HAZIR MEHMETI DHE PROZA NARATIVE E DIASPORËS SHQIPTARE
Nga Baki Ymeri
Veprat e suksesshme janë ato që i mundësojnë lexuesit të përjetojë ndjenja personale. Disa shkrimtarë, kur ia japin fomën definitive një vepre, krijojnë përshtypjen se kanë ndërtuar një kala. Hazir Mehmeti është një idealist dhe tradicionalist modern që kultivon me dashamirësi subjekte historike, patriotike, sociale dhe kulturore, duke qenë një njohës i mirë i ambientit shqiptar, jo vetëm në vendlindje por edhe në diasporë. Libri debuton me një përkushtim dedikuar prindërve: “Nënës sime Hamide dhe tim et Ramadanit, rikujtim të netëve pa gjumë në pritje të të birit”
Tregimet e Hazir Mehmetit përbëjnë një ditar të mirëfilltë të një panorame historike dhe kulturore të universit shqiptar në koordonatat gjeografike të saj. Ai ka aftësinë për ta shënuar me hollësi çdo detaj. Proza e autorit reflekton botën shqiptare në të gjitha segmentet e saj, që nga Kosova e Labëria, deri në Austri e Gjermani. Asgjë monotone dhe asgjë banale. Naracioni i Hazir Mehmetit është i qartë dhe i thellë, ndërsa stili i tij konçiz dhe i pasur. Sipas vlerësimeve kritike, kuptojmë se proza është burrëria e krijimtarisë, ndaj lirisht mund të themi se Hazir Mehmeti e gëzon këtë epitet. Libri i tij i parë me tregime është një realizim i bukur artistik që autorit i bën vend në mesin e tregimtarëve më të shquar të letërsisë së sotme shqipe, me prirje drejt modernizmit.
Ftesa, Porosia, Erëdredha, Hijezeza, Lypësi, Kohëthyerja, Shëngjergji, Hetuesi, Shtegtimi, Arkivoli, Qielli tymzi, E ftuara, Udhëtimi, Gjurmë të mbuluara, Kulla e kujtimeve, Librashitësi, Me papirusin e lashtë, Kur gjethet vallëzonin shqiptarisht, Në ankthin e erës dhe Busti, janë 20 tregime nëpër të cilat parakalon bota fizike dhe shpirtërore e shqiptarizmit. Hazir Mehmeti shkruan me dritën e qartësisë logjike dhe psikologjike për ambientin shqiptar dhe natyrën humane të ngarkuar me përpjekjet permanente për mbijetesë, për personazhet e “ngarkuara” me gëzime dhe trauma, me gjendje dhe përjetime në strategjinë e një naracioni objektiv: “Në mjegullën e përgjumësisë ëndrra u shua në hijezimet e bebëzave që zgjoheshin në pamjen e parë të ditës.”
Përpjekjet e autorit për kultivimin e prozës shqipe janë një kërcim cilësor të cilin e nxjerr në dritë kjo vepër. Jeta e personzahve nuk është një ëndërr e parealizuar por një fakt real. Lexuesin e josh talenti i autorit për përshkrim dhe funksioni emotiv i diskursit. Duke shkruar për të tjerët, autori e interpreton vetëveten. Struktura e kësaj vepre me të cilën debuton në fushë të tregimtarisë shqiptare, ka një rregull kronologjik të fakteve, duke i lënë vend kritikës për interpretime të reja letrare. Veprës i shtohet vlera, ngase i mungojnë mjegullat dhe manifestimet negative të protagonistëve. Lexuesin e josh stili dhe tonaliteti i rrëfimeve dhe përshkrimeve: “Përroi i Burimit ishte i rrethuar me frashër me kurora madhështore rrëzë kodrës nga fillonin pyje të paskajshme. Gurgullima e përroit ishte pjesë e mësuar e dëgjimit e cila nuk ngatërrohej me asnjë zë apo zhurmë tjetër, kjo na ndihmonte kur ne kërkonim ndonjë nga bagëtitë e mbetura mbrapa apo kur vëzhgonim të fshehur lëvizjet e ndonjë derri, dhelpre apo kaprolli drejt përroit.” (Erëdredha)
Veprës respektive nuk i mungojnë imagjinata e bujshme, përfytyrimet artistike, metaforat dhe figurat tjera stilistike. „Vjeshtë. Të gjithë vraponin pas kohës. Përreth natyrë, ku njeriu do lodhët duke i ndjekur me shikimin e tij lojën e reve me rrezet e diellit që shkëlqenin herë pas herë horizontit. Ato lëviznin me shpejtësi, sikur donin të grabitnin hapësirën e kaltër qiellore. Për syrin e një dite do ishte ngarkesë numërimi i ndërrimeve të hijeve që dukeshin sikur vraponin mbi pullaze e kopshte. Majat e pishave lëkundeshin në pasqyrën e kaltër qiellore ku dallëndyshet me fluturimet e tyre vizatonin hartën e rrugëtimit drejt jugut. Ato do fluturojnë mbi atë copë toke ku hapa sytë. Tokë e vuajtur, e ujitur me lot. Sikur të ishim edhe ne dallëndyshe. Por jo, ne jemi njerëz. Aty ku lind njeriu, aty i pushon qenia e tij.” (Kur gjethet vallëzonin shqiptarisht)
Hazir Mehmeti e then embargonë e heshtjes së disa krijuesve që kanë talent, por nuk kanë kohë në perëndim për shprehjen e talentit të tyre me shkrim. Përveç Dedë Preqit, rrallëkush nga krijuesit e diasporës na jep përshkrime të bukura të vendlindjes si ky: “Mëngjesi rendonte me tërë peshën e mbetjeve nga nata. Pagjumësia e shoqëruar me urrejtjen ndaj padrejtësive kishin formuar një lëmsh të madh, shumë të madh, në gjoksin e Petritit. Autobusi i mbushur me udhëtarët e përgjumur nga nata lëvizte dredhas nga pesha rrugës me gropa kushedi kur e ndërtuar. Petriti me shokun e tij Dritonin, ulur në karriget e para, përcillnin rrëshqitjen e pikave nga avulli xhamave të autobusit në brazda lakore derisa ndaleshin dhe prapë fillonin rrëshqitjen në mbushjen e re ujë avulli nga aq shumë udhëtarë.” (Ftesa) Autori e pasuron fjalorin e gjuhës me sintagma të reja. Ai e stimulon njëkohësisht lirinë e mendimit dhe botën e meditimit. Në tekstet e kësaj vepre ballafaqohemi me përdorimin korekt dhe preciz të fjalëve, me formulimin e disa mesazheve personale në situata konkrete të komunikimit.
Hazir Mehmeti ka talent për përshkrime të gjera dhe analiza psikologjike. Ai është një njohës i mirë i gjuhës shqipe dhe universit tonë kombëtar. Autori e pasqyron me besnikëri historinë paraprake dhe aktualitetin e evenimenteve në mënyrë sinkronike dhe kronologjike. Ai din të gjurmojë në arkivin e jetës duke na dhënë një dhunti që shëmbëllen me lindjen e një fëmije, me përkushtimin tonë për të mihur një fontanë për shuarjen e etjes së shtegtarëve, për të mbëltuar një pemë, apo për të ndërtuar një shtëpi për pasardhësit e tij.
Botimi i një libri nuk është vetëm një akt kulturor, por edhe patriotik. Çdokush e din se patriotizmi është dashuria ndaj vendlindjes, ndaj dëshmorëve të kombit, ndaj traditave dhe personave që kanë qenë pranë teje gjatë gjithë jetës. Ndjenja e patriotizmit është një rrugë e mundimshme e krijimit që të shpie në realizimin e idealit. Kjo është një degë e artit që përfitohet me punë permanente dhe me dije. Duke u dhënë kuptim fjalëve, përfundimisht mund të themi se autori i kësaj vepre inkorporohet në rangun e krijuesve tanë të talentuar, të cilët dinë ta kultivojnë me mjeshtëri artistike prozën realiste. Përkthimi në gjuhën rumune i kësaj përmbledhjeje, dëshmon një plan strikt subjektiv, sentimente që kalojnë nga hapësira kombëtare në atë letrare. „Kohëthyerja e Hazir Mehmetit është një vepër vlerash të veçanta që nuk guxon të mungojë në bibliotekat tuaja!
(Bukuresht, 17 Shkurt 2018)
Parathënie për librin Kohëthyerja e Hazir Mehmetit
Nga Peter Paul Wiplinger
Vetë titulli i librit është enigmatik, misterioz, i errët dhe i rëndë. Dhe mbi të gjitha tregimet qëndron si një vello mjegullore, një atmosferë përshkuese ndjenjash, ku gërshetohen dhimbja për vendlindjen, malli, hidhërimi, trishtimi dhe melankolia. Malli i dhimbshëm për vendlindjen e humbur e të braktisur, për fshatin e lënë pas. Mall për fëmijërinë dhe rininë, atje në vendlindje, në mbrojtje dhe siguri, në rrethin e një bashkësie të madhe, të besueshme, të familjes, të të afërmëve dhe të shoqërisë. Hidhërim për gjithçka të humbur, por edhe për atë që është duke u zhdukur, të kulturës së vjetër qindravjeçare të një populli, të identitetit të tij sozial – kulturor, të cilin jeta moderne e ka fshirë si me fshesë. Trishtimi që e kap dikë, kur ai rikthehet me kujtimet dhe në kujtimet e tij, atje, ku dikur kishte patur rrënjët dhe kishte qënë në shtëpinë e tij. Melankolia si bazë e ndjenjës së jetës, sepse me hidhërim dhe i pafuqishëm, i duhet të shikoj dhe pranoj, që “koha e vjetër”, prej kohësh nuk ekziston më. Ajo u rrënua në gërmadha, përmes gjithë asaj që quhet sundim, dhunë, torturë, vrasje dhe luftë, u shkatërrua përgjithmonë, shpërbërë edhe nga emigracioni massiv, humbi tërësinë e saj unike dhe qëndrueshmërinë, aq sa e rigjen vetveten në vendin tënd, përsëri në një jetë të huaj në mërgim, pas mërgimit. Pastaj khehesh ndonjëherë, ose edhe çdo vit, pas dhjetëra vjetësh, i plakur dhe i lodhur, në vendlindjen e vjetër, por më tepër si një turist, i cili vihet vetë në kërkim të gjurmëve të së kaluarës. Shpirtëricht mbetesh i lidhur me vendlindjen gjatë gjithë jetës, përmes rrënjëve që ke lënë atje, përmes gjithë asaj jete dhe fati të përbashkët të një populli, pjesë e të cilit je, edhe pse tani jeton në një vend të huaj, “në atdheun e dytë” të ri; por edhe në vendin e panjohur të Un-it të qënies së vet.
E gjitha kjo ndërthur tregimet në këtë libër. Janë tregime të skicuara shkurt si dhe studime rreth jetës së vjetër në Dardani, në Kosovën e sotme, rreth jetës së përditshme dhe kulturës, rreth kulturës së fshatit, të mbështetura në një traditë të vjetër qindravjeçare. Gjithashtu rrëfehet për shtypjen e ushtruar nga shteti i dhunshëm serb dhe i shërbëtorve të tij, për krimet e kryera mbi popullsinë shqiptare, që nga koha e Mbretërisë Serbe, gjatë periudhës së komunizmit të regjimit të Titos, deri tek lufta e Kosovës në vitin 1999 (Serbia kundër Kosovës), si dhe për çlirimin e Kosovës nga UÇK.Faktet thirren në emër: Në zonën e Toplicës dhe Nisch ka patur dikur, pothuaj 750 fshatra, të cilët kanë qënë të banuara me popullsi me shumicë shqiptare. Ndërmjet viteve 1833 deri në vitin 1900 u përzunë nga kjo zonë rreth 300 mijë shqiptarë (ndërmjet të tjerash edhe nëpërmjet syrgjynosjes së detyruar në Turqi) dhe 150 mijë shqiptarë të tjerë u vranë me paramendim. Ky është një bilanz i llahtarës. Por kjo do të thotë njëkohësisht edhe fati i përbashkët i një populli, e argumenton atë dhe e ruan të pashuar në kujtesën kolektive të historisë së tij të përbashkët. Kosova është sot një shtet i vogël, i pavarur, i cili lufton për identitetin dhe sovranitetin e tij politik dhe përpiqet për njohje ndërkombëtare.
Një rreth të gjerë temash trajton ky libër me përshkrimet e tregimeve të tij, lidh të kaluarën me të sotmen, Mite shumë të lashta dhe legjenda të traditës gojore me përshkrime të ngjarjeve dhe fateve të realitetit, të përshkruara si model përcaktues në përjetime të personave të veçantë, por të cilat kanë qënë pjesë edhe e vetë jetës së Autorit. Në nëntëmbëdhjetë studime të skicuara shkurt, autori përshkruan në mënyrë depërtuese prekëse një panoramë shumëngjyrëshe nga bota e jetës dhe e fatit të popullsisë shqiptarë në Kososvë, e cila si pakicë kombëtare në mes të shumicës së popullsisë sllave serbe dhe regjimit të saj të mbushur me urrejtje për gjithçka që ishte shqiptare, deri ditën e çlirimit dhe pavarësisë, jetonte një jetë të rëndë dhe nën shtypje. “Ishte një kohë”, në të cilën duhet të ishe i çmendur, që të mund të jetoje”,- thotë i arrestuari, mësuesi Fazli, mbi të cilin kaluan veprimet sistematike arbitrare si dhe torturat e marrjes në pyetje të policisë sekrete shtetërore, në tregimin e parë “Ftesë për në gjyq”. Shumë shqiptarë të Kosovës e shmangën nënshtrimitn dhe rrezikimin e jetës personale nëpërmjet arratisjes. Për ata, të cilët arritën të largoheshin, priste një jetë në pasiguri, e paditur, në mëdyshje dhe pa asnjë lloj mbështetje, një jetë si azilkërkues ose si azilant, në rastin më të mirë si emigrant në një “atdhe të ri”. Kjo do të thotë luftë për të mbijetuar, mbledhje e të gjitha energjive të mundshme për të vënë këmbë në vendin e ri. Por pastaj rikthehet përsëri e përsëri e kaluara, shpesh si në ëndrrat e tmerrshme; zgjon mallin e zjarrtë, të papërmbushur. Dhe disa nga këto kujtime janë si “Hije të tmerrit” – sipas titullit të një tregimi, tek i cili bëhet fjalë për shtypje, dhunë, arrestim, syrgjynosje dhe vrasje në kohën e pushtimit gjerman; e përshkruar në atë mënyrë që nëpërmjet fjalëve të pakta të përdoruara për rrëfimin e ngjarjes, të prek thellë në emocione. – “Ne i ngarkuam fëmijët në vagon dhe i çuam në kodrat sipër qytetit, poshtë kështjellës”. Atje u pushkatuan me saktsi 100 fëmijë. Dy vajzat me fustanet me pika kishin në radhën e ekzekutimit numrat 9 dhe 11. Të mëdhenjtë përfundonin në dhomat e gazit”, shkruante gazeta e qytetit 30 vjet më vonë, kur drejtësia nuk kishte më domethënie.
Në këtë kontest, metafora e titullit të librit “Koha e thyer”, merr papritur në përmbajtje, një perceptim të kapshëm, të prekshëm me dorë, kupton domethënien e saj. Më pas vëmendja drejtohet tek tregimi shumë mbresëtronditës “Qiell plot tym të zi”, mbi masakrën e serbëve mbi shqiptarët e kosovës, në luftën e Kosovës: “Zjarre të armëve automatike, rënkime të pleqve dhe të sëmurëve, klithma fëmijësh, ishin bërë përjetimi i jetës së përditshme… Ushtarët e maskuar ishin të gatshëm të qëllonin në vend çdonjërin, i cili kundërshtonte një urdhër… para se të ndodhte masakrimi i përgjakur me zjarr dhe bajonetë, i përshtatshëm për vrasësit serbë. “Dhe akoma për kujtesë: Edhe Jugosllavia e Titos nuk ishte parajsë për shqiptarët e Kosovës, krejt në të kundërt: Kush kundërshtonte, përfundonte në qelitë e torturave dhe në burgjet e sigurimit të shtetit serb (policia sekrete jugosllave), ose në fund në ishullin famëkeq të Tito-KZ “Goli-Otok”. Atje u shuan gjurmët e jetës së mijëra njerëzve.
E gjitha kjo i përket jetës së vërtetë të autorit kosovo-shqiptar Hazir Mehmeti. Dhe ai shkruan, pavarësisht nga tmerret e përbindshme, pothuaj pa u menduar gjatë, sikur të prekte lehtë kalimthi, në formë skize – ekspoze (si ilustrimet me laps mbresëlënëse në libër nga G.Freitag), por gjithashtu edhe në mënyrë depërtuese, prekëse dhe preçize, domethënë me mjeshtëri mbi dhe për përjetimet. Është një art të shkruari në frymën e kohës dhe të letërsisë. E bazuar natyrisht në trashëgiminin e mënyrës së të rrëfyerit të traditës së letërsisë shiptare, por arti i të shprehurit dhe kultura gjuhësore e Hazir Mehmetit janë shumë afër realitetit. Këtu rrëfen një autor, histori të thjeshta, në një gjuhë “të thjeshtë”, të qartë. Pikërisht për këtë, kjo mënyrë të rrëfyeri ka stil dhe kualitet. Prandaj libri është një urë letrare lidhëse ndërmjet dy botëve: botës së vjetrës dhe asaj të re si dhe të kulturave të tyre; por edhe ndërmjet së kaluarës dhe së sotmes; ndërmejt atdheut dhe mërgimit. Dhe para së gjithash një lidhje ndërmjet Autorit dhe lexuesit. (Wien, 25.7.2017).
Përktheu nga gjermanishtja: Shpresa Musaj