78-vjet nga çlirimi i Lushnjes
Përgatiti: Albert Z. ZHOLI
Beteja e Çukasit kundër autokolonës gjermane
Forcat gjermane po tërhiqeshin nga Berati dhe Kuçova drejt Veriut të Shqipërisë. Një kompani e Brigadës XVI S. kish zënë pritë në kodrën e Çukasit, pranë Fiersheganit. Kur autokolona e armikut u shfaq në rrugën nacionale, partizanët u hodhën në një sulm të befasishëm. U zhvillua një betejë e përgjakshme, gati trup me trup. Nga forcat partizane mbetën të vrarë 16 dëshmorë, një pjesë e mirë e tyre nga Myzeqeja e Lushnjes si: Nako Bozo, Shaban Turku, Vedut Dokollari, Andon Basha, Shaban Çela e të tjerë. Në atë betejë u vra dhe heroina myzeqare nga Fieri, Liri Gero e të tjerë. Nga radhët e armikut u vranë 35 ushtarë gjermanë, 9 oficerë dhe një oficer madhor me gradë kolonel. Po ashtu armiku pati shumë humbje dhe në teknikën luftarake, ku u dogjën 14 makina dhe motoçikleta, 1 tank dhe 2 autoblinda. Pavarësisht fitores kundër forcave naziste, rënia në fushën e betejës e 16 partizanëve dëshmorë, u konsiderua një humbje e madhe nga radhët tona, dhe kjo ndodhi fare pak ditë para çlirimit të Lushnjes dhe të gjithë Myzeqesë, që erdhi në 18 tetor 1944.
Çlirimi i Lushnjes dhe vendosja e pushtetit popullor
Për çlirimin e qytetit të Lushnjes morën pjesë në luftime, Brigada VIII dhe XVI S. Në 16 tetor 1944, qyteti u rrethua mbi kodra nga forcat partizane. Beteja e luftimeve filloi në ora 21 të datës 17 nëntor 1944. Luftimet vazhduan për gjithë natën. Në mëngjes duke gdhirë 18 tetori, forcat e Brigadës VIII likuiduan një kompani gjermane në hyrjen jugore të qytetit, tek “Çezma e Kalifasë”, ndërsa forcat e Brigadës XVI sulmuan qendrën e qytetit dhe garnizonin gjerman që ndodhej tek “Shkolla Bujqësore”, sot “Instituti Shkencor i Kërkimeve Bujqësore” Lushnje. Në këto luftime mbetën të vrarë 20 ushtarë gjermanë dhe u zunë 30 robër lufte. Po ashtu u kapën dhe 3 autoblinda dhe disa kamionë me armatime.
Në ora 8 të mëngjesit të 18 tetorit 1944, partizanët hynë fitimtarë në qytetin e çliruar të Lushnjes. Çaktivizuan disa mina që gjermanët i kishin vendosur tek Ura në hyrje të qytetit, si dhe pranë godinës së nënprefekturës. Po ashtu fikën dhe një zjarr të madh që gjermanët i kishin vënë një depoje drithi me 900 kv grurë. Populli i Lushnjes i priti me gëzim dhe brohoritje çlirimtarët e lirisë. Në 20 tetor 1944, dy ditë pas çlirimit, në Lushnje u mblodh Celula e Partisë Komuniste që përbëhej nga 14 anëtarë me përgjegjës Miti Bozon. Anëtarë ishin: Myzafer Hoxha, Halil Ahmeti, Sedat Ruli, Fato Ahmeti, Adem Haxhiu, Idajet Ruca, Llaqi Jano, Musa Rustemi, Shyqyri Dervishi, Rakip Haxhiu, Llazar Zegali, Sabri Dardha dhe Halim Haxhiu. Celula partie u ngritën dhe në zona të tjera si në Libofshë-Divjakë me 12 komunistë dhe Krutje-Fiershegan me 8 komunistë. Në 3 nëntor 1944 u krijua Komiteti i Partisë Komuniste i nënprefekturës së Lushnjes me 6 anëtarë dhe sekretar politik u zgjodh Miti Bozo. Drejtuesit e parë të këtij komiteti ishin: Myzafer Hoxha kuadrovik, Sedat Ruli përgjegjës për rininë, Argjiro Leka përgjegjëse e gruas, Adem Haxhiu për financat dhe Shemso Çelo përgjegjës për teknikën dhe agitpropin.
Në 6 nëntor 1944 u zgjodh Këshilli Antifashist Nac. Çl. i nënprefekturës me organet e pushtetit dhe të ekonomisë. Këshilli përbëhej prej 11 anëtarë, kryetar u zgjodh Rakip Jaçellari dhe sekretar Mehmet Gina. Aristir Gjini u emërua përgjegjës për ekonominë, Adem Haxhiu për rindërtimin, Riza Shehu për arsimin e shëndetësinë dhe Taq Spiro për financat. Po ashtu u ngrit dhe komanda e vendit për vendosjen e rregullit e të qetësisë pas lufte nën komandën e Llaqi Janos.
Për çlirimin e Myzeqesë morën pjesë në luftime 3 brigada partizane, e VII-ta, e VIII-ta dhe e XVI-ta Sulmuese. Një nga aksionet e rëndësishme të Brigadës së XVI-të u zhvillua në kodrën e Çukasit në Fiershegan pranë rrugës Lushnje-Berat. Ishin ditët e para të tetorit 1944, kur partizanët po e ngushtonin rrethin e luftimeve drejt çlirimit të Lushnjës. Forcat gjermane po tërhiqeshin nga Berati dhe Kuçova drejt veriut të vendit. Në fundin e tërheqjes së autokolonës gjermane, një kompani e Brigadës së XVI-të që kish zënë pritë në kodrën e Çukasit buzë rrugës nacionale, u hodh pa pritur në sulm ndaj autokolonës së armikut. U zhvillua një betejë e përgjakshme, gati trup me trup. Nga forcat partizane mbetën të vrarë 16 partizanë, midis tyre, Liri Gero, Nako Bozo, Shaban Turku, Vedut Dokallari, Andon Basha, Shaban Çela e të tjerë. Ndërsa nga radhët e armikut mbetën të vrarë 35 ushtarë gjermanë, 9 oficerë dhe 1 kolonel. Po ashtu nga teknika luftarake e armikut u dogjën 14 makina e motoçikleta, 1 tank dhe 2 autoblinda. Kjo betejë e përgjakshme, nga forcat partizane u konsiderua një humbje e madhe, ku dhanë jetën pak ditë para çlirimit të Lushnjës 16 dëshmorë myzeqarë.
Në këto ditë të 78 vjetorit të çlirimit të Lushnjes dhe të gjithë Myzeqesë, të jetë ky shkrim një homazh për gjithë të rënët në Luftë dhe për ata që kontribuan me ndershmëri, përkushtim e idealizëm të lartë në Luftën Çlirimtare dhe mbrojtjen e fitoreve për këtë Shqipëri që po gëzojmë ne sot.
Qyteti i Lushnjes
Lushnja është një qytet në Shqipërinë qendrore. Ajo ka 58.200 banorë (2005) dhe është kryeqendra e rrethit së Lushnjës. Qyteti i Lushnjës shtrihet në lindje të fushës së Myzeqesë, buzë kodrave të Darsisë. Territori i tij ze një sipërfaqe prej 37 km². Bashkia Lushnje numëron një popullsi prej rreth 60000 banorë. Qyteti është i ndarë në tetë lagje, të organizuara në pesë rajone.
Objektet e pushtetit vendor janë të vendosura në sheshin qendror, po këtu janë edhe institucionet kulturore artistike, historike, sportive etj. si: Kinoteatri, Muzeu Historik, Biblioteka Publike, Qendra Kulturore e Fëmijëve, Stadiumi etj. Kinoteatri mban emrin e këngëtares së madhe Vaçe Zela. Stadiumi i qytetit të Lushnjës mban emrin e legjendës së futbollit lushnjar dhe atij shqiptar Abdurrahman Roza Haxhiu. Në qytetin e Lushnjës ka një rrjet të tërë institucionesh arsimore dhe kërkimore kombëtare. Instituti i Kërkimeve Bujqësore, tashmë me emërtim të ri, zhvillon prej dekadash një veprimtari të gjerë kërkimore-shkencore me dobi kombëtare. Katër vite më parë, aty u çel filiali i Universitetit Bujqësor të Tiranës. Gjithashtu këtu gjendet edhe shkolla e mesme bujqësore profesionale kombëtare, e cila është hapur dekada më parë. Përgjatë bulevardit kryesor, shtrihet lulishtja e madhe e qytetit. Sipërfaqe të gjelbërta ka edhe në brendësi të lagjeve. Vitet e fundit, rrugët e qytetit janë më të gjelbëruara me pemë dekorative të llojeve të ndryshme. Lushnja ka një pozitë të favorshme gjeografike. Këtu kryqëzohen arteriet më të rëndësishme të komunikimit ndërqytetës. Autostrada veri-jug kalon pranë qytetit. Nga këtu nis edhe rruga më e rëndësishme e lindjes, Berat -Skrapar e më tej. Gjithashtu nëpërmjet rrugëve dytësore, Lushnja ka shkurtuar distancën me Elbasanin dhe qytetet e tjera të këtij qarku.