16/02/2026

14 shkurti flasin për Shën Valentinin:  Dashuri Hysaj, Paro Ziflaj, Myfarete Laze, Alida Hisku, Bashkim Alibali

0
Dashuria-Shen-Valentini

-Shën Valentin do të thotë paqe, dashuri, mirëkuptim, lumturi

– Mes këngës, detit, malit, valëve, mimozave kjo ditë sikur bëhet më hyjnore…!

Nga Albert Z. ZHOLI

E dashur këtë 14 shkurt. Oh, sa herë më ndodh të dehem tek ty dhe çdo shkronjë që të nis është një kupë plot mall e puthje dhe një këngë e thellë! E dehur nata, ëndrra, i dehur çasti, dita, pritja prej trëndafili të kuq, aromë në buzët e tua. Dashuria është një pëlhurë që e thurri Perëndia e që fantazia e njeriut e zbukuroi me qëndisje. Dashuria e vërtetë është si fantazmat! Të gjithë të flasin për të, por askush nuk e ka parë.

– Dashuria na shmanget kur e kërkojmë dhe na ndjek kur e shmangim. Lëndojmë ata që na ndjekin, dhe ndjekim ata që na lëndojnë. Të dashuruarit e shohin vetëm veten e tyre e harrojnë se ata i sheh tërë bota. Dashuria është një pëlhurë që e thurri Perëndia e që fantazia e njeriut e zbukuroi me qëndisje. Dhe ja….Jo papritur! Sot është dita e dashurisë! Shën Valentini ka trokitur! Pse festa e Shën Valentinit bie pikërisht më 14 shkurt? (E keni pyetur ndonjëherë veten?…) Është një rastësi apo ka një kuptim të veçantë? Në kalendarin romak, shkurti është konsideruar si muaji në të cilin njerëzit përgatiteshin për mbërritjen e pranverës, stinën e rilindjes. Kështu fillonin ritet e pastrimit: shtëpitë pastroheshin dhe ju hidhej kripë si dhe një farë e veçantë. Por në veçanti, në mes të muajit fillonin festimet në nder të zotërve, që i mbanin ujqërit larg nga fushat e kultivuara. Urdhri i priftërinjve të ngarkuar me këtë kult, i afrohej gropës ku sipas legjendës, ujkonja kishte rritur Romolon dhe Remon dhe ku kryenin sakrificat zbutëse. Gjaku i kafshëve përhapej në vendin përreth rrugëve të qytetit, si shenjë e pjellorisë. Ngjarja e vërtetë për rininë romake të asaj kohe ishte një tip lotarie dashurie. Çdo vajzë e re, në kohë për t’u martuar, vinte emrin e saj në një vazo dhe çdo beqar duhet të kapte një emër pa e parë, se për kë bëhej fjalë. Kështu formoheshin çifte, që shpesh përfundonin në martesë. Të gjithë i duam mendimet, vegimet, idetë, ku patjetër, duam të jemi pjesë e ëndrrës së dashurisë, e atij universi ku askush s’është i fuqishëm të depërtojë, por vetëm të ëndërrojë pafundësisht në kohën mes dy stinëve më të bukura jetësore…Dashuria të shtyn drejt madhështisë, sakrificës, guximit, marrëzisë. Në dashuri jemi si dy pika vese rënë nga petalet e një trëndafili rozë. Populli i ka thurur lavdet e tij kësaj ndjenje kaq të madhërishme duke e ngritur në tempujt e shpirtit dhe në zërin e zemrës. Dashuria është një zë nga brenda vetes, që kërkon të flasë, kërkon të dalë nga errësira, të thotë: Jetoj, për ty jam gjallë! Aty ku Hëna puth perëndimin dhe deti flladit mëngjesin me VALË. Çdo ëndërr dashurie ka një dëshirë, çdo dëshirë ka një realitet, dhe çdo realitet ka një realizim. Dashuria është liri dhe lumturi. Në dashuri pemët, anës rrugës ngelen veçse spektatorë të qeshur të një kohe të bukur… Kështu le të jetë kjo ditë një shkëndijë fjale, për të ndezur vullkanin e madh njerëzor për ndjenjën më fisnike të të gjithë kohërave.

Dashuri Hysaj

Atje ku ka shumë dashuri, ka shumë sakrifica. Atje ku nuk ka dashuri, gjithçka është e gabuar. Shën Valentini është dita më romantike e vitit, ku shumë të rinj e dërgojnë kartolinën e të dashuruarve me anë të zemrës. Shën Valentin do të thotë paqe, dashuri, mirëkuptim, lumturi, gjatë kësaj feste. Këto momente janë qetësia shpirtërore në ëndrrat e rinisë pse jo dhe të çdo moshe. Dashuria nuk njeh moshë. Diku për këtë ditë kam lexuar një kartolinë dashurie: “Unë ndjehem një botë më vete, një botë plot trëndafila të lulëzuar dhe çdo fjalë që shkruaj çdo buzëqeshje e syve kur mendoj më kthehet në një këngë dashurie që e këngëzoj midis buzëve të mia”. Sa bukur e ka përkufizuar!

Myfarete Laze

Festë që na largon nga hallet. Dhe ja…festa e të dashuruarve po vjen mes mimozash…Në sistemin monist ne nuk e kemi ditur ç’është Shën Valentini dhe nuk e kemi festuar. Ishte tabu një festë e tillë. Bashkë me demokracinë u bë e njohur dhe festa më popullore, më e bukura në botë, më e komentuara Shën Valentini. Një ditë plot gaz, hare, plot mirësi, dashuri, harmoni. Një ditë që ofron shumë buzëqeshje, gëzim, lule dhurata. Për mua mbetet një festë pa ligje, por e ligjëruar. Një festë shumë e veçantë. Një festë që për mua s’duhet të kufizohet vetëm tek të rinjtë. Në këtë ditë të gjithë duhet të durojmë dhe të marrim urime për dashurinë njerëzore. Çudi se dhe mimozat çelin enkas në këtë ditë të bukur. Dhe mimozat janë simboli më i mirë i dashurisë. Kjo ditë na afron më shumë me njerëzit me të afërmit. Ndihem mirë në këtë ditë, sepse kam kënduar shumë vargje të poetëve të shquar të të gjithë botës. Do doja që ditë të tilla të kishim sa më shumë. Janë ditë të pastra qiellore që të mrekullojnë.

Bashkim Alibali

Ndihemi sikur jemi bashkë me rininë në këtë ditë feste sipas mënyrës së gjithsecilit. Edhe ne me tingujt e miteve të muzikës që kemi kënduar dhe këndojmë përjetojmë momente feste në këtë ditë magjike ku era e Dajtit duket sikur orkestron dhe thotë; Dashurohuni sa më shumë. Dashuria të zbukuron të fisnikëron. Mes këngës, detit, malit, valëve, mimozave kjo ditë sikur bëhet më hyjnore…!

Paro Ziflaj

Erdhi sërish 14 shkurti. Sa e bukur kjo ditë, sa magjike! Kujtdo kjo ditë i zgjon secilit kujtime, mendime, ëndrra. Në këto vite kjo është bërë festa më e spikatur, më sinjifikative, më e përbotshmja sidomos tek ne që deri dje nuk mundnim ta festonim. Por një ditë për dashurinë s’është asgjë përpara dashurive të mëdha jetësore mbarënjerëzore. Dashuria është e përjetshme dhe duhet të jetë e përditshme. Por dhe një ditë e përcaktuar është një emër i veçantë një emër që s’mund të tjetërsohet apo zëvendësohet. Kjo ditë është monumenti i Dashurisë. Kjo ditë është 14 Shkurti. Gëzojeni me gjithë fuqinë e shpirtit. Ku ka dashuri ka dhe jetëgjatësi.

Alida Hisku

Edhe në rini I kam kënduar dashurisë. Dashuria jepet gjithmonë si dhuratë, e lirë, e gatshme, e papritur, ofrohet edhe kur të tjerët nuk e njohin dhe nuk e çmojnë. Ne nuk dashurojmë, sepse kështu duhet, dashurojmë, sepse kështu ndjehemi. Një ditë që dua të dhuroj sa më shumë lule, lule, buzëqeshje. Se gëzuam në rininë tonë. Le ta gëzojnë fëmijët tanë. Është një ditë hyjnore. Unë shumë shkurt do ta përkufizoja dashurinë si dhe të dashuruarit : Të duash dikë s’mjafton 14-shkurti ! Një vit ka 365 dit/net s’do bëja dallim kur është puna t’i japësh dashuri dikujt që e don më shumë se veten.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok