23/12/2024

Akademiku Bedri Dedja- shkrimtari, pedagogu mbarëkombëtar

0
u1_Dedja-Papuciu

Nga Alfred Papuçiu

U mbushën pesëmbëdhjete vjet që kur Akademiku Bedri Dedja u largua mëngjezin e datës 13 prill 2004, në moshën 74 vjeçare, pa e parashikuar dikush ikjen e tij të dhimshme. Një  gazetë zvicerane « Le quotidien Jurassien » e Zvicrës e cilësoi Bedri Deden si personalitet shqiptar me zë.

E njoh akademikun dhe profesorin Bedri Dedja qysh kur isha në moshë të vogël, pasi ishte bashkëshort i hallës sime të paharruar, Pandorës. Mbaj mend se kur isha në moshë të vogël më solli si kujtim nga një udhëtim i tij në Moskë, një album me pulla të rralla ruse të shekullit të kaluar dhe të viteve të mëtejme, pasi e dinte se unë isha një filatelist i pasionuar..Një album që e mbaja si gjë të rrallë dhe që u bë shkak që unë të kisha këmbime letrash me filatelistë nga e gjithë bota.

Profesor Bedriu lindi në Korçë më 20 Nëntor 1930. Në kujtimet e tij , „ xhaxhi  Bedriu“,  siç e thërrisnim ne , edhe së fundi, tregonte se më 31 mars 1931, kur do të varrosej Mihal Grameno, në Korçë ra një tërmet i fuqishëm. Një nënë maqedonase (shule), një plakë komshije, kishte ardhur dhe e kishte nderur trupin e saj mbi djepin e Bedriut të vogël që t’i shpëtonte jetën nga të rënat e çatisë. Atij gjithmonë i vinte keq që nuk e dinte varrin e asaj  plake zemërmadhe dhe as shtëpinë ku kish lindur që të vinte dy buqeta me lule, një në shtëpi dhe një në varr. Për të jatin kishte dëgjuar se kishte qënë djali më i mënçur dhe më trim i fshatit dhe që vdiq kur i biri ishte vetëm 1 vjeç. Nga kujtimet e së jëmës dhe të shokëve kishte mësuar se ai ishte i guximshëm, patriot dhe lexonte dhe në gjuhë të huaj. Nëna e Bedriut ishte nga një familje e thjeshtë durrsake me prejardhje ulqinake.

Shkollën fillore Bedri Dedja e ndoqi në Shkodër, ndërsa shkollën e mesme e ka kryer në Gjimnazin «16 Shtatori» të qytetit të Durrësit. Më 1949 u dërgua me bursë shteti për studime të larta në Moskë, ku më 1953 e mori diplomën e arsimit të lartë në dy degë paralele: të psikologjisë dhe të pedagogjisë si dhe të letërsisë për fëmijë. Ka punuar dyzet vjet si pedagogë i psikologjisë në shkollat e larta të Republikës së Shqipërisë.

Para disa kohësh lexoja disa letra shumë të ngrohta nga të shumtat që ka marrë profesor Bedri Dedja nga Liga Botërore e Shkencave Psikologjike. Aty shprehej dëshira për bashkëpunim nga ana e këtij organizmi me prestigj në botë. Të them të drejtën m’u bë zemra mal që figura të tilla si ai nderojnë Shqipërinë në botë. Shqiptarët gjithmonë kanë patur njerëz të shquar, njeriun e thjeshtë dhe të respektuar botërisht « Nënë Terezën » si shtetase , Skënderbeun, një papë, guvernatorë, perandorë dhe vizirë të mëdhenj. Figurat e ndritura të Kombit tonë që nga Skënderbeu, Nënë Tereza, Fan Noli, Ismail Qemali, Ibrahim Rugova, studjuesit dhe shkrimtarët prof. Eqrem Cabej, prof. Mahir Domi, Lasgush Poradeci, Ismail Kadare,  Dritëro Agolli, Alfred Uçi e sa e sa figura të tjera janë krenari e kombit tonë. Një i tillë është edhe akademiku Bedri Dedja.  Prandaj edhe mendova të shkruaj për krijuesin e  « Nëpër varat e jetës », si edhe të sa e sa qindra librave të tij që bëjnë pjesë në fondin e artë të letërsisë shqipe.

Nuk mund të harroj shënimet e Tunit, tim eti të paharruar, për Bedri Deden që një ditë të vitit 1959 filloi me të botimin e revistës së parë për fëmijët dhe fatosat pas çlirimit « Fatosin ». Ai shkruante me dashuri për shkrimtarin që nuk i vinte ndoresh aspak për punët e shtëpisë apo për të blerë diçka në treg por që e kishte penën e artë, qëndronte mbi libra dhe kudo që shkonte e fliste, fjalët e tij i mbanin të heshtur dhe të menduar ata që e dëgjonin. Kishte një filozofi të veçantë, të një krijuesi brilant që sidomos dha një ndihmesë të madhe për ecjen përpara të letërsisë shqipe për fëmijë. Për dekada të tëra, ajo revistë « Fatosi »u lexua nga çiliminj disa vitesh dhe baballarë dhe gjyshër të moshuar. Dhe gjatë disa dhjetëvjeçarëve,  ai ka shkruar mrekullira për fëmijët, mijra rrëfenja, poezi, poema, pjesë teatrale,, romane, për të vegjëlit tre vjeçarë dhe të moshuarit 100 vjeçarë. Ai është një nga autorët më me zë në Shqipëri, por edhe jashtë kufinjve shqiptare.

Më kujtohen ato ditë nëntori të vitit 1959, kur im atë i paharruar, Tuni Papuçiu, duke patur mbështetjen e shkrimtarit Bedri Dedja, dhe shumë shkrimtarëve dhe piktorëve të tjerë, përfshirë dhe piktorin e shquar Agim Faja, Safo Markon, Petro Markon, Dritëro Agollin, Nasho Jorgaqin, Xhevat Beqaraj e shumë të tjerë, punonte deri natën vonë, me devotshmëri, mbi bocat e revistës “Fatosi” për ta nxjerrë numrin e saj, ditën e festës kombëtare. Akademiku Bedri Dedja, i qëndronte pranë. Një njeri fjalëpakë, i njohur botërisht në fushën e pedagogjisë dhe psikologjisë, i cili megjithë moshën e tij mbi 70 vjeçare nuk rreshti pa shkruar për Kosovën dhe Shqipërinë, për vocërakët dhe rininë shqiptare që ta mbajnë gjallë gjuhën amtare dhe dashurinë për vendin e tyre edhe nga Nëshateli i Zvicrës, ku vinte herë pas here. Romani i tij që titullohet “Sikuriada, ose Kalamajtë e pallatit tim-3”, i redaktuar në mënyrë të përkryer nga bashkëshortja e tij, i drejtohet  siç thote vetë autori “popullit të kalamajve, jo vetëm me ngjarje të vërteta e përralla, por edhe me një program se si ata do ta shndërrojnë e përparojnë atdheun e tyre të dashur, kur të rriten e të bëhen gra e burra, deputetë, ministra e kryeministra, presidentë, prefektë, kryetarë bashkie, drejtorë, inxhinjerë e artistë. Ai përgatiste një roman tjetër për nipat dhe mbesën e tij, një roman që e ka zanafillën aty në Nëshatel dhe që gjeti së fundi rrugën e botimit në Kosovë. Para disa vitesh u botua në Prishtinë nga shtëpia botuese „Faik Konica“, libri i fundit i shkrimtarit Bedri Dedja, „Presidenti i Planetit të Kuq“, i cili është cilësuar nga kritika si “Testamenti letrar e shpirtëror i autorit”. Ka 45 ilustrime, punuar nga Piktori i Merituar, Agim Faja.. „Xhaxhi Bedriu“ e përfundoi veprën e tij të fundit, dy ditë përpara se të vdiste . Ky ishte romani i ri fantastiko- shkencor për fëmijë,  në të cilin trajton në mënyrë të mrekullueshme të gjitha problemet akute me të cilat ndeshemi sot në botë, në luftë e në paqe. Aty gjejmë edhe bashkëjetesën në Europë, por edhe ç’është në të vërtetë globalizmi. Bota e bukur dhe e pastër e fëmijëve paraqitet me të gjitha karakteristikat e saj të moshës, si edhe mesazhi për ne të gjithë, se brezi i ri është pasuria më e madhe kombëtare, të cilën duhet ta ruajmë e ta kultivojmë, mbasi kjo do të jetë e vetmja pasaportë e jona për të ardhmen e Kombit.

