16/04/2024

ORË MËSIMI: MISION I VËSHTIRË, SHKOLLË E PËRVUAJTUR…

0

– Kujtesë, nderim dhe dhimbje –

Dita e Mësuesit…

Nga Visar Zhiti

Festa e 7 Marsit na prek të gjithëve, sepse kemi qenë nxënës, pra, kemi patur mësues të gjithë dhe nxënës mbetemi gjithmonë para dijes…

Një pjesë nga ne u bëmë dhe vetë mësues…

Dhe sot na pëlqen të themi diçka, fjalët e mirënjohjes ndaj mësuesit sikur na zëvendësojnë tufën e luleve që do të donim të dhuronim…

E ardhmja e atdheut varet nga mësuesit e klasës së parë, – përsërisim dhe shtojmë se  kështu ka thënë një nga shkrimtarët klasikë, më të mëdhenj në botë dhe përmendim emra të ndryshëm: Hugo, Volter, Gëte…

Ndërsa Profesor ynë i nderuar Çabej, shkencëtari i gjuhësisë, thoshte se ‘mësues’ nuk është profesion, por mision.

COPËZA MALLI

Nis me mësuesen e klasës së parë, imja quhej “zysh Tefta”…

Zysh- thêrrisnim, që do të thotë Zonjë apo Zonjushe, nuk u hoq dot as u zëvendësua me shoqe nga regjimi, që rrëzoi kohën e zotërinjve…

Zysh Tefa! Ah, me vëllanë e saj, mësues dhe ai, z. Luan Myftiu do të ishim bashkë në një burg, në Spaçin e tmerrshëm, ku kishte dhe mësues të tjerë, plot, të burgosur natyrisht, edhe pedagogë e deri profesorë universitarë.

Shqipëria jonë dënonte mësuesit e saj. Më parë na i vrisnin apo helmonin pushtuesit…

NDERIM ATYRE!

Gjithsesi mësuesit tanë, cilëtdo që të ishin, mbeten të dashur, ah, ata kanë qenë dhe të varfër, një pjesë dhe të përndjekur, madje dhe mësim-dhënia, vetë arsimi, do të thosha se dhe është keqtrajtuar…

Më nëpërmendet shkolla ime. Si nxënës dhe si mësues.

Banka të shtrembëra. Barakë… mure palyer, xhamathyer… gjimnazi më mirë, shkolla e lartë ende më mirë, mësues u bëra, shkolla në fshat ku dhashë mësim, e varfër tmerrësisht si dhe nxënësit…

Dua të kujtoj me përulësi një mësuesen tjetër timen, zysh Liri Kazazi, megjithese e përndjekur si familje, që jetonin në barangat e Lushnjës, ajo, gjithë dinjitet dhuronte bashkë me dijen mirësi dhe dhimbje, edhe emrin e saj Liri dhuronte. Sot një shkollë mban emrin e saj.

Në ato vite ndodhi dhe arrestimi i  një mësuesit tim në fillore, z. Hiqmet Nuri, por dhe arrestimi i mësuesit shkrimtar, të arratisurit nga Jugosllavia e atëhershme, z. Kapllan Resuli. S’kish si të mos tronditeshim.

Ndërsa nga burgu i Burrelit ishte kthyer muzikanti i madh, gjeniu i violinës, mësuesi ynë i muzikës, maestro Fotaq Filipeu.

Edhe tim atë, kishte qenë dhe mësues, e kishin burgosur, ndërsa xhaxhanë tim, mësues dhe ai, Maks Zhiti, e vranë në burg…

E si të mos kesh mall për mësuesit, për atë galeri karakteresh të dramës së rritjes dhe dijes! Dua të kujtoj tani  z. Mite Guga dhe bashkeshorten e tij, znj. Marie, të dy mësues matematike, mësuesin kujdestar në gjimnaz, që na ishte bërë si shok, Minella Dani, dhe e kemi shok…

Ne rrinim me poetin Faslli Haliti, mësuesin tonë të vizatimit, mecanat i poezisë, ai na mblidhte në grup, edhe prozatori Halil Jaçellari, mësues i hequr kishte qenë dhe ai, i tregonim njëri-tjetrit krijimet tona e kështu filluam botimet e para.

Nga klasa jonë çuan në universitet në Tiranë, për mësues letërsie, sa bukur, thoshim, Flamurin dhe Bardhin, ndërsa Jorgjien e Fanikën dhe Sanijen me Bashkimin, ah, do ta vrisnin më vonë, edhe mua na çuan në Institutin e Shkodrës, se s’kisha “biografi” aq të mirë, na kapën “vitet e liberalizmit”, që do të dënoheshin në pas, ndërsa Evën, gjimmazisten më të mirë, nuk e lejuan të studionte,

se kishte patur babanë në burg, z. Xhavit Mëhilli, kishte studiuar për pedagogji në Itali, Eva ishte dhe mbesa e mësues së të gjithëve, Lirisë, por ajo do të jepte mësim gati fshehurazi violinë dhe italisht… As eseninianin Sherif Bali, s’e lejuan të shkonte në universitet, as vëllezërit e mi më parë…

Në institute në Shkodër patëm pedadogë me emër, profesorët Vehbi Bala, Kolë Ashta, Jup Kastrati, Neki Lezha, Fadil Kraja, Selami Tabaku, Fatbardha Fishta, Fadil Podgorica, nderoj mbiemra të tjerë, Alibali e Abdiu e Gero, etj, me pedagogun e rusishtes Grigor Cullufen përkthenim poetë të ndaluar si Jevtushenkon, etj. Edhe poeti Frederik Rreshpja, fantast dhe i shkëlqyer, mësues në Shkodër ishte në një shkollë 8-vjeçareje dhe më tej në Lezhë, ku shkoja shpesh ishin mësues dhe poetët Rudolf Marku e Agim Isaku…

Edhe poeti Bujar Xhaferri në Shkodër do të vinte, do të bëhej mësues, edhe poeti Shpend Sollaku Noe mësues do të ishte, edhe poeti Gëzim Hajdari, Edhe poeti Ilir Levonja.., unë po flas për disa nga shokët e mi e shoqet e Lushnjës tonë, është e pamundur të kujtoj më shumë këtu…

Poezia dhe mësimi – i bëmë bashkë. Ashtu ecëm me vështirësi në jetë…  dhe

SA E RËNDË

do të ishte, kur do të gjeja se që student në Shkodër isha denoncuar nga pedagogë në policinë sekrete, jo, jo, që gjimnazist…

Në gjyq, në Kukës, ku isha mësues në një fshat të largët, dëshmitarë për t’më dënuar në gjyq dolën dhe kolegë, mësues dhe më dënuan me 10 vjet burg, por kujtoj rreshtin e pikëlluar me nxënësit e mi, engjëjt e mjerë, nga të cilët mora kurajo. Mësues ishin dhe miqtë e mi besnikë në Kujës, poeti Agim Spahiu, skulptori Ilmi Hoxha, kolegët e mirë në fshatin Vilë, Shefqet Billa e Bilbil Billa.

Dhe unë s’do të isha më mësues, por i burgosur bashkë me mësues të tjerë, me mecenatin tim, çamin Hasan Bajo, me Ron Çobanin, Jorgo Mashon, pedagogun e liceut, përkthyesin Islam Spahiu, me profesorin e inxhinierisë, Ismail Farka. Mësues kishte qenë dhe poeti Havzi Nelaj, që do ta varnin me të dalë nga burgu në mes të qytetit të Kukësit.

MËSUES TË MËDHENJ

ka patur vendi..  që nga Gjon Buzuku… Mêsues kanë qenë dhe poetët At’ Gjergj Fishta, Ernest Koliqi, Migjeni, Lasgush Poradeci, Skender Luarasi, etj, Safet Butka, që vrau veten se nuk duronte dot vëllavrasjen në vitet e rënda të Luftës II Botërore.

Ishte ministër arsimi shkrimtari Ernest Koliqi që në Kosovë dërgoi 200 mësues normalistë dhe atje pati një ngritje të menjëhershme të ndërgjegjes kombetare. kur ndërkohë në të kundërt jugosllavët me 200 komunistë po krijonin në Tiranë një parti, vunë në krye për fat të keq një mësues liceu, Enver Hoxhën, që do të sillnin diktaturën, varfërinin e rëndë dhe mbylljen. Me të ardhur në pushtet fitimtarët, nga një anë nisën punën e madhe kundër analfabetizmit, nga ana tjetër dënonin dijen, librin, mësuesin, para se të ngrinin universitetet, hapën burgjet, ku mbyllën të lauruar të shumtë në universitete të Europës dhe botës…

Prapë shumë mësues u bënë dhe poetë të mëdhenj. Kujtoj Fatos Arapin, që do të kisha dhe miqësi… etj, etj.

Dhe do të binte perandoria komuniste, do fillonin ndryshimet e mëdha… dhe dua të them tani për vete që për shoqe jete zgjodha një studente, studionte për gjuhë dhe letërsi shqipe, Edën time, që do ta fillonte karrierën e saj si mësuese gjimnazi…

HISTORI SHKOLLE…

Pasojat e diktaturës në goditjen e  arsimit do të ishin të mëdha. Masivizimi i shkollës do të shoqërohej me shkatërrimin e traditês dhe politizimin e skajshëm, mêsuesit i donin si komisarë, nxënësit dhe studentët si ushtarë.

Lufta e klasave dhe në arsim do të bënte gjëmën. Sundimtarët e kuq donin t’i prinin dhe së ardhmes, por dhe të kaluarën ta bënin siç do të donin të ishte….

Shpallën 7 Marsin si festën e mësuesit, ditën kur u hap Mësonjtorna e parë shqipe në Korçën e bukur dhe të kulturuar, në vitin 1887. Është periudha e fundme e perandorisë Osmane. Mësuesin e parë Petro Nini Luarasin e helmuan shovinistët grekë të Jugut.

Po a s’kishte patur shkolla shqipe më parë? Si mësohej gjuha mëmë? Edhe Poeti Kombëtar, Naimi ynë, shkruante libra këndimi, për ç’shkolla? E vetmja gjuhë që ishte e ndaluar në perandorinë osmane ishte shqipja e shqiptarëve, që i kishin shërbyer Portës së Lartë mbase më shumë se të tjerët përreth. Dhe shkronjat shqipe i kishte mallkuar kisha greke.

Historia ka punë për të kryer.

Historiani amerikan Edwin Jacques (Edvin Zhak) në librin e tij “The Albanians: an Ethnic History from Pre-Historic Times to the Present” (Shqiptarët: Histori Etnike nga Koha Prehistorike deri në të Tanishmen) dokumenton se shkolla e parë shqipe dhe jo e vetme u hap në vitin 1632 në Velë të Mirditës.

Shkollat të tjera fuqizohën nga “Kuvendi i Arbrit” që u mbajt në Merqi të Lezhes në kishën e Shen Kollit me 14 dhe 15 kallnuer të vitit 1703 me bekimin e Papa Klimentit Xl, me origjinë shqiptare, si kundërshti e asimilimit otoman deri në Lidhjën e Prizrenit në 1878. U hapen shkolla shqipe në Durrës, në Shkodër, në Kosovë kishte 21 shkolla fillore. “Fakti dokumentar i Kuvendit të Arbnit u botua në latinisht dhe në shqip 300 vjet më parë” gjë që dëshmon se ishin të shumtë ata njerëz që dinin të shkruanin e lexonin shqipen që e kishin mësuar veçse në shkollat shqipe.

Të shkojmë dhe më thellë.

“The University of Dyrrachium (Latin: Universitas Studiorum Dyrrhachium, Shqip: Universiteti i Studimeve të Durrёsit) was a Venetian theological university (Studium generale) in Durrës (Dyrrhachium), Venice, then Republic of Venice. The university was established around 1380, and then transferred to Zadar in 1396, amid the mounting Turkish threats in South-eastern Europe…”

Pra, shqiptarët kishin universitet. I pari në Ballkan, thonë studiuesit. E quanin “Instituti i Shën Dedës”, pra Instituti i Shën Domenikut. Në dokumentin e cituar thuhet se ky institut kishte 9 profesorë (latinisht “magjistër”) në teologji. Studiuesit e lidhin me ndërtimin e Manastirit të Shën Domenikut, i cili nisi aty nga viti 1224 dhe filloi detyrat, pra diplomimin nga fillimi i viteve 1300.

Është punë e historianëve, universiteteve, akademive, etj, e shtetit institucionalizimi i të vërtetës.

Ka shumë punë për të bërë me rëndësi për të tashmen, ku avitet dhe rreziku… vërtet universitetit shqiptar iu hoq emri i të pauniversitet, Enver Hoxha, po kështu dhe akademisë ushtarake, por gjeneralisht ka rënie të arsimit, degradim të instutucionit mësues dhe nxënës, shitblerje diplomash, plagjiatura masive masterash, etj, etj, por studentët shqiptarë tani kanë mundësira shumë më të mëdha studimesh, në universitete të mëdha të Europës dhe Amerikës, ku po shkëlqejnë…

Epilogu im:

Është me mësuesin tonë kujdestar të gjimnazit, Minella Dani, sot shok dhe mik, që i shkruajmë, na shkruan, edhe unë këmbej letra me ish nxënësit e mi, prof. Minella na thërret, Flamurin, Bujarin, mua… të pijmë nga ndonjë gotë verë së bashku, të shëtisim, ja, tani m’u ndërpre e shkruara, erdhi mesazhi i tij ekektronik, kaloi oqeani, kohë dhe kujtesë dhe mall: gëzuar 7 Marsin!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok