22/12/2024

Kujtime në përvjetorin e 80-të të Nderit të Kombit tonë, Vaçe Zela

0
u1_Vace-Zela

Nga Alfred Papuçiu

Mëngjezi i 7 prillit ka qënë gjithmonë i bukur dhe me diell në Bazel, qytet i Zvicrës në kufi me Gjermaninë dhe Francën. Tek kutia e postës në “Burgfelderstrasse 11, 4055, Basel, Suisse” vinin letra dhe kartolina të shumta të tjera nga miq e dashamirës bashkëkombas dhe të huaj që përgëzonin Vaçen tonë kombëtare, me rastin e përvjetorit të lindjes së saj. Mbrinin edhe gazeta ku shkruhej për të. Bashkëshorti i saj fisnik, Pjetër Rodiqi dhe e bija Irma ja tregonin Vaçes dhe ajo e përmalluar lëshonte disa lotë nga sytë e saj të ëmbël. Telefonat dhe mesazhet këto ditë nuk kishin rreshtur, jo vetëm nga Zvicra, por edhe nga Shqipëria, Kosova dhe nga Diaspora. Zilja e telefonit sapo mbaronte një urim, binte përsëri.

Ashtu dua ta kujtoj edhe tani atë artiste të shquar, mikeshë e jona dhe e mijra bashkëatdhetarëve në Zvicër e gjetiu. Ishtë e qeshur si gjithmonë, e urtë, tepër e urtë dhe nuk ishtë më « zjarr » siç kishte qënë vite më parë, kur ne të gjithë e mbanim mend kur shpërthente tek këndonte këngët e bukura për Atdheun, dashurinë, vendlindjen…Ajo mori pjesë në njëzetë festivalet e Këngës dhe dymbëdhjetë herë fitoi çmimin e parë. Në vitin 1991, Vaçja jep një recital në Gjenevë që do të jetë koncerti i saj i fundit në publik.

Shpesh kam dalë në Parkun Gesendorf, pranë apartamentit tim tek “Rruga Lamartinë” në Gjenevë dhe dëgjoj në kasetofonin e vogël këngët e Vaçes. Mallëngjehem shumë, por edhe ndjej kënaqësi të veçantë. Sidomos për ne në Diasporë që na duket sikur këngët e saj na afrojnë me Atdheun, Shqipërinë.

Shpesh bisedoja me të në telefon, apo edhe me bashkëshortin e saj Pjetrin, vajzën Irmën. Vaçja kishte një shëndet të brishtë, por ishtë e rrethuar  nga njerëzit e saj të afërt dhe nga personeli mjekësor që tregonin një kujdes të veçantë për të.

Kam një kujtim të bukur kur ishim në Bazel dhe me një grup miqsh i uruam 70 vjetorin e ditëlindjes. Kaluam çaste shumë të bukura. Papritur në taracën tonë zbriti nëpërmjet një kordoni një shishe shampanje. Një komshi që kishte dëgjuar tek këndonim e kishte kuptuar se ishte një ngjarje e shënuar për zonjën e shtëpisë dhe ai bëri një gjest të tillë për të uruar atë. Shpesh trokiste dera dhe të tjerë sillnin kuti me çokollata. Ata ndoshta nuk e dinin se Vaçja ka qënë dhe mbetet për ne, Shqipërinë, Kosovën pse jo edhe më tej, këngëtarja më e suksesëshme, më e çiltëra, më e dashur. Ata kënaqen kur shohin aty lule shumëngjyrëshe për të cilat kujdeset në mënyrë të veçantë Irma. Ashtu siç kujdeset e motra e Vaçes dhe të afërmit e tjerë për lulet në Tiranë, në apartamentin e saj…

Me thjeshtësinë që e karakterizonte dhe me emocion Vaçja më shprehej se shpresonte që një ditë kur të ishte me mirë me shëndet kishte dëshirë të veçantë të ndodhej në Shqipëri, në Lushnjën ku kishte lindur, në Myzeqe, në Kosovë, por edhe në Diasporë, për të takuar bashkëkombasit e saj. Pjetri dhe unë i thoshim se së shpejti do vijë ajo ditë…

I thoshja Vaçes se gazetat kanë botuar me dhjetra faqe për rrugën e saj të gjatë si këngëtare dhe si “Vaçja jonë kombëtare”, ajo mrekullohej dhe më thoshte që të përshëndeten të gjithë lexuesit, me mirënjohjen e saj të thellë për fjalët prekëse dhe vlerësimin për të. Ajo përsëri me modestinë që e karakterizonte shprehej ndër të tjera se gjithçka e ka bërë për të dhënë një mesazh artdashësve në Shqipëri, Kosovë, vise dhe Diasporë. E bija, Irma, enkas për ditëlindjen e saj e merrte në një fotografi në sallonin ku e kalonte pjesën më të madhe të kohës.

Jam takuar edhe herë të tjera me Vaçen, Pjetrin dhe Irmën, edhe në veprimtari midis bashkëatdhetarësh ku ajo na ka nderuar me pjesëmarrjen e saj. Më kujtohet dita e 9 majit 2009 që do te mbetet në kujtesë të mbi 200 shqiptarëve në Zvicër. Legjenda e muzikës së lehtë shqiptare, Vaçe Zela erdhi në Nëshatel, e shoqëruar nga bashkëshorti i saj, përkthyesi i talentuar i disa librave të autorëve zviceranë dhe të huaj, për Shqipërinë dhe Kosovën, Pjeter Rodiqi dhe e bija, Irma Rodiqi, ekonomiste e shquar e Institutit të Statistikave në Bazel të Zvicrës dhe poete. Po ashtu ajo erdhi edhe në Gjenevë, ku për nder të saj u shfaq edhe një dokumentar i bukur. Aty ishte e pranishme edhe këngëtarja e shquar nga Kosova, Nexhmije Pagarusha. Vaçja dukej se e kishte mposhtur sëmundjen që e shoqëronte prej vitesh. Ishte hera e parë qe Vaçe Zela, “Artiste e Popullit” dhe “Nder i Kombit”, me gjithë gjendjen e saj shëndetësore jo të mirë, mori pjesë në dy aktivitete kulturore. Hyrja e saj në sallën e madhe u prit me ovacione, që vazhduan më tepër se 20 minuta, shoqëruar me tingujt e këngëve të paharruara të perlës së muzikës shqiptare. E emocionuar, artistja jonë e shquar, por teper modeste dhe fisnike, pranoi të dalë në fotografi, si kujtim i bukur i kësaj mbrëmje të veçantë, me të gjithë pjesëmarrësit. Tepër e emocionuar, ajo shprehu kënaqësine e saj me fjalët “sot ju më shtuat jetën time, me një dekadë dhe nuk do ta harroj kurrë këtë pritje madhështore”. “Ju dhe të gjithë bashkëkombësit e mi, më keni frymëzuar që të këndoj dhe të jap një ndihmesë modeste për këngën në gjuhën shqipe, së bashku me të gjithë atë armatë këngëtarësh të suksesshëm, që po japin një kontribut të madh për te gezuar shqiptaret, si dhe per te çuar se bashku me tej, demokracine e vendosur ne Shqiperi”, pohoi kengetarja e madhe. Me nje modesti te shquar, diva qe mbushi 70 vjet ato ditë të prillit 2009, shtoi se ndoshta nuk e meritonte nderin e madh, duke e cilesuar si “Personalitet te vitit 2009” nga Ministria e Turizmit, Kultures, Rinise dhe Sporteve dhe duke marrë njëkohësisht kënaqësinë e gjithë atyre telefonatave nga Shqipëria, apo Kosova.

Dhjetë vite me parë, në orën 11.00 të datës 7 prill 2009 u dëgjua një zë nga larg prej receptorit të telefonit. Ishtë Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi që uronte nga zemra Vaçen për 70 Vjetorin e Lindjes. Ajo ishtë tepër e emocionuar dhe e falenderoi nga zemra Kryetarin e Shtetit me mirënjohje për kujdesin e tij të veçantë.  Ajo mbante pranë mikrofonin e larë në ar që ishtë dhuruar prej tij për këtë dite feste të madhe. E mrekulluar ajo shikonte pllakatin ku shkruhet “Vaçe Zelës si një grua, si një zë, si një mit. Nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi dhe Zonja e parë Teuta Topi”. Ndërsa dhurata e dytë ishte një “letër” në formë papirusi e gdhendur në dru, ku shkruhej: “Perlës së muzikës shqiptare nga të gjithë shqiptarët”. Gjithashtu e nënshkruar nga Presidenti dhe zonja e parë. Me thjeshtësinë që e karakterizonte dhe me emocion më shprehej se shpreson që një ditë kur të jetë me mirë me shëndet ka dëshirë të veçantë të ndodhet në Shqipëri, në Lushnjën ku ka lindur, në Myzeqe, në Kosovë, por edhe në Diasporë, për të takuar bashkëkombasit e saj. Pjetri dhe unë i thamë se së shpejti do vijë ajo ditë…

Irma Rodiqi, e bija e Vaçes kujdesjt me githë dëshirë të fotografonte të jëmën në këtë ditë të shënuar, për t’u përgjigjur kërkesave të shumta të Medias në Zvicër, por edhe në Shqipëri, Kosovë dhe Diasporë. Vaçja buzëqeshte dhe ishtë tepër e lumtur.  Ashtu siç buzëqesh në këtë fotografi të freskët, që po ju paraqesim, të Vaçes sonë të mirë. Pranë ka edhe mesazhet e shumta të miqve dhe dashamirësve të saj. Kujtonte me respekt shkrimtarin Dritëro Agolli, i cili ndër të tjera është shprehur për të:” Unë mund të them pa asnjë lëkundje se Vaçe Zela, si artiste e madhe, hapi një epokë të re në të kënduarën e këngës shqiptare dhe u bë nismëtare e një kulture moderne në këtë fushë. Ajo këngën e zgjoi dhe e bëri një organizëm të gjallë, ku lëvizën e vibruan të gjitha molekulat dhe celulat. Në këtë organizëm ajo nuk la asnjë pjesëz të fjetur dhe të dremitur. Edhe lashtësinë e e këngëve popullore e afroi dhe e bëri të sotme dhe moderne.Edhe krijimet e kompozitorëve i pasuroi dhe ua rriti vlerat. Me mjeshtërinë e një këngëtareje të shquar ua rriti dëshirën kompozitorëve për të krijuar këngë dhe ua nxiti zellin në një garë të madhe artistike, ashtu siç hyjnë në garë vrapuesit në një stadium madhështor”.

Ndërkohë zilja e telefonit dëgjohej përsëri. Ai nuk rresht. Cdonjëri donte të urojë Vaçen dhe t’i shprehte mirënjohjen për gjithçka ka dhënë për muzikën popullore dhe të lehtë shqiptare. Ajo nuk e fshehte dot përmallimin dhe me zërin e saj të ëmbël dhe të ulët shpreh me modesti gëzimin e saj. Kujtimet janë të shumta dhe duhen qindra faqe që të shkruhet për to…

Vaçja nisi të këndojë kur kishte ishte vetëm 9 vjeçe. Kishte vetëm 23 vjeç kur fitoi çmimin e parë me këngën “Fëmija e parë” me muzikë të Abdulla Grimcit dhe tekst të Dionis Bubanit. Pastaj prej vitit 1962 deri më 1980 fitoi 11 herë çmimin e Festivalit të Këngës në Radio dhe Televizionin shqiptar. Vazhduan më tej titujt që mori ndër të tjera “Nderi i Kombit”, “Artiste e Merituar”, “Artiste e Popullit”, “Mjeshtre e Madhe e Punës”, “Qytetare Nderi e Lushnjës”, “Qytetare Nderi e Qarkut të Fierit”, “Disku i Artë” nga SHBA, “Gruaja e vitit 97-98 nga Kembrixhi i Britanisë së Madhe,  “Mikrofoni i Artë” nga Ministria e Kulturës së Kosovës, “Cmimi i Karrierës”, Vaçja është ndër 500 njerëzit më me influencë në botimin e Institutit Biografik Amerikan etj etj. Këto trofe ruhen me kujdes në sallonin e pritjes të Vaçes në Bazel.

Vaçja ka kënduar me qindra e qindra këngë shqiptare, por edhe në gjuhën italiane, spanjolle, ruse, rumune, greke etj. Disa nga këngët e saj më të njohura janë: “Çelu si mimoza”, “Zunë fushat të lulëzojnë”, “Qeshu Myzeqe”, “Djaloshi dhe shiu“,“E dua vendin tim,“Ëndrra ime”, “Fëmija i parë”,“Gjyshes“, “Këngët e vendit tim”, “Lemza“, “Sot jam 20 vjeç”, “Valsi i lumturisë”, “Nënë moj do pres gërshetin”, “ Nuk e fshehim dashurinë”, “ O diell i ri”, “Për Arbërinë”, “Shoqet tona ilegale”, “Shqiponja e lirisë”, “Të lumtur të dua”. etj. Këngët e saj kompozohen nga kompozitorët më të mirë të vendit, ndër të tjerë si Avni Mula, Feim Ibrahimi, Tish Daija, Pjetër Gaci, Ferdinand Deda, Baki Kongoli, Agim Prodani, Agim Krajka, Llazar Morcka, Aleksandër Peci, Abdulla Grimci, Luan Zhegu, Aleksandër Lalo, Tonin Harapi, Naim Krasniqi etj. Autorët e teksteve të këtyre këngëve janë: Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Robert Shvarc, Xhevahir Spahiu, Fatos Arapi, Mark Gurakuqi, Zhuljana Jorganxhi, Gjoke Beci, Adelina Mamaqi,  Gjergj Zheji, Kol Jakova, Sulejman Mato.

I pasur është repertori i Vaçes edhe në interpretimin e këngëve të huaja, ndër të tjera: “Sei stato il primo amore”, “Esperanto”, “Gjinkalla” (ruse), “Na u prish karroca” (rumune), “Gjithë bota je ti” (Greke), “Granada” (spanjolle) e sa e sa të tjera.Kujtonte këngën e kënduar prej saj “Firence stanotte” në Pallatin e Sportit në Milano, kur mori duatrokitje të stuhishme nga publiku italian, apo në turneun në Norvegji kur i kërkuan të këndojë në gjuhën norvegjeze një këngë të tyre dhe ajo shpalosi talentin e saj që ngjalli emocione të shumta. Vaçja kujtonte me nostalgji kur ishte në Prishtinë vite më parë dhe megjithëse ka kënduar në shumë salla të botës i kishte bërë përshtypje publiku i mrekulleushëm i Kosovës. Përmallohjt me këngën “Jetë na dhuruat”, të kënduar nga Naim Krasniqi, me teskt të poetit Ekrem Kryeziu, dedikuar Vaçes në Fest’98, kur ajo ishte ftuar nga organizatorët, si kryetare e Jurisë.

“Fenomeni Vaçe Zela”, shkruan Prof. Dr. Fatmir Hysi, fenomen që në tërësinë e vet është i pandashëm nga jeta e njëkohshme e shqiptarëve, nga shijet, dëshirat e shpallura e të pashpallura të tyre, nga aspiratat për një jetë shumëdimensionale dhe të ndryshme nga ajo që ofronin ditëpasditet e njëtrajtëshme e të kufizuara të kohës…Myzeqeja, Lushnja, shtëpia e vjetër, çezma e qytetit, Shtëpia e Kulturës, Kinoteatri i Fierit, Tirana, gjimnazi “Qemal Stafa”, Estrada e Ushtarit, Estrada e Shtetit, Instituti i Lartë i Arteve, Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe Valleve Popullore- të gjitha këto krijojnë një përfytyrim të saktë, jo vetëm për shkallët e formimit institucional të artistes, por edhe për atë pjesë të jetës shqiptare që për disa dekada me radhë ishte e vetmja shenjë identifikimi artistik ose, thënë më thjeshtë, ishte i vetmi terren i mundshëm arti, sidomos kënga, arrinin të zhvilloheshin e të afirmoheshin”.

..Kur e pyetën kritiken Zana Shuteriqi për mendimin e shprehur prej saj që, e konsideron Vaçe Zelën një Edith Piaf të këngës shqiptare, ajo u përgjigj: „Natyrisht, unë kam patur parasysh këngëtaren franceze si vlerë kombëtare që arriti me muzikën e lehtë të vendit të saj. Edhe sot emri i saj përmendet si pikë referimi edhe pse kanë dalë këngëtarë të rinj. Prandaj, duke parë te Vaçe Zela të njëjtën vlerë historike, si fenomen artistik, dhe po atë glorifikim të personalitetit të saj, e kam konsideruar këngëtaren tonë si një Edith Piaf të muzikës shqiptare“. Ndërsa As. Prof. Nexhat A. Agolli që ka bërë një punë të shkëlqyer me monografinë e tij me titull “Vaçe Zela- magjia e këngës shqiptare” ndër të tjera shprehet: « Vaçe Zela ishte një nga këngëtaret më në zë të gjysmës së dytë të shekullit që shkoi,e cila pushtoi skenën shqiptare : fillimisht me këngën popullore dhe, krahas saj, në vazhdimësi, edhe me këngën e muzikës së lehtë. Në të dy këto zhanre muzikore, ajo arriti një kulm që nuk do të shlyhet nga kujtesa artistike. Një yllësi që ndriçoi mendjen muzikore shqiptare për afër dyzet vjet radhazi me zërin e saj aq të ngrohtë e të gjithpushtetshëm. Dy zëra në kohë të ndryshme të fenomenit Vaçe : në të parën, adoleshente dhe në të dytën, madhore. Mes tyre një periudhë e gjatë, e shtrirë në kohë dhe në hapësirë mes dy caqeve nga ku nisi dhe arriti zenithin këngëtarja jonë e shquar. Një lëvizje drejtvizore, e pangjashme me atë të tokës rreth vetes dhe diellit, por me një trajektore më të gjatë, do të thoja kozmike. Në kufijtë e kësaj trajektoreje ne përjetuam zërin e saj të magjishëm”.

“Interpetim brilant”, “talent i lindur”, “vokal i shkëlqyer”, “Këngëtare e rrallë”, “mahnitëse” janë disa nga vlerësimet për interpretimin artistik të Vaçe Zelës…Një pasdite ajo hapi letrat e shumta që merrte çdo ditë. Ishin letra edhe nga njerëz të panjohur që shprehnin çiltër ato që ndjejnë kur dëgjojnë akoma këngët e saj të rregjistruara. Takimet me njerëzit janë emocionuese, direkte dhe të sinqerta për Vaçen. Një personalitet i tillë shumë i respektuar, fliste me modesti për veten, e më tepër flet për të tjerët. Ato shpesh përmbajnë një rrëfim, duke patur parasysh klimën e intimitetit që krijohet nga vetë ajo, besimit, duke i lënë shpesh përgjegjësinë intervistuesit, pa dashur të rishikojë përsëri tekstin që ai ka shkruar. Shpesh, fjalët e Pjetrit dhe Irmës japin mundësi të thellohesh më tepër në personalitetin e pasur dhe kompleks të këngëtares sonë të shquar.

Megjithëse ishtë e rrethuar nga bashkëshorti, e bija dhe të afërm që i kishin ardhur me rastin  e 70 Vjetorit të lindjes, ajo shprehej me mall për vendlindjen. Ka tre vëllezër dhe dy motra që jetojnë në Tiranë. Ajo ka qenë e lidhur shumë me familjen. Ishte më e madhja dhe gjithmonë ka patur dëshirë t’i kishte pranë ata. Dhe ashtu i mbajti deri sa jetoi në Shqipëri…

Shprehej me emocion dhe mirënjohje për shpalljen e saj si “Personaliteti i Vitit 2009”, bashkë me poetin Lasgush Poradeci dhe skulptorin Odhise Paskali.  Për çdo 28 Nëntor flamuri shqiptar shpalosej në shtëpinë e këngëtares sonë me zemër të madhe në Bazel. Ashtu siç valëvitej ai me rastin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës. Me këto kremtime tashmë ishin mësuar edhe fqinjët zviceranë, të cilët vinin dhe e uronin familjen e saj. Ashtu siç admironin ata dhe ne lulet e saj të shumta dhe shumëngjyrëshe, pasioni i hershëm qysh në vogëli, por edhe më vonë në Tiranë e  në Bazel.

Në Bazel të Zvicrës, fotografia e Vaçes qëndron e varur në mur, me buzëqeshjen e saj karakteristike. Ndoshta, në një ditë të afërme, këto fjalët tona, do t’i mbledhim sëbashku në një libër-kujtim për t’ja lënë brezave të ardhëshëm për të mos harruar kurrë Vaçen me zërin e saj të ëmbël që ka ngritur peshë artdashësit në Shqipëri, Kosovë e Diasporë. Dhe fotografinë e saj do ta ruajmë si një ikonë, ashtu siç i kanë ruajtur breza të tërë…

Zvicër, më 7 prill 2019

______________________

Vaçe Zela dhe disa vlerësime për të

7 prill 2009

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, nëpërmjet një telefonate të ngrohtë e të përzemërt, i shprehu sot urimet më të përzemërta Artistes së Popullit dhe Nderit të Kombit, këngëtares së madhe shqiptare, Vaçe Zela, me rastin e 70-vjetorit të lindjes.

Presidenti Topi, duke vlerësuar interpretimin e jashtëzakonshëm të këngëve të muzikës së lehtë e popullore shqiptare së këngëtares Vaçe Zela, që me zërin e jashtëzakonshëm mbushte me energji skenat shqiptare me këngët që edhe sot mbeten tepër të preferuara nga publiku, i uroi ikonës së shenjtë të muzikës shqiptare shëndet dhe jetë të gjatë.

Presidenti i Republikës theksoi se figurat e shquara kombëtare, perlat e muzikës shqiptare, gjithnjë do të jenë në vëmendjen e shtetit shqiptar dhe do të kenë mbështetjen e duhur për kontributin e dhënë në evidentimin e vlerave të artit e të kulturës shqiptare.

Këngëtarja e madhe dhe e papërsëritshme e muzikës, talenti i rrallë dhe i spikatur i së cilës e ka vendosur në panteonin e artistëve të kombit tonë, Vaçe Zela e falenderoi Presidentin Topi përzemërsisht për urimet, por sidomos për kujdesin e veçantë e të vazhdueshëm që tregon për figurat e shquara të artit, duke i uruar edhe atij suksese në krye të shtetit shqiptar.

Sonte në darkë, në Pallatin e Kongreseve, nën kujdesin e Zonjës së Parë, Teuta Topi do të zhvillohet një mbrëmje “Gala” për nder të këngëtares së madhe: “Vaçe Zela, një grua, një mit”. Ky koncert, i cili gëzon vëmendjen e veçantë të Zonjës së Parë, Teuta Topi është i pari i këtij lloji kushtuar këngëtares së shquar në 70-vjetorin e lindjes së saj dhe në të do të këndohen rreth 15 këngë nga artistë të ndryshëm si Qemal Kërtusha, Irma Libohova, Myfarete Laze, Sidrit Bejleri , Vikena Kamenica, etj.

***
April 5, 2008

The President of the Republic, Bamir Topi called today and wished today a Happy Birthday to the great Albanian singer, the People’s Artist and Nation’s Honor, Vaçe Zela.

President Topi expressed the most heartfelt and best wishes on the occasion of her sixty-nine birthday to the holy icon of the Albanian music – the extraordinary performer of the Albanian popular easy listening and folk songs by wishing at the same time good health and a long life.

Mrs. Zela wholeheartedly thanked the Head of state about the wishes and the interest he continuously pays to the distinguished national figures and especially to those of the arts and culture fields.

***

Po japim më poshtë tekstin në anglisht me rastin e Diskut të Artë në vitin 1999, për Vaçe Zelën, nga Instituti Amerikan i Biografive , ABI

Vaçe Hasan Zela

Mrs. Vaçe Hasan Zela was born 7 April 1938 in Lushnje, Albania. She married Pjetër Daniel Rodiqi, with whom she has one child, Irma, who was born on 19 February 1969. Educated at the Lyceum of Fine Arts and the Academy of Arts, she was a solist at the Assembly of the Military Army, Variety Theatre and the Assembly of Folk Music and Dancing. She has also done several readings. Named an Honored Artist in 1973 and a People’s Artist in 1977, she received the Grand Prize for her career in 1966. Her hobbies are gardening, watching films, reading literature, and playing the guitar.

• Shënim: Libri në të cilin përfshihen 500 njerëzit më të shquar të botës. Kopje të këtij edicioni dërgohen në bibliotekat më prestigjioze të SHBA-së e në vende të tjera, si dhe në Bibliotekën e Kongresit Amerikan në Washington DC. Hulumtimet për këto personazhe bëhen nga një Bord këshilltarësh që i kapërcen të 10 000 vetë.

***

Gazeta Metropol

Nga Blerina Goce

07/04/2009

Vitet bëjnë të vetën. Shpesh sytë lagen më tepër dhe mendimet rrugëtojnë në të shkuarën. Shpirti bëhet i ndjeshëm, thuajse i brishtë si prej fëmije dhe dashuria të prek deri në deje… Për Vaçe Zelën ky përvjetor do të thotë shumë… Urime pa fund dhe dhurata thellësisht njerëzore. Mes tyre shumë të njohur, miq, por jo vetëm kaq. Vendi i saj nuk e ka harruar asnjëherë.

Një mikrofon i larë në ar, posaçërisht për 70-vjetorin e artistes, në pllakatin e të cilit shkruhet: “Vaçe Zelës si një grua, si një zë, si një mit”. Kjo është dhurata që Presidenti i Republikës Bamir Topi dhe Zonja e Parë Teuta Topi i kanë dhënë këngëtares në këtë përvjetor të saj. Bashkëngjitur me këtë “të gjithë shqiptarët” i nisën një urim të gdhendur në dru, ku i shkruanin: “Perlës së muzikës shqiptare nga të gjithë shqiptarët”. Edhe kjo “letër“ ishte e nënshkruar nga çifti Topi…

– Si e vlerësoni organizimin e një mbrëmjeje gala për ju? Çfarë emocionesh përjetoni, duke pasur parasysh se 2009-a kulturore mban edhe emrin tuaj?

– Që viti 2009 mban emrin “Vaçe Zela”, për mua kjo do të thotë shumë. Aq shumë, sa e kam vërtet të vështirë ta përmbledh në fjalë. Nga ana tjetër, dëshira fisnike për të kremtuar përvjetorin tim të shtatëdhjetë më ka prekur shumë. Ju faleminderit të gjithëve për urimet!

– Publiku shqiptar, por dhe më gjerë ju vlerëson thuajse si një legjendë, si një mit. Si ndiheni para të tilla cilësimeve?

– Gëzohem me gjithë shpirt. Këto janë çaste që mund të them se më shtojnë jetën.

– Me kë dhe ku do të donit ti ndanit këto çaste? Ju mungon publiku shqiptar, Shqipëria?

– Do të doja të isha atje, në Shqipëri me ju. Por… më mirë mos më pyetni, sepse prekem shumë. Kjo është ëndrra ime më e madhe. Lus Zotin që kjo një ditë të bëhet realitet. Më ka marrë malli aq shumë për Shqipërinë, më mungon gjithçka prej saj!… Ai vend më ka dhuruar një jetë plot emocione. Ai vend më bëri këtë që ju thoni se unë vazhdoj të jem për ju.

– Do të donit të këndonit edhe një herë në skenë? Çfarë mendoni kur dëgjoni këngët tuaja të këndohen edhe sot?

– Eh!… Do të doja të ngjitesha në skenë, pa dyshim, por tani kjo është e kotë! Jam e lumtur që ato këngë vazhdojnë ti mbijetojnë kohës.

– Në fund të rrugëtimit të tij artistik është normale që çdokush të bëjë bilancin e vet. Në këtë retrospektivë që i bëni aktivitetit tuaj, si i shihni ato që keni arritur? Ju ka mbetur diçka peng nga e gjithë jeta juaj?

– Ndoshta po të më kishit pyetur dikur, kur isha ende aktive në jetën artistike, edhe mund tju kisha thënë diçka. Sot i kam harruar të gjitha këto. Ajo që më ka mbetur thellë në kujtesë është dashuria e pafund që më ka dhënë dhe vazhdon të më japë edhe sot publiku shqiptar.

Këngëtarja, mbrëmje gala për 70-vjetorin

Për të mund të flitet si për një mit. Artistët e mëdhenj gjithmonë ushtrojnë një tërheqje të tillë, gati mbinatyrore tek të tjerët. Por më shumë sesa të flitet për Vaçe Zelën mund të ndihet: në zërin e saj, në këngët që për vite i dhuroi publikut dhe… në melodinë e zemrës. Këngëtarja e njohur feston sot 70-vjetorin e lindjes dhe, edhe pse prej kohësh larg Tiranës, e vendosur në Zvicër bashkë me të bijën, duket se do të jetë e pranishme pranë atyre që e duan dhe shpesh i merr malli për të.

“Vaçe Zela, një grua, një zë, një mit” titullohet koncerti, i pari i këtij lloji për nder të saj. Një mbrëmje gala, përgatitjet për të cilën kanë filluar më se një vit më parë, 15 këngë, më të mirat e Vaçe Zelës, mes të cilave “Valsi i lumturisë”, “Natën vonë”, “Mesnatë”, “Nënave shqiptare”, “Rrjedh në këngë e ligjërime”, “Nuk e fshehim dashurinë”, “Flakë e borë” etj. do të sillen live gërshetuar me kujtime kolegësh e miqsh. Të orkestruara nga Adrian Hila, ato do të interpretohen nga emra të njohur të muzikës, si Qemal Kërtusha, Myfarete Laze, Irma dhe Eranda Libohova, Juliana Pasha, Vikena Kamenica, Sidrit Bejleri etj., ndërsa nga Kosova është ftuar këngëtari Naim Krasniqi.

Në një monitor gjigant për të pranishmit do të shfaqen pamje nga festivalet dhe koncertet ku ka marrë pjesë Vaçe Zela, si dhe intervista të saj. Koncerti mbështetet nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, e cila vitin 2009 e ka shpallur edhe si “Viti Vaçe Zela”, Radiotelevizioni Publik Shqiptar etj.

E lindur më 7 prill 1939 në Lushnjë, Artistja e Popullit Vaçe Zela është pjesë e librit të 500 personaliteteve me më shumë influencë në botë, e vetmja shqiptare që mori këtë çmim nga Instituti i Biografive në Amerikë. Në Paris, e krahasuar me këngëtaren e madhe franceze Edit Piaf, ndërsa në Itali me të madhen Mina. Talenti i saj u zbulua qysh në fëmijërinë e hershme dhe më pas ajo do të ishte pjesë festivaleve të muzikës, që në fillimet e tyre në vitin 1962 e deri në vitin 1981, kur u largua nga skena si fituese e çmimit të parë. Fituese e shumë çmimeve në festivale, mund të përmendim shumë këngë të saj, si “Çelu si mimoza”, “Djaloshi dhe shiu”, “E dua vendin tim”, “Ëndrra ime”, “Lemza”, “Nënave shqiptare”, “O diell i ri”, “Sot mbusha 20 vjet”, “Të lumtur të dua” etj. I janë akorduar një sërë titujsh, si “Artiste e Merituar”, “Artiste e Popullit”, “Mjeshtre e Madhe e Punës”, “Qytetare Nderi e Lushnjës”, “Qytetare Nderi e Qarkut të Fierit” apo “Nderi i Kombit”.

Zela ka marrë “Diskun e artë” nga Amerika për kontribut në shoqëri. Në vitin 97 është zgjedhur gruaja e vitit 97-98 në Kembrixh të Anglisë “Mikrofoni i artë”, nga Ministria e Kulturës e Kosovës “Çmimi i karrierës” e shumë të tjera. Ndërsa Instituti Biografik Amerikan e rreshton në botimin e tij ndër 500 njerëzit më me influencë. Viti 1991 do të shënonte ngjitjen e fundit në skenë për të, pikërisht në Zvicër në një koncert për shqiptarët që jetonin atje. E larguar prej vitesh në Zvicër, Vaçe Zela jeton me bashkëshortin e saj, Pjetër Rodiqin, dhe vajzën Irma.

***

Gazeta Tirana Observer

5 prill 2009. Megjithë gjendjen shëndetësore jo të mirë aktualisht, ajo pranoi me kënaqësi të japë këtë intervistë për gazetën « Tirana Observer », duke shprehur në të njëjtën kohë me modesti se nuk ka bërë ndonjë gjë të madhe gjatë jetës së saj, vetëm ka dhënë një mesazh modest nëpërmjet muzikës popullit të vet mirëdashës dhe fisnik. Kjo modesti e ka karakterizuar dhe e karakterizon gjithmonë Vaçen tonë kombëtare, çdo herë që flet me të.

Mendohet që presidenti Topi do të bëjë një dekorim special, a i vlerësoni këto dekorata që ju bëjnë personalitetet?

Natyrisht. E kam të vështirë t’jua shpreh me fjalë, se ç’do të thotë kjo për mua. Unë  jam larguar prej skenës shqiptare gati një çerek shekulli më parë, prandaj çdo vlerësim që më bëhet në këto kushte, merr një domethënie të veçantë. Kjo më lumturon, madje është pak të them, dhe nuk e teproj aspak se m’a shton jetën, në kuptimin e mirëfilltë të kësaj fjale : më shton jetën. Dhe mua pra nuk më mbetet gjë tjetër veçse të ritheksoj me sinqeritetin tim më të madh,  nga thellësia e zemrës mirënjohëse. Mund ta konsideroja një  dukuri të çuditshme faktin që ndonëse kam marrë një numër « të madh » vlerësimesh (po e them me modesti), megjithatë çdo konsideratë e tillë shoqërohet gjithnjë me emocione të veçanta tek unë. Veçanërisht tani në kushtet e sëmundjes, këto rriten me progresion gjeometrik. Për shembull, vitin e kaluar, pikërisht presidenti Bamir Topi, më uroi midis shumë të tjerëve për ditëlindjen. Këtë e vlerësoj tepër dhe me mirënjohje të thellë.

A jeni në dijeni që edhe brezi i ri e ka mësuar tashmë që këngëtarja më e madhe e të gjitha kohërave për muzikën shqipe quhet Vaçe Zela?

Është e vërtetë. Dhe kjo më lumturon. Përmes shtypit, për të cilin, nëpërmjet Internetit, më vëne në dijeni bashkëshorti Pjetër dhe vajza Irma. e kam ndjerë vërtetësinë e këtij pohimi. Megjithatë, shpresoj që  të jetë kështu si thoni ju, sepse këtu gjej, veç të tjerash, jo vetëm një vlerësim të ndihmesës sime modeste, por edhe të dashurisë që kanë njerëzit për vlerat e mirëfillta të motiveve muzikore që kanë frymëzuar edhe kompozitorët e brezit tim. Gëzohem me gjithë shpirt për këtë.

Cili është pengu yt gjatë gjithë karrierës?

Nuk jam në gjendje t’u jap një përgjigje të saktë për ato emocione që unë kam përjetuar në skenën shqiptare dhe siç thashë edhe më lart, vazhdoj të përjetoj dhe të ndjej edhe sot e kësaj dite, dashurinë dhe afërsinë njerëzore që më dhurojnë vlerësimi, ndoshta edhe i tepruar, i arritjeve të mija lëmin e këngës.  Publiku shqiptar më kanë dhënë dhe s’rresht të më japë emocione të pakrahasueshme, që vetëm bashkëkombasit kudo që janë në Atdhe apo Diasporë, janë në gjendje t’i dhurojnë.

Cila është ajo këngë e re e muzikës shqipe që ju ka lënë mbresa?
           
Për fat të keq, për shkak të gjëndjes sime jo të mirë shëndetsore, më duhet të pohoj, për të qënë thellesisht e sinqertë, se të paktën gjatë dhjetëvjeçarit të fundit nuk kam qënë në gjendje të ndjej në vazhdimësi arritjet e muzikës së sotme shqipe.

***

Kur duartrokitej Vaçe Zela

« Tirana Observer »

shkruar nga Naun Kule

E shtunë, 4 prill 2009. I ulur mes sekretarit të parë dhe kryetarit të komitetit, udhëheqësi dukej i hareshëm, me sy të përngulur në podium, me buzëqeshjen babaxhane dhe aq dashamirëse sa e ngopte me gëzim dhe lumturi gjithë popullin  e Krutjes, i cili kishte fatin e madh ta shihte  mes tij, t’i gëzohej  duke i shprehur dashuri  dhe  mirëseardhje.
Dhe, për t’i rrëfyer komandantit sa lumturisht jetonin kooperativistët myzeqarë, pas gjithë punëve aty, mbledhjes me kuadro, takime dhe vizita, në fund ishte koncerti artistik. Përcjellja e udhëheqësit do bëhej me këngë dhe valle. Ndaj përkujdesja e partisë në rreth për koncertin, kishte qenë aq e madhe. Vizita e udhëheqësit në kooperativën e dalluar të Krutjes ishte historike, ishte nder i madh, por…  
Megjithatë, gjer tani, gjithçka mirë. Ja edhe koncerti dhe…shoku Leko numëronte minutat dhe ora  i  dukej muaj. Ta soste edhe koncertin, ta përcillte  udhëheqësin kështu, të qeshur. Mirëpo, tek ky djallo koncert e kishte një hall. E kishte një kleçkë ky që…Se, me këta të mëdhenjtë kur merr të vësh vetulla, nxjerrë  sytë, ngul një gozhdë si punë e breshkës, që të kryqëzon si Krishtin. Dy herë kishte debatuar me ata të komisionit  miratues të koncertit. Në fund e bindën se s’kishte gjë për t’u shqetësuar.
   
Këndon Vaçe Zela”! – tha konferencierja. Aq i fortë iu duk ky zë, sa lëvizi vetiu apo u hodh nga karrigia? Duartrokitjet e turmës që mbushte oborrin e shkollës dhe fushën e sportit, thirrjet “Vaçe-Vaçe”, e bënë t’i uturinte më shumë koka me mendjen degë më degë.
Herë shihte njerëzit përballë, herë me bisht të syrit, fytyrën e udhëheqësit në krah, e cila qeshej e i gëzohej këngëtares së re; një çupë e hajthme kjo, veshur si me ngjyrat e fushës, me një trike gjysmëgolf ngjyrë tatlle. Nën jakat e bardha të bluzës, një rreth rruazash ia zbukuronte gushën. Këndonte e qetë dhe e sigurt, me një lirshmëri skenike të admirueshme për moshën dhe vendin.    
Por shoku Leko as dëgjonte këngë, as shihte këngëtare. Mendjen dhe frikën e kishte këtu, në krah. Vëngëronte sytë majtas dhe, paçka brohorive të turmës që duartrokiste nën ritmet e këngës, asgjë s’i hynte në sy. Asgjë s’i dukej  më e mirë dhe më e bukur se ajo…buzëqeshja miratuese e burrit në krah. Ky, ballas podit dhe këngëtares, ulur rehatshëm këmbë përmbi këmbë në kolltukët e sjellë enkas nga qyteti, përcillte ritmet e këngës duke i shoqëruar me  lëvizjet   poshtë-lartë të gishtave të dorës mbi gju, si të orkestronte që aty gjithë festën, turmën e njerëzve dhe këngëtaren atje!

Eh, këngëtarja! Po sikur t’i shkrepej e të pyeste për…?!
Thirrjet “Vaçe-Vaçe” dilnin mbi brohorimë. Shokut Leko po i digjnin veshët dhe shihte burrin në krah  për t’i marrë ndonjë mendim, për mirë a për keq. Gjak ngrirë nga thirrjet horaz të emrit të këngëtares së re (sikur t’ia bënin për inat), rikujtoi prapë çka kishin thënë  ata të komisionit miratues dhe u ndje i penduar. Dy nga pjesëtarët aty kundërshtuan rreptë. Po, po! Kot nuk i dëgjoi!
“Kënga para udhëheqësit të partisë është historike, shokë, nuk mund ta këndoj kushdo! Nderi që po na bënë partia dhe udhëheqësi ynë me vizitën mes nesh, duhet t’ia shpërblejmë. Por, me  njerëz të devotshëm, shokë,  me njerëz të partisë. Se, edhe fukarallëk rrëfejmë kësisoj, apo jo? Nuk paska Lushnja  këngëtarë tjetër, por këngë pas kënge vetëm Vaçen?! 
Megjithatë, sekretari i kulturës  me ca të tjerë  ia zbutën të keqen dhe e bindën. Për mirë a për keq? Ndoshta për të keqen time. Qe kthyer nga shkolla në Tiranë se  nuk kishte fituar, thoshin. Ca thoshin se  këndonte këngë të huaja, madje  me kitarë dhe  pas orarit të gjumit. E pastaj? Një  çupë e re, në shkollë të mesme…   
Duartrokitjet shpërthyen sërish. Këngëtarja përkulej me dorën në zemër, ndërsa ky, burri në krah,  u ngrit paksa, duartrokiste me fytyrën e mbuluar nga e qeshura dhe xheç këmbeu  kokë më kokë me kryetarin në krahun tjetër.
Shoku Leko u ftoh. “Ç’po i thotë? Po ai, ç’i mollois”? 
Njerëzit, gjithnjë e më fortë thërrisnin: “Bis-bis-bis…Kitarën, kitarën…me kitarë”!
“Çfarë thonë, mo Leko, ç’duan”?
“Kitarën, komandant…I thonë të marrë kitarën…Vaçja këndon me kitarë”.
“Po  ta marrë, mo Leko! Pse të mos e marrë  qitharën? Ta marrë dhe…”.
“Po, po! Do ta marrë doemos, ja…”.
    Por tani shoku Leko e humbi krejt. Nuk ishte më aty, s’e mbante më vendi. E dinte ai, Vaçja me kitarë dyfishohej! Harronte kush e dëgjonte dhe kë kishte përballë. Mirëpo, shqelmat e burrit këtu s’i njeh Vaçja. Këto i ha unë. Apo nuk e di  shqelmin e këtij?…

Prapë vëngëroi sytë në krah. 
    Udhëheqësi po duartrokiste. Gishtërinjtë e tij uleshin e ngriheshin mbi  këmbën përmbi gju, tek shoqëronin melodinë dhe zërin e bukur të Vaçes. Apo tiktakun e zemrës së shokut Leko?
“Nga është kjo çupë, shoku  Leko, të vendit e…”
“Po, komandant, nga Lushnja”!  Sekretari nuk e njohu zërin e vet. Ndërkohë vuri re se tjetri s’e fshehu kënaqësinë për këngëtaren e re.

“E shikon, mo Leko, ç’ka bërë partia tonë!? Ja, këndojnë e kërcejnë fshatshe çupat tona, me qitharë  e çifteli.

Me shokë e shoqe, me djem e burra! Po nesër? Më shumë e më mirë. Se, më thuaj, shoku Leko, ka kënduar ndonjëherë kështu vajza dhe gruaja myzeqare, ëëë? Kurrë, shoku Leko, asnjëherë! Vetëm beu dhe  agai  këndonte  e  gëzonte  këtyre  anëve”.
“Po.! Tani shoku…” – i erdhi zëri Lekos.
“Ndaj ta ndihim rininë, shoku Leko! Ta udhëheqim. Të shkollohet dhe kalitet rinia tonë!  Këtej do dalin artistët e këngëtarët”.

Në pod përsëri  Vaçja, prapë me kitarë. Përsëri buçimë zërash dhe duartrokitje. Përsëri udhëheqësi u përngul, e la bisedën dhe përsëri zuri t’i përcillte ulje-ngritjet e melodisë me këmbën mbi këmbë. Pushteti i artit kishte bërë të vetën! Shoku Leko mori zemër.
“Në shkollë e kemi, shoku…në Tiranë”.
“Shumë mirë, shoku Leko, t’i mbajmë afër talentet. Ata janë ndihmësit tanë.
Kaq u desh që  sekretari të ngrohet, t’i  shkrijë gjaku. Tani ishte i tëri, e hodhi lumin.

Vet  arti dhe këngëtarja e re Vaçe Zela e nxorën nga ngërçi që e mbante ftohtë dhe gjakngrirë. Magjia e artit,  meloditë dhe mesazhi që përcillte artistja e re nga ajo skenë e improvizuar e këtij fshati myzeqar, ia “hiqte spaletat” çdo komandanti e udhëheqësi, tek ngrinte në piedestalin e muzës pikërisht të pavdekshmit, artin dhe artistin, për të cilët, e gjithë njerëzia aty brohorisnin në kor këngën e kësaj goce të re, veshur e zbukuruar me ngjyrat e fushës, me emrin Vaçe!

***

Gazeta AMC-Press Zvicër

E papërsëritshmja Vaçe Zela

Nga Elida Buçpapaj

E mërkurë, 8 prill 2009

Ajo është mbretëresha e këngës shqiptare, ikona, ylli, fenomemi, e jashtëzakonshmja që edhe sot, kur i ka mbushur 70 vjet, mbetet e papërsëritshme. Edhe sikur të gjitha fjalët të shterohen, edhe sikur të gjitha epitetet të përmenden, edhe sikur të gjitha metaforat të thirren në ndihmë, nuk do të mjaftonin për të përshkruar mrekullinë hyjnore të zërit të Vaçe Zelës. Prej një gjysmë shekulli ky zë vazhdon t’i pasurojë e t’i kthjellojë papushim shpirtërat e shqiptarëve. Në shekuj, ky zë do t’i shoqërojë breznitë e shqiptarëve e përherë do t’i fisnikërojë ata.
Ajo shënon atë lartësi, të cilën të gjitha këngëtaret duan ta arrijnë, por asnjera nuk e arrin dot. Të gjitha i këndojnë këngët e saj, por kjo nuk i bën t’i afrohen asaj, por kurrë nuk mund ta kenë spontaneitetin e saj. Sepse që të jesh një këngëtare e madhe duhet të kesh një sensibilitet të madh, që nuk ka lidhje me etjen e sotme të këngëtareve për të fituar para dhe me para ta blejnë famën. Fama nuk blihet, fama fitohet, duke ia rëmbyer zemrën publikut. Publiku është sovrani më i padiskutueshëm, që shkon atje ku e çon kënga e vërtetë, të cilën e përcjell zëri parajsor i Vaçe Zelës. Ai zë e bën këngëtaren të ketë autoritetin e një perëndeshe, edhe kur ka vite të gjatë që i mungon skenës shqiptare. Sot shqiptarët që janë të lirë më tepër se kurrë të shprehin vullnetin e tyre, i kthejnë sytë nga Vaçe Zela. Sot kur muzika prodhohet si një industri e vërtetë, sytë e publikut qëndrojnë të fiksuar tek Vaçe Zela.
Sot kur shqiptarët e kanë përmbysur diktaturën dhe, me anëtarësimin në NATO, janë më pranë se kurrë me Perëndimin, e shohinVaçe Zelën si mishërimin e kultivuar të popullit shqiptar, si shprehjen më autentike të gjenisë së tyre. Me zërin e saj, me gjestikulacionin e saj, me natyrshmërinë e saj, me interpretimin e saj si një aktore e madhe, i ngrinte në këmbë si një uragan i vërtetë zemrat shqiptare, dhe i bënte të besonin dhe të besojnë se shqiptarët janë një komb i madh.
Sot kur Vaçja ka ditëlindjen, sa çeli dita dhe hapa televizionin satelitor, menjëherë pashë me kënaqësi se Shqipëria e kishte si kryelajm nderimin e artistes së madhe, e cila jeton në Zvicër me vajzën dhe bashkëshortin e saj. Pastaj dëgjova zërin e mallëngjyer të Vaçes, të cilën kur gazetari e pyeti se ku donte ta festonte këto ditë, ajo u përgjigj natyrshëm me dy fjalë „në Shqipëri“. Vaçja do me gjithë shpirt që ta festojë ditëlindjen e saj në Shqipëri, kurse e gjithë Shqipëria kërkon që të vijë në Zvicër për t’ia uruar asaj një jetë të gjatë.
Ndërsa ne shqiptarët që jetojmë në Zvicër, patëm fatin e madh që në emër të gjithë shqiptarëve anembanë botës, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Malin e Zi, Luginën e Preshevës dhe Diasporë ta përqafojmë dhe t’ia urojmë ditëlindjen duke ia shtrënguar duart dhe duke u parë sy më sy me të papërsëritshmen këngëtare shqiptare, e cila këto përmasa i gëzon falë ndjeshmërisë së saj dhe dashurisë së madhe ndaj tokës e qiellit shqiptar, falë të cilit ajo është kjo që është sot“.

***

Gazeta Panorama

Nga Alma Mile

07.04.2009. Sa herë ka shpresuar se do të bëhej më mirë dhe do të mund të merrte avionin e të kthehej në Tiranë. E ka pritur me padurim këtë moment dhe nuk e fsheh dot mallëngjimin, kur e pyet se kur do të kthehet sërish në Shqipëri. Këngëtarja e madhe shqiptare, Vaçe Zela mbush sot 70 vjeç. Me këtë rast qindra urime i kanë shkuar këngëtares nga çdo kënd i globit, ku ka shqiptarë dhe adhurojnë këngët e saj. Ajo është e mallëngjyer dhe i sëmbon në zemër që këtë 70-vjetor nuk do të mund ta festojë dot në vendin e saj. Është lumturuar pa fund, kur një përfaqësi nga Radio Televizioni Shqiptar dhe presidenca shqiptare, i kanë shkuar në shtëpinë e së bijës, ku jeton prej vitesh, dhe i kanë çuar urimet dhe dhuratat për ditëlindje. Përmes së bijës, këngëtarja na sjell emocionet në këtë përvjetor larg vendit të saj.

Zonja Vaçe, duke ju uruar fillimisht jetë të gjatë, do të donim të dinim, si e pritët idenë për të organizuar një mbrëmje “Gala” për nderin tuaj në Tiranë?

Ju faleminderit për urimet. Dëshira fisnike për të kremtuar përvjetorin tim të shtatëdhjetë më ka prekur shumë.

Ky vit kulturor në Tiranë mban emrin tuaj, çdo të thotë kjo për ju?

Aq shumë, sa e kam të vështirë ta përmbledh në fjalë.

Vazhdoni të mbeteni zonja e skenës shqiptare, keni marrë shumë çmime, po ka ndonjë gjë që ju ka mbetur peng, që nuk e realizuat dot?

Ndoshta po të më kishit pyetur dikur, kur isha akoma aktive në jetën artistike, edhe mund t’ju kisha thënë diçka. Sot i kam harruar të gjitha këto. Ajo që më ka mbetur thellë në kujtesë është dashuria e pafund që më ka dhënë dhe vazhdon të më japë edhe sot publiku shqiptar.

Në dhuratën që ju erdhi nga Presidenca shkruhej “mitit shqiptar”, si ju duket kur ju thonë kështu?

Gëzohem me gjithë shpirt. Këto janë momente që s’është pak të them që më shtojnë jetën.

Çfarë ju mungon më shumë nga Tirana?

Gjithçka. Më ka marrë malli aq shumë për Shqipërinë. Ai vend më ka dhuruar një jetë plot emocione. Ai vend më bëri këtë që ju thoni se unë vazhdoj të jem për ju.

Do të donit të vinit?

Oh më mirë mos më pyesni, sepse prekem shumë. Kjo është ëndrra ime më e madhe. Lus Zotin që kjo një ditë të bëhet realitet.

Si ju duket kur dëgjoni këngët tuaja të interpretuara nga këngëtarë të tjerë?

Jam e lumtur që ato këngë vazhdojnë t’i mbijetojnë kohës.

Koncerti 
Sot në orën 20:30 në Pallatin e Kongreseve, organizohet mbrëmja “Gala”, “Vaçe Zela, një grua, një zë, një mit”, për nder të këngëtares së madhe. Koncerti është organizuar nga radio televizioni Publik Shqiptar, nën kujdesin e veçantë të zonjës së parë, Teuta Topi. Koncerti është menduar në formën e një spektakli, ku këngët më të mira të këngëtares, të interpretuara nga të tjerë zëra, do të ndërthuren me kujtime miqsh dhe kolegësh. Ndërkaq, këngëtarja do të jetë e pranishme përmes pamjeve arkivore, që do të shfaqen në një monitor të madh.

Këngët 
Nga fondi i pasur i këngëve të kënduara nga Vaçe Zela, janë përzgjedhur 15 më të mirat, mes të cilave shumë fituese çmimesh të para. Të orkestruara nga Adrian Hila, këngët do të vijnë nën interpretimin e këngëtarëve më të mirë të skenës shqiptare si Myfarete Laze, Irma dhe Eranda Libohova, Vikena Kamenica, Sidrit Bejleri, Juliana Pasha, Endri dhe Stefi, Qemal Kërtusha, etj., si dhe Naim Krasniqi, si i ftuar i veçantë i mbrëmjes.

Dhuratat për ditëlindje 
Një mikrofon i larë në ar, i punuar me kujdes të veçantë, ishte një nga dhuratat që Presidenti i Republikës i bëri këngëtares Vaçe Zela, për ditëlindje. Në pllakatin e tij shkruhej “Vaçe Zelës si një grua, si një zë, si një mit. Nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi dhe Zonja e parë Teuta Topi”. Ndërsa dhurata e dytë ishte një letër e gdhendur në dru, ku shkruhej: “Perlës së muzikës shqiptare nga të gjithë shqiptarët”.

***

Gazeta Shqiptare

Nga Anila Basha

7 prill 2009. “Isha nëntë vjeç dhe më hipën në një karrige, më veshën një fustan nuseje. E vetmja gjë që nuk gjetën dot ishin një palë këpucë, kështu që herën e parë kam kënduar zbathur”… Në 70- vjetorin e saj, Vaçe Zela rrëfen ekskluzivisht për Gazetën Shqiptare rrugën e saj drejt skenës… Në qytetin e saj të lindjes ajo ishte një talent, por nuk u pranua në Liceun Artistik. Madje u quajt e paaftë… Për hir të kësaj gjëje, ajo zgjodhi të studionte për dramë e jo për kanto… Por më tej vjen suksesi, çmimet dhe dashuria e publikut. Sot në Tiranë do të festohet ditëlindja e saj. Gjest që e emocionon dhe e përlot. E pamundur për të qenë mes popullit të saj, ajo shpreh mirënjohjen për njerëzit, që e kanë bërë më të lumturën…

Si ndiheni që në 70-vjetorin tuaj Ansamblii Këngëve dhe Valleve Popullore do të sjellë këngët tuaja në një koncert vetëm për respekt të ditëlindjes suaj?

Ky është një nder shumë i madh që më bëhet. Jam shumë e prekur nga ky gjest fisnik.

Si e kuptoi Vaçja që ishte një këngëtare e lindur? Kur filloi të këndojë për herë të parë? A është e vërtetë se kjo ka nisur pikërisht ditën kur Vaçja po shkonte të mbushte ujë?

Unë rrjedh nga një familje që e ka dashur shumë këngën. Nëna ime ka pasur zë të bukur, kështu që edhe unë jam rritur me dashurinë për këngën dhe si fëmijë këndoja jo vetëm në shtëpi por edhe kur shkoja të mbushja ujë. Gratë e lagjes që mbushnin ujë në çezmë, kanë qenë për herë të parë publiku im.

Ju keni filluar të këndoni që e vogël. Si mundej Vaçja të arrinte në mikrofon?

Isha nëntë vjeçe dhe më hipën në një karrige, më veshën një fustan nuseje. E vetmja gjë që nuk gjetën dot ishin një palë këpucë, kështu që herën e parë kam kënduar zbathur. 
Por nuk u kuptua, sepse i leva këmbët me shkumës. Edhe sot qesh kur më kujtohet ajo ditë.

Për herë të parë ju nuk jeni pranuar n ë  Liceun Artistik, me argumentin se nuk kishit m b ushur moshën për në Lice. A u zhgënjyet nga kjo, kur të gjithë e dinin dhe njihnin tashmë zërin tuaj?

Më falni, por më duhet t’ju korrigjoj. Argumenti nuk ka qenë mosha. Thjesht më quajtën të paaftë. Natyrisht që u zhgënjeva jashtë mase. Atëherë në Tiranë nuk më njihnin, por Lushnja mbeti po aq e zhgënjyer sa edhe unë. Ata të gjithë krenoheshin me mua dhe nuk arrinin ta besonin që më quajtën të paaftë.

Le të ndalemi pak në vitet tuaja si mësuese muzike pas gjimnazit. Pse e pranuat atë detyrë? Nuk gjetët vend në skenat e Tiranës?

Punova një vit si mësuese muzike, deri sa më doli e drejta e studimit për në Akademinë e Arteve.

Si shpjegohet që ju nuk ndoqët degën e kantos, por u regjistruat në shkollën e lartë për dramë?

Sepse mendova që përsëri nuk do të më pranonin, por megjithatë doja me çdo kusht të bëhesha artiste.

Pse i braktisët studimet për dramë në vitin e tretë të shkollës?

Sepse qëllimi im nuk ishte të bëhesha aktore dhe atëherë sapo fillova punën në Estradën e Ushtarit, dhe prandaj e pata të pamundur të vazhdoja më tej studimet.

Kur ka qenë rroga juaj e parë dhe çfarë keni bërë me të?

Kur fillova punë në Estradën e Ushtarit, dhe me të i bleva një xhaketë lëkure babit.

Si mundët ju me ato këngë, tek të cilat dukshëm shiheshin edhe nota që nuk i shkonin përshtat regjimit, të vazhdonit të këndonit duke fituar respektin e publikut?

Ndoshta sepse publiku e ka ndjerë që unë kam dashur çdo këngë që kam kënduar. Unë nuk i këndoja këngët që “s’më ngjisnin“ dhe jo rrallë kompozitorët dhe poetët kalonin net të tëra pa gjumë derisa përmbushnin kërkesat e mia. Por ata ma falnin mundin që u krijoja, pasi edhe ata vetë në fund bindeshin që kisha pasur të drejtë.

Cila është dita më e bukur e jetës suaj?

Dita kur jam bërë nënë.

Le të flasim pak për ikjen tuaj drejt Zvicrës? E dëshiruar, e vlerësuar, e kërkuar gjithandej në Shqipëri. Pse zgjodhët Zvicrën?

Nuk mund ta quaj zgjedhje. Unë erdha së bashku me bashkëshortin tim për të vizituar vajzën, e cila jeton në Zvicër. Pastaj u sëmura dhe mbeta këtu.

Cila është gjendja juaj shëndetësore tani?

Natyrisht nuk jam më ajo që isha, por nuk dua të ankohem. Pas asaj sëmundjeje të rëndë që kalova, më duhet të them se është një mrekulli që vazhdoj të jetoj.

Sot nuk doni të dilni para kamerave. Po festoni 70-vjetorin? Pse, çfarë e mundon Vaçen?

Unë kam qenë një jetë të tërë para kamerave dhe dua që publiku të më mbajë mend si kam qenë, dhe jo si jam sot.

Çfarë do të donit t’i thoshit publikut shqiptar, dhe të jeni të bindur se të gjithë presin fjalën tuaj….

Publikut shqiptar do të doja t’i thosha që më ka dhuruar një jetë plot emocione, që më ka bërë të ndjehem njeriu më i lumtur. Jua them me gjithë shpirt, se askund në botë nuk mund të gjesh një publik të tillë si ai yni, që vazhdon të më dojë edhe pas një çerek shekulli që i jam larguar skenës, që më bën të ndjehem aq krenare që jam shqiptare. Ju jam thellësisht mirënjohëse!

***

E martë, 07 prill 20009 Koha Jonë

Nga Ben Andoni

Sic ndodh rendom, kur afron nje pervjetor, te gjithe rendin. “Kundershtaret”, qe te tregojne se aksh institucion nuk e kujtoi dhe te tjeret, ata panegjiriket, qe per fat te keq, Shqiperia i shumon pafund, qe flasin me patetizma. Ne rastin e Vaçe Zeles, qe sot me 7 prill ploteson 70 vitet e saj, eshte krejt ndryshe. Perpjekjet e dy paleve jane te humbura. Vaçe Zela eshte ne mendjet e njerezve dhe e ruajtur njesoj ne kujtesen e tyre si ne ditet e saj me te mira, kur interpretonte. Ndaj, edhe meritoi me te drejte 11 cmime rresht ne festivalet kombetare. Askush nuk e paragjykoi, cmimin e saj. U largua nje dite, per te mos u kthyer me ne skene, por duke lene pas kujtesen e timbrit te saj dhe te vokalit te jashtezakonshem. Ajo, vete, gjate ketyre 25 viteve te fundit, nuk ka rendur qe te marre lavderime. Vaçe Zela ka gjetur paqen me talentin e saj. E ka nderuar ate, ashtu si talenti e ka nderuar ate, duke mos e lene kurre ne balte.

Nderimi

I tille nderim do te jete dhe sot ne Pallatin e Kongreseve, kur nen patronazhin e Zonjes se Pare, Teuta Topi, do te zhvillohet nje mbremje “Gala”, per nder te kengetares. “Vaçe Zela, nje grua, nje ze, nje mit”, e kane titulluar koncertin organizatoret e saj, qe eshte i pari i ketij lloji kushtuar kengetares dhe qe eshte bere fale Ministrise se Kultures dhe TVSH-se. Jane 15 kenge, te cilat te orkestruara nga Adrian Hila, do te interpretohen nga Qemal Kertusha, Myfarete Laze, Irma dhe Eranda Libohova, Vikena Kamenica, Sidrit Bejleri, Juliana Pasha, Endri dhe Stefi, etj. Disa nga kenget qe do te kendohen jane “Valsi i lumturise”, “Naten vone”, “Mesnate”, “Nenave shqiptare”, “Rrjedh ne kenge e ligjerime”, “Nuk e fshehim dashurine”, “Flake e bore”, etj. Nderim per kengetaren do te jete dhe ne faktin qe te gjitha kenget do te jene “live”, sipas koordinatores se aktivitetit Alma Hoti. Por, ne Zvicer, ku jeton prej kohesh kengetarja e njohur, ka marre edhe disa dhurata nga ana e Presidentit Shqiptar Bamir Topi dhe bashkeshortja e tij Teuta. Nje prej dhuratave ishte nje mikrofon i lare ne ar, i punuar enkas per pervjetorin. Ne pllakatin e tij shkruhej: “Vaçe Zeles si nje grua, si nje ze, si nje mit- Nga Presidenti i Republikes, Bamir Topi dhe Zonja e pare Teuta Topi”. Ndersa dhurata e dyte ka qene nje “leter”, pergatitur ne forme papirusi dhe e gdhendur ne dru, ku shkruhej: “Perles se muzikes shqiptare nga te gjithe shqiptaret”. Thjesht.

Pas Vaçes

Por, per gjithe shqiptaret, historia qe vjen pas Vaçes nuk eshte më ndonje histori e madhe kengetaresh. Ka pasur nje bum emrash, por shumë pak e kanë vendosur stekën në lartesite, ku gjendej normalisht Vaçe Zela. Ne vend te kesaj gjendje, muzika e lehte shqiptare ka vuajtur nje tranzicion te veshtire dhe pershtatjen me kohet e reja. Tekstet, muzika dhe zerat me tonalitetet e munguara kane bere nje kulture, qe e ka zvetenuar shume traditen e muzikes se lehte shqiptare. Ndaj kur permendet emri i Vaçe Zeles, me shume se nderim per vete kengetaren eshte homazh per vleren e vertete te muzikes shqiptare, qe e ka mbajtur nje perfaqesues si ajo.

Retrospektive

“Vaçja ka patur nje vokal te shkelqyer, te qarte, te pastert, te deshiruar per t’u imituar. Kishte nje shtrirje te zerit prej nje oktave deri ne kuinte (‘do’ natyral ne ‘re’ kaluese). Kjo varej nga trajtimi qe i bente kenges. Ka kenduar ne te gjitha menyrat, kryesisht me ze gjoksi, por (me rralle) dhe me importim (ne notat lart), me ze koke ( i cili eshte me i kthyeshem teknikisht), te cilet i kombinonte me shume inteligjence, cka varej nga materiali muzikor. Kjo i jepte mundesi ta zgjeronte diapazonin. Zeteronte mjete shprehese teknike, qe e conin ne konturime temelosit, me vibrime te shkelqyera te zerit: me glisandot, postamentin, ngjyrimet dhe levizjet kolovature te zerit ku me ndjeshmeri, ne gjysme zeri, e ka perdorur dhe kantilenen ( si shprehje te embelsise se tingullit). Kantilena (nepermjet vibrimeve te ngrohta), si element teknik, e bente kengetaren te degjohej ndjeshem (lehte) ne salle; ajo i vinte per shkak te lidjeve te frazes, linjes vokale etj., me boten shpirterore” (Cituar nga Vaçe Zela..magjia e kenges shqiptare-shkruar nga As.Prof. Nexhat Agolli).

Nuk ka me Vaçe. Tani ka ne mase kinse kengetare, qe fale studiove moderne te regjistrimit, te duken aq te talentuar. Vajza te bukura, gjysme te zhveshura dhe pseudo. Pafund te tille. Per fat te keq, nuk ka me Vaçe. Dhe, s’ka talente si Vaçja- qe te besonim ne ato pak gjera te mira, qe e kane mbajtur te paprekur cilesine e vleres ne Shqiperi.

***

Kur kishim nevojë për këngët e Vaçes

Gazeta « Standard »

Nga Suela Furriku

Kompozitorë, këngëtarë, regjisorë dhe miq të këngëtares, sonte në një koncert gala në Pallatin e Kongreseve, do të risjellin gjatë 120 minutave krijimtarinë 50-vjeçare të Vaçe Zelës. Edhe 70-vjetori i ditëlindjes së këngëtares festohet pa praninë e saj. Shëndeti jo i mirë i ka ndalur rikthimin e saj në Shqipëri. Këngëtare të njohura ndër vite si: Myfarete Laze, Irma dhe Eranda Libohova, si dhe këngëtarët Qemal Kërtusha, Gaqo Çako, Sidri Bejleri etj., do të interpretojnë këngë nga repertori i zgjedhur i Vaçe Zelës

Pse këngëtarja i ka “kthyer” kurrizin Shqipërisë qysh në ’90-ën, askush nuk e ka një përgjigje. Sot ajo mbush 70 vjeç dhe dy projekte në kryeqytet ishin menduar në një ditë, por vetëm njëri, koncerti që do të mbahet në Pallatin e Kongreseve do të manifestojë madhështinë e Vaçe Zelës. As kjo veprimtari që organizohet nga Ministria e Kulturës dhe as ajo që u hodh në shtyp para disa muajsh nga qendra metropolitan (që tani rezulton o dështim, o marrëveshje) nuk mundën të sillnin në Tiranë këngëtaren. Rikthimi i saj po, do të ishte një ngjarje e përmasave kulturore për shqiptarët që tani e kujtojnë si legjendë që talenti iu izolua përdhunshëm në diktaturë. Mit për 40 vjet, ku zëri i saj ishte drita në fund të tunelit komunist. Simbol i fuqisë së lirisë, me aq sa mundej, mund të thuhet për këngëtaren Vaçe Zela që mbush 70 vjet nga lindja. Ajo kishte shkallën më të lartë të frymëzimit artistik, është përcaktimi më ideal që i ka bërë kompozitori Ferdinand Deda. Ndërsa për një brez tjetër, Vaçe Zela u bë mit në mënyrë të vetëdijshme, për të realizuar nevojën e komunikimit ngjeshur pas trupit të një radioje. Duket sikur këngëtarja, pavarësisht rrethanave, kishte vendosur të matej me përsosmërinë. Pas viteve ’90 heshtja e saj u lidh emigrimin. E gjendur prej vitesh në Zvicër, Vaçe Zela ka marrë titullin “Nderi i kombit”, nderuar nga Presidenti Aleksandër Moisiu, e cila është konsideruar tashmë nga të gjithë brezat si meteori i fatit që i ra për pjesë Shqipërisë, në vitet e zymta të diktaturës. Ndërsa koncerti i sotëm do të shënojë të vetmen veprimtari më me rëndësi që është mbajtur në këto vite për këngëtaren, pas stimulit moral që ka marrë në festivalin maratonë të “Këngëve të shekullit”, ku këngëtarja ndonëse e ftuar, nuk ka pasur mundësi të vijë, duke përshëndetur publikun shqiptar në lidhje të drejtpërdrejtë me telefon.

Kompozitorë, këngëtarë, regjisorë dhe miq të këngëtares do të risjellin gjatë 120 minutave të këtij aktiviteti copëza nga krijimtaria e saj 50–vjeçare, nga jeta e saj familjare dhe shoqërore. Disa nga këngëtaret më të njohura të vendit ndër vite dhe sot si; Myfarete Laze, Irma dhe Eranda Libohova, Qemal Kërtusha, Gaqo Çako, Sidri Bejleri etj., do interpretojnë këngë nga repertori i zgjedhur i këngëtares. Ideatore e këtij aktiviteti është Nevila Hoxha, skenaristë dhe regjisorë janë vëllezërit Laço, ndërsa skenograf është Joni Kraja. Ikja nga Shqipëria është një përjetim jo i zakontë për këngëtaren që kaloi kulmin e saj nën diktaturë: “E mbaj mend si tani. Ishte diell. Atje të gjithë ditët kishin diell dhe unë e kujtoj gjithmonë Shqipërinë, si një vend me shumë dritë”. Viti 1991 është e hera e fundit e momenteve me skenën që mban mend këngëtarja kur një grup artistësh nga Shqipëria shkuan në Zvicër. “Kënduam për shqiptarët dhe nuk mund t’i harroj ato duartrokitje të fundit. Më therin në zemër, ngaqë e di se ika nga skena atëherë kur njerëzit kishin nevojë për këngët e mia”, – ka treguar emocionet e saj Vaçe Zela në një intervistë.

Përgatitur nga Alfred Papuçiu

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok