22/12/2024

Shqiponja dykrenare arbërore dhe Dragoi rumun

0
Gjergj-Kastrioti_Vlad-Tepesh

Nga Elvi Sidheri

Herë të tjera kam shkruar për lidhjet midis Gjergj Kastriotit dhe Vlad Tepeshit, udhëheqësit luftarak rumun, që pati thyer hundët e pushtuesit turk gjithaq si edhe kryetrimi ynë arbëror përgjatë një periudhe historike të Mesjetës ku dy udhëheqësit e shquar të qëndresës ndaj depërtimit të dhunshëm osman në Ballkan, qenë dalluar për karakterin e paepur dhe dërrmën që i patën dhënë hordhive turkomane.

Historianë të ndryshëm janë orvatur që dy udhëheqësit e pamposhtur luftarakë, t’i bashkërendojnë edhe kohësisht, me gjasë edhe të hamendësojnë një njohje të mundshme të drejtpërdrejtë mes tyre, të shtyrë qartësisht nga lufta e përbashkët e pamohueshme kundër armikut të njëjtë, perandorisë Osmane.

Shqiponja dykrenare arbërore, simbole të pandashme nga figura mitike e Gjergj Kastriotit dhe Dragoi që historikisht i mvishet figurës së Vlad Tepeshit (mënjanë bastardimeve letrare, që udhëheqësin legjendar rumun, e shndërrojnë në vampir e përralla të ngjashme).

Luftëtari përherë ngadhënjyes arbëror dhe hu-ngulësi, tmerri i turqve nga Vllahia.

Të dy patën kaluar periudha të jetës së tyre si pengje pranë osmanëve, në sarajet turke. Të dy do të luftonin me turkun gjer në vetëmohim, gjer në zgripin e fuqive të tyre mbinjerëzoe.

Rrjedhimisht, nuk është aspak habi edhe formulimi i pikëpyetjeve historike lidhur me gjasën që dy udhëheqësit e mëdhenj luftarake anti-turq, të jenë njohur ndoshta edhe personalisht, duke arritur edhe të luftojnë bashkërisht ndaj kërcënimit rrënues osman.

Padyshim që gjithkush mund të ndiejë njëfarë ëndje kur përfytyron këta dy pinjollë të shquar të qëndresës ndaj përparimit osman drejt Europës, tek bashkojnë forcat për t’i dëbuar turqit sërish në Anadoll, përtej ngushticës së Bosforit.

Për këtë arsye, nuk kanë qenë fare të pakët autorët që janë rrekur ta sendërtojnë këtë hamendësim, duke u dhënë liri veprimi imagjinatave të tyre, duke na treguar nganjëherë edhe peripecitë përkatëse të dy udhëheqësve në rininë e tyre si pengje në Stamboll, gjatë qëndrimit nën zgjedhën osmane.

“Në Egrigoz ai njohu një tjetër riosh të quajtur Gjergj Kastrioti nga Kruja, prijës i Arbërisë, i cili gjendej në të njëjtën situatë si Vlad Tepeshi, e që më tutje do të shndërrohej në heroin më të njohur botërisht të vendit të tij, falë betejave të paepura që pati udhëhequr ndaj turqve, për shkak të të cilave do të mbiquhej Skënderbej (Aleksandri i Madh, sipas turqve). Vlad Tepeshi në moshë të re, krahas mikut të tij arbëror, Gjergjit, qenë përzgjedhur nga Sulltan Murati II, si shoqërues të Mehmetit, atëherë ende riosh, i cili më vonë do të bëhej i njohur si Pushtuesi i Kostandinopojës. Bashkërisht, dy udhëheqësit e ardhshëm arbërorë e rumunë, do të mësonin filozofi, shkencat  e sakta, e gjithaq gjuhët greqisht, turqisht e hebraisht”.

Sipas autores Tereza Shelaru në “Drakula, biri i Dragoit”.

Ndonëse na vjen keq ta hedhim poshtë këtë pohim miklues, që do pranuar se tingëllon fort joshës e romantik në këndvështrimin patriotik, gjithësesi ky takim midis dy kryetrimave të Arbërisë dhe Vllahisë, nuk kish ndodhur kurrë.

Gjergj Kastrioti lind në vitin 1405, ndërsa qysh përpara vitit 1442 tashmë komandonte një krah të kalorësisë së rëndë në ushtrinë osmane dhe në vitin 1443, duke përfituar nga fitorja e ushtrisë së krishterë të udhëhequr nga Janosh Huniadi kundër turqve në Betejën e Nishit, do të dezertonte nga trupat osmane dhe do të kthehej në Arbëri për të organizuar e udhëhequr qëndresën e armatosur ndaj pushtuesit gjakatar.

Ndërsa Vladi III, Vojvoda i Vllahisë, biri i Vladit II, do të lindte në Sighisoara diku rreth vitit 1431 dhe hamendësohet se vajtja e tij në territorin osman pati ndodhur në vitin 1444, kur tanimë Skënderbeu ishte larguar nga zonat e sunduara prej turqve. Edhe nëqoftëse ky përcaktim kohor të mos ishte i saktë, prapëseprapë dimë prej burimeve historike se Vlad Tepeshi do të arrinte në Azinë e Vogël akoma në moshë të mitur, kurse në këtë kohë, Gjergj Kastrioti ishte shndërruar në prijës luftarak të regjur në beteja.

Ndërkohë që fakti se të dy udhëheqësit e shquar patën luftuar heroikisht kundër turqve gjatë të njëjtës periudhë historike mesjetare është i dëshmuar gjerësisht, Gjergj Kastrioti mes viteve 1443 – 1468 dhe Vlad Tepesh midis viteve 1448 – 1476.

Vlad Tepeshi me disa faza të ndërmjetme, gjatë viteve kur sorollatej në kërkim të aleatëve përkatës, ose gjatë periudhës së gjatë të burgosjes (në njëfarë mënyre si i ftuar për këtë qëllim) nga Mbreti i Hungarisë.

Ralf Peter Martin, autor i njërës nga biografitë më të arrira historike lidhur me Vlad Tepesh “Hu-ngulësin”, na tregon qartas për admirimin e dukshëm që Dragoi riosh ushqente për kalorësin e pamposhtur të Shqiponjës Dykrenare.

Fakt ky aspak i habitshëm, duke ditur se përgjatë më shumë se dy dhjetëvjeçarëve arbërorët me në krye Gjergj Kastriotin ia patën dalë ta frenonin përparimin e Perandorisë Osmane drejt Europës.

“Ky burrë, që në fillesë të jetës së tij ishte quajtur Gjergj Kastrioti dhe ishte pagëzuar si i krishterë, përgjatë më tepër se njëzet e pesë viteve do të shndërrohej në një makth për turqit dhe gjithaq në aleat të vyer për Vlad Drakulën. A mundemi vallë të pohojmë dot se qenë njohur? Në atë kohë Gjergj Kastrioti ishte dyzetë vjeç, ndërsa Vlad Drakula ishte dymbëdhjetë vjeç. Diçka na shtyn të hamendësojmë se vërtet ishin njohur njëri me tjetrin, por ndërkaq dihet qartësisht fakti se më rioshi mes tyre (Vlad Drakula), e kishte modelin e tij në jetë tjetrin, pra Gjergj Kastriotin”.

Ralf Peter Martin “Drakulat”.

Përkundër gjithçkaje të thënë më sipër, nuk ka asnjë dëshmi të dokumentuar ku të flitet për aleanca të mundshme, ose bashkëpunime përkatëse mes këtyre dy udhëheqësve të paharruar të krishterë. Kemi dijeni të shumta për dokumente e shkëmbime letrash mes Skënderbeut dhe Oborreve të ndryshëm Europianë; me Republikën e Raguzës, Dukët e Milanos, Venedikun, Papatin dhe Kurorën e Aragonës (Gjergj Kastrioti e kish shpallur veten Vasal të Alfonsit V të Napolit), por ndërkaq nuk është gjetur asnjë gjurmë shkëmbimesh letrash me Vlad Drakulën.

Ajo që mund të pohohet me bindje sakaq, është se Skënderbeu dhe Vladi III patën luftuar heroikisht kundër turqve, dhe krahas Janosh Huniadit dhe Stefanit të Moldavisë, patën qenë pengesat e pakalueshme përballë mësymjes së Portës së Lartë në shtegtimin gjakatar të osmanëve drejt zemrës së qytetërimit Europian.

Të dy patën jetuar në të njëjtën periudhë të Mesjetës, në kufirin mbrojtës të Qytetërimit Perëndimor, një rajon ku përthyheshin rivalitete politike, ekonomike, shoqërore dhe fetare, duke qenë dy faktorë vendimtarë në fushën e pamatë të shahut ku përballeshin Europa me Perandorinë Osmane, ndërkohë që luftën e vërtetë ndaj turqve e bënin veç popujt ballkanas, arbërorët, rumunët, hungarezët kryesisht.

Në rrethana të ngjashme, Vlad Tepeshi do t’i ndërronte shpesh aleatët e tij (duke u shquar për mizorinë ndaj armikut turk, arsye përse do të ngjizeshin legjendat llahtarisëse përkatëse), ndërsa si strateg luftëtarak, prijësi arbëror ishte dukshëm më i epërm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok