22/12/2024

TË NDARË DHE TË PËRÇARË?!

0
Frank-Shkreli

Një parashikim i dështimit të Samitit të Berlinit –tre vjetë më parë

Shënim: Skema për ndryshim kufijsh ose shkëmbim territoresh, e tjera, e trojkës Rama-Vuqiç-Thaçi kishte filluar për së mbrapshti në Beograd me takimin Rama -Vuçiq në tetor të vitit 2016. Një shikim mbrapa dhe një parashikim, shkruar me 18 tetor, 2016 – pas takimit Rama Vuçiq në Beograd.

Nga Frank Shkreli

Kam drojë se takimi Rama-Vuçiq, jo vetëm që nuk kontriboi aspak drejt pajtimit midis popujve, por nga ky takim nuk përfiton as paqa dhe stabiliteti në rajon, e shqiptarët jo se jo. Ishte predestinuar të dështonte dhe mund të çojë në përçarje midis shqiptarëve.

Ditët e fundit është ndezur debati në Shqipëri dhe në Kosovë në lidhje me deklaratat që bëri Kryeministri i Shqipërisë gjatë vizitës së tij të fundit në Beograd. Kryesisht debati përqëndrohet në faktin nëse Kryeministri Edi Rama gjatë takimeve të tija me serbët, kishte të drejtë të fliste në emër të Kosovës ose për Kosovën. Komentet dhe interpretimet mbi prononcimet e Z. Rama në Beograd vazhdojnë të jenë të ashpra nga komentues, si nga Shqipëria ashtu edhe nga Kosova, madje me akuza të ashpëra se kush po i frynë erës së ndasive dhe përçarjeve midis shqiptarëve — dashtë e pa dashtë — duke hedhur më shumë benzinë në flakët e kësaj gjëndjeje të krijuar, krejtsisht pa nevojë. Reagimeve të komentuesve të ndryshëm u praprinë deklaratat e qeverisë së Republikës Kosovës dhe të Ministrit të Jashtëm të Kosovës, Z. Enver Hoxhaj.

Qeveria e Kosovës, nepërmjet zëdhënsve të saj, përfshirë edhe Këshilltarin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Bajram Gecaj, citohet nga media të ndryshme të ketë thënë se problemet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhen zgjidhur midis nesh, duke shtuar se “Ne mirëpresin angazhimet e të gjitha shteteve mike rreth shtensionimit të marrëdhënieve në mes Republikes së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, posaçërisht angazhimet të cilat vijnë nga

Shqipëria. Megjithatë, Republika e Kosovës është shtet i pavarur, i njohur ndërkombëtarisht nga shumica e shteteve të botës, posaçërisht nga shtetet me demokraci të zhvilluar, prandaj në emër te Kosoves flasin institucionet e shtetit tonë. Ne jemi në dialog për normalizimin e marrëdhënieve në mes Republikës së Kosoves dhe Repbulikës së Serbise, dhe ato probleme duhen zgjidhur kryekëput në mes nesh”, është cituar të ketë thënë këshilltari I Kryeministrit të Republikës së Kosovës. Ndërsa Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Z. Edi Rama duke reaguar ndaj atyre që disa i cilësuan si “përplasje” midis Tiranës dhe Prishtinës zyrtare në lidhje me ato që u njoftuan dhe ato që nuk u njoftuan në Beograd, u shpreh se në takimet me Kryeministrin serb Vuçiq ai, “Nuk kishte folur në emër të Kosovës, por për Kosovën.” Në rregull, sepse gjatë një vizite zyrtare në Beograd, Kryeministri i Republikës së Shqipërisë nuk kishte si mos të fliste për Kosovën, ndonëse deklarata e Z. Rama për njohjen e Kosovës nga Serbia nuk është asgjë e re. Ai e kishte thënë këtë edhe gjatë vizitës së parë në Beograd, ndërkohë që edhe udhëheqsit perëndimorë në çdo takim me zyrtarët serbë bëjnë thirrje për një gjë të tillë, që Serbia ta njohë Kosovën, shtet të pavarur. Kjo është një thirrje drejtuar Serbisë ç’prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës, edhe nga Shtetet e Bashkuara dhe nga Bashkimi Europian.

Ndërsa edhe Prishtina zyrtare, qeveria dhe ministri i jashtëm Hoxhaj kishin të drejtë të shpreheshin – sidomos për faktin që të mos kishte ndonjë keq kuptim nga ana zyrtare e Beogradit – se janë ata që flasin në emër të shtetit të Kosovës dhe jo Kryeministri i Shqipërisë. Kaq e pranoi edhe vet Z. Rama, se ai kishte folur për Kosovën dhe në emër të Kosovës.

Por, cilat do qofshin interpretimet e deklaratave të Z. Rama në Serbi, në lidhje me marrëdhëniet Kosovë-Serbi dhe të reagimeve zyrtare nga Prishtina, një gjë duhet të jetë e qartë për të gjithë, se askush nuk i njeh serbët më mirë së shqiptarët e Kosovës. Gjithashtu duhet thënë se Z. Rama ka të drejtë kurë thotë se shqiptarët, për një jetë më normale duhet të ndërtojnë ura midis serbëve dhe shqiptarëve. Por urat duhet të ndërtohen midis serbëve dhe të gjithë shqiptarëve dhe jo vetëm gjysmës së shqiptarëve.

Shpesh është dhënë shembulli i pajtimit midis gjermanëve dhe francezëve pas Luftës së Dytë Botërore, ndoshta si model për pajtimin midis shqiptarëve dhe serbëve. Në rregull, historikisht, shqiptarët kanë qenë gjithmonë dhe janë për pajtim. Por ndryshimi është se shqiptarët e Kosovës, as shqiptarët në përgjithsi anë e mbanë trojeve shqiptare, nuk kanë qenë kurrë agresorë kundër asnjë populli dhe nuk kanë pushtuar tokat e askujt, përfshirë tokat serbe. E vërteta është anasjelltas. Duhet kuptuar gjithashtu se serbët nuk janë si gjermanët. Gjermanët, jo vetëm kërkuan falje për krimet e tyre gjatë luftës, por ata madje edhe kompensuan materialisht dhe financiarisht shumë prej viktimave të tyre anë e mbanë Europës. Fatkeqsisht, shqiptarët dhe serbët janë shumë larg pajtimit dhe për këtë nuk janë fajtorë shqiptarë dhe as Tirana dhe as Prishtina zyrtare. Për këtë, faji i duhet lenë të dera Serbisë. Por, për mua në këtë moment historik, kanë më shumë rëndësi marrëdhëniet dhe avancimi i tyre midis vet shqiptarëve – në radhë të parë midis Prishtinës dhe Tiranës zyrtare — se sa marrëdhiet midis Republikës së Shqipërisë dhe Serbisë, ndonëse të nevojshme. Sepse nëqoftse nuk ka bashkim dhe marrëdhënie vëllazërore midis shqiptarëve kudo, nuk na duhet gjë hiç as ndërtimi i urave me Serbinë, në kurrizë të bashkpunimit dhe të bashkimit të shqiptarëve. Të gjitha këto komente gjatë ditëve të fundit në lidhje me këtë situatë të krijuar pa nevojë, vetëm çojnë ujë në mullirin serb dhe përkeqësojnë edhe më shumë, ato që disa vëretjës po i cilësojnë si, “ndasi dhe përçarje” në rritje midis shqiptarëve, si rezultat i kësaj vizite në Beograd nga kryeministri shqiptar.

Të gjitha reagimet, zyrtare dhe jo-zyrtare ndaj kësaj vizite të Ramës në Beograd, tregojnë se nuk kishte asnjë bashkrendim të ideve dhe qëndrimeve të përbashkëta në lidhje me takimin shqiptaro-serb që Serbia e kishte cilësuar si një të ashtuquajtur, “Dialog për marrëdhëniet e shqiptarëve dhe serbëve në rajon”, ku fillimisht pritej të ftoheshin të merrnin pjesë edhe përfaqsues politikë të Republikës së Kosovës, gjë që nuk ndodhi. Ose nëqoftse ka patur këshillime zyrtare midis Tiranës dhe Prishtinës, atëherë qëndrimet mund të kenë qenë diametrikisht të kundërta në lidhje me takimin midis kryeministrit zë Shqipërisë dhe atij serb.

Në mendimin tim, gjëja që duhet të kritikohet më shumë me këtë rast, nuk është vizita e Edi Ramës në Serbi, por është mungesa e bashkpunimit, e këshillimeve dhe e koordinimit të qëndrimeve midis Tiranës dhe Prishtinës, në muajt dhe javët para vizitës së Kryeministrit Rama në Serbi. Me një bashkrendim të tillë, besoj se gjithë ky debat krejtësisht i pafrutshëm për interesat shqiptare në Ballkan, do të ishte mënjanuar.

Prandaj, në vend të akuzave dhe kundër akuzave të analistëve që njellin zi, duke fajësuar njerën ose tjetrën palë, do të ishte më mirë të bëhej pyetja: Kishte koordinim midis Prishtinës dhe Tiranës ndërkohë që planifikohej vizita në Beograd? Nëqoftse nuk kishte këshillime, pse nuk kishte një bashkrendim të qëndrimeve për një vizitë që në sipërfaqe dukej si e rëndësishme? Për më tepër dhe më me rëndësi, a është ky gjithmonë “modus operandi” — mungesa pra e këshillimeve dhe bashkrendimit të pikëpamjeve midis dy kryeqyteteve shqiptare — sidomos kur kemi të bëjmë me çështje madhore të interesit kombëtar, siç janë marrëdhëniet shqiptaro-serbe? Këto pyetje nuk kanë të bëjnë aspak me nacionalizëm primitiv siç e quajnë disa, por kanë të bëjnë me ekzistencën e kombit, pikëspari me identitetin kombëtar dhe me interesat afat shkurtëra dhe afat gjata të të gjithë shqiptarëve, historikisht të ndarë në pesë shtete nga të huajt, por aktualisht të përçarë nga vetja e tyre, fatkeqsisht. Në fillim të gushtit, në artikullin “Punë Ballkanasish, Hesapi”, duke shkruar për vizitën e lajmëruar të kryeministrit Rama që mori fund disa ditë më parë në Serbi, kisha shënuar se, “Përsa i përket takimit shqiptaro-serb, dialogu është i mirë në çdo kohë dhe për gjithçka, por është procesi të cilit duhet t’i kushtohet kujdes dhe vëmendje e veçantë. A do të jetë takimi i Nishit një hap i parë dhe tepër i nevojshëm drejtë pajtimit dhe drejtësisë midis dy popujve – e vetmja mënyrë për paqë dhe stabilitet në rajon – a por do të jetë një rast i radhës për të dëgjuar retorikën tashmë të mërzitshme serbe mbi “Kosovo-Metohinë”, gjë që nuk ka ndihmuar as nuk i ndihmon zhvillimit normal të marrëdhënieve midis shqiptarëve dhe serbëve në Ballkan”.

Kam drojë se takimi Rama-Vuçiq, sidomos duke marrë parasyshë edhe komentet e kryeministrit serb gjatë dhe pas vizitës, jo vetëm që nuk kontriboi aspak drejt pajtimit midis popujve, por nga ky takim nuk përfitoi as paqa dhe stabiliteti në rajon, e shqiuptarët jo se jo. Dihej se pa pjesëmarrjen e përfaqsuesve legjitim të shqiptarëve të Kosovës në takimin, “për një dialog midis shqiptarëve dhe serbëve”, dialogu midis dy palëve kësaj radhe, ishte i pre-destinuar të dështonte. Përkundrazi, kjo vizitë duket se pati efektin e pa dëshirueshëm të acarimit për të mos thënë përçarjeve në marrëdhënjet Tiranë-Prishtinë, siç po e cilësojnë disa komentues. Tashti është në duarë të dy palëve, Tiranës dhe Prishtinës zyrtare — që sa më shpejtë të zgjidhin çdo mosmarrveshje që mund të ekzistojë midis tyre ose në përceptimin e mendjes së popullit në lidhje me këtë çështje – me qëllim për të ndaluar një debat të dëmshëm dhe të pa nevojshëm nga të dy shtetet shqiptare — zyrtar dhe jo-zyrtar — ashtuqë sutuata të mos degjenerojë më keq, në një përçarje më të thellë midis shqiptarëve. Sepse në fund të fundit, qëllimi i vizitës së Kryeministrit të Shqipërisë në Serbi ishte për të përmirësuar atmosferën në marrëdhëniet shqiptaro-serbe dhe jo për ndarë dhe për të përçarë shqiptarët.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok