26/12/2024

A JEMI DUKE U FRUSTRUAR NE SHQIPTARȄT?

0
Llesh-Ndoj

Nga Llesh Ndoj*

Një makinë me targa angleze, drejtuar nga një zonjë në moshë, sigurisht tipike shqiptare, kishte ndaluar mu në vendkalimin e këmbësorëve, as 20 metra larg nga kryqëzimi, pa patur asnjë hall të veçantë, thjesht se personi që udhëtonte me të në sediljen e parë, ndoshta bashkëshorti i saj, do të blinte diçka në farmacinë përballë. Në këtë vend, gjithë pjesa para e pas vendkalimit të këmbësorëve, për të kufizuar hyrjen e tyre pa vend dhe për t’i mbrojtur ata nga aksidentet dhe rreziku i mjeteve duke i drejtuar drejt vendkalimit të lejuar, ishte e rrethuar me kangjella. Blerja në farmaci zgjati jo pak, por zonjës drejtuese e automjetit, edhe pse pas 20 metrave, kishte mundësi pritje pa penguar njeri, nuk ia “ndjeu” fare, ndonëse plot njerëz kërkonin të kalonin dhe shtrëngoheshin të fshinin me trup fenerët e makinës së saj, në përpjekje për të kaluar, kështu rrezikonin shumë nga që mjetet e tjera nuk kishin fushëpamje. Kjo mund të jetë një panoramë e shpeshtë në udhët tona. Jo rrallë na rastis që trotuaret të jenë të bllokuara nga makina, shesh herë pa shofer dhe me motor të fikur, gjë që tregon se parkimi i tyre aty është i gjatë dhe i kthyer në normë. Të tjera bllokojnë, pa asnjë keqardhje, rambat e bëra për invalidë e karroca fëmijësh, të tjera ta zënë portën e biznesit, atë të shtëpisë apo hyrjen në parkingun privat. Mund të rreshtoja sa të duash raste të tilla, por le të kthehemi tek shembulli i parë për të dalë tek diçka më e përgjithshme se rastet e veçuara dhe që mendoj unë, është një problem shoqëror, përpara se të jetë një problem institucional e shtetëror. Pse?

Ndërsa shteti nuk mund të ketë nga një polic kudo ndodh një shkelje, kudo ku ndodhin këto ka njerëz që u shkelen të drejtat e liritë dhe që pengohen apo dëmtohen në punën e jetën e tyre. Kaluan këmbësorët minuta të tëra duke fshirë makinën e zonjës edhe djem nga ata që në gjuhën e popullit quhen garipa, edhe burra e gra me fëmijë të vegjël, por askush nuk i tha zonjës: – Ma liro rrugën! Këtu ku shkilen të drejtat e mija, e drejta jote duhet të përfundojë! Nuk është ky rasti i vetëm dhe nuk ndodh vetëm në qarkullimin e mjeteve e këmbësorëve. Tek mjeku hyjnë njerëz radhë e pa radhë dhe megjithëse të pajisur me rekomandimin e dokumentet përkatëse, të duhet të “tolerosh” jo vetëm këtë, por edhe bisedat private në orarin e punës që zgjatin pa fund, edhe kafetë, edhe të bërtiturat, edhe…, dhe në fund edhe të paguash për to privatisht. Dhe përseri     askush nuk ankohet! Ose më saktë, nuk i kërkon llogari mjekut, apo të drejtohet në instancat eprore shtetërore, se për t’u ankuar udhëve, kafeneve e në shtëpi, të gjithë ankohen, bile më shumë se sa është e drejta e shkelur e tyre.

Tek zyrat e shtetit të përgjigjen si “të të kishin zënë në dëm” në kopshtet private, nuk të pajisin me dokumentin që kanë detyrë për të të pajisur, dyert gjenden më shumë të mbyllura, me ose pa njeri brenda, dhe ne përseri heshtim. Ulim kryet, e kthehemi në shtëpi, për t’u rikthyer të nesërmen ose të pasnesërmen, ose më së shumti, për të hapur ndonjë “dritare” të jashtëligjshme e korruptive përmes të cilës do mundemi të marrim shërbimin që se merr dot nga dera ligjërisht. Pa hyrë pastaj tek rastet, kur pa cenuar drejpërdrejt të drejtat e interesat tona, bëhemi dëshmitarë të dhunimit të ligjit, cenimit të territorit, moszbatimit të rregullave financiare, higjienës publike, korruptimit të policit, nëpunësit, mjekut, shitësit në dyqan që nuk lëshon kurrë kupon tatimorë, njerzve me e pa pushtet që dhunojnë të drejtat e tjetrit, e shumë e shumë raste të tjera dhe askush nuk flet!

Marrin vlerësime maksimale në shkolla e diploma njerëz që vetëm ditën e “diplomimit” e kanë parë derën e shkollës, ndërkohë që nuk u jepet mësimi as vlerësimi i merituar atyre që zbatojnë çdo rregull të shkruar, e bëjnë përpjekje maksimale për të përvetësuar dijet, dhe mbeten me “gojën kyçur”. Punëtorët paguhen me dy listëpagesa thuajse kudo në sektorin privat dhe askush nuk ankohet derisa t’u vije koha e pensionimit, për t’iu bashkuar pastaj korit të atyre që shajnë “me rob shpie” qeverinë se pensionet janë të ulta e nuk mjaftojnë as për të “marrë frymë”, se për të jetuar me standarte bashkëkohore, as që bëhet fjalë. Jo se shteti po “më dhimbset” e s’ka mëkate edhe në këtë fushë, por të dhunuarit e të keqpaguarit jemi ne! Edhe në konditat kur bizneset po kërkojnë punëtorë “me qiri” deri në vendet e largëta aziatike apo të Lindjes së Mesme, i njëjti fenomen vazhdon. Në vend që punëmarrësi t’i “diktoje” punëdhënësit kushtet në kontratën e punës e të kërkoje zbatimin e tyre të përpiktë, është ky që e keqpaguan e luan edhe me dinjitetin e tij, duke ia “vrarë” edhe të nesërmen. Edhe pse “shurdh”, shteti në rastet e një denoncimi nga punëmarrësit për fenomenin e dyfytyrësisë (lexo dy listëpagesave), jam i bindur, do të reagonte në favor të punëmarrësit. Ndodh e gjitha kjo, në vendin ku njerëzit tregohen “trima” e nxjerrin alltinë edhe për një fjalë goje, ku burrat dhunojnë gratë e fëmijët, ku spiunllëqet kanë lulëzuar, si dje edhe sot, përmes letrave anonime, kontakteve skutave e klubeve me kuadro drejtues e njerëz të pushtetshëm, dhe kjo më së shumti për gjëra të paqëna se sa për të qëna. Nuk di, a funksionojnë të ashtuquajturit “bilbilfryrës” të ligjshëm, por edhe në qofshin, jam i bindur se i “frynë bilbilit” me frymën e shefit dhe jo të ligjit.

Çfarë tregon gjithë kjo dhe pse ndodh?

Natyrisht që arësyet janë të shumta e shumëplanëshe, aktuale dhe historike, të lidhura me traditën e mënyrën e jetesës në familje e shoqëri, por edhe me institucionet e shtetit e formalizmin e tyre, pa asnjë dyshim. Ndodh e gjitha kjo sepse ne jemi të frustuar e jemi të nënshtruar nga ideja fikse se i pushtetshmi dhe i forti, gjithnjë të unifikuar si terma në perceptimin e njerëzve, të ka në dorë për gjithshka, e kundra tij edhe pse në përputhje me ligjin, nuk mund t’ia dalësh. Dhe ky i pushtetshëm nuk është doemos zyrtar shteti, por edhe mbajtësi i familjes, bashkëshorti, i forti i lagjes, mjeku, mësuesi, polici, rrugaçi e dreqi e i biri, por jo ligji. Ne nuk jemi mësuar t’i marrim në dorë fatet tona dhe kur tentojmë t’a bëjmë këtë e bëjmë dhunshëm e përsëri në dëm të vetvetes. Natyrisht që këtu është dukshëm në dritën e diellit fakti që ne na mungon kultura ligjore. As familja, as shkolla, as shteti nuk synojnë, që me fjalë e veprime, të edukojnë frymën e kulturën e zbatimit të ligjit e të ngritjes së zërit hapur ndaj kujdo që e shkel atë, mundësisht atëherë, kur nuk cënon drejtpërdrejt interesat e të drejtat tua, por “edukojmë” përuljen ndaj shkelësve të ligjit. Prindi i thotë fëmijës: Shih punën tënde, mos kundérshto mësuesin, ç’po të duhet se ç’bën tjetri! Mësuesi po ashtu, kujdeset me fjalë e veprime, të tregojë se mundet edhe të ngrejë në qiell, edhe të fundosë, në vend që të ndikoje në edukimin e besimit tek vetja, tek institucionet, tek ligji. Nëpunësi i shtetit, fjalën më të përdorur në komunikimin publik ka atë “unë”: unë të marr, e të pushoj nga puna, unë ta jap ose jo atë që kërkon, unë bëj këtë e atë punë, unë kam bërë këtë apo atë rrugë, këtë apo atë shkollë, këtë apo atë të mirë publike (kurrë pa mbajtur përgjegjësi për ato që nuk janë bërë ose janë bërë keq!), duke e lenë ligjin gjithmonë në hije dhe anashkaluar faktin se kjo ka qenë detyra e tij për të cilën është paguar. Ndaj kësaj kategorie edhe u pëlqen të mbiquhen superkryetar, superdrejtorë, ma t’mirët prej krejtëve, gjigandë, Skënderbe,(jo Ismailqemalë!) e plot epitete të tjera që tregojnë shëmtinë e përqasjes sonë ndaj ligjit e shtetit, a thua ata e kanë çliruar me by… këtë vend! Natyrisht, që kur shteti që paguhet me taksat tona për të mbrojtur të drejtat tona, e bën këtë, sipërmarrësi privat, duke qenë në pronën e tij, i jep njëmijë herë më shumë të drejta vetes, për t’i nëpërkëmb e dhunuar të drejtat tona. Analiza mund të ishte e gjatë, me shembuj pa fund, duke mbetur njëkohësisht joshteruese për këto fenomene, por nevoja për një reagim të shpejtë e të zgjuar qytetar është emergjente. Ky reagim, ashtu si edhe vetë fenomeni, është kompleks, por duhet të nisë, madje sa më shpejt. Duhet të nis nga ndërtimi i shtetit ligjorë, ku institucionet zgjidhin problemin e nuk kujdesen t’i bëjnë “biografinë” kallxuesit apo ankuesit për çeshtjen konkrete, duhet të nisë nga familja, ku kryefamiljari s’duhet t’i quajë familjarët e vet, e për më tepër, t’i konsiderojë “rob”, por pjestarë të familjes të cilët e ka për detyrë morale e ligjore t’i drejtojë drejt mirëqënies së përbashkët dhe me të drejta të barabarta, duhet të reagojë secili duke mos njohur “më të fortë” se e drejta e tij, e mbrojtur me ligj për të cilën duhet t’a ngrejë zërin deri në kupë të qiellit, duhet të nisë nga punëtori i cili duhet të kuptojë se ka më shumë nevojë sipërmarrësi për punën e tij, se sa ai për të, nga qeverisja e çdo niveli që duhet t’i thonë vetes: nuk jemi shërbëtorë të pushtetarëve, por e kundërta është e vërtetë. Duhet të ngrejmë zërin kur shkilen të drejtat e tjetrit, pa pritur që të vije radha jonë, sipas parimit të pa shpallur: Bëje Zot andërr! Jermia e mosreagimi jonë, frustimi deri në palcë i shoqërisë, po na i vret ëndrrat!

Nga s’duhet nisur, nga çdo rrugicë e udhë që të qon në “bulevardin” e madh të përgatitjes së shoqërisë sonë për t’u bërë anëtarë të denjë të familjes së madhe evropiane, ku synojmë të integrohemi.

*Intelektual e studjues

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok