04/12/2024

80-VJETË HESHTJE ZYRTARE NDAJ GJENOCIDIT GREK NË ÇAMËRI! DERI KUR MË?!

0
Gjenocidi-Cam1

Nga Frank Shkreli

Më ra në sy një lajm ditët e fundit në lidhje me 80-vjetorin e gjenocidit grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë i shpërndar nga Fondacioni Çamëria, “Hasan Tahsini”.  Ky fondacion njofton për ekspozitën tre ditore, titulluar “80-vjet gjenocid”, çelur në Kalanë e Tiranës, të ënjtën që kaloi.  Ky aktivitet zhvillohet në kuadër të veprimtarive të ndërmarra me rastin e 80-vjetorit të gjenocidit grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë të organizuara nga Fondacioi Çamëria, “Hasan Tahsini”.

Sipas njoftimit, në ekspozitë janë paraqitur 80 fotografi autentike disa prej të cilave të panjohura deri më tani, por që dokumentojnë kalvarin dhe vuajtjet e shqiptarëve çam – gjenocidin kundër çamëve autokoton në trojet e veta shekullore.

“Fotot në këtë ekspozitë janë dëshmi që provojnë genocidin grek dhe japin një dimension më të gjerë të kësaj tragjedie ndaj shqiptarëve të Çamërisë, mbi këtë popullsi të pafajshme”, tha kuratorja e ekspozitës, Admirina Peçi. “Ato mbartin një vlerë të madhe historike, por shërbejnë edhe si një apel ndaj ndërgjegjes së atyre që e shkaktuan tragjedinë. Ato duket sikur bëjnë thirrje për vëmendje e drejtësi. Nëpër këto foto bardhezi, disa prej tyre të pa publikuara më parë, ndihet tensioni dhe dhimbja e një epoke të ngarkuar. Janë portrete fëmijësh, grash e burrash, që mbartin dhimbje. Por nuk mbartin vetëm dhimbje, ka edhe shpresë në portretet e tyre”, shprehet kuratorja e ekspozitës,

“Mijëra shqiptarë të Çamërisë përjetuan një genocid të ashpër, që rezultoi me vdekjen masive të mijëra civilëve, por edhe me dëbimin, shkatërrimin, grabitje dhe konfiskimin e pronave të tyre”, citohet të ketë thenë, në vijim, kuratorja Admirina Peçi. Në vlerësimet e historianëve, por edhe të përfaqësuesve të komunitetit çam janë mbi pesë mijë shqiptarë të Çamërisë, civilë të pafajshëm, mes tyre të moshuar, gra dhe fëmijë, që humbën jetën nga masakrat dhe nga vuajtjet dhe kjo shënon një periudhë tragjike të fatit të popullsisë çame”, është shprehur ajo.

“Gjenocidi ndaj shqiptarëve të Çamërisë, 80 vjet më parë, nuk ishte diçka spontane, por një platformë politike e qeverisë greke”, ka thenë për Fondacionin Çamëria, “Hasan Tahsini”, historiani dhe studiuesi i çështjes çame, Z. Hajredin Isufi, i cili aktualisht jeton në qytetin e Durrësit, i vendosur aty me familjen e tij që nga viti 1945. Ai është një nga të mbijetuarit e gjenocidit, ndërsa solli, shkurt, disa momente të dëbimit të dhunshëm nga vendlindja, si dhe kujtimet e tij të hidhura.

Emigrimi i shqiptarëve të Çamërisë ishte një dramë e vërtetë, – tha më tej Z.  Isufi, për portalin e Fondacionin Çamëria, “Hasan Tahsini. “E drejta njerëzore, juridike, ndërkombëtare është në anën e popullsisë çame, sepse këto janë vlerat perëndimore, të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, e drejta e pronës etj.”   Duhet të jemi të bindur se do të triumfojë kjo drejtësi për një nga popujt më të lashtë dhe më të persekutuar me kaq shumë drama e tragjedi, me kaq shumë sakrifica për të mbajtur lart emrin e shqiptarit të Çamërisë, të një vendi me kaq shumë kulturë e histori”, tha mes të tjerash historiani Hajredin Isufi, duke theksuar se çështja çame duhet zgjidhur, pasi ndryshe nuk ka për të patur marrëdhënie të drejta e të shëndosha mes Shqipërisë e Greqisë.

“Masakrat dhe genocidi ndaj popullsisë çame përbëjnë genocid, me dimensione krejt të veçanta, tha për Fondacionin Çamëria, Prof. Pëllumb Xhufi.  “Ikja masive çamëve nuk ishte zgjedhje, por dëbim nga dhuna e gjeneralit Zervas, që ishte pikërisht ideatori dhe zbatuesi i spastrimit etnik. Çamët vuajtën tmerrin e deportimit dhe shpërnguljes me dhunë dhe kanë gjetur forcën për të mbijetuar. Ky ishte një krim i shfarosjes në masë, ishte diçka që nuk duhej të ndodhte, me të cilin nuk mund të pajtohesh, dhe mbi të cilin nuk mund të heshtet. Genocidi ndaj çamëve, edhe pse është denoncuar disa herë nga instanca të ndryshme, nuk është përballur asnjëherë me drejtësinë, me asnjë gjykatë apo forum juridik. Çështja çame ka nevojë për një zhvendosje në binarët e duhur nga politika greke. Ajo është ideologji për cdo shqiptar”, tha më tej prof. Xhufi. “Ka ardhur koha që qeveritë shqiptare t’i kthehen zbatimit të agjendave shqiptare, ashtu siç i detyron Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe siç presin prej tyre qytetarët shqiptarë”.

