21/12/2024
Agron-Tufa

MBI FRYMËZIMIN (ose “teoria e tri akteve”)

Nga Agron Tufa

Akti I

Ah, ç’ia kam luejt Zotin sot frymëzimit…! I qe tekë me u futë, pa pyet, në vargjet e mia. Por qëlloi syçelë mërzia: “Pa thyeje qafën, sarhosh!”, i tha. E atij, aq keq i qe tekë me hy në vargje, sa tan ditën e lume m’u ngjit si rrodhe. “Hiqmu bre, zgjebe!”, i thosha. “Termu more sysh!”. “Shko, gjej ndoj çupëlinë t’përvlueme dashnijet, a ndoj poet brengaxhi…”.

Por, pushti, a e dini se ç’bani?

M’i giciloi keq do kujtime t’kahershme në kohën e trishtë të djelmënisë; kalldrëmet i shtroi me muzikë për me kalue çapebutë Fytyrë-engjëllorja. “Jo”, – i thashë, – s’të shkojnë me mue kësi filmash!”.

Zbrita në lokal, xuna vend në banak, ia qepa sytë ekranit dhe, për fat, u rrëqetha kënaqësiet: në fushën e blertë po zbrisnin “Barcelona” dhe “Reali”. Porosita një krrikëll birrë dhe fërkova pëllambët. Mandej iu gërmusha mënjanë frymëzimit: “hajt, tash, mbathja kolopuç! Tash sak nuk ta kam ngenë…!”

Akti II

Në këtë fletë, do t’duhej të shkruhej një poezi… Por, mungon frymëzimi (pa frymëzim, thonë, nuk ka poezi!). Me shpresën se frymëzimi s’rrin pa e nxjerrë kryet në nja prej këso vargjesh, na le t’vazhdojmë me e shkrue k’te poezi, së cilës i mungon frymëzimi.

Eh, frymëzimi…! Sikur të vinte ai… Po ç’ka me ba? Unë kam dëshirë me e shkruejt njik’te poezi me apo pa frymëzim. E sikur frymëzimi të ishte? ku ka ma mirë…! Po ai mund mos me ardhë fare, andaj, ju lutem, m’lejoni me vazhdue pa té. Ndoshta, kushedi… piqemi gjatë udhës? Ndoshta ka zanë me u ba i padukshëm dhe, me kohë, ka zanë me frymue në këto rreshta? Dorën në zjarr s’mundem me vnue, e mëgjithatë, ndjej se endet diku, këtu, për-rrotull. Atëherë, si thoni, a nuk do t’kishte qenë ma e mira me hjek dorë sa ma parë prej kësaj poezie e me pritë?

Akti III

Frymëzimi erdhi! (Ndalohet rrahja e shuplakave!). Nuk ua shpjegoj dot si erdhi, por ndjej praninë e padëshmueshme të tij. Kjo nuk asht krejt poezi, por thjesht, një paralajmërim i randsishëm, se frymëzimi erdhi. Ku kishte me ikë xhanëm…!? E solli prapë kryet, si djali plangprishës dhe unë, pa i ba asfarë qortimi, e pres, e trajtoj si hernat e tjera. Falja nuk ban me u recitue me patetikë. Dhe duhet me u mësue ma në fund, se frymëzim asht: siç ka ardhë, ashtu ka me ikë…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok