Zgjedhjet nuk zgjidhin kriza, të ketë marrëveshje për presidentin me rotacion
Nga Gjon Keka
Pas gjithë atyre përsëritjeve të shpeshta të zgjedhjeve në njërën anë dhe krizave në anën tjerë ,Kosova tani duhet të mos vazhdojë më me trashjen e kësaj rruge të gabuar politike, por të fokusohet në rritjen e përgjegjësisë politike, institucionale, shtetërore të kompromisit dhe të udhëheqjes vizionare e të urtë në shërbim të së mirës së përgjithshme të popullit e shtetit.
Të gjithë e shohin qartë se zgjedhjet nuk janë zgjidhja e krizës, as ripërcaktimi i pozicioneve të secilit në fushën e betejës zgjedhore e politike dhe pas saj ,por janë një ngarkesë e panevojshme në kurriz të popullit i cili tanimë është lodhur nga zgjedhjet që nuk prodhojnë asgjë tjetër pos rezultatit të përafërt me të cilën u përmbyllën zgjedhjet e dhjetorit të vitit që lam pas ku nxorrën fitues sërish Lëvizjen Vetëvendosje(LVV).
Prandaj, duke ditur se shkuarja në zgjedhje sërish tani në këtë kohë kur dihet se Kosova ka shumë punë të shtëpisë për të bërë si në aspektin e forcimit nga brenda të mirëqenjes e zhvillimit ekonomik, të rendit e sigurisë, por edhe të procesit në rrugën e integrimit në Bashkimin Europian, të anëtarësimin në NATO dhe organizata tjera ndërkombëtare me rëndësi, do të ishte humbje kohe dhe pengesë në rrugën e saj nëse zgjedhjet nuk prodhojnë zgjidhje por rezultat të njëjtë dhe forcim të ngrirjes së akullit të krizës politike dhe institucionale.
Me fitoret e njëpasnjëshme të Lëvizjes Vetëvendosje(LVV) në zgjedhjet që u mbajtën në vitet që lam pas, tregon se në Kosovë po ndodh një ndarje në dy drejtime: në Partitë e së kaluarës dhe Partitë e së ardhmes, pra kjo ndarje shihet se si votues që ishin më parë të partive të së kaluarës votuan për partitë e të ardhmes. Në demokraci kjo ndarje është normale, por se sa është e shëndetshme këtë do ta tregoj koha. Mbi 51% e votave u dhanë në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025 për Lëvizjen Vetëvendosje(LVV) dhe kjo është domethënëse në lidhje me këtë fenomen masiv të ndarjes demokratike në mes të së kaluarës dhe të ardhmes.
Sidoqoftë, Kosova ka nevojë për parti të së ardhmes ,respektivisht për parti e lëvizje të së ardhmes që punojnë për mirëqenjen e përgjithshme, për të mirën e atdheut,kombit e shtetit, për forcimin e brendshëm dhe të jashtëm të Republikës së Kosovës dhe për të ardhmen e saj europian ,brenda familjes së përbashkët europiane.
Ndërsa sa i përket çështjes së zgjedhjes së presidentit apo presidentes do të duhet që i gjithë spektri politik e në veçanti ata që janë brenda parlamentit të Republikës së Kosovës që të arrijnë një kompromis në gjetjen e një figure jashtëpartiake që do të mund ta kryente mandatin e tij pa qenë i detyruar t’i shërbej njërës apo palës tjetër, pra qoftë pozitës ashtu edhe opozitës. Një personalitet fisnik me identitet të vërtetë dardan-arbëror europian i nevojitet tani shteti të Kosovës që të jetë në pozitën e presidencës së vendit ashtu që roli i tij apo saj të jetë si një mbrojtës i kushtetutës së vendit dhe i prezantimit të vendit jashtë në arenën ndërkombëtare në mënyrë të shkëlqyer dhe më një imazh të vërtetë të një europiani apo europiane.
Nëse nuk ka vullnet të përbasshkët politik nga të gjithë palët për një president apo presidente ,atëherë do të ishte mirë që në mënyrë provizore të gjendet një figurë e përshtatshme nga të dy palët, por që pa humbur kohë të gjithë akterët apo palët, respektivisht pozita dhe opozita të ulen më pas dhe të gjejnë një gjuhë të përbashkët që sa herë që të vijë afati kohor për zgjedhjen e presidentit apo presidentes të mos ketë pengesa apo vonesë në gjetjen e një figure, por të ketë një rotacion që një mandat pesëvjeçar ta ketë pozitën e presidenttit njëra palë tjetrin mandat tjetra palë ashtu që në votim të mos ketë më probleme në arritjen e kuorumit dhe numrave për të zgjedh presidentin apo presidenten e vendit.
Një ide e tillë e roatcionit për këtë pozitë do të mund të bëhet si një marrëveshje si për palët e sotme pra pozitë e opozitë ashtu edhe për të gjitha në të ardhmen, pra si një marrëveshje e përhershme e një lloj uniteti për të mirën e vendit që të mos ketë më kriza, vonesa e pengesa në të ardhmen. Kjo është vetëm një ide e imja për të dal nga kjo varësi përcaktuese e fatit të Kuvendit dhe Qeverisë e që ka kohë që pozita e presidentit të bëhet shkaktare e shpërndarjes së parlamentit dhe automatikisht edhe rrëzimit të qeverisë. Prandaj mendoj se kjo ide e këtij rotacioni pë pozitën e presidentit do të mund t’i hynte në punë për të mirën e Republikës sonë dhe të mos ketë më pengesa e kriza, por të ecën atdheu ynë, Kosova jonë përpara që të arrijë hapin e saj krah vendeve tjera dhe të integrimit sa më të shpejtë në familjen europiane, respektivisht në Bashkimin Europrian dhe në NATO.