Një ditë të marsit 2002, një frymëzim më bëri që t’i them vetes, pas leximit të atyre letrave të Ligës Botërore të Shkencave Psikologjike : ajo që të tregoj çaste të jetës së tij, si dhe të botoj në frëngjisht një pjesë të perlave të tij, si një nga  shkrimtarët më me zë shqiptarë për fëmijë dhe adoleshentë, vepra e të cilit është përkthyer në dhjetra gjuhë të botës. Mbi këtë mundësi nuk i thashë atij asgjë, sepse e dija se ai nuk do të ishte dakord, me modestinë që e ka karakterizuar gjithë jetën e tij. Prandaj edhe fillova të përkthej dhe të botoj në frëngjisht, fillimisht « Përrallat e Zvicrës », të cilat tashmë lexohen edhe nga vocërakët zviceranë apo shqiptarë. Në dorë kishin edhe botimin e tij për jetën e Pestalozzit, këtij edukatori të shquar zviceran, por Bedriu ynë u largua nga kjo jetë, pa mundur ta përfundojë atë. Prof. Bedri Dedja e kishte gati projektin dhe do ta realizonim shpejt me titull “Pestalozzi dhe Shqipëria”. Unë i kisha premtuar se do ta përktheja në frëngjisht. Libri do të ishte një homazh për pedagogun e dëgjuar zviceran që për vite të tëra mendoi për njerëzit e thjeshtë, për t’i mësuar ata të ndjekin një rrugë të mbarë: atë të dashurisë dhe respektit ndaj njeri tjetrit, ndaj bashkëkombasit dhe të huajit. Ky libër do të ishte një mesazh i miqësisë midis Zvicrës dhe Shqipërisë dhe do të shërbente si një udhërrëfyes për brezat e rinj në Shqipëri, Kosovë e Diasporë që do të mësonin më tepër për jetën dhe ravat e jetës së pedagogut dhe humanistit të shquar zviceran, Pestalozzi.

E kam bërë të flasë gjatë profesor Bedriun,  vitet kur vinte ne Nëshatel apo Gjenevë,   përpara një gote uji të kristaltë, nga burimet e Zvicrës, sepse e dija se miqtë tanë mjekë ja kishin ndaluar që të pijë edhe një gotë të vogël rakie apo një gotë vere. Megjithatë, sëbashku edhe e pinim disi fshehurazi, një gotë të vogël. Mendoja dhe bëja shaka me të se akoma edhe 10-20 vite ka për të na treguar për udhën e tij si « Nëpër ravat e jetës » por më gjerë, të na shkruajë dhe të na japë këshilla pedagogjike dhe të një psikologu që është me emër në psikologjinë botërore. Por vdekja e mori me vete. Megjithëse ai ishte optimist dhe nuk thoshte asnjëherë « e di se çfarë «  më pret », « do të përgatitem » ; përkundrazi pena e tij punonte dhe unë për ta lehtësuar punën e tij i kisha dhënë së fundi një ordinator, në vend të makinës së tij të shkrimit që zhurmonte atje në apartamentin e tij të rrugën e Kavajës. Kaçurelat gjysëm të thunjura i jepnin një pamje tjetër portretit të tij, por që ende i a fshihnin moshën e vërtetë.

Ai ishtë Kryetar i Shoqatës Mbarëshqiptare të Psikologëve, anëtar i Asamblesë së Ligës Botërore të Shkencave Psikologjike. IBC, ose Qendra Ndërkombëtare e Biografive të Kembrixhit, në vëllimin e 1999-2000, në rubrikën « Who Who’s », e ka cilësuar Bedri Deden me tre tituj : si  « shkrimtar dhe autor botëror » si « një nga 2000 shkrimtarët më të shquar të  shekullit të XX-të » dhe « Njeriun e Vitit 1999-2000 ». Është “Qytetar Nderi” i Beratit, laureat i “Cmimit te Republikës”, “Urdherit Naim Frashëri”. Me rastin e 70 Vjetorit të lindjes së tij, ai mori urdhërin « Mjeshtër i Madh i Punës ». Një rrugë në Tiranë mban emrin e Akademikut Bedri Dedja.

Gjithmonë njerëzit e mëdhenj të çdo kombi qofshin karakterizohen nga thjeshtësia dhe janë tepër komunikues me njerëzit e çdo moshe dhe kategorie shoqërore. Unë kam pasur fatin gjatë jetës sime të kem pranë figura të tilla të shquara të gjuhësisë, profesor Mahir Domi i cili më ndihmonte me zemërgjerësinë dhe thjeshtësinë që e karakterizonte, si edhe tim atë,  për të ecur në rrugën e gjatë dhe të vështirë të publiçistikës dhe letërsisë. I tillë ishte edhe « xhaxhi » Bedriu për mua që herë pas here shihte shkrimet e mija para se t’i botoja. Ai më dha kurajo gjatë jetës sime, sidomos pas vdekjes së tim eti . Me fjalët e tij të urta të një psikologu e pedagogu të shquar, më shtynte të shkruaja, si një terapi e mirë pas lodhjes së ditës, më dërgonte herë pas here letra, më telefononte apo më vinte dhe i shkoja për vizitë në Gjenevë apo Nëshatel,  për të botuar në një vëllim refleksionet e mija tek të cilat ai nuk donte të vinte asnjë presje.  Vitin e Ri të fundit, para vdekjes së tij e kaluam sëbashku familjarisht në Nëshatel të Zvicrës ku banon e bija. Aty kishte ardhur dhe i biri, Taulanti dhe të afërm të tjerë. Kujtuam të kaluarën se sa ka bërë ai dhe e shoqja për të ndihmuar nipër e mbesa që të merrnin sidomos rrugën e artit etj.

Librat e tij ndodhen në duart e vocërakëve shqiptarë në Shqipëri, Zvicër e kudo në botë ku ato janë përkthyer.  Ato do mbeten kujtimi më i mirë që ka lënë shkrimtari i shquar për ta. Në vitin 1998 ai botoi librin “Sekreti i talentit”, në të cilin nuk ka përgjigje të prera, si në formulat matematike të Galuanit (1811-1832). „Ky libër, shprehet Bedri Dedja, pavarësisht se është i imi dhe nuk është e hijshme të lavdërosh veten, ka një të mirë se mund të quhet libri i dyerve dhe dritareve të hapura, nga të cilat mund të dalësh, ose mund të shikosh për ta zgjidhur vetë me forcat e tua se cili është “sekreti” i talentit“.

Akademiku Bedri Dedja më vonë nga 1992-1997 u muarr intensivisht me shkrime politike për çështjen kombëtare shqiptare, kryesisht në disa gazeta të Shqipërisë, por edhe në gazeta të Kosovës, që botohen në Zvicër dhe në gazetën zvicerane “Ekspres”. Më se njëherë, kam patur fatin t’i përkthej në frëngjisht shkrimet e tija tepër domethënëse. Në ditët e fundit të jetës së tij, Akademiku, i ndihmuar si gjithnjë nga  bashkëshortja e tij, Pandora, përgatiti vëllimin me shkrime publicistike e shkencore me dy tituj “Mikroenciklopedi shqiptare” ose “Pedagogjia në Fokus”. Vëllimi përmban një larmi shkrimesh me një spekter të gjerë e dritëpamje të qartë pedagogjike, shkencore, kulturore e shoqërore. Bedri Dedja ka hartuar një numër të madh tekstesh universitare. Ai është autor dhe bashkautor në fushat e psikologjisë, pedagogjisë, historisë së mendimit pedagogjik dhe historisë së arsimit kombëtar. Shkrimtari Dritëro Agolli dhe miku i tij i pandarë, është shprehur për Bedriun ndër të tjera:”…Ne kemi shembuj edhe në letërsinë për fëmijë që tregojnë për gjithanshmërinë e shkrimtarit dhe të kësaj krijimtarie. Kështu Bedri Dedja  nuk është mbyllur vetëm në muret e kësaj letërsie: është edhe studjues, edhe kritik, edhe krijues në fushën më të gjerë letrare. Prandaj edhe romanet e tij për fëmijë kanë kulturë letrare e cilësi artistike”.

Fjalët e mira të miqve dhe të dashamirësve e lumtëronin dhe e mallëngjenin shkrimtarin, duke e nxitur të jepte vepra të reja. Ja si shkruan ai ndër të tjera tek libri me kujtime: “Nëpër ravat e jetës”: “Xhevahiri i vargut të xhevahirtë (siç shprehet Pandora- e shoqja, shënimi im) më tha para disa ditësh se i kishin pëlqyer shumë vjershat e mia për fëmijë të ciklit “Vallja e ditëve tona”, të botuara në “Drita” më 4 qershor 2000, të cilat i kam shkruar në fillim të këtij shekulli. Nuk mund të mos përlotem, pasi jam njeri me ndjenja tani në prag të pleqërisë, kur ai në dedikimin e librit me vjersha “Zogj të kaltër”, më 10 Nëntor 1999, më shkruan: “Profesor Bedri Dedes, që u thinj për të mbetur i pathinjur ardhmëria jonë. Nderim punës sate fort të çmuar dhe themelvënëse, i dashur miku im dhe miku i të gjithë familjeve shqiptare! Me zemër, Xhevahir Spahiu”

Disa muaj përpara se të ndahej nga jeta, Profesor Bedri Dedja  la për Institutin e Integrimit të Jetimëve të Shqipërisë një program që, me zhvillimin e këtij institucioni të ri, të sfidonte vrazhdësinë e së tashmes ndaj kësaj shtrese të shoqërisë sonë dhe padyshim, për të dhënë frute sa më të shëndetshme për të ardhmen. Siç kujton shkrimtari Ferhat Cakaj, “Bedriu Ynë i bën thirrje shtetit shqiptar, gjithë shoqërisë se kjo “…shtresë duhet të na ngjajë me qerpikët e syve të shoqërisë…” Ky zë, zëri i Profesorit të Madh ngrihet si flakërimë në ditët që kalojmë. Çdo njeri me mëndje të kthjellët duhet të mirëkuptojë e të mbështesë zërin e Profesor Bedriut. Nuk ka integrim në Europë, pa integrimin e kësaj shtrese në jetën e shoqërisë sonë. As që mendohet një e ardhme pa mjegulla e atdheut, pa fëmijët, pa dritën e syve të asaj të ardhmeje”.

Më poshtë, më lejoni të dashur lexues t’u jap një vlerësim të të paharruarit Bedri Dedja për një poet kosovar, nga kujtimet e tij të shumta dhe me vlerë artistike, ku ai ndër të tjera shprehet: “Mustafë Xhemailin dhe vëllimin e tij poetik «Fusha e plagosur» unë e takova më 1997. Kur e vizitova studion e tij në Bienne, (Zvicër) qytet i bukur buzë liqenit, mbeta i mahnitur. Një bibliotekë shumë e pasur, një videotekë, një ekspozitë pikturash si trilogjia pikturale shqiptare e piktorit tonë të madh Ibrahim Kodrës dhe grafika nga cikli «Pas korrjeve» të grafistit të njohur Hysni Krasniqit etj. Në një hapësirë tjetër një piano dhe një xhubletë e vjetër 100 vjeçe. Studio me një teknikë moderne për punë me literaturë profesionale dhe me një arkivë shumë të pasur për kulturën dhe letërsinë. E, mbi të gjitha, ajo që më bëri përshtypje në këtë studio, ishte aroma e fuqishme e fushës së Kosovës. Më dukej sikur ishte shkëputur një copë nga vendlindja dhe kishte ardhur bashkë me Mustafën dhe familjen e tij, këtu në Zvicër! Ai më tregoi se më kishte njohur më 1967, kur ishte fëmijë dhe kishte lexuar «Heroizmat e Fatbardh Pikaloshit», botimin e parë në Kosovë. Më tha se atëherë kishte ëndërruar të bëhej një Fatbardh Pikalosh. Por, kur e lexova librin e tij «Fusha e plagosur», unë u binda se Mustafa ia kishte kaluar Fatbardhit tim”.

Një nga ish studentet  e tij në Institutin e Lartë Pedagogjik të Elbasanit, Kozeta (Këze) Zylo që jeton tashmë në SHBA kujton në një letër dërguar të bijës së profesorit të nderuar: »Unë kam qënë me fat që kam patur një profesor, akademik, shkrimtar nga më të shquarit, ku me punën e tij kolosale, ka bërë emër në fondin e figurave të intelektualëve të shquar në botë. Kurrë, kurrë, nuk do ta harroj Profesorin tim të respektuar në vitin 1975-1977, kur jepte leksione në Universitetin e Elbasanit, i cili në atë kohë kishte ardhur me « dënim » nga lart. Oh, sa e vuante Profesori im atë dënim, e bashkë me të dhe ne studentët e tij, por që ai kurrë nuk e shprehte…edhe pse ne e psikologjisnim në leskionet e tij ! Ai kishte një seriozitet dhe një ndershmëri të rrallë, dhe ne studentët e atij brezi mezi e prisnim orën e tij, sepse elokuenca e tij, dashamirësia e tij, dinte të prekte zemrat e mijëra studentëve që ai mësoi dhe edukoi. Personalisht e kam profesorin më të shtrenjtë, një mik ndër më të mirët, jo vetëm pse na jepte vlerësimin që meritonim, por mësova shumë prej figurës së tij madhore ».

Ai ka shkruar në shumë zhanre të letërsisë dhe me tepër sukses. Shumë nga veprat e tij kanë marrë çmime Republike dhe janë përkthyer në  vende të ndryshme të botës.  Ai ka shkruar rreth gjashtëdhjetë vepra letrare në të gjitha gjinitë. I janë ribotuar gjashtëdhjetë e një herë librat për fëmijë. Mund të përmendim midis të tjerave :  « Përralllat e Zvicrës », « Shkolla e pyllit », « Tregimet e Gjyshe Pastërtores », « Heroizmat e Fatbardh Pikaloshit », « Si u bënë katër çiliminj biznesmenë », « Patoku në plazh », « Bariu i vogël në mal të thatë », « Përrallat njëmbëdhjetëkatëshe », « Përralla e shpatave të arta », « Kërcënimi i thonjve kozmikë », « « Artan Burizani dhe çeta e tij », romanet e tij « Republika e 1100 çudirave » , « Kalamajtë e Pallatit tim », « Met partizani », « Alarmet e qytetit Sdikuisht », « Kacimisri rreth globit », « Qyteti me tri kështjella », « Nëpër korridoret e thella të Jonit ». Romani i tij « Një udhëtim i

rrezikshëm » është botuar në shumë gjuhë dhe është në listën e nderit të Organizatës Ndërkombëtare të Letërsisë për Fëmijë. Mjaft prej librave të Prof. Bedri Dedja janë botuar edhe  në SHBA,  në Francë, në Greqi, në Zvicër, në Rumani, në Kinë, në Rusi, e gjetkë nëpër botë.

Vështrimi i tij i qartë dhe gjallëria e tij prej një psikologu të shquar dhe një pedagogu të pashembullt, kanë qënë një kartë e fortë për prof. Bedri Dedja për të paraqitur në një mënyrë të thjeshtë dhe shumë karakteristike mendimet e tij në librat dhe studimet e shumta për fëmijët dhe të rriturit. « Nëpër ravat e jetës », kujtimet e tij, janë një mesazh optimist për jetën dhe për njerëzit që ai i donte dhe për të cilët nuk rreshti asnjë ditë së shkruari, apo medituari.

Librat e prof. Bedri Dedes « Letërsia për fëmijë për shkollat pedagogjike », « Traditat dhe problemet e letërsisë shqiptare për fëmijët », « Shkrime për letërsinë për fèmijët », disa qindra artikuj të tij përdoren në shkollat dhe institutet kërkimore dhe janë aktuale. Ai ka përkthyer e botuar tridhjetë vepra të letërsisë klasike botërore dhe ruse për fëmjë, në prozë dhe poezi.

Përmbledhja « Perrallat e Zvicrës » që është një botim dygjuhësh : shqip dhe frëngjisht, është një pjesë e kujtimeve dhe rrëfenjave që prof. Bedri Dedja ka shkruar për këtë vend të vogël, tërheqës, të njerëzve punëtorë, mikpritës, si Zvicra. Në Zvicër ai ka ardhur herë pas here dhe e ndjente veten të qetë për të shkruar, për të mbajtur konferenca, sidomos për të rinjtë shqiptarë nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe viset, që e kanë zgjedhur këtë vend isi atdheun e tyre të dytë. Ai u nguliste atyre në mendje, me elokuencën e tij të pashembullt, se duhet të respektojnë ligjet dhe zakonet e Zvicrës, si edhe zviceranët respektojnë traditat dhe gjuhën shqipe dhe të popujve të tjerë, duke u dhënë atyre mundësi të mësojnë dhe të flasin në gjuhën e tyre amtare. Bedri Dedja jo më kot shprehej: “Më i lumtur nga të gjithë do të jetë ai popull, i cili më mirë se çdo gjë tjetër do të mësojë fëmijët e vet, do të dijë të pasurojë mendimin dhe t’u japë drejtimin ndjenjave të tyre”.

Prof. Bedri Dedja  ka dhënë mësim pedagogjinë dhe psikologjinë në shumë Universitete dhe institucione kërkimore shqiptare, ka dhënë një ndihmesë për shkollën dhe historikun e saj, për arsimin dhe edukatën, për psikologjinë shoqërore.Ai ka mbajtur konferenca jashtë shtetit, në dy kongrese evropiane të psikologjisë dhe ka qënë ftuar në kongreset e XXIV, XXV, XXVI dhe XXVII botërorë të psikologjisë. Ai kishte marrë letra dhe ftesa për veprimtari shkencore ndërkombëtare nga Danimarka, Irlanda, Suedia, Afrika e Jugut, Kolumbia, Belgjika, Spanja, Kanadaja, Amerika, Meksika, Portugalia, Holanda, Rusia etj, etj. Prof. Bedri Dedes i janë botuar studime të veçanta të karakterit pedagogjik e psikologjik, si dhe vepra letrare në Amerikë, Francë, Zvicër, Greqi, Rumani, Kinë, Rusi e gjetiu. Njëzet e katër vepra pedagogjike, psikologjike dhe histori-pedagogjike mbajnë autorësinë e tij. Është bashkëautor në njëzetë e shtatë vepra të këtyre profileve. Dhe kur e pyesnin miqtë dhe dashamirët e shumtë, ish-studentët e tij : « Si e sheh të ardhmen ? », prof. Bedriu me atë pamjen e tij fisnike përgjigjej : « Të bukur, të trazuar, të hijshme, të trishtuar : është koha e dhimbjeve dhe gëzimeve më të mëdha për rilindjen e Shqipërisë ! »

Dhe ai vazhdon të ecë nëpër rava, me mendimin  dhe këshillat e tij, duke lënë si mesazh besimin se Shqipëria dhe shqiptarët do të ecin në rrugë të mbarë, solidarë, të përkushtuar për kombin dhe brezat e ardhëshëm të një vendi të vogël, por me njerëz punëtorë, fisnikë dhe fqinjë të denjë e të respektuar.

“Xhaxhi” Bedriu iku, por na la pas kujtimin e njeriut të mirë, të urtë, të dashur për fëmijët e tij dhe vocërakët kudo, për njerëzit që e donin dhe i donte në Shqipëri, Kosovë, Toronto, Sunio, Gjenevë, Nëshatel, Nju Xhersi, Fier, Durrës, Berat, Korçë  e kudo.Ai më la kujtimin e bukur te « Rravat e jetës » me botimin e letrave të mija që i kisha dërguar në prill 1978 dhe korrik 1979, me kujtimet e tij për tim atë dhe me shënimin kuptimplotë : «Fredit, Rozës, Gentit dhe Nausikës, një tabllo për jetën tonë, me shumë dashuri ». Më tej vjen firma e tij karakteristike që nuk do ta shoh më të hidhet në letër. (11.06.2001). Vepra poliedrike, shkencore dhe letrare e Bedri Dedes, do të jetojë për brezat e ardhshëm si një vlerë e madhe e kulturës sonë Kombëtare.

Do të dëshironin të ishin sot mes nesh me tufa lulesh në duar dhe të përuleshin para kujtimit të shkrimtarit, publiçistit, pedagogut, profesorit, akademikut Bedri Dedja edhe dhjetëra miq nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Diaspora: ish studentë, mësues e pedagogë, shkrimtarë për fëmijë e të rritur. Secili prej tyre ka se ç’të kujtojë e të tregojë për Bedriun: shokë të fëmijërisë, bashkënxënës të të ndjerit mësues të talentuar gjakovar Ismet Shaqiri në shkollën e lagjes Parrucë të Shkodrës, ku studjoi edhe Bedriu; bashkëgjimnazistë në qytetin e Durrësit; bashkëstudentë në  Institutin Pedagogjik Shtetëror në Moskë; ish-studentët të profesorit njëzetekatërvjeçar dhe të parit Dekan të Fakultetit Histori-Filologji; ish-kolegë dhe studentë të Institutit të Lartë Pedagogjik në Elbasan, ish-kolegë e bashkëpunëtorë të Profesor Bedrit, zëvendësministër i Arsimit dhe Kulturës, të Prof. Bedriut themelues dhe drejtor i Institutit të Studimeve Pedagogjike, njerit prej bashkëthemeluesve të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe i pari sekretar shkencor i saj,  të publicistit Bedri Dedja, themelues  e drejtues për disa vjetë i gazetës “Mësuesi” dhe i disa revistave për fëmijë… Madhështia e tij duket edhe nga një numër shkrimesh të tij dhe të bashkëbiseduesve të tij, që do t’u japim më poshtë. Ato janë shumë pak në morinë e 130 veprave dhe qindra e qindra artikujve që ka hartuar Bedri Dedja gjatë viteve… Bedri Dedja gjithashtu ka qenë anëtar i Redaksisë së përgjithshme për hartimin e Fjalorit Enciklopedik Shqiptar (1985) si dhe bashkëautor dhe redaktor përgjegjës i botimit të Akademisë së Shkencave dhe Ministrisë së Arsimit, Historia e Arsimit dhe e Mendimit Pedagogjik Shqiptar Vol. I (2003)

I përjetshëm qoftë kujtimi i Akademikut Bedri Dedja !

Gjenevë, 11 prill 2019

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok