18/11/2024

Nga Prof. Blerim Latifi

Si sot, 80 vjet më parë, nisi zbarkimi më i madh ushtarak në histori, zbarkimi në Normandi. Mijëra ushtarë amerikanë, britanikë, kanadezë e australianë do të vdisnin në atë që njihet si Dita D, e cila shënon fillimin e çlirimit të Francës dhe të gjithë Europës perëndimore nga Nazizmi.

Çlirimi i Francës dhe avancimi britaniko-amerikan drejt Gjermanisë naziste, bëri që kjo e fundit të urdhëronte tërheqjen nga Europa Juglindore.

Duke shfrytëzuar këtë tërheqje, partizanët e leckosur komunistë, që bridhnin maleve të Shqipërisë, Jugosllavisë e Bullgarisë, vrapuan të zënë qytetet dhe të shpallin rrenën se ata vetë i çliruan ato me luftë heroike. Me këtë rrenë të madhe regjimet që dolën prej tyre do të legjitimonin veten për gjysmë shekullin që do të vinte.

80 vjet pas Epopesë së Normandisë, Europa e ka humbur ndjesinë e sigurisë  dhe besimin për veten si një oazë e paqes së përhershme kantiane. Kjo për shkakun se një regjim tjetër, që bartë shumëçka nga bagazhi ideologjik i fashizmit, regjimi autokratik i Putinit, po synon revanshin historik ndaj fitorës së Perëndimit liberal në vitin 1989. Shumica, për të mos thënë gjitha forcat dhe regjimet autoritariste të botës, në një mënyrë apo tjetër, qëndrojnë të rreshtuara në mbështetje të revanshizmit rus.

Kështu, pas rënies së iluzionit të “Fundit të Lumtur të Historisë”, të cilin e përqafuam me naivitet pas rënies së komunizmit, historia botërore është rikthyer, me të gjithë huqet e saj të moçme.

Në epiqendër të këtij rikthimi është një konfrontim i ri midis botës demokratike dhe botës autoritariste.

A do të jetë kjo Lufta e Tretë Botërore?

Apo Lufta e Dytë e Ftohtë?

Apo edhe Armagedoni biblik?

Apo veç një tension i përkohshëm deri në stabilizimin e një rendi të ri multipolar?

Aktualisht nuk mund të jepen përgjigje të sigurta shkencore e filozofike në këto pyetje themelore të ditëve tona. Arsyet mund t’i gjejmë tek libri i shkëlqyer “Mjerimi i historicizmit” i filozofit ma të rëndësishëm të shķencës Karl R.Popper.

Të privuar nga kjo mundësi për të ditur se si do të përfundojnë gjërat në të ardhmen, ankthet dhe frikërat tona targetohen nga matrapazët, babavangat dhe budallenjtë e teorive konspirative, të cilët sot janë shtuar si bari i keq në një tokë të mbetur djerrinë.

Por përtej të gjitha pasigurive tona mbi rrjedhën e historisë në shekullin që po jetojmë, një gjë tanimë është bërë e qartë : historianët e shekujve pasues do të kenë shumë punë me trashëgiminë e tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok