuk do të thotë se nuk mund të ketë disa sprova kësodore, ashtu si për çdo tekst tjetër shkollor, por ajo çka e bën unike është simbolika, vetë historia e kombit shqiptar të ndarë e të përndarë nga gjeopolitika e gjysmës së dytë të shekullit XIX dhe ajo e fillimeve të shekullit XX, gjë që ka çuar gjer në asimilim të shqiptarëve në trojet e veta. Fryma përbashkuese rilindase është përsëri aktuale, pasi me gjithë ndryshimet pozitive të dy dhjetëvjeçarëve të fundit, shqiptarët ende nuk qarkullojnë lirisht – kulturalisht – mes tyre.
Ata që e kanë marrë në dorë Abetaren e re kanë vënë re se krahas katër autorëve: Mimoza Gjokutaj, Naser Zabeli, Saranda Kumanova dhe Tereza Babasuli, në procesin vlerësues të abetareve të paraqitura në konkurim dhe më pas në redaktimin shkencor, gjuhësor e letrar, korrektimin, këshillimin psikologjik e didaktik, ilustrimin, artin grafik, kopertinën, imazhet e Abetares së përzgjedhur janë përfshirë dhe tridhjetë specialistë të tjerë, çka tregon seriozitetin e një sipërmarrje të tillë. Vogëlushët që do të mësojnë shkronjat ditë pas dite do të “lundrojnë” në një oaz të bukur shqiptar, që është atdheu i tyre, për të cilin marrin porosi nga mësuesit e deri nga Gjergj Kastrioti-Skënderbeu e Nënë Tereza. Nuk mund t’i mungonin Abetares as dy vargjet e famshme “Xhamadani vija-vija / Është Kosova, o është Shqipëria…” Në faqen numër 81, te shkronja “Gj”, përmes një teksti të shkurtër e fabule të thjeshtë, jepet mesazhi i dashurisë për gjuhën shqipe: “Lura e vogël është gjashtë vjeçe. Ajo ka lindur në Gjermani. Prej ca kohësh ndodhet në vendlindjen e babit, në Gjakovë. Ajo e flet mirë gjuhën shqipe, sepse ia kanë mësuar prindërit. Ndonjë fjalë dhe e ngatërron. Për shembull, në vend që të thotë “e gjelbër”, thotë “gryn”. Por gjyshi dhe gjyshja e ndihmojnë të gjejë fjalën e duhur. Ata i mësojnë çdo ditë fjalë të reja të gjuhës sonë. Lura lumturohet. Ajo po e mëson shumë mirë gjuhën shqipe”. Shtjellimi rreth domethënies së kësaj pjese është i tepërt. Kur fëmijët e emigracionit të rritën, veç të tjerash do të thonë: Faleminderit Abetare!
Kryefjalë e kësaj vere ishte dhe emri i atletes së shquar Luiza Gega për rekordin europian që vendosi këtë gusht në vrapimin 3000 metra me pengesa. Këndej, nga shkolla, dituria, kultura, sporti etj. do ta presim më së pari progresin. Ashtu si nga ekonomia, sipërmarrja dhe turizmi. Sigurisht dhe nga politika, kur të ketë ndërruar aktorët dhe zakonet e vjetra të të bërit politikë. “Abetarja” e rekordeve europiane të shqiptarëve në zë që nga Gjergj Kastrioti, Dora D’Istria, Karl Gega, Aleksandër Moisiu, Gjergj Fishta, Nënë Tereza, Ismail Kadare, Ibrahim Rugova, Inva Mula e deri te Luiza Gega etj. është dhe libri paraprijës i integrimit europian. Vlera të tilla lypet të pëshkojnë gjithë filozofinë dhe bibliotekën shkollore, që nxënësit tanë të mësojnë më të mirën, më të lartësuarën e kombit të tyre dhe jo të depërtojë dhe aty “tallavaja” e teksteve pa sens, apo në emër të globalizmit të bjerren visaret e autoktonisë dhe të identitetit shqiptar.
Ndaj abetarja unike, apo e përbashkët e shqiptarëve nuk është një libër i thjeshtë, por njëlloj “bible” edukimi, qytetërimi dhe integrimi.