Drejtuesi i Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”, Alket Veliu, duke përshëndetur vizitorët dhe gjithë të pranishmit në ekspozitë, mes të tjerash tha: “Fryma e kësaj ekspozite në 80 vjetorin e genocidit dhe mesazhi që përcjell, është një dhe i vetëm: Drejtësi për Çamërinë! Çështja çame është një e drejtë ndërkombëtare. Këto fotografi nuk janë stoli, por aktakuza, që na japin një panoramë të tmerrshme të asaj që ka ndodhur. Genocidi ndaj Çamërisë është një prej plagëve më të mëdha kundër njerëzimit në histori. Çamët u vranë, u masakruan dhe u shkulën nga rrënjët, vetëm se ishin shqiptarë, se nuk ishin në harmoni me “Megaliidenë” shoviniste greke. Kemi ende dëshmitarë të gjallë. Kemi njerëz të mbijetuar, që kanë parë me sytë e tyre genocidin. Ata kërkojnë të kthehen në shtëpitë e tyre. Shumë vite kanë kaluar, mirëpo problemi madhor i shkeljes së të drejtave të njeriut në Evropë, i quajtur edhe si “problemi çam”, mbetet ende i pazgjidhur. Ne nuk kërkojmë ndryshim kufijsh. Greqia vetëm do të fitonte, sikur të lehtësonte kthimin e individëve të minoritetit çam në shtëpitë e tyre. Greqia do t’i afirmonte botës mbarë se është vërtetë vend demokratik e i pjekur, nëse do t’i trajtonte këto probleme me mendje të hapur e me zemër të gjerë, duke respektuar të drejtën e kthimit të minoritetit çam dhe të pasardhësve në shtëpitë e tyre.

Sa i përket interesimit të Tiranës zyrtare gjatë dekadave, për çeshtjen çame, Drejtuesi i Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”, Z. Alket Veliu, është shprehur me këtë rast se, “Diplomacia shqiptare, deri më sot, ka qenë e paaftë për të ngritur me sukses zgjidhjen e problemit çam para palës greke. Kemi një heshtje totale që i shërben Athinës. Heshtje që kërkohet nga shteti grek dhe zbatohet në Shqipëri. Asnjë qeveri nuk e ka shtruar dhe nuk e ka pasur çështjen çame në tavolinën e bisedimeve me Greqinë. Ndërkohë që Athina zyrtare bën presion edhe me çështje të paqena si ajo e Belerit, dhe mobilizon gjith strukturat e shtetit grek. Detyrimi ndaj Kushtetutës, ndaj Rezolutës për Çamërinë, si dhe ndaj parimeve universale të drejtave të njeriut, kërkojnë që çështja çame të jetë në krye të agjendës së marrëdhënieve dypalëshe. Të drejtat e njeriut nuk janë përzgjedhëse, por universale. Ato u takojnë të gjithëve, dhe nuk duhen parë sikur “ca janë të nënës dhe ca të njerkës”.

Sidomos në këtë 80-vjetor të gjenocidit çam – këtij krimi të spastrimit etnik — Çamëria dhe çamët e përhapur nepër botë kërkojnë drejtësi dhe dinjitet njerëzor, që krimet ndaj tyre por dhe të drejtat e tyre, përfshir pronat e tyre në Çamëri, të trajtohen bazuar në ligjet dhe konventat ndëkombëtare mbi të drejtat universale të njeriut.  Heshtja zyrtare përball vuajtjeve njerëzore dhe gjenocidit, nuk mund të jetë një opcion në shekullin XXI, është shprehur Sekretari i Përgjithëshëm i Kombeve të Bashkuara, António Guterres’ me rastin e 15-vjetorit të miratimit të marrveshjes së Kombeve të Bashkuara mbi, “Përgjegjësinë për të mbrojtur” njeryit  nga gjencodi, spastrimet etnike dhe prej krimeve kundër njerëzimit.  Me atë rast, udhëheqsit botërorë njëzëri kanë miratuar marrveshjen duke marrë përsipër përgjegjësinë e përbashkët duke u angazhuar për të bërë më shumë për të mbrojtur popullsitë e ndryshme nga krimet si gjenocidi, krimet e luftës, spastrimet etnike dhe nga krimet kundër njerëzimit.

Nuk ka asnjë dyshim se çeshtja çame është një rast i tillë. Ky 80-vjetor i gjenocidit çam paraqet një rast të përshtatshëm për Greqinë dhe për Shqipërinë, por edhe për komunitetin ndërkombëtar, sidomos Bashkimin Evropian, antare e të cilit është Greqia – që më në fund të përballen me krimet greke në Çamëri 80-vite më parë. Që të mos heshtin por të përballen me krimet, përfshir gjenocidin, kundër shqiptarëve çamë të krahinës së Çamërisë Shqiptare – Krahinës më Jugore e Trojeve Etnike –  Frank Shkreli/ Çamëria, krahina më jugore e trojeve etnike shqiptare | Gazeta Telegraf

“Për të vdekurit dhe për të gjallët, ne duhet të jemi dëshmitarë”, të vuajtjeve të viktimave të gjenocidit dhe shtypjeve, ka thenë Elie Wiesel, i mbijetuar i holokaustit.  Kjo vlen edhe për viktimat e nazizmit, komunizmit të Enver Hoxhës, fashizmit grek dhe krimeve gjencocidale serbe në Kosovë.

HESHTJA NUK ËSHTË OPCION përball krimeve kundër shqiptarëve në shekullin XXI! Mjaft heshtjes zyrtare ndaj masakrave dhe krimeve për çfarosjen e shqiptarëve të Çamërisë!

Fotot nga Fondacioni Çamëria, “Hasan Tahsini” — ekspozita e titulluar “80-vjet gjenocid”, çelur në Kalanë e Tiranës, të ënjtën që kaloi.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok