A ËSHTË PRINCI YNË… PRINC?
NGA NDUE DEDAJ
A është Princi ynë, Princ, apo ky është veçse një iluzion? E përdorëm qëllimisht pronorin ynë, pasi kështu duhet të jetë, por a është ai yni, apo vetëm i vetes? Ka kaq vite që është me këtë titull dhe nuk dimë asgjë për të, përveç faktit që banon në rezidencën mbretërore në Kryeqytet, që ishte i martuar, ka një fëmijë, tash në proces divorci. Nuk dimë se ku punon mbasi ka punuar do kohë Këshilltar i Ministrit të Jashtëm e me se mbahet, por kjo është çeshtje e tij.
Nuk e kemi parë ndonjëherë të marrë pjesë në ndonjë protokoll zyrtar, shtetëror, sado që titulli i tij i trashëguar është honorifik. Nuk e kemi parë as në festën kombëtare të flamurit të vërë ndonjë kurorë. Nuk e kemi parë as në Kosovë, edhe pse ai mëton të jetë përfaqësuesi i unitetit mbarëkombëtar të shqiptarëve.
Nuk kemi asnjë fotografi të tijën publike, përpos asaj në familjen e tij, një video të filmuar nga vetë ai. Një Princ duhet të jetë gjithmonë lart dhe larg skandaleve.
Edhe nëse i bie për hise ndonjë e keqe, lypset që ai të ketë maturinë, pjekurinë dhe trimërinë ta tejkalojë atë. Historia ka treguar se princërit dhe mund të sulmohen, të merren peng, apo dhe të vritën, vetëm se ishin të tillë? Nuk i përkisnin vetes! Për vrasjen e një Princi ka filluar një luftë botërore në fillimet e shekullit XX. Por këto duken kaq të largëta në këtë rast. Ku princët e Europës historike e ku Princi ynë ende pa një fizionomi princërore.
Për më tepër, a mundet që një Princ, qoftë dhe se mban një emër të tillë, të përfshihet me apo pa dashje në një “duel” dhune në familjen e tij, me ish – bashkëshorten dhe familjen e saj, po aq “mbretërore” (të gjithë artistë të skenës), duke mos bërë dallim aspak nga qindra dhunues ordinerë të grave të tyre në Princninë e tij të shkatërruar nga komunizmi dhe të shthurur nga tranzicioni?
Princi ynë me gjasë nuk është ende i tillë, mbase edhe pse i ati i tij nuk u bë zyrtarisht Mbret i Shqiptarëve; nuk i eci për këtë as referendumi që u bë, as kalorësia e tij e panatyrshme me armë në brez në Tiranën e vitit 1997. Ndoshta ishte bërë vonë, pavarësisht se historia kishte gabuar duke mos i lejuar mbretërorët të rronin në atdheun e tyre…
Megjithatë, ç’u bë se Princi gëzon pronat e familjes së tij, edhe pse Oborri Mbretëror i shqiptarëve mund të mos jetë atribut i një individi apo familje mbretërore. A nuk ka qenë i pari skeptër sovrani ai i Princ Vidit? Por kjo është diçka “jashtë” kësaj qasje.
Puna është si Leka II i Lekës I të bëhet Princ?…