09/12/2024

73 VITE… VAZHDON MOSHA E DIELLIT

0
Prend-Buzhala-Plisi

(Përsiatje vjetore, në 73-vjetorin e ditëlindjes sime)

Nga Prend Buzhala

Ende e konsideroj timen thënien e Pjetër Bogdanit, i cili thoshte se mosha e tillë, e shtyrë, është MOSHË E DIELLIT. Dikush e quan: fëmijëri e dytë. Kështu po e them edhe tani, në 73-vjetorin e ditëlindjes sime…

1.

Në këtë fazë, secilën ditë po e quajmë një dhuratë, një mundësi për shijime të bukurisë së jetës; le të jetë: me një intensitet të ri.

Mosha e diellit është një periudhë e artë. Ende drita depërton nëpër cepat e shpirtit.

Me vete e merr ndjesinë e qetësisë.

Si një diell që ngrihet ngadalë mbi horizont, ende qenkemi në rolin e nxënësit: mësojmë t’i vlerësojmë momentet e thjeshta— bisedat e mëngjesit me pije, ndjesinë e erës që fryn lehtë në fytyrë… shtegtimet, lëvizjet, përsiatjet, shkrimet, punët e shtëpisë, çastet me të tutë…

Kujtimet vijnë e vijnë, tek shndërrohen në thesare. Ato ngjallin emocionet që na rikthejnë në kohë, sikur edhe njëherë po i jetojmë ato çaste të bukura.

Mosha e diellit na fton ta shohim botën ndryshe, përmes syve të fëmijërisë së dytë:

edhe kur ballafaqohemi me ndonjë vuajtje tinëzare a me shumëçka tjetër;

ende na prek ai gjembi i kureshtjes për njohje e vetënjohje: një reflektim i asaj çfarë kemi arritur dhe asaj që ende presim ta përjetojmë;

ende, si çdo diell që perëndon, edhe ne e kuptojmë se kalimi i kohës është krejtçsisht natyror;

edhe kur mozaijku ynël jetësor na sjell kënaqësi dhe hidhërim, gëzim dhe trishtim;

dhe ende jemi të lirë të ëndërrojmë, të shpresojmë, dhe mbi të gjitha, të jetojmë.

2.

Fjalët, për një çast, duan ta shohin botën ndryshe: në dritën e kujtimeve (le të jenë ato të bukurat)….dhe duan të vazhdojnë të shtegtojnë … me ÇANTËN NË SUPE.

Eh… ME ÇANTËN NË SUPE…

I kërkojmë leje kësaj kohe: për të hyrë në hapësirat e saj… Mandej gjithçka zgjedhim vetë… secili me dritën e vet që e ka sjellë në këtë botë.

Çanta… me libra, me dorëshkrime, e, e besa edhe me ilaçe… kjo MOSHË DIELLORE po më thotë se kjo çantë është simbol i përjetimeve, shtegtimeve, shënimeve nga shtegtimet; janë risitë që priten në horizont, dhe shpresat që ndriçojnë hapat që i bën.

Në 73 vjet, qenka si të bësh një udhëtim rreth tokës dhe diellit, duke mbledhur kujtime dhe përjetime që tregojnë se ende çdo vit është një tjetër fillim! Fillim… qoftë edhe në zbulimin e gëzimeve që fshihen mes pakënaqësive.

Dhe përsëri fjalët… e thëna, të shkruara.,.., si SHTEGTARË METAFIZIKË, që mbajnë premtimin e dëshirave dhe iluzioneve tona.

Qenka koha për t’i rrëfyer ato të kaluarat, për t’i mbledhur përvojat dhe për ta krijuar atë trashëgimi që e ke ëndërruar.., qoftë edhe me trastat e zbrazëta të jetës.

Na thotë: se jeta është një cikël, një valë që vjen dhe ikën. Çdo përjetim na formon, na ndihmon … Jeta është një vepër arti, dhe ne jemi artistët e saj,

Paj, le të jetë festë e përjetshme kjo MOSHË E DIELLIT!

(1 nëntor 2024)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok