02/02/2025

A KA PUSHIME DIMËRORE PËR BUJQIT DHE BUJQËSINË…..?

0
Tarelli-Lutfi-Isufaj

Intervistë me Lutfi Isufaj, Dr. Shkencash në mbrojtje të bimëve

Nga Kadri Tarelli

I nderuar Dr. Lutfi Isufaj, që shkurt ju thërrasim profesori, sepse visheni bukur dhe mbani një çantë, ngjyrë bezhë, njëlloj  si profesorët e Kembrixhit në Mbretërinë e bashkuar.

– Ju ftova për kafe, për të zhvilluar një intervistë të shkurtër, lidhur me punët dhe shërbimet që kryhen pemëtari, vreshta dhe ullishta, në këtë mes dimri 2025. Pasi në mendimin e përgjithshëm, dimri mendohet si periudhë pushimi për bujqit dhe bujqësinë në fshat, që sot i kanë gjetur një emër modern, “ferma” dhe “fermerë”.

Shkaku është fare i thjeshtë, madje mund të qeshësh, por mora shkas nga një bisedë kafeje, me një grup shokësh pensionistë të zanateve të ndryshëm, si mësues, ushtarakë, ekonomistë, artistë, mes nesh edhe agronomë.

Para pak ditësh ju pamë nga xhamat e kafes, që po nxitonit, sikur po ju ikte treni. (Një shprehje e vjetër, e mbetur nga treni që s’priste minutin në zbatimin e orarit të nisjes, ndërsa për mbërritjen e dinte vetë kur vinte në stacion).

Fillim bisede:

– Nuk e prisja këtë hyrje bisede kaq të bukur, ledhatuese dhe argëtuese, – e filloi bisedën Prof. Lutfiu. – Po qesh me vete, pasi këtë shprehje “Dimri periudhë pushimi për bujqit”, u bë një jetë që e dëgjoj, por tani nuk e besoj, sepse siç më kini parë, edhe unë që jam në pension, pushoj vetëm në ditët me shi, se kur ka diell….. ëhë…… jam në parcela me fermerët. Më njoftojnë dhe vijnë më marrin me makinë dhe kjo më lumturon, pasi jam në natyrë, njëkohësisht shikoj një kthesë rrënjësore në mentalitetin e bujkut tonë, lidhur me interesin ndaj tokës dhe prodhimit, përfshirë pemët frutore, vreshtat dhe ullishtat. Nuk e them për t’i bërë qefin vetes, por interesi edhe për të dëgjuar fjalën dhe mendimin e specialistit është rritur ndjeshëm.

Pyetje:

– Cila është arsyeja…? Po shtoj një pyetje në radhën e atyre që kisha menduar….!

Përgjigje:

– Nuk e di sa kinin shëtitur nëpër kodrat e Shijakut, Maminasit, Manzës, dhe Ishmit, këtu në rrethin e Durrësit? Nuk di a ju ka rënë rasti të udhëtoni në kodrat e Belshit apo Dumresë….? Do vini re, se tashmë vendin drurëve frutorë, vreshta dhe ullishta, të vogla e të veçuara e kanë zënë plantacionet, që kërkojnë shërbim dhe mendim specialisti. – Më tej prof. Lutfiu vazhdon:

Me kënaqësi vë re se edhe te fermerët është pjekur mendimi, se shumë nga dëmtuesit dhe sëmundjet që aktivizohen ndjeshëm në pranverë dhe verë, e dëmtojnë ndjeshëm prodhimin dhe cilësinë. Nuk po them gjë të re, nga ana shkencore, se me kohë janë publikuar shkrime në gazeta dhe buletine shkencore, por gjatë periudhës së dimrit rezerva biologjike e dëmtuesve qëndron e strukur apo e heshtur në formë vezësh, larvash, krisalinës së insektit, në tokë, në trungjet e pemëve, në zgavrat e lëkurës, etj, etj. Kështu e rëndësishme është të kuptohet, se punimet dimërore e pakësojnë ndjeshëm veprimtarinë dëmtuese në prodhim, mund të them në të gjitha llojet e kulturave bujqësore, në veçanti të frutave, vreshtave dhe ullishtave.

Pyetje:

– Vë re se shpesh e përdorni fjalën dëmtohet ndjeshëm prodhimi. A mund të përdorni matematikën, që flet me gjuhën e shifrave, sa humbasim apo fitojmë nga kjo punë dimërore?

Përgjigje:

– Është i njohur rezultati. Jo më pak se 30 apo 40%. Nuk është pak, jo vetëm kur e mendon. Përfytyro që nga 100 kv ullinj apo rrush, të humbasësh 30 apo 40 kv. Cili nga ne do ta pranonte për të justifikuar dembelizmin, mosdijen, apo pakujdesinë?

Pyetje:

– Si specialist i vjetër me përvojë të gjatë në mbrojtje të bimëve, çfarë mendoni se arrihet me kryerjen e trajtimeve dimërore…? Në veçanti ç’ janë trajtimet e dru frutorëve, si një nga degët e bujqësisë?

Përgjigje:

– E theksova pak më lart: synohet prodhimi dhe cilësia e tij, si një tregues i rëndësishëm, kur mendojmë tregun vendas me turizmin e shtuar dhe eksportin që ka kërkesa të larta deri te sasia e pesticideve dhe kimikateve të përdorura. Laboratori nuk të mban me hatër. Ndërsa për punimet ato dihen jo vetëm nga specialistët, por edhe nga fermerët. Rendësi ka kujdesi dhe cilësia e punës, jo vetëm të punimit të tokës rreth kurorës, por edhe largimi dhe eliminimi i degëve të thata, degët e krasitura, grumbujt e barishteve, që shpesh i lemë në anë të parcelave, etj, etj. Një kujdes i shtuar duhet në përdorimin e spërkatjeve dhe recetat e kimikateve.

Mbase është vendi të theksohet për një bashkëpunim me të specializuar me farmacitë bujqësore, që tregtojnë helme dhe kimikate për zhdukjen e dëmtuesve gjatë spërkatjeve, duke ditur jo vetëm leverdinë, por edhe rrezikun e mosdijes apo pakujdesisë. Specialistët janë këshilluesit më të mirë dhe më të besueshëm.

Pyetje:

– Me që jemi në periudhë dimri: Ku dhe kur duhet të kryhen punimet për të mbrojtur shëndetin dhe prodhimin e drurëve frutor? Po e bëj më konkrete pyetjen: Cilat janë ditët më të mira gjatë dimrit, për të kryer trajtimet dimërore?

Përgjigje:

– Pyetje me vend, me vlerë për çdo kuvend: Ditë më të mira janë ato me diell, pra ditë pa reshje dhe lagështirë moti, që fatmirësisht klima e vendit tonë i ka të mjaftueshme, për të mos thënë me bollëk, sidomos në zonën bregdetare, ku janë përqendruar edhe sipërfaqet më të mëdha me pemë, vreshta dhe ullishta.

Pyetje:

– Ju e njihni mirë organizimin e veprimtarisë bujqësore, tashmë edhe në kushtet e pronës private të tokës në fshat. Ndaj po pyes: A ka specialistë nëpër qendra dhe fshatra që japin ndihmesë, si këshillues, në kryerjen me sukses të punimeve bujqësore, në veçanti të shërbimeve dimërore në pemëtari…..? Në vazhdim të pyetjes: Cila është porosia për specialistët e rinj, si doktorë të mbrojtjes së bimëve?

Përgjigje:

– Përgjigjen po e filloj nga fundi.

Doktorët apo mjekët e mbrojtjes së bimëve, pra specialistët e rinj, duhet të jenë të papërtuar për ta parë problemin në vend dhe të japë udhëzim për mbrojtjen dhe trajtimin e bimëve. Duhet të dëgjohet më shumë zëri i tyre, jo vetë te fermerët, por edhe në zyrat e shtetit, pasi prodhimi bujqësor është problem kombëtar dhe pasuri kombëtare. Telefoni është vetëm për njoftim. Është njësoj sikur t’i thash mjekut më thuaj nga se vuaj, pa të vizituar…!

Pyetje:

– S’ besoj se jam jashtë teme, kur ju pyes: A ndjeni dhimbje shpirtërore, kur kujtoni Institutin e Mbrojtjes së bimëve, ku kini punuar për një periudhë të gjatë…. Nuk e imagjinoj dot pse u mbyllën? Ç’ fituam dhe çfarë humbëm dhe po humbasim…..?

Përgjigje:

– Për këtë duhen pyetur politikanët dhe shtetarët që morën vendim për t’i mbyllur. Me sa di unë, që jam goxha i shëtitur, nuk ka shtet në botë që mos ketë Institut të mbrojtjes së bimëve. A mund të mendohet një vend pa spitale dhe mjekë, përfshi edhe laboratorët e studimit dhe kërkimit.

Instituti në vetvete, grumbullonte specialistët më të mirë, grumbullonte përvojë dhe shpërndante dije e përvojë, si nga vendi ashtu edhe nga bota.

Besoj nuk është pak, kur mendojmë pasojat.

Kadri Tarelli

Janar 2025.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok